Libri i parë i Mbretërve 6:1-38
6 Në vitin e 480-të pas daljes së izraelitëve* nga vendi i Egjiptit,+ në vitin e 4-t të mbretërimit të Solomonit në Izrael, në muajin ziv*+ (domethënë në muajin e 2-të), ai nisi të ndërtonte shtëpinë e Jehovait.*+
2 Tempulli* që mbreti Solomon ndërtoi për Jehovain ishte 60 kute* i gjatë, 20 kute i gjerë dhe 30 kute i lartë.+
3 Portiku*+ përpara tempullit* kishte të njëjtën gjerësi sa shtëpia, pra 20 kute,* dhe i shtonte gjatësisë së shtëpisë 10 kute të tjera.
4 Në muret e shtëpisë bëri dritare që vinin duke u ngushtuar.*+
5 Veç kësaj, ndërtoi ngjitur me muret e shtëpisë një ndërtesë anësore, e cila shkonte rreth e qark mureve të shtëpisë, pra të tempullit* dhe të dhomës më të brendshme.*+ Në këtë ndërtesë bëri dhoma anësore rreth e rrotull.+
6 Kati i poshtëm i dhomave anësore ishte 5 kute i gjerë, kati i dytë ishte 6 kute i gjerë, dhe kati i tretë ishte 7 kute i gjerë, kurse murin e bëri në atë mënyrë që trarët të mbështeteshin përgjatë gjithë gjatësisë së murit, rreth e qark shtëpisë, pa hapur vrima në mur.+
7 Shtëpia u ndërtua me gurë të përgatitur tashmë në gurore,+ kështu që gjatë ndërtimit të saj, nuk u dëgjuan as çekanë, as sëpata dhe as ndonjë vegël tjetër hekuri.
8 Në anën jugore* të shtëpisë kishte një hyrje që të çonte në dhomat anësore+ të katit të parë. Pastaj një shkallë gjarpëruese të çonte në katin e dytë dhe nga i dyti në të tretin.
9 Solomoni e vazhdoi ndërtimin e shtëpisë, e mbaroi+ dhe e mbuloi me trarë dhe me panele të trasha cedri+ të vendosura radhë.
10 Rreth e qark shtëpisë ndërtoi dhomat anësore,+ secilën pesë kute të lartë; dhomat lidheshin me shtëpinë me dru cedri.
11 Ndërkohë, Jehovai i drejtoi Solomonit këto fjalë:
12 «Nëse ecën sipas ligjeve të mia, nëse zbaton vendimet e mia gjyqësore dhe të gjitha urdhërimet e mia duke ecur sipas tyre,+ edhe unë do ta mbaj premtimin që i bëra për ty Davidit, atit tënd, për këtë shtëpi që po ndërton,+
13 do të banoj mes izraelitëve+ dhe nuk do ta braktis popullin tim, Izraelin.»+
14 Solomoni vazhdoi ndërtimin e shtëpisë që ta mbaronte.
15 Muret e shtëpisë i veshi nga brenda me panele cedri, nga dyshemeja deri te trarët e tavanit, kurse dyshemenë e veshi me panele dëllinje.+
16 Në fund të shtëpisë bëri një ndarje prej 20 kutesh me panele cedri, nga dyshemeja deri te trarët. Kështu ndërtoi brenda saj* dhomën më të brendshme,+ domethënë, Më të Shenjtën,+
17 dhe pjesa e shtëpisë që ndodhej para saj, pra tempulli,*+ ishte 40 kute.
18 Druri i cedrit që vishte shtëpinë nga brenda, kishte gdhendje në formë kungullujësi+ dhe lulesh të çelura;+ muret e shtëpisë ishin të veshura me dru cedri dhe në to nuk shihej gurë gjëkundi.
19 Dhomën më të brendshme+ e përgatiti brenda shtëpisë që të vendoste në të arkën e besëlidhjes së Jehovait.+
20 Dhoma më e brendshme ishte 20 kute e gjatë, 20 kute e gjerë dhe 20 kute e lartë.+ Atë e veshi me ar të kulluar; altarin+ e veshi me dru cedri.
21 Solomoni e veshi shtëpinë nga brenda me ar të kulluar+ dhe vendosi zinxhirë ari para dhomës më të brendshme,+ e cila ishte e veshur me ar.
22 Gjithë shtëpinë e veshi me ar, derisa e përfundoi të tërën; po ashtu veshi me ar të gjithë altarin+ që ishte pranë dhomës më të brendshme.
23 Në dhomën më të brendshme bëri dy kerubinë+ me dru pishe.* Secili prej tyre ishte dhjetë kute i lartë.+
24 Kerubini i parë kishte dy krahë të gjatë pesë kute secili. Nga maja e njërit krah te maja e krahut tjetër ishte dhjetë kute.
25 Edhe kerubini i dytë ishte dhjetë kute. Të dy kerubinët kishin të njëjtën masë dhe të njëjtën formë.
26 Një kerubin ishte dhjetë kute i lartë, e po kaq ishte edhe kerubini tjetër.
27 Pastaj i vendosi kerubinët+ në dhomën më të brendshme. Krahët e kerubinëve shtriheshin në këtë mënyrë: krahu i njërit kerubin takonte njërin mur dhe krahu i kerubinit tjetër, murin tjetër. Krahët e tjerë takonin njëri-tjetrin në mes të dhomës më të brendshme.
28 Të dy kerubinët i veshi me ar.
29 Në të gjitha muret e shtëpisë, rreth e qark dhomës më të brendshme dhe dhomës së brendshme,* gdhendi figura kerubinësh,+ palmash+ dhe lulesh të çelura.+
30 Dyshemenë e shtëpisë e veshi me ar, si në dhomën më të brendshme dhe në dhomën e brendshme.
31 Për dhomën më të brendshme bëri një hyrje me dy dyer me dru pishe, kolona anësore dhe shtalka;* zinte një të pestën e murit.*
32 Dy dyert ishin bërë me dru pishe. Ai gdhendi mbi to kerubinë, palma dhe lule të çelura, dhe i veshi me ar; kerubinët dhe palmat i mbuloi me ar duke e rrahur arin me çekan.
33 Për hyrjen e tempullit,* bëri në të njëjtën mënyrë shtalkat e derës me dru pishe; zinte një të katërtën e murit.*
34 Ai bëri dy dyer me dru dëllinje dhe secila derë kishte dy kanate në çdo anë, të cilat paloseshin.+
35 Gdhendi kerubinë, palma e lule të çelura dhe i veshi me ar.
36 Ai ndërtoi murin e oborrit+ të brendshëm me tri radhë gurësh të latuar dhe një radhë trarësh cedri.+
37 Themelet e shtëpisë së Jehovait u hodhën në vitin e 4-t, në muajin ziv,*+
38 dhe shtëpia u përfundua sipas të gjitha hollësive dhe sipas projektit të saj,+ në vitin e 11-të, në muajin bul* (domethënë muajin e 8-të). Kështu Solomonit iu deshën 7 vjet për ta ndërtuar.
Shënimet
^ Fjalë për fjalë «bijve të Izraelit».
^ Shih Shtojcën B15.
^ Shih Shtojcën B8.
^ Një kut ishte 44,5 cm. Shih Shtojcën B14.
^ Në këtë kontekst «tempulli» i referohet vetëm godinës kryesore që përbëhej nga e Shenjta dhe Më e Shenjta.
^ Domethënë, hyrja e tempullit.
^ Fjalë për fjalë «tempullit të shtëpisë».
^ Ose «ishte 20 kute i gjatë, që përkonte me gjerësinë e shtëpisë».
^ Ose «nga jashtë brenda; nga brenda jashtë».
^ Domethënë, Më të Shenjtës.
^ Këtu i referohet së Shenjtës.
^ Fjalë për fjalë «e djathtë».
^ Domethënë, brenda shtëpisë.
^ Domethënë, e Shenjta, e cila ndodhej para Më të Shenjtës.
^ Fjalë për fjalë «dru vajor», ka mundësi pisha e Halebit.
^ Fjalë për fjalë «brenda dhe jashtë».
^ Domethënë, korniza dyersh.
^ Fjalë për fjalë «një e pesta». Kjo shprehje mund t’i referohet strukturës së kornizës ose madhësisë së dyerve (kanateve).
^ Këtu i referohet së Shenjtës.
^ Fjalë për fjalë «një e katërta». Kjo shprehje mund t’i referohet strukturës së kornizës ose madhësisë së dyerve (kanateve).
^ Shih Shtojcën B15.
^ Shih Shtojcën B15.