Eksodi 4:1-31
4 Por Moisiu iu përgjigj: «Ta zëmë se nuk më besojnë dhe nuk ma vënë veshin,+ e më thonë: ‘Jehovai nuk të është shfaqur.’»
2 Atëherë Jehovai e pyeti: «Çfarë ke në dorë?» Ai iu përgjigj: «Një bastun.»
3 Perëndia i tha: «Hidhe në tokë.» Atëherë Moisiu e hodhi përtokë, dhe bastuni u shndërrua në gjarpër,+ prandaj Moisiu ia dha vrapit.
4 Tani Jehovai i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape gjarprin nga bishti.» Kështu ai zgjati dorën, e kapi, dhe gjarpri iu shndërrua në bastun.
5 Atëherë Perëndia i tha: «Këtë e bëra që ata të besojnë se të është shfaqur Jehovai,+ Perëndia i paraardhësve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.»+
6 Jehovai i tha përsëri: «Të lutem, fute dorën në gji, në një nga palat e veshjes.» Kështu ai e futi dorën në gji. Por kur e nxori dorën jashtë, ç’të shihte! Dorës i kishte rënë lebra dhe ishte bërë e bardhë si bora!+
7 Pastaj i tha: «Fute përsëri dorën në gji.» Atëherë Moisiu e futi dorën në gji. Por kur e nxori dorën jashtë, ja, ajo ishte bërë prapë e shëndetshme si pjesa tjetër e trupit!
8 Perëndia vazhdoi: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk i kushtojnë vëmendje shenjës* së parë, me siguri do t’i kushtojnë vëmendje shenjës së dytë.+
9 Por edhe sikur të mos u besojnë as këtyre dy shenjave dhe të mos duan të ta vënë veshin, merr pak ujë nga lumi Nil e derdhe në tokë të thatë, dhe uji do të shndërrohet në gjak.»+
10 Moisiu i tha Jehovait: «Më fal, o Jehova, por s’kam qenë ndonjëherë njeri i gojës; s’kam qenë i tillë në të kaluarën dhe nuk u bëra edhe pasi fole me shërbëtorin tënd. Faktikisht unë jam i ngathët në fjalë e në të folur.»+
11 Jehovai iu përgjigj: «Kush i dha gojë njeriut? Kush ka fuqi ta bëjë të pagojë, të shurdhër, symprehtë a të verbër? A nuk jam unë, Jehovai?
12 Prandaj shko tani, dhe unë do të jem me ty kur të flasësh* e do të të mësoj ç’duhet të thuash.»+
13 Por ai i tha: «Më fal, o Jehova, por dërgo dikë tjetër, të lutem. Dërgo kë të duash, por jo mua.»
14 Atëherë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Moisiut dhe i tha: «Vëllai yt, Aroni,+ leviti, është njeri i gojës. Ja, tani ai është rrugës për të të takuar dhe, kur të të shohë, do t’i gëzohet zemra.+
15 Prandaj fol me të dhe tregoji fjalët e mia.+ Unë do të jem me ty dhe me të kur të flisni+ e do t’ju mësoj çfarë të bëni.
16 Ai do t’i flasë popullit në vendin tënd dhe do të jetë zëdhënësi yt, kurse ti do të jesh për të si Perëndi.*+
17 Merre edhe këtë bastun në dorë, se me të do të bësh shenjat që të tregova.»+
18 Pastaj Moisiu u kthye te Jetroi, vjehrri i tij,+ dhe i tha: «Të lutem, më lër të shkoj e të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt që të shoh nëse janë ende gjallë.» Atëherë Jetroi i tha: «Shko në paqe.»
19 Pas kësaj Jehovai i tha Moisiut në Midian: «Shko, kthehu në Egjipt, sepse gjithë njerëzit që donin të të vrisnin, kanë vdekur.»+
20 Atëherë Moisiu mori gruan dhe djemtë, i hipi në gomar dhe u nis që të kthehej në vendin e Egjiptit; mori në dorë edhe bastunin e Perëndisë së vërtetë.
21 Jehovai i tha përsëri Moisiut: «Unë të kam dhënë fuqi që të kryesh mrekulli. Prandaj kur të jesh kthyer në Egjipt, sigurohu që t’i kryesh të gjitha mrekullitë para faraonit.+ Megjithatë unë do të lejoj që zemra t’i ngurtësohet e të bëhet kryeneç,+ dhe ai s’ka për ta lënë popullin të shkojë.+
22 Thuaji faraonit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Izraeli është im bir, i parëlinduri im.+
23 Prandaj po të them: lëre tim bir të shkojë që të më shërbejë. Por nëse nuk pranon ta lësh që të shkojë, unë do të vras djalin tënd, të parëlindurin.’”»+
24 Tani, kur ishin akoma rrugës për në Egjipt, Jehovai*+ i doli përpara në hanin ku po kalonin natën dhe kërkoi një mënyrë për ta* vrarë.+
25 Në fund, Zipora+ mori një gur stralli,* e rrethpreu të birin, e hodhi lafshën në këmbët e tij* dhe tha: «Ti je për mua dhëndër gjaku.»
26 Prandaj Ai e la të ikte dhe ajo tha «dhëndër gjaku» për shkak të rrethprerjes.
27 Pastaj Jehovai i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun+ në shkretëtirë.» Kështu ai shkoi, e takoi në malin e Perëndisë së vërtetë+ dhe e përshëndeti me një puthje.
28 Moisiu i tregoi Aronit gjithë fjalët e Jehovait, i cili e kishte dërguar,+ dhe gjithë shenjat që Ai e kishte urdhëruar të bënte.+
29 Pastaj Moisiu dhe Aroni shkuan dhe mblodhën gjithë pleqtë e izraelitëve.+
30 Aroni u tha gjithë fjalët që Jehovai i kishte thënë Moisiut, dhe ai i kreu shenjat+ në sy të popullit.
31 Pas gjithë kësaj populli besoi.+ Kur dëgjuan se Jehovai nuk i kishte harruar izraelitët+ dhe se e kishte parë mundimin e tyre,+ ata u përkulën me fytyrë përtokë.
Shënimet
^ Ose «mrekullisë».
^ Fjalë për fjalë «me gojën tënde».
^ Ose «do të jesh për të përfaqësues i Perëndisë».
^ Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
^ Mund t’i referohet një prej djemve të Moisiut.
^ Mund t’u referohet këmbëve të engjëllit.
^ Ose «një thikë stralli».