GJEORGJIA
«Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait.»—Isa. 54:17.
SHËRBËTORËT e Jehovait në Gjeorgji e kanë predikuar pareshtur lajmin e mirë dhe Jehovai e ka bekuar punën e tyre të palodhur. Si rrjedhojë, lajmi i mirë ka arritur thuajse në çdo cep të vendit.
Vitet e fundit, pionierë dhe lajmëtarë të zellshëm janë përqendruar më shumë te nevojat e atyre që jetojnë në territore të predikuara rrallë. Në zonat malore, në disa
fshatra të largëta apo me pak banorë mund të shkohet vetëm me makina fuoristradë ose me teleferik.Nga 2009-a, çdo vit dega e Gjeorgjisë u ka dhënë të gjitha kongregacioneve një listë me territore të pacaktuara, duke i ftuar lajmëtarët të mbështetin veprën e predikimit në këto zona. Shumë vetave u është dashur të bëjnë sakrifica të veçanta që të marrin pjesë në këtë vepër.
Temuri dhe Ana Bliadzeja ishin të sapomartuar kur dëgjuan se kishte shumë nevojë për lajmëtarë në rajonin malor të Ajarias. Ata sapo kishin blerë tokë për të ndërtuar një shtëpi të re, por tani kishin mundësinë që të zgjeronin shërbimin.
Në fillim qëndruan një javë në Ajaria. Duke sjellë ndër mend përshtypjet e para, Temuri thotë: «Lajmëtarët vendës ecnin shumë që të shkonin në fshatrat e largëta. Ne kishim një makinë shumëvendëshe fuoristradë dhe menjëherë mendova që do të bënte punë atje.»
Ana shton: «Transferimi nuk qe fare i lehtë pasi ishim tepër të lidhur me kongregacionin dhe familjen. Por pamë bekimin e Jehovait.» Tashmë Temuri dhe Ana kanë mbi tre vjet që mbështetin një grup në Kedë, qytet në rajonin e Ajarias.
Pionierë krijues
Pionierët specialë të përkohshëm kanë dhënë një ndihmë tejet të çmuar për të mbështetur predikimin në zona të largëta. Pas u mbaronte caktimi, shumë prej tyre qëndronin në zonën ku ishin dërguar, që të kujdeseshin për studentët e Biblës.
Dy motra pioniere, të dyja me emrin Katuna, u caktuan në Manglis, një qytezë piktoreske. Edhe pse atje nuk kishte Dëshmitarë, patën një shërbim mjaft të frytshëm. Muajin e parë drejtuan 9 studime biblike, muajin e dytë 12, të tretin 15 dhe më vonë 18. Ato vendosën të qëndronin në Manglis që të vazhdonin të kujdeseshin për studentët e Biblës.
Motrave iu duhej të sajonin mënyra të reja për të mbajtur veten. Vizitorët në Manglis kanë shumë qejf një specialitet të vendit—gliko të bërë me boçe pishe, që njihet për vlerat ushqyese. Kështu, në fillim mblidhnin boçe të njoma pishe për të bërë glikonë dhe pastaj e shitnin në treg. Më vonë u doli një burim të ardhurash që s’e prisnin.
Një ditë një studente biblike u çoi disa zogj pule. Ajo u tregoi se një nga pulat kishte shtruar vezë në një vend
të fshehur dhe donte t’ua jepte zogjtë e sapoçelur mësueseve të saj të Biblës. Meqë një nga motrat kishte përvojë në rritjen e pulave, vendosën të hapnin një pulari të vogël për të mbajtur veten.Njëra prej tyre vëren: «Falë ndihmës së Jehovait, të vëllezërve dhe studentëve të Biblës, qëndruam në Manglis pesë vjet.» Tani atje ka një grup me motra e vëllezër të zellshëm.
Pionierët predikojnë në gjuhë të huaj
Gjatë viteve të fundit, në Gjeorgji ka pasur një dyndje të madhe emigrantësh. Shumë pionierë kuptuan se po hapej një fushë e re shërbimi. Ndaj filluan të mësonin gjuhë të huaja si ajo arabe, azerbajxhane, kineze, angleze, perse dhe turke.
Disa prej tyre kanë shkuar në grupe e kongregacione të gjuhëve të huaja, ndërsa të tjerë janë transferuar jashtë shtetit në zona ku ka më shumë nevojë. Dy vëllezër, Giorgi dhe Gela, ishin te të 20-at kur u shpërngulën në një vend fqinj. Giorgi shprehet: «Donim t’i jepnim më të mirën Jehovait dhe transferimi ishte një mundësi e shkëlqyer për ta bërë këtë.»
Kur mendon për kohën atje, Gela thotë: «Shërbimi si plak në atë territor më mësoi mjaft gjëra. Është ndjesi e mrekullueshme kur përdoresh nga Jehovai për të ndihmuar ‘delet e tij të vogla’.»—Gjoni 21:17.
Giorgi shton: «Nuk ishte e lehtë, ama ne u përqendruam në shërbim dhe nuk ndërruam mendje. E dinim se po bënim atë që duhej.»
Një tjetër vëlla, që gjithashtu quhet Gela, shërbeu në Turqi për disa vjet. Ai kujton: «Në fillim, ngaqë mezi po
mësoja gjuhën e vendit, ishte e vështirë të ruaja gëzimin. Megjithatë, kur më në fund ia dola të komunikoja me vëllezërit e motrat dhe njerëzit në territor, provova gëzim pa masë.»Ninoja, e cila ka shërbyer si pioniere për më shumë se dhjetë vjet në Stamboll, Turqi, shprehet kështu: «Ndjeva mbështetjen e Jehovait që ditën e parë pasi u transferova. Shërbimi i pionierit në fushë të huaj të krijon mundësinë të kesh përvoja fantastike si ato të Librit vjetor pothuajse çdo ditë.»