Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Të dashur Dëshmitarë të Jehovait,

Ç’privilegj është për ne si popull të mbajmë emrin e Sovranit Universal, Jehovait! Ky emër është i përjetshëm, i pavdekshëm dhe i pashoq. Vetë Jehovai na e ka dhënë dhe, sidomos që nga viti 1931, jemi identifikuar me këtë emër të veçantë. (Isa. 43:10) Me shumë krenari identifikohemi si Dëshmitarë të Jehovait.

Djalli përpiqet pareshtur të fshijë emrin e Perëndisë. Kombet, që janë nën sundimin e tij, e përçmojnë emrin e Jehovait. Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, e urren emrin hyjnor dhe e ka hequr nga shumë përkthime të Biblës. Ndryshe nga ata, Jezui e lartësoi emrin e Atit të tij duke e renditur të parën si kërkesë në lutjen model që u mësoi dishepujve të tij. Ai tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mat. 6:9) Më vonë, në një lutje të përzemërt që po i drejtonte Atit, ai tha: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota.» (Gjoni 17:6) Me dëshirën për të ndjekur shembullin e shkëlqyer të Jezuit, jemi më të vendosur se kurrë të lajmërojmë me zell emrin e Jehovait anembanë tokës.

Shkrimi i vitit 2009, ‘Jepni dëshmi të plotë për lajmin e mirë’, na nxiti ta bëjmë shërbimin tonë në mënyrë sa më të plotë. (Vep. 20:24) Nuk ka dyshim që Jehovai i ka bekuar pa masë përpjekjet tona gjatë vitit të kaluar të shërbimit. U dha një dëshmi e jashtëzakonshme në mbarë botën në lavdi dhe në nder të emrit të Jehovait. Një maksimum i ri prej 7.313.173 lajmëtarësh bashkuan zërat e tyre duke u predikuar të gjithëve e duke mësuar ata me zemër të sinqertë që kërkojnë zgjidhje për problemet e shumta që hasin çdo ditë. Pjesëmarrja e 18.168.323 vetave në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, tregon se miliona të tjerë mund të thërrasin emrin e Jehovait para se të vijë fundi i këtij sistemi të ligë.

Për aq kohë sa të lejojë Jehovai, do të vazhdojmë të predikojmë me zell lajmin e mirë për Mbretërinë, duke përdorur çdo mjet të mundshëm që t’ua japim këtë lajm njerëzve në territoret tona. (Mat. 24:14; Mar. 13:10) Qoftë shtëpi më shtëpi, në rrugë, me anë të letrave, me telefon ose në mënyrë joformale, le të përpiqemi t’u tregojmë sa më shumë njerëzve emrin dhe qëllimin e Jehovait.

Kemi mjaft arsye të besojmë se shumë shpejt Jehovai do të veprojë për të shenjtëruar emrin e tij. (Ezek. 36:23) Po afron me të shpejtë koha kur do t’u mbyllet goja të gjithë atyre që hedhin baltë mbi të. Ç’ditë e lavdishme do të jetë ajo për të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait, që kanë shpallur emrin e tij dhe kanë lartësuar sovranitetin e tij universal!

Kujdesi i dashur i Jehovait për popullin e tij ishte më se i dukshëm në kongreset krahinore dhe ndërkombëtare me temë «Qëndroni vigjilentë!» që u mbajtën në shumë vende të botës në vitin 2009. Ato kongrese treguan se ishin një ngjarje e shënuar në historinë tonë teokratike. Ato na bënë më të vetëdijshëm se është e nevojshme të jemi vigjilentë për ditën e Jehovait.—Mar. 13:37; 1 Sel. 5:1, 2, 4.

Vërtet, Jehovai është i mirë me ne; ai na i mbush zemrat me gëzim. Na çon të shtrihemi në livadhe plot bar dhe të prehemi në vende të ujitura mirë.—Psal. 23:1, 2; 100:2, 5.

Të jeni të sigurt se Jehovai do të vazhdojë t’ju bekojë ndërsa u shërbeni interesave të Mbretërisë në muajt e ardhshëm!

Me dashuri të ngrohtë e të krishterë për vëllezërit tanë në mbarë botën.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait