Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

Predikojnë dhe mësojnë në mbarë botën

AFRIKA

VENDE: 57

POPULLSIA: 878.000.158

LAJMËTARË: 1.171.674

STUDIME BIBLIKE: 2.382.709

Benin:

Klodi dhe e shoqja, Mari-Kleri, kanë qenë misionarë entuziastë për 27 vjet. Në shkurt, Mari-Kleri rrëshqiti dhe theu këmbën. Pas dy javësh, ndërsa punonte në shtëpinë misionare, Klodi u rrëzua dhe theu këmbën. Të dy përfunduan në allçi, Mari-Kleri me këmbën e djathtë dhe Klodi me të majtën. Klodi me shaka tha: «Na pëlqen gjithmonë t’i bëjmë gjërat bashkë!»

Klodi arrinte të lëvizte nga pak, por Mari-Kleri nuk largohej dot nga shtëpia për javë të tëra. Megjithëse mori masa që të drejtonte në shtëpinë misionare 4 nga 12 studimet e saj biblike, e merrte malli për aspekte të tjera të shërbimit. Kështu që vendosi të ulej para shtëpisë misionare me një tavolinë plot me botime e t’u fliste kalimtarëve. Në mars ajo kaloi 83 orë në këtë tavolinë. A e bekoi Jehovai iniciativën e saj? Atë muaj shpërndau 14 libra, 452 broshura, 290 revista dhe më shumë se 500 fletushka.

Etiopi:

Arega, i cili jeton në një fshat të izoluar, vendosi të vishte muret e shtëpisë me letër. Megjithëse disa në vendin e tij i veshin me gazeta, ai donte diçka me ngjyra. Në treg pa një burrë që po ofronte broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Arega mori një kopje dhe pa e lexuar fare e bëri fletë-fletë dhe e ngjiti në muret e shtëpisë. Dy vjet më vonë, ai vuri re në «letrën e murit» fjalinë: «Jezui ishte Biri i Perëndisë.» Kjo ishte ndryshe nga Triniteti misterioz që i kishin mësuar dhe i ngjalli interes. Arega eci nëntë orë deri në qytezën më të afërt për të gjetur njerëzit që thonë se Perëndia ka një Bir. Përpjekja e parë i doli huq dhe u kthye në shtëpi i zhgënjyer. Më vonë provoi përsëri, por këtë herë i treguan shtëpinë e vëllait që i kishte dhënë broshurën. Vendosmëria e Aregës u vu edhe më shumë në provë pasi iu desh të priste për orë të tëra derisa vëllai të kthehej në shtëpi. Pasi biseduan, filluan një studim. Në muajt më pas, ai shkoi edhe herë të tjera në qytezë që të mësonte për Perëndinë. Kur u fliste të tjerëve në fshat për atë që po mësonte, shumë nisën ta kundërshtonin dhe mjaft prej tyre e shmangnin. Por ai nuk u dorëzua dhe të tjerë filluan të tregonin interes për të vërtetën. Kur numri i të interesuarve arriti në 13, dy pionierë specialë u caktuan në atë zonë. Shumë shpejt filluan mbi 40 studime biblike dhe në mbledhje kishte pak a shumë kaq të pranishëm. Tetë lajmëtarë vendës shërbejnë tani në atë zonë. Për vëllanë tonë të ri, Aregën, tani figurat mbi murin e tij janë më shumë se një zbukurim shumëngjyrësh.

Ganë:

Me përhapjen e shpejtë të telefonave celularë në të gjithë Afrikën, thuhet se ka filluar një «revolucion në fushën e komunikimit». Si një nxitje për abonentët, mjaft firma telefonike ofrojnë mundësinë që njerëzit të flasin falas në orë të caktuara të natës. Një motër me emrin Greisi e shfrytëzoi këtë mundësi. E kishte të vështirë të studionte me Monikën, studenten e saj biblike, sepse Monika ishte gjithnjë e zënë. Greisi bëri gjithçka kishte mundësi për të vazhduar studimin, madje edhe duke e lënë me Monikën që t’i shkonte në shtëpi në 5.00 të mëngjesit. Por programi i Monikës ndryshoi përsëri, kështu që ky orar nuk ishte mirë për të. Prandaj Greisi mendoi të shfrytëzonte ofertën e telefonatave falas. Monika pranoi dhe e lanë që ta bënin studimin nëpërmjet telefonit në 4.00 të mëngjesit. Por u zhgënjyen kur panë se linjat ishin kaq të zëna në atë orar, saqë ishte gati e pamundur të lidheshin. Kështu, e lanë që të çoheshin edhe më herët për të studiuar në 3.00 të mëngjesit, megjithëse kjo ishte një sfidë për këto dy gra që kishin fëmijë e shkonin në punë. Greisi thotë: «Iu luta Jehovait dhe i kërkova forcën e dëshirën e duhur për të mos u sprapsur e për të ushqyer interesin e studentes sime. Vija alarmin e zgjimit dhe me vetëdisiplinë çohesha në atë orë. Edhe pse isha shumë e lodhur, nuk e lëshova veten.» Sa e lumtur ishte për këto përpjekje që kishte bërë, kur e pa me sytë e saj Monikën të pagëzohej në kongresin krahinor të vitit 2008 me temë «Të drejtuar nga fryma e Perëndisë»! Kohët e fundit, Greisi ka përdorur të njëjtën ofertë telefonike për të studiuar me një grua që ka filluar të ndjekë mbledhjet.

Mozambik:

Në gusht të vitit 2008, një xhaketë ra nga një makinë që po kalonte afër kasolles prej balte të një motre vejushë dhe të varfër. Motra e mori xhaketën dhe pa se në xhepa kishte dokumente, tre çanta të vockla me bizhuteri të shtrenjta dhe gati një mijë dollarë. Ajo këmbënguli që dikush nga fshati i saj të telefononte në numrat që gjendeshin te dokumentet. Atë mbrëmje, katër burra erdhën në fshat me një makinë. Në praninë e autoriteteve të fshatit, motra jonë ia dha xhaketën pronarit të saj me gjithë ç’kishte brenda. Burri filloi të qante dhe tha se, nëse ato gjëra do të kishin rënë në duar e dikujt që nuk ishte Dëshmitar i Jehovait, zor se do t’i kishte gjetur më. Motra jonë besnike, megjithëse e varfër, dha një dëshmi në atë vend që e lëvdoi jashtë mase emrin e Perëndisë Jehova.

KONTINENTET AMERIKANE

VENDE: 55

POPULLSIA: 910.761.124

LAJMËTARË: 3.575.123

STUDIME BIBLIKE: 3.778.321

Barbados:

Shumë prindër kanë parë se është mirë t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë përmendësh vargje biblike. Një familje në ishullin e Grenadës u kënaq kur mësoi se djali i tyre gjashtëvjeçar kishte përdorur një shkrim biblik për të mbrojtur të vërtetën se Jehovai qëndron më lart se të gjithë. I ati i djalit shkruan: «Një ditë kur gruaja ime, Laura, shkoi për të marrë nga shkolla Stefanin, djalin tonë, mësuesja e mori mënjanë dhe i tha: ‘Doja vetëm të të thosha se djali yt më ka lënë me gojë hapur. Megjithëse nuk kam të njëjtin besim me ju, duhet të pranoj se ai e shpjegon shumë mirë atë që beson.’

Kur erdhën në shtëpi, plot kureshtje, gruaja e pyeti Stefanin se çfarë kishte ndodhur në shkollë që e shtyu mësuesen të bënte një kompliment të atillë. Ai pastaj i tregoi se atë mëngjes, në shkollë, mësuesja kishte thënë se ‘Jezui është Perëndia’.

Pas kësaj Stefani kishte ngritur dorën dhe kur mësuesja ia kishte dhënë fjalën, kishte thënë: ‘Jo, mësuese. Jezui nuk është Perëndia. Bibla thotë se Jezui është Biri i Jehovait, kështu që s’mund të jetë Jehovai.’

Mësuesja i ishte përgjigjur: ‘Besoj se Jezui dhe Jehovai janë i njëjti.’

Stefani pastaj kishte thënë: ‘Po Bibla thotë se vetëm Jehovai është Më i Larti, jo Jezui. Vetëm Jehovai është Më i Larti.’ Ai po citonte Psalmin 83:18, një shkrim që më parë e kishim ndihmuar ta mësonte përmendësh dhe ta kuptonte. Megjithëse mësuesja është mjaft serioze, nuk matej dot me një gjashtëvjeçar të pajisur me njohuri të saktë nga Shkrimet.»

Ekuador:

Disa vëllezër hipën në autobus për t’u kthyer në shtëpi pasi kishin predikuar në një zonë ku flitet gjuha kiçua. Meqë autobusi kishte pajisje për të parë videokaseta dhe të gjithë pasagjerët flitnin gjuhën kiçua, morën leje që të vinin videokasetën për Noenë dhe Davidin në këtë gjuhë. Pasagjerët u habitën kur panë dhe dëgjuan diçka në gjuhën e tyre! Po shikonin me kaq vëmendje sa kur autobusi ndaloi për të marrë një pasagjer tjetër, i thanë të ulej shpejt se mos u shpëtonte pa parë ndonjë gjë nga videokaseta. Pasi mbaroi, shumë veta kërkuan një kopje të videokasetës. Disa pasagjerë kishin pyetje për Biblën dhe kërkuan literaturë; të tjerë dhanë emrin dhe adresën e tyre që dikush t’i vizitonte në qytet dhe të gjithë morën ftesën e Përkujtimit që do të mbahej në gjuhën kiçua. Kjo ndihmoi që numri i të pranishmëve në Përkujtim në atë zonë të ishte i jashtëzakonshëm.

Meksikë:

Ndërsa predikonte shtëpi më shtëpi, Gabinoja, një vëlla që shërben si pionier, iu afrua një shtëpie dhe trokiti në derë. Askush nuk u përgjigj. Trokiti për të dytën herë e pastaj për të tretën. Priti pak e pastaj trokiti për të katërtën herë. Dera u hap dhe doli një burrë i dëshpëruar që po qante. Ai e ftoi Gabinon brenda, por nuk arrinte dot të fliste sepse ishte shumë i trazuar. Gabinoja filloi ta ngushëllonte me anë të lajmit të mirë dhe burri u qetësua. «E sheh atë karrigen atje?—pyeti ai.—Kur trokite herën e tretë, isha mbi karrige. Po litarin atje lart e sheh? Kur trokite për herë të katërt, e kisha lakun e litarit në qafë. Por e hoqa që të hapja derën. Faleminderit që këmbëngule, se po të mos e kishe bërë do të kisha varur veten.» Pastaj shpjegoi se ndihej i shkatërruar nga problemet që kishte me gruan. Gabinoja la takim me të që të fillonte një studim biblik. Zakonisht ky pionier troket vetëm një ose dy herë në një derë. Por në këtë rast, këmbëngulja e tij, ndoshta e drejtuar nga engjëjt, solli rezultate të shkëlqyera.

Kili:

Gjatë fushatës për të ftuar të interesuarit në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, një vajzë e vogël iu afrua një Dëshmitareje dhe e pyeti: «Sa vjeçe je ti?» Motra, e habitur nga kjo pyetje, iu përgjigj: «Po ti sa vjeçe je?» Vajza tha se ishte gjashtë vjeçe dhe se e ëma i kishte dhënë një letër që t’ia jepte një prej Dëshmitarëve të Jehovait. E ëma e kishte mësuar që të gjente një Dëshmitare që nuk ishte as fëmijë, as e moshuar. Pastaj motra i tha se ishte 25 vjeçe. Vajza ia dha letrën. Aty thuhej: «Kur keni trokitur në derën time, nuk kam pasur kurajën ta hap. Vuaj nga një depresion i rëndë dhe i kam kërkuar ndihmë Perëndisë. Jam përpjekur edhe të dëgjoj mesazhin që predikoni dhe të lexoj Biblën, po e kam pasur shumë të vështirë. Do të doja të studioja Biblën me dikë që mund të më ndihmojë të përballoj pasojat e dështimit të martesës sime. Nëse mund të më ndihmosh, të lutem hajde në shtëpinë time sot pasdite, pasi paradite jam në shtrat. Faleminderit.»

Atë pasdite motra shkoi te kjo grua dhe e ftoi në Përkujtim e në fjalimin special; të dy ishin vërtet ngushëllues për të. Që atëherë ajo po vazhdon të nxjerrë dobi rregullisht nga mbledhjet dhe po ecën mjaft mirë me studimin biblik që bën me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Po vajza e saj 6-vjeçare? Edhe ajo, bashkë me të motrën 12-vjeçare, po kënaqet duke studiuar Biblën.

Porto-Riko:

Një motër shkruan: «Po ofroja revista rrugës kur pashë një vajzë që po frynte gomat e makinës. Iu afrova, por para se të hapja gojë, ajo më kërkoi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! duke thënë se i pëlqenin shumë. Megjithëse i ofrova një studim biblik në shtëpi, ajo tha se nuk ishte mundësi pasi jetonte në katin e dytë të shtëpisë së mamasë së saj dhe se ajo ishte kundërshtare e fortë e veprës sonë të predikimit. Kur i kërkova adresën, ajo më dha vetëm emrin e rrugës. Njëherë tjetër shkova tek ajo rrugë dhe u përpoqa t’i gjeja shtëpinë, por nuk e gjeta. Pastaj, një ditë, u ktheva përsëri dhe pyeta fqinjët nëse njihnin njëfarë Nensi, nënë me dy fëmijë të vegjël. U kënaqa kur më në fund e gjeta shtëpinë e saj. Megjithatë, nuk e gjeja në shtëpi, kështu që i lija revistat dhe ndonjë shënim. Kur më në fund arrita ta takoja, filloi të qante dhe tha se donte të vinte në Sallën e Mbretërisë. Erdhi dhe u kënaq me frymën e ngrohtë të dashurisë së vëllezërve dhe motrave. Më tha se nuk kishte mundur të lidhej me mua sa herë shkoja te shtëpia e saj, sepse mamaja i griste shënimet dhe revistat që i lija unë, kështu që kur kthehej në shtëpi, nuk gjente gjë. Filluam të studionim Biblën në shtëpinë e motrës së saj dhe shpejt Nensi filloi të vinte rregullisht në mbledhje. Tani ajo nuk mungon kurrë në to. Është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe kënaqesh kur dëgjon atë dhe dy fëmijët e saj ndërsa komentojnë në mbledhje.»

AZIA DHE LINDJA E MESME

VENDE: 47

POPULLSIA: 4.073.556.172

LAJMËTARË: 635.896

STUDIME BIBLIKE: 579.554

Koreja e Jugut:

Një burrë që jeton afër një Salle Mbretërie, gjeti një shënim në makinën e tij që e kishte parkuar para shtëpisë. Shënimi thoshte: «Duke parkuar, gërvishta pa dashje makinën tuaj. Ju lutem më telefononi dhe do t’jua riparoj unë.» Ngaqë kishte vërejtur sjelljen e Dëshmitarëve që vijnë në sallën afër shtëpisë së tij, burri tha me vete: «Meqë është kaq i ndershëm, duhet të jetë Dëshmitar i Jehovait.»

Shënimin e kishte lënë një motër me emrin Su-Jën dhe kur burri e mori në telefon, ajo i kërkoi falje dhe i përsëriti se ishte gati t’ia riparonte makinën. Përfytyroni habinë e saj kur burri e pyeti: «Më falni, mos jeni gjë Dëshmitare e Jehovait?» Ai i tha të mos shqetësohej fare, se do ta rregullonte vetë makinën. Pastaj shtoi se dëshironte të takoheshin, ngaqë donte të dinte disa gjëra rreth Dëshmitarëve. Su-Jëni shkoi ta takonte bashkë me të atin dhe një vëlla tjetër nga kongregacioni. Ai u tha: «Kam pasur mundësinë t’i vëzhgoj Dëshmitarët, sepse jetoj afër Sallës së Mbretërisë. Jeni njerëz të shkëlqyer. Nuk e kuptoj pse ju urrejnë kaq shumë.» Babai i Su-Jënit iu përgjigj pyetjeve të tij të shumta me anë të Biblës dhe të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Tani ai vazhdon rregullisht studimin biblik me babanë e Su-Jënit dhe po ecën shumë mirë.

Vende ku vepra e predikimit është e kufizuar ose e ndaluar:

Një koloneli i bëri shumë përshtypje efekti pozitiv që pati e vërteta biblike te gruaja e tij, që ishte Dëshmitare e Jehovait. Nga kjo, ai pranoi të studionte Biblën. Eprori i tij, një gjeneral, mori vesh për këtë dhe e thirri që të bisedonin. I tha se, nëse nuk hiqte dorë nga Dëshmitarët e Jehovait, do ta dërgonte në pjesën më të largët të vendit. Me guxim, koloneli iu përgjigj se gruaja e tij kishte studiuar Biblën për një kohë të gjatë dhe se nuk shihte asgjë të rrezikshme. Prandaj nuk do të hiqte dorë nga studimi i Biblës. Pas ca kohësh, koloneli vendosi të largohej nga ushtria. Tani ai është një Dëshmitar i pagëzuar dhe shërben si pionier i rregullt e shërbëtor ndihmës. Interesante është se edhe gruaja e gjeneralit me të cilin foli, nisi të studionte Biblën. Gjenerali nuk e ndaloi dot as atë, e tani edhe ajo shërben si pioniere e rregullt.

Në një vend tjetër, një motër filloi studim biblik me një grua të re që e kishte burrin shumë kundërshtar. Meqë studimin nuk e bënin dot në shtëpinë e saj, vendosën ta bënin në një park të vogël. Gjatë studimit, një i moshuar që po shëtiste në park u vinte vërdallë pareshtur, duke parë çfarë po bënin dhe duke i dëgjuar. Një ditë iu afrua dhe u bëri disa pyetje për Biblën. Herën tjetër që ato po bënin studimin, ai bëri të njëjtën gjë. Gruaja që po studionte Biblën u mërzit pak dhe i tha: «Kam vetëm një orë në dispozicion për të studiuar Biblën, por ti po më ha kohën me gjithë këto pyetje që bën.» Pas kësaj, motra mori masa që një vëlla t’i drejtonte studimin këtij burri, i cili përparoi shpejt nga ana frymore dhe filloi të shkonte në mbledhje. Çdo të diel, dy gra nga lagjja e tij e shihnin tek dilte nga shtëpia i veshur mirë dhe me çantë në dorë. Ishin kureshtare se ku po shkonte dhe morën vesh se kishte filluar të besonte në një «fe të re». Dy gratë vendosën të hetonin edhe më tej, prandaj e ndoqën burrin deri te Salla e Mbretërisë. Disa motra biseduan me to dhe i pyetën nëse dëshironin të studionin Biblën. Njëra pranoi. Të tre—gruaja që studionte në park, burri që takuan në park dhe njëra nga gratë që ndoqën këtë burrë—kanë bërë përparim të shkëlqyer frymor dhe kohët e fundit janë pagëzuar.

Kamboxhia:

Loi, një pioniere në Kamboxhia, shkon rregullisht me biçikletë në një fshat ku shtëpitë janë prej bambuje dhe qëndrojnë mbi shtylla druri. Atje ka disa studime biblike. Tri ditë para Përkujtimit, kur po i shpjegonte njërës prej studenteve në fshat qëllimin e Përkujtimit, fëmijët kureshtarë filluan të mblidheshin përreth saj dhe t’i bënin pyetje. Grupi i fëmijëve sa vinte e rritej. Loi shpërndau 57 ftesa për Përkujtimin. Të nesërmen, Loi shkoi me biçikletë në fshat për të bërë një studim tjetër dhe kjo studente tha se të afërmit dhe miqtë e saj donin të shkonin në Përkujtim. Kështu Loi i la 20 ftesa studentes së saj që t’ua jepte atyre. Tani Loi filloi të vriste mendjen si t’i ndihmonte gjithë këta njerëz që të vinin në Përkujtim. Pasi u lut, foli me babanë e njërës prej studenteve të saj biblike, i cili është plaku i fshatit. Ai e siguroi se, nëse ajo gjente vetëm një tuk-tuk (karrocë e vogël me katër vende që tërhiqet nga një motoçikletë) për transportin e tyre, të gjithë do të arrinin të shkonin, sepse do të qëndronin në këmbë ose do të uleshin në prehër të njëri-tjetrit. Loi ishte shumë e kënaqur kur pa se nga ai fshat erdhën në Përkujtim 18 veta.

Indi:

Një vëlla që punon si shofer me një rikshë të motorizuar, shfrytëzoi rastin për t’i dhënë dëshmi një pasagjereje që doli se ishte gazetare. Asaj i bëri përshtypje guximi i tij, pasi disa Dëshmitarë në atë zonë ishin sulmuar nga kundërshtarët ndërsa predikonin lajmin e mirë. Gazetarja vendosi ta botonte në një gazetë kombëtare këtë bisedë. Ajo shkroi: «Doja ta ngacmoja pak shoferin dhe e pyeta: ‘Nuk i ke dëgjuar lajmet sot, që njerëzit tuaj janë rrahur dhe kishat tuaja janë sulmuar në pjesë të ndryshme të vendit?’ Ai tha: ‘Po, e lexova sot në gazetë.’ ‘Atëherë çfarë do të bëni nëse [kundërshtarët] vazhdojnë t’ju shkaktojnë probleme?’ Ai tundi kokën e tha: ‘Nuk ka rëndësi. Do të vazhdojmë të kemi besim [tek e vërteta].’»

Duke përshkruar fletushkën që i kishte dhënë Dëshmitari, ajo shkroi: «Kur vajta në shtëpi, nxora nga çanta fletushkën që më dha. Aty kishte një skenë ideale, por të pamundur, ku shihje lëndina të gjelbra, një liqen, pemë të lulëzuara, njerëz me drithë e fruta në duar dhe male me dëborë. Titullohej: ‘Jeta në një botë të re paqësore.’ Mesazhi ishte fetar. Zakonisht, njerëzit nuk refuzojnë kur u jep një fletushkë, qoftë reklamë për një dyqan veshjesh ose për një stil jetese. Por fillo të flasësh për një botë të re paqësore e mund të vësh në lëvizje ingranazhet e urrejtjes.»

Filipine:

Në një pjesë të rajonit të Zamboangës ndodhet një mal kaq i lartë, sa maja e tij mund të shihet nga 200 kilometra larg. Vëllezërit që jetojnë afër këtij mali, shpesh, kur ishin në shërbim, thoshin me shaka: «Çfarë do të bënim sikur në majë të atij mali të jetonte një i interesuar?» Një ditë, ndërsa predikonin rrëzë malit, iu afrua një burrë që u tha se po kërkonte Dëshmitarët e Jehovait. Tha se donte ndihmë prej tyre që të studionte Biblën. Vëllezërit e pyetën ku jetonte. Kur bëri me gisht nga maja e malit, ata mbetën pa fjalë. Ai shpjegoi se nuk e kishte shtëpinë në majë të malit, por mbrapa tij dhe se mënyra e vetme për të shkuar atje, ishte duke kapërcyer majën e malit. Pasi e mblodhën veten nga habia, vëllezërit pranuan të shkonin. Me të u fillua një studim biblik dhe tani i ndjek mbledhjet çdo javë në Sallën e Mbretërisë, ndonëse e ka shumë larg shtëpisë. Ky burrë është ndër ata njerëz nga të gjitha kombet që po vërshojnë drejt ‘malit të shtëpisë së Jehovait’.—Isa. 2:2.

EVROPA

VENDE: 47

POPULLSIA: 736.988.468

LAJMËTARË: 1.563.910

STUDIME BIBLIKE: 819.067

Finlandë:

Dy vëllezër po ofronin studime biblike shtëpi më shtëpi me anë të fletushkës A do të dish të vërtetën? Një burrë hapi derën, u ndërpreu prezantimin dhe i ftoi brenda. «Kam shumë pyetje,—u tha ai.—Pse erdhët pikërisht tani?»

«Në fakt,—iu përgjigjën vëllezërit,—kemi ardhur në këtë territor me kongregacionin tonë.»

Burri ua ktheu: «Jam lutur që të më vinin Dëshmitarët e Jehovait. Zakonisht dal për vrap në këtë orë, por sot nuk dola. Më në fund erdhët!» Burri ishte i mendimit se lutjet e tij kishin marrë përgjigje. Në punën e tij, njerëzit zakonisht flitnin keq për Dëshmitarët e Jehovait. Kureshtar për të ditur nëse këto pohime ishin të vërteta, kishte shkuar në një bibliotekë për të kërkuar informacione. Aty kishte gjetur librin Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, e kishte lexuar dhe kishte kuptuar se akuzat kundër nesh ishin gënjeshtra. Prandaj, kishte shumë dëshirë t’i takonte Dëshmitarët e Jehovait. Filloi një studim dhe pa humbur kohë nisi të shkonte në mbledhje. I dha dëshmi edhe ish-gruas dhe vajzës së tij, të cilat filluan gjithashtu të studionin.

Britani:

Kërsti, një pioniere e rregullt, mësoi gjuhën frënge dhe lingale për t’u dhënë dëshmi kongolezëve në territorin e saj. Një ditë, pa një grua kongoleze që mezi po hipte në autobus, sepse ishte e mbingarkuar me shumë qese. Duke folur në gjuhën lingale, Kërsti i ofroi ndihmë me qeset, që të hipte në autobus. «Si ka mundësi që ti, një e bardhë, flet gjuhën lingale?»—pyeti gruaja. Kërsti i shpjegoi se është në një kongregacion të gjuhës lingale dhe se Dëshmitarët vendës ia kishin mësuar këtë gjuhë që t’u fliste njerëzve për Biblën. Kërsti donte t’i ofronte një studim biblik, prandaj qëndroi në autobus derisa gruaja arriti në stacionin e saj. Pastaj, e ndihmoi me qeset deri në apartamentin e saj në katin e tretë. I shoqi dhe katër fëmijët e tyre e ftuan Kërstin brenda dhe ajo u tregoi se si bëhet një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Tani, gruaja dhe dy fëmijët e mëdhenj po studiojnë Biblën. Të tre po bëjnë përpjekje t’i pëlqejnë Jehovait.

Gjeorgji:

Dy të rinj pionierë vendosën të transferoheshin në një rajon malor të vendit, ku kishte pak Dëshmitarë. Nisën të predikonin fshat më fshat dhe reagimi i njerëzve ishte i jashtëzakonshëm. Shpërndanë qindra botime dhe filluan shumë studime biblike. Kur vëllezërit nisën të predikonin në male, nuk kishin shumë ushqime me vete dhe nuk e dinin ku do të flinin. Por nevojat e tyre nuk mbetën asnjëherë pa u plotësuar. Fshatarët i ftonin në shtëpi për të ngrënë e për të fjetur. Ndonjëherë, edhe ata që nuk donin ta dëgjonin mesazhin, i ftonin për të ngrënë e për të kaluar natën. Më vonë, vëllezërit u caktuan si pionierë specialë në atë territor. Ngaqë kishin shumë studime, vunë një kufi të arsyeshëm për numrin e studimeve që mund të mbanin. Prapëseprapë, nuk është e pazakontë që njerëzit t’u afrohen në rrugë e t’u kërkojnë një studim biblik dhe, ndonëse e kufizuan numrin, secili prej tyre ka pasur mesatarisht 20 studime biblike çdo muaj.

Hungari:

Një motre ia sjellin rregullisht qumështin me shishe dhe ia lënë në qese varur te gardhi i shtëpisë. Një ditë, kur po kthente shishet bosh, futi në qese edhe fletushkën A do të dish të vërtetën? Herën tjetër kur mori qumështin, u habit që gjeti në qese edhe një copë letër nga gruaja që i dërgonte qumështin. Në letër ajo i bënte disa pyetje për fletushkën dhe i kërkonte një Bibël. Pa humbur kohë, motra i shkoi kësaj gruaje për vizitë në fermën ku jetonte dhe filloi një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Më parë, gruaja kishte shkuar në shumë kisha për të marrë përgjigje për pyetjet e saj, por asnjëra nuk ia kishte shuar dot etjen frymore. Madje, nga këto kërkime, i lindën edhe më shumë pyetje. Kur njëra nga vajzat e saj tregoi mjaft interes, motra i dha librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Gruaja shpjegoi se shpesh vajza zgjohej natën nga ëndrrat e këqija. Megjithatë, pasi lexoi disa nga kapitujt e këtij libri, vajza nuk është më aq e frikësuar dhe bën gjumë të qetë. Po vazhdojnë studimin biblik dhe kjo grua, bashkë me dy vajzat, shkojnë rregullisht të dielave në mbledhje.

Itali:

Kristina dhe Manela, dy pioniere, po shpërndanin fletushkën A do të dish të vërtetën? në një zonë rurale të Italisë Qendrore. Në një fermë, dëgjuan një zhurmë që vinte nga pas shtëpisë. Sapo e zonja e shtëpisë i pa Dëshmitaret, thirri: «Shpejt! Vraponi! Hajde më ndihmoni!» Ato shkuan me vrap për ta ndihmuar dhe panë se po përpiqej të ndalonte një derr të madh e të xhindosur që donte të dilte nga tharku. Lesa ishte e prishur dhe gruaja kishte frikë se mos derri ia mbathte për në pyllin aty afër. Ajo ishte vetëm dhe po përpiqej me ç’të mundte të mbante lesën. «Ti mbaj lesën sa të gjej diçka për ta bllokuar!»—i tha me nxitim gruaja Kristinës. Ajo iu përgjigj menjëherë se kishte shumë frikë nga derri. Gruaja pastaj i la në dorë Manelës një kungull e një thikë dhe i tha: «Mos ki merak. Hidhi copa kungulli që ta hutosh, sa të shkoj të gjej një shul të ri.»

Pastaj gruaja u zhduk për disa minuta. Ndërkohë, Kristina i thoshte Manelës të nxitonte e t’i hidhte derrit për të ngrënë, por ajo mezi e priste kungullin se kishte lëkurë të fortë. Më në fund, gruaja u kthye dhe rregulloi lesën. Me një pasthirrmë lehtësimi, ajo tha e entuziazmuar: «Ju dërgoi Zoti!»

«Ashtu është, zonjë!»—iu përgjigjën ato dhe sakaq nxorën fletushkën e ia treguan.

Gruaja menjëherë tha: «Kjo është shumë e rëndësishme për të folur kështu në këmbë. Duhet të ulemi dhe të flasim shtruar.» Kështu, mori ca karrige dhe pasi u ulën në kopsht nën rrezet e diellit, bëri shumë pyetje dhe dëgjoi me mjaft interes e vlerësim. Më vonë, e lanë që të fillonin një studim biblik. Kristina dhe Manela thonë se e patën këtë përvojë falë një derri që po përpiqej t’ia mbathte pikërisht në kohën e duhur.

OQEANIA

VENDE: 30

POPULLSIA: 38.338.482

LAJMËTARË: 99.816

STUDIME BIBLIKE: 59.619

Australi:

Fredi, një Dëshmitar në një qytet të qetë bregdetar, i la një burri tri nga DVD-të tona. Më vonë, ai i dërgoi Fredit një letër ku, ndër të tjera, thoshte: «U ndjeva shumë i qetë ndërsa shihja dhe dëgjoja me vëmendje DVD-të. Përjetova paqen, gëzimin dhe buzëqeshjet e njerëzve që po shihja. Kisha vite që nuk ndihesha kështu. Tani po filloj të besoj se mund të ketë një të ardhme më të mirë për mua. Më parë, shpeshherë jam sjellë keq me Dëshmitarët që më trokitnin te dera. Për këtë ju kërkoj ndjesë sinqerisht. Ata më janë afruar veçse miqësisht dhe me dëshirën për të më dhënë lajmin e mirë. Kushedi, ndonjë ditë kur të kthesh kokën mund të më shohësh ulur pas teje në Sallën e Mbretërisë.»

Zelanda e Re:

Dy motra vizituan një organizatë qeveritare që merret me çështje ligjore familjare dhe lanë takim me drejtoreshën. Përgatitën enkas një «pako familjare», ku futën botime që trajtonin tema me interes për drejtoreshën në punën e saj me familjet. Në pako përfshinë librat Sekreti i lumturisë familjare dhe Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, bashkë me revistën Zgjohuni! të gushtit 2007 ku trajtohej seria «Shtatë hapa për të qenë prindër më të mirë» dhe atë të tetorit 2007 ku trajtohej seria «Mbrojini fëmijët tuaj!»

Gjatë vizitës, motrat shpjeguan natyrën vullnetare të veprës sonë dhe interesin tonë të madh për të ndihmuar familjet, sidomos nga ana frymore. Gjithashtu, shpjeguan çfarë përmbante pakoja. Drejtoresha i dëgjoi, pranoi literaturën dhe tha se kishte dëshirë ta ndante atë informacion me të 35 nëpunësit. Pastaj shtoi se edhe 503 familjet e regjistruara në arkiv do të nxirrnin dobi nga artikujt e revistës Zgjohuni! Motrat arritën të mblidhnin 557 kopje të këtyre revistave. Dy javë më vonë, i njoftuan me telefon se të gjitha revistat ua kishin dërguar familjeve.

Fixhi:

Një i ri me emrin Viljam ishte shumë i zoti në lojën e regbisë dhe synonte të luante me skuadrën kombëtare. Edhe vëllai i tij më i vogël, Lioni, donte të bëhej lojtar profesionist regbie, por, pasi pranoi të studionte Biblën me një pionier special, e kuptoi se nuk mund t’u shërbente dy zotërinjve. Nisi të shkonte në mbledhje dhe hoqi dorë nga regbia. E ëma, që ishte Dëshmitare, i bleu rroba për mbledhje, por gjatë një grindjeje, Viljami ia mori rrobat e mbledhjes dhe ia grisi. Lioni u mërzit jashtë mase, por vendosi të mos hakmerrej. Ca kohë më vonë, Lioni doli në treg për të shitur shalqinj dhe me një pjesë të fitimeve bleu rroba për në mbledhje, si edhe Bibël, stilolapsa dhe evidentues. Bleu të njëjtat gjëra edhe për Viljamin. Duke kujtuar veprimin e tij të lig, Viljami u prek thellë nga mirësia e të vëllait. Veshi rrobat e reja dhe i bëri një surprizë Lionit duke shkuar në mbledhje. Gjithashtu, Viljami pranoi të studionte Biblën dhe të dy vëllezërit përparuan frymësisht. Ndërsa të dy përgatiteshin për t’u pagëzuar, Viljamit i bënë një ofertë fitimprurëse për të luajtur regbi në Evropë, një ofertë që e ëndërrojnë shumë të rinj pasi garanton siguri financiare dhe famë. Megjithatë, synimet e tij tani kishin ndryshuar dhe vendosi t’i kushtohej Jehovait. Si Viljami, edhe Lioni shërbyen si pionierë ndihmës gjashtë muajt e parë, pas pagëzimit. Duke parë shembullin e mirë të fëmijëve, edhe babai i tyre, Uajseja, pranoi një studim biblik. Uajseja bëri ndryshime të mëdha dhe u pagëzua bashkë me dy vajzat e tij në një asamble speciale njëditore.

[Figurat në faqen 45]

Vetëdisiplinimi dhe teknologjia moderne e ndihmuan një motër të drejtonte një studim biblik

[Figura në faqen 46]

Besnikëria e saj dha një dëshmi të mirë

[Figura në faqen 48]

Adhurimi Familjar e përgatiti Stefanin të jepte dëshmi në shkollë

[Figura në faqen 49]

Këmbëngulja e tij shpëtoi një jetë

[Figura në faqen 50]

Ajo gjeti një Dëshmitare që s’ishte as e vogël e as e madhe në moshë

[Figura në faqen 55]

Ajo gjeti vetëm një «tuk-tuk»

[Figura në faqen 58]

Mësimi i një gjuhe të huaj e ndihmoi të fillonte një studim biblik

[Figura në faqen 60]

Dëshmia joformale mund të jepet në shumë forma

[Figura në faqen 63]

Përgatitin «pakon familjare»

[Figura në faqen 64]

Hoqën dorë nga një karrierë fitimprurëse në regbi për t’i shërbyer Jehovait