Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shqipëria

Shqipëria

Shqipëria

SHQIPËRIA është një vend i vogël me një histori të pasur, por të trazuar. Është shkelur nga fise e kombe të ndryshme, përplasur sa andej-këtej nga fuqi botërore dhe u është nënshtruar dhjetëvjeçarëve të izolimit të plotë. Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait këtu kanë hasur shumë sfida e vështirësi, Perëndia Jehova i ka mbështetur dhe i ka bekuar me një begati frymore të mrekullueshme. Në faqet vijuese, përshkruhet shkurtimisht historia e tyre emocionuese dhe tregohet si i ka mbështetur «dora e Jehovait» shërbëtorët e tij të përulur këtu.—Vep. 11:21.

Për shekuj të tërë, fuqitë e huaja luftuan që të kishin nën kontroll Shqipërinë, e bashkë me këtë luftë sollën edhe konflikte fetare. Në fillim të shekullit të 16-të, zona ishte e ndarë nga ana fetare: disa myslimanë, të tjerë ortodoksë dhe të tjerë akoma katolikë.

Në fund të shekullit të 19-të, pati një rritje të nacionalizmit shqiptar dhe u krijuan shumë shoqëri patriotike. Pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri ishte fshatare dhe shumë veta ia vinin fajin ndërhyrjes së fuqive të huaja për varfërinë e tyre. Aty nga viti 1900, autonomia dhe pavarësia ishin çështje të nxehta që u bënë shkëndijë për luftërat me Greqinë, Serbinë dhe Turqinë. Së fundi, në vitin 1912, Shqipëria e shpalli veten vend të pavarur.

Më vonë, me politikën që ndoqi, qeveria pothuajse e zhduku fare fenë e organizuar. Pas Luftës II Botërore, pushteti komunist ndaloi çdo fe dhe e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë.

‘E PËRQAFOJNË TË VËRTETËN ME GËZIM’

Para vitit 56 të e.s., apostulli Pavël tha se ai dhe shokët e tij e kishin predikuar plotësisht lajmin e mirë «deri në Iliri», një provincë romake që përfshinte një pjesë të Shqipërisë së sotme. (Rom. 15:19) Ka shumë të ngjarë që disa në këtë rajon të jenë bërë të krishterë të vërtetë në atë kohë, pasi historia botërore tregon se krishterimi zuri rrënjë në Shqipëri që në shekullin e parë.

Historia e sotme e adhurimit të vërtetë në këtë zonë të madhe daton në vitin 1921, kur Ani Bozdojanisi i shkroi Bethelit të Bruklinit që nga Kreta, për vizitën që kishte bërë në «klasën» e studimit të Biblës në Janinë, tani pjesë e Greqisë Veriore. Thuajse në të njëjtën kohë, shumë shqiptarë u vendosën me banim në Nju-Inglënd të Shteteve të Bashkuara. Ndër ta ishin Thanas (Nasho) Idrizi dhe Kosta Miçëlli. Ata u pagëzuan menjëherë, sapo mësuan të vërtetën. Në vitin 1922, vëlla Idrizi u kthye në Gjirokastër. Ishte i pari shqiptar që kthehej në vendin e tij me të vërtetat biblike. Jehovai e bekoi frymën e tij vetëmohuese dhe njerëzit nisën t’i pranonin ato të vërteta. Pas pak, shembullin e tij e ndoqën edhe të tjerë besimtarë shqiptarë që jetonin në Amerikë. Ndërkohë, Kosta Miçëlli vazhdoi t’u predikonte shqiptarëve në Boston, Masaçusets, SHBA.

Sokrat dhe Thanas Duli (Athan Doulis) lindën në Shqipëri, por i çuan në Turqi kur ishin të vegjël. Sokrati u kthye në Shqipëri në vitin 1922. Një vit më pas, u kthye edhe Thanasi 14-vjeçar dhe nisi të kërkonte të vëllanë. Ai shkroi: «Kur mbërrita te shtëpia jonë e vjetër, nuk e gjeta menjëherë vëllanë, sepse punonte rreth 200 kilometra larg. Por gjeta Kullën e Rojës, Biblën dhe shtatë vëllimet e librit Studime mbi Shkrimet, si dhe fletushka të tjera me argumente biblike. Me sa duket, edhe në atë zonë malore të humbur, kishte Studentë aktivë të Biblës që ishin kthyer nga Amerika me njohuri për Biblën dhe dashurinë për të.» Kur u takuan më në fund, Sokrati, që tashmë ishte pagëzuar si Student i Biblës, nuk ndenji pa ia mësuar të vërtetën vëllait të tij, Thanasit.

Në vitin 1924, zyra e Rumanisë u caktua të mbikëqyrte territorin e sapohapur në Shqipëri. Edhe pse vepra e predikimit ende ishte e kufizuar, në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1925 thuhej: «Harpa e Perëndiut, si dhe broshurat Qeverimi i dëshirueshëm dhe Brengu i botës u përkthyen dhe u shtypën në gjuhën shqipe. . . . [Është] shpërndarë një sasi e konsiderueshme e tyre, dhe shqiptarët po e përqafojnë të vërtetën me shumë gëzim.»

Gjatë asaj kohe, Shqipëria ishte e përçarë nga konfliktet politike. Po shërbëtorët e Jehovait? Thanasi shkroi: «Në vitin 1925, në Shqipëri kishte tri kongregacione të organizuara, si dhe disa Studentë të Biblës të izoluar.» Gjithashtu, ai shkroi se dashuria mes tyre ishte në kontrast të qartë me konfliktet, egoizmin dhe konkurrencën e njerëzve përreth. Shumë shqiptarë po largoheshin nga vendi, kurse të tjerë që kishin mësuar të vërtetën po ktheheshin, të etur që t’u mësonin të afërmve për Mbretërinë e sapovendosur të Krishtit.

Ndërkohë, në Boston, të dielave paradite po mbaheshin fjalime publike në shqip, para një auditori me rreth 60 të pranishëm. Këta ishin studentë seriozë, që u pëlqente shumë të studionin në thellësi vëllimet e Studimeve mbi Shkrimet. E studiuan plotësisht edhe librin Harpa e Perëndisë, pavarësisht nga disa gabime në përkthim. (Për shembull, fillimisht titulli u përkthye Qithara e Perëndis.) Gjithsesi, ky libër ndihmoi shumë shqiptarë të mësonin të vërtetën biblike dhe të krijonin një besim të fortë.

«LËRINI REHAT!»

Në vitin 1926, Kulla e Rojës raportoi se në Shqipëri, 13 veta kishin ndjekur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Në Librin vjetor 1927 thuhej: «Në Shqipëri ka rreth 15 vëllezër të kushtuar, të cilët po bëjnë çmos ta përhapin mesazhin e mbretërisë.» Libri vjetor thoshte: «Në Amerikë, ka rreth 30 vëllezër shqiptarë të kushtuar, të cilët mezi presin t’i ndihmojnë bashkëkombësit e tyre që të njohin të Vërtetën.» Në vitin 1927, të 15 vëllezërit në Shqipëri u gëzuan që patën 27 të pranishëm në Përkujtim, më shumë se dyfishi i të pranishmëve nga viti i kaluar.

Në fund të viteve 20, në Shqipëri kishte ende shumë trazira politike. Për pak kohë, pushtetin e mori qeveria e ngritur nga Fan Noli, një peshkop ortodoks, por kjo qeveri u rrëzua nga presidenti Ahmet Bej Zogu. Ai e shpalli Shqipërinë mbretëri dhe fjalën e fundit e kishte vetë, si mbreti Zogu I.

Gjatë vitit 1928, Lazar Nasoni, Petro Stavroja dhe dy vëllezër të tjerë erdhën nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri për të shfaqur «Foto-Dramën e Krijimit». Në të njëjtën kohë, në Shqipëri ishte edhe një prift katolik e një prift ortodoks nga Shtetet e Bashkuara, të cilët po vizitonin mbretin Zogu I.

—Ki mendjen!—e paralajmëroi prifti katolik mbretin Zog.—Nga Amerika kanë ardhur disa njerëz që do të të sjellin telashe.

Mirëpo, prifti ortodoks nuk ishte dakord. Ai i njihte vëllezërit, sepse jo shumë kohë më parë, ishin larguar nga kisha e tij në Boston. «Në qoftë se të gjithë shqiptarët do të ishin si këta burra,—i tha ai mbretit,—s’do të të duhej t’i kyçje dyert e pallatit.»

—Atëherë, lërini rehat,—u përgjigj mbreti Zog,—mos i trazoni!

Po atë vit, në Boston u shtyp në shqip libri Këngë të Perëndiut dhe Birit Tij Mbretit tonë Jisu Krisht, kështu që me kalimin e kohës vëllezërit në Shqipëri i mësuan meloditë dhe tekstet e këngëve të tij. Dy më të pëlqyerat ishin «Mos kini frikë» dhe «Vepëro!», këngë që i forcuan vëllezërit në vitet e vështira që pasuan.

Në përgjithësi, shqiptarët t’i thonë gjërat drejt e në sy dhe parapëlqejnë t’u flasësh troç. Bisedat që të tjerëve u duken si zënka, për ta shpesh janë biseda normale të gjalla. Kur janë tepër të sigurt për një çështje, shqiptarët jo vetëm që e thonë menjëherë mendimin e tyre, por shpesh flasin e veprojnë në përputhje me të, me bindje të plotë. Me siguri, këto tipare kanë ndikuar në reagimin e tyre ndaj lajmit të mirë.

VËSHTIRËSITË SJELLIN REZULTATE TË MIRA

Për shkak të problemeve politike dhe ekonomike që sa vinin e shtoheshin, shumë shqiptarë po largoheshin nga vendi e disa prej tyre po mësonin të vërtetën në Nju-Inglënd dhe Nju-Jork. Kudo ku kishte një grup shqiptarësh, e vërteta lulëzonte. Të etur për më shumë literaturë, vëllezërit u gëzuan kur morën në shqip broshurat Mbretëria dhe Kriza.

Në të njëjtën kohë, autoritetet në Shqipëri kishin konfiskuar një pjesë të literaturës sonë. Megjithatë, në vitin 1934, Buletini (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë) raportonte nga Shqipëria: «Me gëzim të madh ju shkruajmë se ministri i Drejtësisë sapo ka lëshuar një urdhër për të gjitha krahinat, kështu që e gjithë literatura jonë tani mund të qarkullojë lirisht . . . Të gjithë librat dhe broshurat që janë konfiskuar nga prefektët e ndryshëm, u janë kthyer vëllezërve . . . Tani, shtatë vëllezër kanë marrë me qira një makinë [dhe po] vizitojnë qytetet e largëta për të shpërndarë librat, kurse vëllezër të tjerë po predikojnë në vendet më afër.» Si rezultat, në vitet 1935 dhe 1936, vëllezërit shpërndanë më shumë se 6.500 botime.

«KONSIDEROHET SI TRANSMETIMI MË I GJERË NË HISTORI»

Në fillim të vitit 1936, gazeta britanike Mercury e Lidsit, njoftoi: «Do të bëhet një përpjekje për atë që konsiderohet si transmetimi më i gjerë në histori. Kjo do të bëhet me rastin e një fjalimi të mbajtur në Los Anxhelos nga gjykatësi Radhërford, ungjillëzuesi.» Xhozef Radhërfordi, i cili në atë kohë merrte drejtimin ndër Dëshmitarët e Jehovait, do të mbante një fjalim që do të transmetohej në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe me radiotelefon dhe pastaj do të ritransmetohej në disa vende evropiane. Artikulli i gazetës Mercury mbyllej me fjalët: «Ka një vend evropian ku me siguri fjalimi nuk do të dëgjohet. Ky vend është Shqipëria, që nuk ka rrjet telefonik.»

Mirëpo, disa javë pas fjalimit, Nikolla Kristo, nga kongregacioni shqiptar në Boston, i shkroi selisë botërore: «Duam t’ju informojmë se nga të dhënat e fundit që kemi marrë nga Shqipëria, fjalimi i gjykatësit Radhërford ‘Ndarja e kombeve’ u dëgjua atje, duke i shtuar kështu edhe një vend tjetër listës së gjatë të atyre që e dëgjuan. E kapën sinjalin në dy vende . . . , me sa duket nga transmetimi me valë të shkurtra. . . . Vëllezërit u emocionuan jashtë mase kur dëgjuan zërin e gjykatësit Radhërford.»

Si i drejtonin mbledhjet lajmëtarët shqiptarë para se të botohej në shqip Kulla e Rojës? Shumë prej shqiptarëve që kishin përqafuar të vërtetën, ishin burra që kishin ndjekur shkolla greke në jug të Shqipërisë. Prandaj, nuk e kishin të vështirë ta studionin Kullën e Rojës në greqisht. Të tjerë e studionin në italisht ose frëngjisht. Mbledhjet mbaheshin në shqip dhe vëllezërit e përkthenin literaturën dora-dorës.

Edhe në Boston, Studimi i Kullës së Rojës në shqip të hënave në mbrëmje drejtohej me një botim grek të revistës. Megjithatë, shumë vëllezër i mësuan mirë fëmijët dhe, vite më vonë, bijtë e bijat e tyre, nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat u bënë shërbëtorë në kohë të plotë. Madje, kaq shumë u njohën vëllezërit shqiptarë për zellin e tyre në predikim, saqë njerëzit nisën t’i thërritnin ungjillorë, që do të thotë predikues të ungjillit.

U JEPET DËSHMI ATYRE NË POZITA TË LARTA

Në vitin 1938, një vit para se të rrëzohej monarkia e mbretit Zog, dy motra të tij shkuan në Boston. Në dhjetor, revista Ngushëllim (tani Zgjohuni!) raportonte: «Kur erdhën në Boston princeshat shqiptare, dy nga ne të njësisë shqiptare të kompanisë së dëshmitarëve të Jehovait në Boston, shkuam te hoteli i tyre dhe u paraqitëm mesazhin e mbretërisë së Perëndisë. Na pritën shumë mirë.»

Dy Dëshmitarët ishin Nikolla Kristo me të motrën, Linën. Ata takuan jo vetëm princeshat, por edhe pesë funksionarë të tjerë, ndër të cilët edhe ambasadorin e atëhershëm të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Faik Konicën. Para takimit, iu lexua grupit një fletë dëshmie në shqip, ku shpjegohej deri në ç’masë po predikohej e vërteta ndër shqiptarët. Pjesërisht, aty thuhej: «Me kënaqësi ju informojmë se ky mesazh ka shumë vjet që shpallet edhe në Shqipëri, dhe dhjetëra mijë libra u janë shpërndarë zyrtarëve dhe popullit shqiptar, që të ndriçohen e të ngushëllohen.»

Ambasadori Konica u tha princeshave: «Ata dëshirojnë që ju të përdorni ndikimin tuaj, me qëllim që predikimi i tyre të vazhdojë pa pengesa në Shqipëri. Besimi i tyre është ‘i ri’ dhe ata besojnë se bota [shoqëria botërore aktuale] së shpejti do të marrë fund dhe më pas Krishti do të mbretërojë e madje edhe të vdekurit do të ringjallen.»

Si ka mundësi që zoti Konica dinte kaq shumë për mesazhin e Mbretërisë? Revista Ngushëllim shpjegonte se kjo vinte «ngaqë një dëshmitar e kishte njohur mirë vite më parë, para se të hynte në të vërtetën, . . . dhe në disa raste kishte folur me të për të vërtetën».

LUFTA II BOTËRORE SJELL SPROVA

Gjatë viteve 30, Italia nisi ta vinte gjithnjë e më shumë nën kontroll Shqipërinë dhe, në vitin 1939, mbreti Zog me familjen e tij u larguan nga vendi. Ushtritë pushtuese fashiste nga Italia e ndaluan literaturën tonë dhe e shpallën të jashtëligjshëm predikimin për 50 lajmëtarët. Në verën e vitit 1940, u konfiskuan 15.000 botime. Më 6 gusht, në Këlcyrë, fashistët arrestuan nëntë vëllezër dhe i mbyllën në një qeli 2 x 4 metra. Më vonë, i transferuan në një burg në Tiranë. I mbajtën aty për tetë muaj pa gjyq dhe pastaj u dhanë dënime nga dhjetë muaj deri në dy vjet e gjysmë.

Në kushte të tilla, të burgosurve u duhej ta merrnin ushqimin nga familjet. Por në këtë rast, ata që siguronin bukën e gojës për familjet, ishin në burg. Si t’ia bënin për t’u ushqyer?

Nasho Dori kujton: «Çdo 15 ditë merrnim 800 gramë bukë të thatë, 3 kilogramë qymyr dhe një kallëp sapuni. Unë dhe Jani Komino kishim lekë sa për të blerë 1 kile fasule. E përdorëm qymyrin për të zier fasulet, që pastaj të burgosurit i blinin me lugë. Shumë shpejt, mbushnim pesë kusi të mëdha me fasule. Pas pak, na u mblodhën aq para sa të blinim ca mish.»

Në dimrin e viteve 1940-1941, ushtritë greke pushtuan Shqipërinë e Jugut dhe i detyruan burrat të bashkoheshin me ta. Në një fshat, kur një vëlla nuk pranoi, duke thënë se ishte asnjanës, ushtarët e morën për flokësh dhe e rrahën derisa i ra të fikët.

—Akoma vazhdon të mos bindesh?—iu hakërrye komandanti vëllait sapo erdhi në vete.

—Akoma jam asnjanës,—tha vëllai.

Kur e panë që s’ia dolën dot, ushtarët e lanë të lirë.

Disa ditë më vonë, komandanti shkoi në shtëpinë e vëllait që kishte torturuar dhe e lavdëroi për guximin. I tha: «Disa ditë më parë, vrava 12 italianë dhe më dhanë një medalje. Por, më vret ndërgjegjja dhe më vjen turp ta vë. E mbaj në xhep, sepse e di që është shenjë e një akti kriminal.»

SUNDIMTARË TË RINJ, SPROVA TË NJËJTA

Në mes të betejave e trazirave të luftës, Partia Komuniste e Shqipërisë po fitonte gjithnjë e më shumë epërsi, me gjithë përpjekjet e fashistëve për të mbajtur kontrollin. Në vitin 1943, ushtarët që po luftonin kundër komunistëve, zunë një vëlla, e hodhën në një kamion, e çuan në vijën e frontit dhe i vunë në dorë një armë. Ai e refuzoi.

—Ti je komunist!—i bërtiti komandanti.—Po të ishe i krishterë, do të luftoje, siç bëjnë edhe priftërinjtë.

Komandanti i urdhëroi ushtarët ta vritnin vëllanë. Në çastin që skuadra e pushkatimit po bëhej gati të qëllonte, aty kaloi një oficer tjetër dhe pyeti ç’po ndodhte. Si mori vesh për qëndrimin asnjanës të vëllait, dha një urdhër të dytë për të mos qëlluar, dhe vëllanë e liruan.

Në shtator të vitit 1943, fashistët u tërhoqën dhe vendin e pushtuan ushtritë gjermane, duke vrarë 84 veta në Tiranë vetëm brenda një nate. Me qindra u dërguan në kampe përqendrimi. Ndërkohë, vëllezërit shtypnin fleta me mesazhe shprese e ngushëllimi nga Bibla. Kur dikush e mbaronte së lexuari mesazhin e shtypur, i kërkonin ta kthente, që t’ia jepnin dikujt tjetër. Pastaj, me ato pak broshura që kishin fshehur, vëllezërit vazhduan të predikonin. Predikonin vetëm me disa pjesë të Biblës. Një përkthim i plotë i Biblës doli vetëm në mes të viteve 90.

Kur hyri viti 1945, 15 vëllezër kishin bërë burg për njëfarë kohe. Dy prej tyre ishin dërguar në kampet e përqendrimit, ku njërin e torturuan deri në vdekje. Si për ironi, ndërkohë që vëllezërit në Shqipëri përndiqeshin ngaqë nuk bashkoheshin me forcat e Boshtit, disa vëllezër shqiptarë në Shtetet e Bashkuara u burgosën sepse nuk luftonin kundër forcave të Boshtit.

Në Shqipërinë e shkatërruar nga lufta, literatura e konfiskuar mbahej në një pikë doganore. Gjatë një beteje të furishme aty pranë, ndërtesa u shemb dhe një pjesë e mirë e literaturës u shpërnda nëpër rrugë. Më pas, kalimtarët kureshtarë i morën librat e broshurat dhe nisën t’i lexonin. Vëllezërit nuk humbën kohë dhe e mblodhën menjëherë literaturën e mbetur.

Në vitin 1944, forcat gjermane u tërhoqën nga Shqipëria dhe ushtria komuniste themeloi një qeveri të përkohshme. Menjëherë, vëllezërit bënë kërkesë për leje që të rishtypnin disa broshura, por kërkesa iu mohua. «Kulla e Rojës sulmon klerikët,—u thanë vëllezërve,—po këtu ne ende i pranojmë klerikët.»

MBARON LUFTA, POR JO PËRNDJEKJA

Administrata e re komuniste vuri tatime të larta dhe shtetëzoi prona, fabrika, ndërmarrje, punishte, dyqane e kinema. Njerëzve nuk u lejohej të blinin, të shitnin ose të linin me qira tokat, dhe të gjitha prodhimet duhej t’ia dorëzonin shtetit. Më 11 janar 1946, Shqipëria e shpalli veten Republika Popullore e Shqipërisë. Partia Komuniste fitoi zgjedhjet dhe themeloi qeverinë e saj me në krye Enver Hoxhën.

U hapën më shumë shkolla dhe fëmijëve iu mësua shkrim e lexim, ndonëse qeveria nuk donte që ndokush të lexonte literaturë që nuk përkrahte komunizmin. Botimet tona u konfiskuan e bashkë me to qeveria konfiskoi edhe atë pak letër që kishin vëllezërit për të shtypur, si dhe disa makina shkrimi.

Sa herë që vëllezërit përpiqeshin të merrnin miratimin për të botuar literaturë, i kthenin mbrapsht dhe i kërcënonin. Por ata nuk u sprapsën. «Jehovai na ka ngarkuar përgjegjësinë ta informojmë popullin shqiptar për qëllimin e tij,—u thanë autoriteteve,—dhe ju po na ndaloni. Tani, përgjegjësia bie mbi kokën tuaj.»

Përgjigjja e qeverisë, me fjalë të tjera, ishte: ‘Këtu në Shqipëri, zot jemi ne. Nuk e lejojmë teokracinë dhe nuk duam të na bezdisni ju ose Perëndia juaj, Jehovai, të cilin nuk e njohim!’ Pa u stepur, vëllezërit vazhduan ta shpallnin lajmin e mirë kudo dhe kurdo që mundeshin.

Në vitin 1946, votimi u bë i detyrueshëm dhe kushdo që guxonte të mos votonte, shihej si armik i shtetit. U miratuan ligje që ndalonin mbledhjet dhe u quajt krim të predikoje. Si reaguan vëllezërit?

Në vitin 1947, rreth 15 vëllezërit që ishin në Tiranë, organizuan një fushatë predikimi. Menjëherë u arrestuan. Ua bënë copë-copë Biblat dhe i torturuan. Kur i liruan, i urdhëruan të mos udhëtonin askund pa autorizimin e policisë. Gazetat u tallën me Jezuin dhe Jehovain.

Vëllezërit shqiptarë në Boston e morën vesh këtë dhe më 22 mars 1947 i shkruan me respekt një letër dyfaqëshe Enver Hoxhës, për Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri. I shpjeguan se Dëshmitarët e Jehovait nuk përbëjnë një kërcënim për qeverinë dhe theksuan se kundërshtarët fetarë kishin shpikur akuza të rreme, sepse botimet tona me të drejtë demaskojnë praktikat e tyre jo të krishtere. Letra mbyllej me fjalët: «Kur erdhi për vizitë në Boston delegacioni shqiptar në Kombet e Bashkuara, me në krye zotin Kapo, ne i bëmë një vizitë në hotel. Zoti Kapo na priti me mirësjellje e sinqeritet dhe e dëgjoi pa paragjykime mesazhin tonë.» Për vite me radhë, Hysni Kapo ishte një nga funksionarët më të lartë në Shqipëri. Pavarësisht nga kjo kërkesë, problemet në Shqipëri vetëm sa u shtuan.

Në vitin 1947, Shqipëria bëri aleancë me Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë e pati konflikte me Greqinë. Një vit më pas, i preu lidhjet me Jugosllavinë dhe u lidh më shumë me Bashkimin Sovjetik. Kushdo që nuk mbështeste ideologjinë e qeverisë, mënjanohej nga shoqëria. Qëndrimi asnjanës i vëllezërve solli gjithnjë e më shumë kundërshtim dhe armiqësi.

Për shembull, në vitin 1948, gjashtë vëllezër e motra ishin mbledhur në një fshat të vogël për Përkujtimin. Policia mësyu gjatë mbledhjes dhe i rrahu për orë të tëra lajmëtarët para se t’i linte të iknin. Disa javë më pas, policia arrestoi vëllanë që kishte mbajtur fjalimin e Përkujtimit dhe e mbajti në këmbë për 12 orë. Në mesnatë, shefi i policisë i bërtiti: «Pse e shkele ligjin?»

—Nuk mund ta vëmë ligjin e shtetit mbi ligjin e Zotërisë!—iu përgjigj vëllai.

I tërbuar, shefi i ra me shuplakë vëllait dhe, kur pa se ai e ktheu kokën nga ana tjetër, e pyeti: «Ç’bën?»

—Të thashë më parë se jemi të krishterë,—u përgjigj vëllai.—Jezui na mësoi se kur dikush të godet, duhet t’i kthesh faqen tjetër.

—Meqenëse Zoti yt urdhëron kështu, nuk do t’i bindem e nuk do të të qëlloj më!—ia ktheu shefi i inatosur.—Qërohu që këtu!

«DO TË VAZHDOJ TË PREDIKOJ»

Sotir Ceqi ishte ortodoks i devotshëm dhe jetonte në Tiranë. Kur ishte fëmijë, kishte kaluar tuberkulozin e kockave dhe kishte dhembje të forta në këmbë. Në moshën 17-vjeçare, ishte kaq i dëshpëruar sa vendosi të vriste veten duke u hedhur në shinat e trenit. Pak para se ta bënte këtë, i shkoi për vizitë një i afërm, Leonidha Pope. Pa e ditur se ç’kishte në mendje Sotiri, Leonidha i tha se Jezui i shëroi të sëmurët dhe se toka do të bëhet parajsë. Gjithashtu, i dha një kopje të Shkrimeve Greke, të cilën ai nisi ta lexonte menjëherë.

—Për mua ishte si ujë në shkretëtirë,—tha Sotiri.—E gjeta të vërtetën!

Brenda pak ditësh, edhe pse s’e kishte takuar më Leonidhën, Sotiri arsyetoi: «Bibla thotë se Jezui predikoi. Edhe apostujt e dishepujt predikonin të gjithë. Me siguri, edhe unë duhet të bëj po njësoj.»

Kështu, Sotiri doli të predikonte. Me Shkrimet Greke në njërën dorë dhe me patericën në dorën tjetër, ai shkoi me guxim shtëpi më shtëpi.

Gjatë atyre viteve, Sigurimi i Shtetit ishte ngarkuar për mbrojtjen e sigurisë së kombit. Gjithnjë syçelë ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm ndaj komunizmit, s’kishte si të mos u binte në sy predikimi i guximshëm i Sotirit. E arrestuan, e mbajtën të izoluar për orë të tëra, e rrahën dhe e urdhëruan të mos predikonte.

Pasi e liruan, Sotiri takoi Leonidhën, i cili e çoi te Spiro Karajani, një mjek që e kishte marrë të vërtetën disa vjet më parë. Përveçse e mjekoi, Spiroja e ndihmoi Sotirin të kuptonte më mirë të vërtetën.

«Po të të arrestojnë sërish,—e këshilloi Spiroja Sotirin,—para se të firmosësh ndonjë gjë, numëro çdo fjalë dhe çdo rresht. Hiq një vizë poshtë çdo fjale të tyre. Mos lër hapësira bosh. Lexoje çdo gjë me kujdes. Sigurohu se ajo që firmos, është ajo që ke thënë.»

Vetëm dy ditë më pas, policia e kapi Sotirin duke predikuar përsëri. Në rajonin e policisë, e urdhëruan të firmoste një deklaratë. Ndërsa bëhej gati të firmoste, i erdhi ndër mend këshilla e Spiros. Pavarësisht nga presioni i policëve që të firmoste shpejt, Sotiri e lexoi me nge çdo fjalë.

«Më vjen keq,—u tha,—por nuk mund ta firmos këtë. Nuk i kam thënë unë këto fjalë. Po ta firmosja këtë deklaratë, do të gënjeja dhe unë s’mund të gënjej.»

Si përgjigje, policët bënë një kamxhik me litar, me të cilin e rrahën për orë të tëra. Kur e panë që s’po bashkëpunonte, e detyruan të mbante dy tela dhe i bënë disa herë me radhë elektroshok duke i shkaktuar dhembje të tmerrshme.

Më vonë, Sotiri kujtonte: «Kur arriti kulmi dhe s’po e duroja dot më dhembjen, u luta me lot në sy. Papritur u hap dera. Ishte shefi i policisë. Më hodhi një vështrim dhe menjëherë ktheu kokën mënjanë. ‘Mjaft me kaq!—i urdhëroi.—Mos e bëni këtë.’» E dinin shumë mirë se tortura ishte kundër ligjit. Policët nuk e torturuan më Sotirin, por vazhduan t’i bënin presion të firmoste deklaratën. Megjithatë, ai refuzonte.

«Fitove ti!»—i thanë më në fund. Pa shumë dëshirë, shkruan deklaratën që kishte bërë vetë Sotiri, në të cilën jepte një dëshmi të shkëlqyer. Ia dhanë në dorë dokumentin. Pavarësisht se kishte kaluar orë të tëra me rrahje dhe elektroshok, Sotiri e lexoi me kujdes çdo fjalë. Kur një fjali mbetej përgjysmë në fund të faqes, ai hiqte një vizë në fund të fjalisë.

—Ku e ke mësuar këtë?—pyetën të habitur policët.

—Jehovai më mësoi të mos firmos atë që nuk e kam thënë,—u përgjigj Sotiri.

—Mirë, po kush t’i dha këto?—pyeti një polic, duke i dhënë Sotirit një franxhollë e një copë djathë kaçkavall. Ishte ora 9.00 e darkës dhe Sotirin po e grinte uria, pasi s’kishte ngrënë gjithë ditën.—Mos t’i dha Jehovai? Jo. Ne t’i dhamë.

—Jehovai ka shumë mënyra për të siguruar gjërat e nevojshme,—u përgjigj Sotiri.—Ai ju ka zbutur zemrën.

—Po të lëmë të shkosh,—thanë të zhgënjyer policët,—por, nëse predikon përsëri, e di ç’do të të ndodhë.

—Atëherë, më mirë mos më lini të shkoj, sepse unë do të predikoj prapë.

—Vetëm mos i thuaj njeriu ç’ndodhi këtu!—e urdhëroi shefi.

—Po të më pyesin,—u përgjigj Sotiri,—s’mund të gënjej.

—Ore kokëshkretë, hiqmu sysh!—ulëriti polici.

Sotiri ishte një nga të shumtët që u torturuan në këtë mënyrë. Ai u pagëzua pas kësaj ndodhie që i vuri në provë besimin.

Për vite të tëra, posta censurohej dhe nga Shqipëria arrinin të dilnin vetëm raporte të paplota. Ndërsa bëhej më e rrezikshme të udhëtoje dhe të ndiqje mbledhjet, vëllezërit në mbarë vendin nisën të humbnin lidhjet me njëri-tjetrin. Pa një organizatë qendrore, ishte e vështirë të kishe një tablo të qartë se çfarë po ndodhte. Megjithatë, numri i atyre që pranonin të vërtetën, vazhdonte të rritej. Në vitin 1940, në Shqipëri kishte 50 vëllezër e motra dhe më 1949, kishte 71.

RRITJE TEOKRATIKE MES TENSIONESH POLITIKE

Në vitet 50, nisi të kontrollohej edhe më rreptësisht çdo fushë e jetës. Tensionet politike mes Shqipërisë e Greqisë po shtoheshin. Marrëdhëniet diplomatike me Anglinë dhe Shtetet e Bashkuara nuk ekzistonin. Edhe lidhjet me Bashkimin Sovjetik ishin të tendosura. Shqipëria po mbyllej në një guaskë, e izoluar nga bota e jashtme. Të gjitha mjetet e komunikacionit mbaheshin nën vëzhgim.

Megjithatë, dy vëllezër ia dolën mbanë t’u dërgonin disa letra e kartolina vëllezërve në Zvicër. Vëllezërit zviceranë u përgjigjeshin në frëngjisht ose italisht, duke përdorur një gjuhë të koduar. Me anë të këtyre kartolinave, vëllezërit shqiptarë morën vesh për kongresin e Nurembergut që ishte mbajtur në vitin 1955. Lajmi për lirinë që gëzonin vëllezërit gjermanë pas rënies së regjimit të Hitlerit, u dha zemër vëllezërve shqiptarë të qëndronin të patundur në besim.

Kur hyri viti 1957, Shqipëria raportonte 75 lajmëtarë. Edhe pse nuk kishte shifra të sakta, Përkujtimin e ndoqi «një numër i madh njerëzish», siç raportonte Libri vjetor 1958, dhe ‘vëllezërit shqiptarë vazhdonin të predikonin’.

Librin vjetor 1959 thuhej: «Këta dëshmitarë besnikë të Jehovait po vazhdojnë të bëjnë ç’të mundin. Ua kanë thënë hapur të vërtetën të tjerëve e madje janë përpjekur të botojnë disa gjëra. Janë mirënjohës për mishin [ushqimin] në kohën e duhur që u ka shkuar me raste, por me sa duket udhëheqësit komunistë kanë mbyllur çdo komunikim me botën jashtë.» Raporti mbyllej me fjalët: «Edhe pse qeveritarët e vendit mund t’i ndajnë vëllezërit shqiptarë nga pjesa tjetër e shoqërisë së Botës së Re, nuk e pengojnë dot veprimin e frymës së shenjtë të Perëndisë mbi ta.»

VËSHTIRËSITË VAZHDOJNË

Në atë kohë, nga secili pritej të kishte një librezë ushtarake. Ata që nuk pranonin ta merrnin, humbnin punën ose burgoseshin. Si pasojë, Nasho Dori dhe Jani Komino bënë përsëri disa muaj burg. Ndonëse disa patën frikë se mos humbnin punën dhe bënë kompromis, një bërthamë e fortë vëllezërish besnikë mbajtën Përkujtimin në vitin 1959 dhe shumë vëllezër e motra ende predikonin pa frikë.

Në vitin 1959, u shpërbë Ministria e Drejtësisë dhe nuk u lejua më avokatura. Partia e Punës i bënte dhe i vinte në zbatim vetë të gjitha ligjet. Kush nuk votonte në zgjedhje, konsiderohej armik. Kudo kishte frikë e dyshim.

Vëllezërit shqiptarë dërgonin mesazhe ku tregonin sa të vështira ishin gjërat, por shprehnin edhe vendosmërinë për të qëndruar besnikë. Ndërkohë, selia botërore në Bruklin bënte përpjekje të vazhdueshme të lidhej me vëllezërit në Shqipëri. I kërkuan Nako Markos (Xhon Marks) i cili kishte lindur në jug të Shqipërisë, por jetonte në Shtetet e Bashkuara, të përpiqej të merrte vizë për të hyrë në Shqipëri.

Një vit e gjysmë më vonë, Nakoja arriti të merrte një vizë për në Shqipëri, kurse gruas së tij, Elenit, nuk ia dhanë vizën. Nakoja mbërriti në Durrës në shkurt të vitit 1961 dhe udhëtoi deri në Tiranë. Atje takoi të motrën, Melpon, e cila kishte treguar interes për të vërtetën. Ajo e ndihmoi Nakon të lidhej me vëllezërit që të nesërmen.

Nakoja foli gjerë e gjatë me vëllezërit dhe u dha disa botime që i kishte futur në një ndarje të fshehtë të valixhes. Vëllezërit u mrekulluan. Që prej 24 vjetësh s’kishin pasur asnjë vizitë nga ndonjë vëlla jashtë Shqipërisë.

Nakoja llogariti se gjithsej kishte 60 vëllezër në pesë qytete dhe disa të tjerë në fshatra të vogla. Në Tiranë, vëllezërit po përpiqeshin të mblidheshin fshehurazi një herë në javë, të dielave, për të rishikuar botimet që i kishin mbajtur fshehur që nga viti 1938.

Duke qenë se kishin pasur shumë pak lidhje me organizatën për një kohë të gjatë, vëllezërit shqiptarë duheshin përditësuar për çështjet organizative dhe të vërtetat e fundit. Për shembull, mbledhjet i drejtonin si vëllezërit, edhe motrat, e madje ato bënin edhe lutje. Më vonë, Nakoja shkroi: «Vëllezërit ishin pak në dyshim e në merak nëse motrat do t’i pranonin këto masa të reja, prandaj më kërkuan t’ua shpjegoja unë privatisht motrave, e kështu bëra. U kënaqa kur pashë se i pranuan ato masa.»

Ndonëse ishin të varfër, këta shërbëtorë besnikë e mbështetnin me zell veprën e Mbretërisë. Për shembull, Nakos i bënë përshtypje dy vëllezër të moshuar nga Gjirokastra që kishin kursyer «një sasi parash si kontribute për Shoqatën nga ato pak para që kishin». Secili prej tyre kishte kursyer mbi 100 dollarë në monedha ari.

Vëllezërit në Tiranë e vlerësuan kur morën broshurën Të predikojmë e të mësojmë në paqe e unitet, e cila jepte udhëzime se si duhej të funksiononin kongregacionet, edhe gjatë ndalimit. Pastaj, në mars, Nakoja mbajti Përkujtimin në Tiranë, në shtëpinë e Leonidha Popes, ku u mblodhën 37 veta. Menjëherë pas fjalimit, ai u nis me anije për në Greqi.

Pasi shqyrtuan raportin e Nakos për vizitën në Shqipëri, vëllezërit në selinë botërore caktuan Leonidha Popen, Sotir Papën dhe Luçi Xhekën që të kujdeseshin për kongregacionin e Tiranës dhe për veprën në Shqipëri. Spiro Vruho u caktua si mbikëqyrës qarkor. Duhej të vizitonte kongregacionet e të takohej me vëllezërit çdo mbrëmje, duke mbajtur fjalime e duke shqyrtuar botimet. Organizata po bënte çdo përpjekje për t’i ndihmuar vëllezërit në Shqipëri të bëheshin më të fortë frymësisht e të përditësoheshin.

Natyrisht, meqë posta censurohej me shumë kujdes, organizata nuk mund të dërgonte një letër formale me këto udhëzime. Nakoja ua përcolli pak nga pak informacionin vëllezërve në Shqipëri, duke përdorur një kod që u referohej faqeve në botimet që kishin. Shpejt, erdhën raporte që tregonin se vëllezërit e kishin kapur tamam pikën. Tre vëllezërit në Tiranë funksiononin si një Komitet Vendi dhe Spiroja po i vizitonte rregullisht kongregacionet.

Vëllezërve shqiptarë u duhej të shpiknin mënyra të ndryshme për t’ia dërguar selisë botërore raportet e shërbimit. Një mënyrë ishte me anë të kartolinave që u dërgoheshin disa vëllezërve jashtë shtetit. Me një stilolaps me majë të hollë, raportet i shkruanin në kod poshtë pullës së postës. Për shembull, shkruanin numrin e faqes në broshurën Të predikojmë e të mësojmë, ku shqyrtohej tema «lajmëtarët». Pas tij shkruanin numrin e lajmëtarëve që kishin raportuar atë muaj. Për shumë vjet, vëllezërit nga jashtë shtetit përdorën metoda të ngjashme për të komunikuar me vëllezërit në Shqipëri.

NJË NISJE E MBARË, PASTAJ NJË GODITJE

Ndonëse Komiteti i Vendit po punonte fort për të çuar përpara adhurimin e pastër, shpejt do të fillonin telashet. Në vitin 1963, Melpo Marko i shkroi të vëllait, Nakos, se dy nga vëllezërit që përbënin Komitetin e Vendit, Leonidha Pope dhe Luçi Xheka, ishin «larg familjeve» dhe se mbledhjet nuk po mbaheshin. Më vonë, erdhi lajmi se Spiro Vruho ishte në spital dhe se Leonidha Pope e Luçi Xheka ishin sëmurë, duke iu referuar Veprave 8:1, 3, ku tregohet se Sauli i Tarsit i dërgoi të krishterët në burg. Çfarë po ndodhte?

Leonidha Pope, Luçi Xheka dhe Sotir Ceqi punonin në një fabrikë ku anëtarët e Partisë së Punës mbanin fjalime për të gjithë punonjësit, duke nxitur idealet komuniste. Një ditë, gjatë një fjalimi për evolucionin, Leonidha dhe Luçi u ngritën dhe thanë: «Jo! Majmuni bën majmun, njeriu bën njeri!» Të nesërmen, të dy i larguan nga familjet dhe i çuan në qytete të largëta që të punonin si të internuar. Luçin e dërguan në malet e Gramshit. Leonidhën, ngaqë e konsideronin «kryesorin», e dërguan në malet e ashpra e të ftohta të Burrelit. Do të kalonin shtatë vjet para se të kthehej në shtëpi, në Tiranë.

Kur hyri gushti i vitit 1964, mbledhjet pothuajse nuk mbaheshin më. Ato pak të dhëna që arrinin të dilnin nga Shqipëria, tregonin se vëllezërit vëzhgoheshin rreptësisht nga Sigurimi. Në një mesazh poshtë një pulle poste shkruhej: «Lutjuni Zotërisë për ne. Po e konfiskojnë literaturën nga shtëpia në shtëpi. Nuk na lejojnë të studiojmë. Tre veta i kanë internuar.» Fillimisht, u mendua se vëllezërit Pope dhe Xheka ishin liruar, përderisa ishin të vetmit që dinin të shkruanin poshtë pullave të postës. Por, më vonë, u mor vesh se atë mesazh e kishte shkruar e shoqja e Luçit, Frosina.

Vëllezërit që merrnin drejtimin, i kishin dërguar larg. Syri vigjilent i Sigurimit nuk i linte të tjerët të komunikonin me njëri-tjetrin. Gjithsesi, vëllezërit në internim i jepnin dëshmi të shkëlqyer kujtdo që takonin. Banorët e Gramshit thoshin: «Këtu ka ungjillorë. Ata nuk shkojnë ushtarë, por na ndërtojnë urat dhe na rregullojnë gjeneratorët.» Këta vëllezër besnikë bënë një emër të mirë që mbeti për dekada të tëra.

LIND NJË SHTET ATEIST

Në frontin politik, Shqipëria i shkëputi lidhjet me Bashkimin Sovjetik dhe forcoi më shumë marrëdhëniet me Kinën. Ideologjia komuniste po përhapej kaq shumë, saqë disa shqiptarë madje visheshin si udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze Mao Ce Duni. Në vitin 1966, Enver Hoxha hoqi gradat në ushtri dhe, në një klimë mosbesimi, nuk tolerohej asnjë mendim kundër.

Gazetat shtetërore nisën të botonin artikuj kundër fesë, duke e quajtur «një element të rrezikshëm». Më pas, në Durrës, një grup nxënësish me një buldozer shkatërruan një kishë. Menjëherë pas kësaj, qytet pas qyteti, u shkatërruan edhe ndërtesa të tjera fetare. Në vitin 1967, ndërsa qeveria u frynte flakëve të ndjenjave antifetare, Shqipëria u bë vendi i parë plotësisht ateist. Vendet e tjera komuniste e mbanin nën kontroll fenë, kurse Shqipëria as e toleronte fare.

Disa klerikë myslimanë, ortodoksë e katolikë u burgosën për shkak të aktiviteteve të tyre politike. Shumë priftërinj e hoxhallarë të tjerë nuk patën këtë fund, pasi u dorëzuan dhe thjesht hoqën dorë nga feja. Disa ndërtesa fetare historike u kthyen në muze ose monumente kulture. Nuk lejohej asnjë simbol fetar, as kryqe, as ikona dhe asgjë tjetër. Fjala «Zot» përdorej vetëm në mënyrë përçmuese. Këto zhvillime ua bënë të vështirë vëllezërve situatën.

Gjatë viteve 60, disa vëllezër ranë në gjumin e vdekjes. Ata pak lajmëtarë që mbetën ishin të shpërndarë, megjithatë flitnin ende në mbrojtje të së vërtetës, me aq sa mundeshin. Gjithsesi, edhe njerëzit që kishin njëfarë interesi, kishin shumë frikë të dëgjonin.

DASHURIA PËR TË VËRTETËN NUK U SHUA KURRË

Në vitin 1968, Gole Flloko u shkroi Nakos dhe Elenit për shëndetin e tij të dobët. Ishte e paligjshme të predikoje dhe mbledhjet ishin të ndaluara. Por Golja, tashmë në të 80-at, përshkruante se si u fliste rregullisht miqve dhe njerëzve që takonte në pazar, në lulishte ose në kafene. Jo shumë kohë më pas, Golja vdiq besnik. Ashtu si shumë të tjerë në Shqipëri, asgjë nuk mundi ta shuante dashurinë e tij të fortë për Jehovain e për të vërtetën.

Për shkak të moshës së shkuar, Spiro Vruho nuk i bënte dot më si më parë vizitat e qarkut. Pastaj, në fillim të vitit 1969, e gjetën të vdekur në fund të një pusi. Sigurimi tha se ishte vetëvrarë. Por, a ishte e vërtetë?

Ndonëse sipas tyre, para se të vetëvritej, Spiroja kishte lënë një shënim ku thoshte se ishte me depresion, shkrimi nuk ishte i tij. Gjithashtu, para se të vdiste, të tjerët e kishin parë se Spiroja ishte në humor të mirë. Veç kësaj, rreth qafës kishte njolla të zeza, që tregonin se e kishin sulmuar në ndonjë mënyrë. Në pus nuk u gjet asnjë litar me të cilin mund të kishte varur veten dhe në mushkëri nuk iu gjet ujë.

Vite më vonë, doli në dritë se Spiros i kishin thënë që, po të mos votonte, ai dhe familja do të përfundonin në burg dhe nuk do t’u jepnin më ushqim. Vëllezërit në Tiranë zbuluan se Spiron e kishin vrarë një ditë para zgjedhjeve dhe pastaj e kishin hedhur në pus. Kjo s’ishte hera e fundit që kundër Dëshmitarëve të Jehovait përdornin histori të rreme për vetëvrasje.

NJË DHJETËVJEÇAR NË IZOLIM TË DETYRUAR

Në vitin 1971, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën u gëzuan kur Trupit Udhëheqës në Bruklin, Nju-Jork, iu shtuan anëtarë të rinj. Kur u njoftua masa për caktimin e pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës, shpresat ishin të mëdha. Mirëpo, do të kalonin vite para se vëllezërit në Shqipëri t’i merrnin vesh këto ndryshime organizative. I morën vesh vetëm sepse disa turistë nga Shtetet e Bashkuara takuan shkurtimisht Llopi Bllanin, një motër në Tiranë. Ajo u tha se nuk po mbaheshin mbledhje dhe se në qytet kishte vetëm tre Dëshmitarë aktivë, ndonëse faktikisht kishte shumë më tepër.

Që në vitin 1966, Kosta Dabe kishte shkuar në Greqi, në përpjekje për të marrë një vizë e për t’u kthyer në vendlindje, në Shqipëri. Ai ishte 76 vjeç dhe donte t’u mësonte të vërtetën fëmijëve të tij. Në pamundësi për të marrë vizën, në kufirin shqiptar Kosta dorëzoi pasaportën amerikane dhe hyri në vend, duke e ditur se mund të mos ikte më kurrë që andej.

Në vitin 1975, në Shqipëri erdhën si turistë një çift shqiptar nga Shtetet e Bashkuara. Ata shkruan se kontrolli ishte «më i rreptë se kurrë» dhe se Dëshmitarët e Jehovait po i vëzhgonin nga afër. Të huajt shoqëroheshin kudo nga udhërrëfyes të caktuar nga shteti, shumë prej të cilëve ishin të Sigurimit. Pasi të huajt largoheshin, Sigurimi e përqendronte vëmendjen tek ata që kishin takuar gjatë qëndrimit. Vetë turistët shiheshin me dyshim dhe nuk ishin të mikpritur. Njerëzit kishin frikë nga të huajt.

Në nëntor të vitit 1976 erdhi një letër nga Kosta Dabe, që thoshte se në Vlorë, pesë veta kishin ndjekur Përkujtimin. Ai e dinte se në Përmet e në Fier kishte nga një Dëshmitar e secili e kishte mbajtur Përkujtimin i vetëm. Në Tiranë, dy veta ishin mbledhur në një vend dhe katër në një tjetër. Pra, me sa dinte ai, të paktën 13 veta ishin të pranishëm në Përkujtim për vitin 1976.

Vite më vonë, Kulla Gjidhari kujtonte si e kishte mbajtur ajo Përkujtimin: «Në mëngjes përgatita bukën dhe nxora verën që kisha ruajtur. Atë mbrëmje, mbylla perdet dhe mora Biblën që e kisha fshehur mbrapa shkarkuesit të banjës. Lexova te Mateu, kapitulli 26, si e bëri Jezui Përkujtimin. U luta, ngrita lart bukën, pastaj e ula poshtë. Lexova edhe ca nga Mateu, u luta prapë, ngrita lart verën dhe pastaj e ula poshtë. Mbarova edhe me një këngë. Edhe pse isha vetëm, e dija se isha e bashkuar me vëllezërit e mi në gjithë botën.»

Kulla s’kishte familje. Spiro Karajani e kishte adoptuar vite më parë, kur ishte e re, dhe ajo jetonte me të e me vajzën e tij, Penellopin, në Tiranë. Spiroja vdiq rreth vitit 1950.

SHQIPËRIA IZOLOHET GJITHNJË E MË SHUMË

Në vitin 1978, kur Shqipëria i preu lidhjet me Kinën, nisi një epokë e re izolimi. U miratua një kushtetutë e re, e cila kishte si synim që Shqipëria të mbështetej vetëm në forcat e veta. Kishte ligje të rrepta që drejtonin çdo fushë të jetës, duke përfshirë teatrin, baletin, literaturën dhe artin. U ndalua muzika klasike që mendohej se ishte subversive. Vetëm shkrimtarë të autorizuar mund të kishin makinë shkrimi. Kushdo që kapej duke ndjekur stacione televizive të huaja, mund të merrej në pyetje nga Sigurimi.

Në mes të kësaj atmosfere ndrydhjeje të rëndë, vëllezër nga Austria, Gjermania, Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra, vinin si turistë dhe përpiqeshin të takoheshin me vëllezërit vendës. Ata pak që arritën të takonin, i vlerësonin jashtë mase përpjekjet e tilla. Megjithatë, në përgjithësi vëllezërit ishin të veçuar nga njëri-tjetri, kështu që pak veta e merrnin vesh nëse po vinte një vizitor.

Në vitin 1985, shqiptarët vajtuan për vdekjen e diktatorit që kishin pasur prej dekadash, Enver Hoxhës. Pas pak, do të fillonin ndryshimet në qeveri e në fushën shoqërore. Nga viti tjetër, Nako Marko kishte vdekur dhe gruaja e tij, Eleni, tashmë në të 60-at, vendosi të vizitonte Shqipërinë. Kur mori vizën, autoritetet i thanë: «Nëse ndonjë gjë shkon keq, mos prit asnjë ndihmë nga jashtë.»

Vizita dyjavore e Elenit ishte një pikë kthese për atë grusht lajmëtarësh në Shqipëri. Më në fund, ajo takoi Melpon, motrën e Nakos, e cila kishte dëgjuar për të vërtetën nga i vëllai, 25 vjet më parë. Ndonëse ende s’ishte pagëzuar, për shumë vjet Melpo ishte njeri kyç për organizatën.

Eleni u takua edhe me Leonidha Popen dhe Vasil Gjokën, i cili ishte pagëzuar në vitin 1960. Ajo mori vesh për shtatë Dëshmitarë që ende rronin dhe ishin në pjesë të ndryshme të vendit. U transmetoi vëllezërve në Shqipëri fakte të përditësuara për organizatën dhe si po përparonte vepra në vendet e tjera komuniste. Me shumë kujdes, Eleni u predikonte në mënyrë joformale atyre që takonte. Megjithatë, vuri re se në Shqipëri kishte probleme ekonomike të theksuara.

Ajo tha: «Për pak qumësht, ishte e zakonshme të mbaje radhën që në orën tre të mëngjesit. Pjesa më e madhe e dyqaneve ishin bosh.»

Në vitin 1987, degët e Austrisë dhe Greqisë bashkuan përpjekjet për të sjellë vizitorë të tjerë në Shqipëri. Në vitin 1988, një çift nga Austria, Piter Malobabic me të shoqen, erdhën si turistë dhe i dhanë Melpos një bluzë, që ajo e pranoi me kënaqësi. Por u gëzua shumë më tepër kur gjeti të fshehur në bluzë librin «Gjëra në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë».

Po atë vit, një tjetër çift e takoi Melpon dhe i dha literaturë, por duhej të tregoheshin tejet të kujdesshëm, sepse Sigurimi po i gjurmonte këmba-këmbës. Në ato pak minuta që nuk ishin të shoqëruar nga të ashtuquajturit udhërrëfyes, vizitorët mundën të bënin takime të shkurtra. Morën vesh se Leonidha ishte sëmurë dhe se shumë vëllezër të tjerë në Shqipëri ishin plakur e nuk lëviznin dot lirisht.

KUSHTET NISIN TË NDRYSHOJNË

Në vitin 1989, skena politike po ndryshonte. U hoq dënimi me vdekje për ata që orvateshin të iknin nga Shqipëria. Atë verë, Eleni erdhi përsëri për vizitë. Ajo kaloi orë të tëra duke u transmetuar vëllezërve informacionet dhe udhëzimet që i ishin besuar. Vasil Gjoka u përpoq sa mundej t’u bënte vizita të shkurtra vëllezërve.

Sigurimi e mori vesh se Eleni kishte ardhur për vizitë dhe shkuan tek ajo. Në vend që t’i hapnin probleme, i thanë se donin një dhuratë nga Amerika. Sa shpejt kishin ndryshuar njerëzit!

Muri i Berlinit ra më 9 nëntor 1989 dhe pasojat e kësaj u ndien menjëherë në Shqipëri. Në mars të vitit 1990, në Kavajë shpërtheu një revoltë kundër komunizmit. Mijëra njerëz vërshuan nëpër ambasadat e huaja në Tiranë, në përpjekje për t’u larguar nga vendi. Studentët donin reforma dhe bënë greva urie.

Në shkurt të vitit 1991, një turmë e madhe rrëzoi statujën 10 metra të lartë të Enver Hoxhës, e cila kishte sunduar për vite të tëra sheshin «Skënderbej» në Tiranë. Njerëzve nuk u bëhej më vonë për diktatorin. Gjatë muajit mars, rreth 30.000 shqiptarë rrëmbyen anije nga portet e Durrësit e të Vlorës dhe shkuan në Itali si refugjatë. Atë muaj u mbajtën pas shumë vjetësh zgjedhjet e para pluraliste. Edhe pse fitoi Partia e Punës, ishte e qartë se qeveria po e humbiste pushtetin e saj.

Eleni Marko bëri një vizitë të fundit në Shqipëri në gusht të vitit 1991, por kësaj here pa se kushtet kishin ndryshuar. Vetëm një muaj më parë, qeveria kishte hapur një zyrë shtetërore për legalizimin e aktiviteteve fetare, pas 24 vjetësh. Menjëherë, vëllezërit shtuan aktivitetin e predikimit dhe organizuan mbledhjet e kongregacionit.

Vasil Gjoka shkoi në Greqi dhe kaloi njëfarë kohe në zyrën e degës atje, për të mësuar si të organizohej vepra e predikimit. Ngaqë s’dinte shumë greqisht, vëllezërit që dinin pak shqip e mësuan me aq sa mundën. Si u kthye në Tiranë, ai i zbatoi me përpikëri ato që kishte mësuar dhe u përpoq t’i organizonte më mirë dy mbledhjet javore, njëra prej të cilave ishte për studimin e Kullës së Rojës të botuar kohët e fundit në shqip.

Një vëlla kujton: «Më përpara, mbledhjet fillonin me këngë e me lutje. Përdornim këngët që na kishin mësuar vëllezërit e vjetër. Bënim studimin pastaj e mbyllnim me një këngë ose dy, ose tre a më shumë. Përfundimisht, e mbyllnim mbledhjen me një lutje.»

Në tetor të vitit 1991 dhe në shkurt të vitit 1992, Thoma Zafira dhe Sila Thomaidis sollën literaturë nga Greqia në Shqipëri. U takuan me vëllezërit në Tiranë e me lajmëtarët e papagëzuar në Berat dhe përpiluan lista të të interesuarve të shumtë që kishin nevojë për ndihmë. Pas dekadash të izolimit fetar, popullsia ishte e etur për të mësuar për Perëndinë. Për shembull, në Berat të interesuarit po mbanin mbledhje, edhe pse atje s’kishte asnjë vëlla të pagëzuar. Ç’mund të bëhej për të përmbushur këtë nevojë frymore?

NJË CAKTIM I PAPRITUR

Majkëll dhe Linda DiGregorio ishin misionarë në Republikën Domenikane. Gjyshërit e Majkëllit nga ana e mamasë, ishin ndër shqiptarët që u pagëzuan në Boston në vitet 20 dhe ai dinte mjaft shqip sa për të komunikuar. Prandaj, kur çifti DiGregorio vendosi të vizitonte të afërmit e Majkëllit në Shqipëri, në vitin 1992, i kërkuan Trupit Udhëheqës a ishte me vend të takoheshin me vëllezërit gjatë vizitës treditore. Për habinë e tyre, Trupi Udhëheqës u kërkoi të qëndronin në Shqipëri tre muaj, që të ndihmonin për organizimin e veprës së predikimit.

Në degën e Romës, vëllezërit nga Greqia dhe Italia i përmblodhën situatën në Shqipëri çiftit DiGregorio dhe u treguan fotografi të disa vëllezërve shqiptarë, ndër të cilët ishte edhe Vasil Gjoka. Në prill të vitit 1992, kur çifti DiGregorio erdhi me avion në Tiranë, shqiptarët nga jashtë shtetit ishin sërish të mirëpritur në vend. Megjithatë, kishte shumë trazira civile dhe njerëzit ishin në ankth për të ardhmen.

Ndërsa Majkëlli dhe Linda dolën nga aeroporti, familja e Majkëllit u turr t’i përshëndeste. Në të njëjtën kohë, Majkëlli dalloi Vasil Gjokën, i cili po ashtu ishte njoftuar për ardhjen e tyre atë ditë.

«Shko me familjen,—i tha Majkëlli Lindës,—se unë kthehem shpejt.»

Pasi u përqafuan me Lindën, të afërmit rrëmbyen valixhet e çiftit dhe nxituan drejt makinave, kurse Majkëlli shkoi me të shpejtë te Vasili.

«Do të kthehem në Tiranë të dielën,—i tha me nxitim.—Do të të gjej unë.»

Koçoja, një i afërm i Majkëllit në Shqipëri, i cili nuk e dinte se ai dhe Linda ishin Dëshmitarë të Jehovait, nxitoi për te Majkëlli dhe i tha: «Ç’bën? Mos fol me të panjohurit!»

Teksa ecnin nëpër rrugën gjarpëruese për në Korçë, çifti DiGregorio kuptoi sa ndryshe ishte ky vend nga Karaibet. Majkëlli kujton: «Çdo gjë ishte e vjetër, e murrme ose gri, e mbuluar nga pluhuri. Kudo kishte tela me gjemba. Njerëzit dukeshin të zymtë. Nëpër rrugë s’kishte pothuajse asnjë makinë. Xhamat e dritareve nëpër godina ishin të thyera. Bujqit e punonin tokën me shata. S’kishte ndryshuar shumë që nga ditët e gjyshërve të mi! M’u duk sikur ishim kthyer pas në kohë.»

«UDHËTIMIN TUAJ E DREJTOI ZOTI»

Koçoja kishte diçka që e mbante fshehur prej vitesh dhe donte t’ia tregonte Majkëllit. Kur vdiq gjyshja e Majkëllit, familja në Boston i shkroi një letër të gjatë familjes në Shqipëri. Dhjetë faqet e para flitnin kryesisht për çështje familjare, por aty nga fundi u kishin shpjeguar për ringjalljen.

Koçoja i tha Majkëllit: «Autoritetet e kontrolluan letrën dhe lexuan vetëm faqet e para. Por pastaj u mërzitën dhe thanë: ‘Merre! Kjo ka të bëjë vetëm me familjen.’ Kur lexova pjesën e fundit, u kënaqa që po dëgjoja diçka për Zotin!»

Pastaj Majkëlli i tregoi Koços se ai dhe Linda ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe i dha një dëshmi të plotë.

Ashtu si njerëzit në kohët biblike, shqiptarët e ndiejnë si detyrim të kujdesen për mysafirët e tyre dhe t’i mbrojnë. Prandaj, Koçoja këmbënguli t’i shoqëronte Majkëllin dhe Lindën në Tiranë.

Majkëlli kujton: «Në Tiranë, s’po e gjenim dot shtëpinë e Vasilit, sepse s’kishte tabela nëpër rrugë. Prandaj, Koçoja na sugjeroi të shkonte të pyeste në postë.»

Linda vazhdon: «Kur u kthye nga posta, Koçoja dukej i shtangur. Vajtëm drejt e te shtëpia e Vasilit.»

Më vonë, Koçoja shpjegoi: «Kur shkova në postë të pyesja për Vasilin, më thanë: ‘Ai është një engjëll! A e di ç’ka hequr? Nuk ka njeri më fisnik se ai në gjithë Tiranën.’ Si dëgjova këto, e kuptova se udhëtimin tuaj e kishte drejtuar Zoti. Unë s’mund t’ju pengoj.»

ORGANIZOHET VEPRA NË TIRANË

Vasili u gëzua jashtë mase kur takoi çiftin DiGregorio dhe foli me ta për orë të tëra. Vetëm në fund të mbrëmjes, u tha se Jani Komino, i cili kishte qenë në burg bashkë me Nasho Dorin, kishte vdekur atë mëngjes. Pse kishte ndenjur në shtëpi Vasili dhe kishte humbur varrimin e vëllait të tij të dashur dhe mikut të ngushtë? Ai shpjegoi: «Sepse po vinte dikush i dërguar nga Bruklini.»

Majkëlli dhe Linda kishin nevojë të rrinin në Tiranë, por qeveria e asaj kohe nuk i lejonte të huajt të jetonin në qytet. Ç’të bënin?

«I lamë gjërat në dorë të Jehovait,—tha Majkëlli,—dhe pas pak gjetëm një apartament të vogël, ku u transferuam.»

Linda kujton: «Çelësat e shtëpisë i mbanin pronarët, të cilët hynin e dilnin kur të donin. Veç kësaj, që të shkonim tek apartamenti ynë, duhej të kalonim përmes një apartamenti tjetër. Por të paktën, kjo shtëpi ishte disi e futur, dhe nuk donim të binim shumë në sy.»

Çifti DiGregorio dëgjoi për orë të tëra ndërsa vëllezërit e vjetër në Tiranë u tregonin sprovat që kishin kaluar. Mirëpo, një nga problemet ishte se disa nga të vjetrit dyshonin për njëri-tjetrin.

Majkëlli kujton: «Secili prej tyre ishte besnik, por pyeste veten a kishin mbetur besnikë të tjerët. Megjithatë, ndonëse disa prej tyre i rrinin larg njëri-tjetrit, nuk na ndenjën larg neve. Pasi i shqyrtuam gjërat me qetësi, ranë dakord se gjëja më e rëndësishme ishte të bëhej i njohur emri i Jehovait. Ishin të bashkuar në dashurinë që kishin për Jehovain dhe ishin entuziastë për të ardhmen.»

Dukej qartë se mungonte një strukturë e mirëfilltë e kongregacionit. Për shembull, kur Kulla Gjidhari dhe Stavri Ceqi panë për herë të parë broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë, i shfletuan faqet pa e pasur idenë se ç’ishte.

«Ah, Mana!»—thirri papritur Stavri, duke pasur në mend librin Mana e përditshme qiellore për shtëpinë e besimit, i cili përdorej në kohën kur ai mori të vërtetën.

«Meqë ra fjala,—pyeti Kulla,—si është presidenti, vëlla Knori? Po shoku i tij, Franci, mirë është?» Kjo tregonte sa vjet kishin kaluar që kur ata ishin izoluar.

NJË PËRKUJTIM I PAHARRUESHËM

Dhoma 3 x 4 metra në shtëpinë e Vasil Gjokës, ku vëllezërit mbanin zakonisht mbledhjet, ishte tepër e vogël për Përkujtimin. Kështu, 105 të pranishmit u mblodhën në një dhomë që kishte qenë zyra qendrore e gazetës së Partisë Komuniste. Kjo ishte hera e parë që Përkujtimi në Tiranë nuk u mbajt në një shtëpi private. Edhe pse në vitin 1992 në Shqipëri kishte vetëm 30 lajmëtarë, u gëzuan që patën 325 të pranishëm në Përkujtim.

Grupi i të interesuarve në Tiranë po rritej dita-ditës dhe të pranishëm në mbledhje, në shtëpinë e Vasilit, ishin deri në 40 veta. Disa donin të bëheshin lajmëtarë të papagëzuar dhe të tjerë donin të pagëzoheshin. Vëllezërit kaluan shumë orë duke u takuar me ata që donin të pagëzoheshin. Libri Të organizuar për të kryer shërbimin tonë s’ishte botuar në shqip, kështu që çdo pyetje përkthehej gojarisht për kandidatët për pagëzim. U bënë studime intensive me disa që sapo ishin shoqëruar me vëllezërit, për t’u siguruar se e kuptonin saktë të vërtetën. Ndonëse askush prej tyre s’kishte bërë një studim biblik të mirëfilltë, ishte e çuditshme sa njohuri të mirë kishin për Biblën.

MË NË FUND, NJOHJA LIGJORE!

Gjatë javëve në vazhdim, vëllezërit kaluan shumë orë me avokatët dhe zyrtarët, duke u përpjekur të regjistronin ligjërisht veprën e predikimit për Mbretërinë. Tashmë në Tiranë një grup vëllezërish dhe të interesuarish kishin bërë një kërkesë formale, por në pushtet kishte ardhur një qeveri e re, kështu që duhej këmbëngulje.

Një vëlla kujton: «Për çdo gjë, duhej të ecje. Ndërsa ecnim nëpër qytet, rastisnim përballë me ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, shefin e policisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe njerëz të tjerë me pozitë. Këta ishin të sjellshëm dhe të kënaqur që gjërat po liroheshin. Shumica prej tyre tashmë kishin dëgjuar për ungjillorët. S’kishte dyshim se Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri ishin ende aty dhe aktivë.»

Për javë të tëra, zyrtarët kishin thënë se qeveria do t’i njihte ligjërisht Dëshmitarët e Jehovait, por asgjë s’ndodhi. Megjithatë, pati një ndryshim kur Anxhelo Felio, një vëlla nga Shtetet e Bashkuara me origjinë shqiptare, vizitoi familjen e tij në Tiranë. Ndërsa ishte në Shqipëri, Anxhelo shkoi bashkë me vëllezërit te ministri që ishte autorizuar të jepte njohjen ligjore dhe takuan juristen. Ajo u gëzua kur mori vesh se familja e Anxhelos ishte nga e njëjta zonë me të.

—Nga ç’fshat është familja jote?—e pyeti Anxhelon. Për çudi, ishte nga fshati i saj.

—Me ç’mbiemër janë?—pyeti ajo.

Për habinë e tyre, doli se Anxheloja dhe juristja ishin farefis, por familjet e tyre i kishin humbur lidhjet shumë vjet më parë.

Juristja tha: «Tashmë, statuti juaj më kishte bërë përshtypje dhe kisha ndër mend ta çoja përpara çështjen tuaj. Por tani e kam si detyrë, meqë jeni familja ime.»

Disa ditë më pas, juristja u dha vëllezërve Urdhrin me numër 100, ku u jepej njohja ligjore Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri. Më në fund, adhurimi i Perëndisë së vërtetë, Jehovait, nën ndalim që nga viti 1939, ishte i njohur ligjërisht dhe i pakufizuar! Çifti DiGregorio tha: «S’mund të përshkruhen me fjalë ndjenjat që na vlonin në zemër atë ditë.»

Disa javë më vonë, dega e Greqisë, e cila kishte nën mbikëqyrje Shqipërinë, dërgoi në Tiranë Robert Kernin. Roberti u njoftoi vëllezërve vendës regjistrimin e veprës dhe formimin e kongregacionit të Tiranës. Gjithashtu, i informoi se kufijtë e territorit të kongregacionit të tyre përfshinin «gjithë Shqipërinë». Duhej organizuar sa më shpejt predikimi shtëpi më shtëpi. Në Tiranë, u mor me qira një shtëpi private me tri dhoma gjumi që do të shërbente si shtëpi misionare dhe zyrë, kurse një dhomë e madhe ngjitur me të, mund të përdorej si Salla e parë e Mbretërisë.

GJEJNË NJË DELE TË IZOLUAR

«A ka Dëshmitarë në Vlorë?»—pyetën vëllezërit ndërsa flitnin për përparimin e veprës së predikimit në Shqipëri. Disa kishin dëgjuar vetëm për një grua të moshuar, për të cilën thuhej se ishte matufosur nga pleqëria. Pastaj, një grua erdhi në zyrë e tha se ajo dhe familja e saj ishin ungjillorë dhe se një grua me emrin Areti u kishte mësuar të vërtetën në Vlorë. Kështu, vëllezërit nga Tirana u nisën për në Vlorë të gjenin Aretinë.

Areti Pina, një grua e moshuar, e shkurtër, i ftoi vizitorët në shtëpi, por dukej paksa e rezervuar. Kur i shpjeguan se ishin vëllezërit e saj në besim, nuk reagoi fare.

Papritur, pas ca minutash, Aretia tha: «T’ju bëj ca pyetje?» Pastaj, nisi t’i bombardonte me pyetje: «A besoni në Trinitet? Si e ka emrin Perëndia? A besoni në ferr? Ç’ndodh me njerëzit kur vdesin? Po me tokën? Sa veta do të shkojnë në qiell?»

Vëllezërit iu përgjigjën të gjitha pyetjeve.

—A predikoni?—pyeti më pas Aretia.

—Po,—tha një vëlla,—predikojmë.

—Po si predikoni?—ua ktheu ajo.

—Shtëpi më shtëpi,—u përgjigj vëllai.

Aretia shpërtheu në lot, hovi përpjetë dhe përqafoi vëllanë.

—Tani e di se jeni vëllezërit e mi!—tha me gëzim të madh.—Vetëm populli i Jehovait predikon shtëpi më shtëpi.

Grupe protestante në Vlorë kishin dëgjuar se Aretia ishte besimtare dhe i kishin kërkuar të bashkohej me ta. «Mirëpo, unë s’doja të kisha të bëja fare me Babiloninë e Madhe!—u shpjegoi ajo vëllezërve.—Prandaj, duhej të sigurohesha se ju jeni vërtet familja ime në besim.»

Aretia ishte pagëzuar në vitin 1928, kur ishte 18 vjeçe. Kishte kaluar më këmbë male, duke predikuar me Bibël në dorë. Edhe pse kishte vite që i kishte humbur lidhjet me vëllezërit, Aretia vazhdoi të predikonte me besnikëri vetë.

Mes lotësh, Aretia tha: «Jehovai është i mrekullueshëm. Nuk më ka harruar asnjëherë!»

Njerëzit mendonin se Aretia ishte e çmendur që kishte ruajtur besimin te Perëndia nën sundimin e egër totalitar të Shqipërisë. Por ajo s’ishte aspak e çmendur. Mendjen e kishte më të kthjellët se kurrë!

SHUMË PUNË PËRPARA!

Tani që vepra ishte regjistruar ligjërisht, kishte shumë punë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë në Shqipëri. Vëllezërit duheshin përditësuar dhe forcuar frymësisht. Duheshin botime në shqip, për vëllezërit dhe për territorin. Gjithashtu, kishte nevojë urgjente për më shumë predikues. Kush mund të ndihmonte?

Në vitin 1992, erdhën pionierë specialë nga Italia dhe Greqia, të cilët ndoqën një kurs të gjuhës shqipe. Njëkohësisht, një skuadër e vogël nisi të përkthente literaturën. Edhe pse nganjëherë s’kishte drita për 21 ditë radhazi, vëllezërit mbanin ndjenjën e humorit dhe e zunë kohën me veprën që duhej të kryenin.

Por, kishte edhe shumë punë krahu për të bërë. Kur ishte ftohtë, shtëpia misionare kishte nevojë për ngrohje. Mirëpo, atëherë s’blije dot dru. Si do t’ia bënin vëllezërit për ngrohjen? Vëllezërit nga Greqia u erdhën në ndihmë, duke u dërguar copa të mëdha druri dhe një sharrë elektrike. Megjithatë, kishte ende një problem, sepse dera e sobës së drurit ishte e vogël dhe s’kishte drita për të vënë në punë sharrën. Shyqyr që një nga vëllezërit kishte një të njohur në anën tjetër të Tiranës, që kishte një sëpatë. Meqë s’kishte autobusë, duheshin dy orë për ta sjellë sëpatën në shtëpinë misionare dhe duhej kthyer para se të errej. Një nga misionarët kujton: «Të gjithë e bënim me radhë për të prerë dru sa kishim sëpatën, por arritëm ta ngrohnim shtëpinë.»

Ndërkohë që merreshin me prerjen e druve dhe kurset e gjuhëve, skuadra shqiptare e përkthimit pati kënaqësinë të priste për herë të parë Nik dhe Emi Ahladisin, nga Reparti për Mbështetjen e Përkthimit, tani në Paterson, Nju-Jork. Ata do të vinin edhe shumë herë të tjera këtu. Metoda e tyre mirëdashëse dhe e ekuilibruar ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për përkthyesit e rinj, që mësuan shpejt dhe bënë një punë të mirë. Dega e Italisë e shtypte literaturën dhe e dërgonte me anije në Shqipëri.

E gjithë ajo punë e palodhur ia vlejti, kur merr parasysh reagimin e mrekullueshëm që gjenin lajmëtarët në shërbim. Edhe lajmëtarët e rinj vlonin nga zelli. Për shembull, Lola sapo kishte dalë lajmëtare, e megjithatë, kalonte 150, 200 a më shumë orë në muaj në shërbim. Kur e këshilluan të bënte kujdes dhe të gjente ritmin e saj në shërbim, Lola u përgjigj: «Deri tani, jetën e kam shkuar kot. Për çfarë tjetër ia vlen ta harxhoj kohën?»

VEPRA MERR VRULL

Marsi i vitit 1993 ishte një muaj historik për Shqipërinë. Pionierët specialë nisën caktimet e reja në Berat, Durrës, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë; Kulla e Rojës e 1 marsit ishte numri i parë i përgatitur nga skuadra shqiptare e përkthimit; vëllezërit patën për herë të parë Shkollën e Shërbimit Teokratik, kështu që për herë të parë u mbajtën të pesë mbledhjet; doli botimi i parë në shqip i Shërbimi ynë i Mbretërisë dhe u mbajt asambleja e parë speciale njëditore në Pallatin e Operas dhe të Baletit, në sheshin «Skënderbej».

Për të shijuar këtë asamble speciale njëditore historike, erdhën delegatë nga Greqia dhe Italia. Asamblenë e hapi Nasho Dori me një lutje, ku falënderoi Jehovain për të gjitha bekimet që po gëzonin. Pati 585 të pranishëm dhe u pagëzuan 41 veta. Ndër ta ishin edhe fëmijët e nipërit dhe mbesat e vëllezërve që i kishin shërbyer me besnikëri Jehovait në Shqipëri.

Po në vitin 1993, emocionet ishin të mëdha, pasi do të zhvillohej për herë të parë në Shqipëri një kongres krahinor. Pati më shumë se 600 të pranishëm dhe delegatë nga Austria, Franca, Greqia, Italia dhe Zvicra. Sa të emocionuar ishin vëllezërit shqiptarë që, pasi kishin qenë të izoluar për kaq shumë kohë, mund të shoqëroheshin lirisht me kaq shumë vëllezër nga kaq shumë vende!

Me qëllim që vepra të organizohej më mirë, Trupi Udhëheqës caktoi një Komitet Vendi, të përbërë nga Nasho Dori, Vito Mastroroza dhe Majkëll DiGregorio, që do të shërbenin nën mbikëqyrjen e degës së Italisë. Një nga përparësitë e tyre ishte të gjenin një pronë për zyrën dhe skuadrën e përkthimit që sa vinte e rritej.

Në grupin tjetër të pionierëve specialë që nisën të mësonin shqip, ishte edhe Stefano Anatreli nga Italia. Pas pesë javësh kursi të gjuhës, e thirrën në zyrë dhe i thanë: «Do të donim të vizitoje pionierët specialë dhe grupet si mbikëqyrës qarkor.»

«Po unë s’di të flas shqip siç duhet!»—ishte reagimi i parë i Stefanos. Megjithatë, këtë caktim e konsideronte një privilegj të mrekullueshëm. Pasi mori ndihmë për të përgatitur disa fjalime, Stefano u nis në skajet më të largëta të Shqipërisë. Kishin kaluar rreth 30 vjet që kur Spiro Vruho kishte vizituar vëllezërit si mbikëqyrës qarkor, gjatë ndalimit. Në vitin 1995, Stefano u emërua anëtar i Komitetit të Vendit.

Në vitin 1994 erdhi nga Italia një grup i tretë pionierësh. Lajmëtarët e rinj shqiptarë u entuziazmuan nga fryma e zellshme e gjithë këtyre pionierëve. Në fund të vitit të shërbimit 1994, në veprën e predikimit ishin aktivë 354 lajmëtarë.

Megjithatë, shumë lajmëtarë kishin sfida emocionale. Ndryshimi nga një sistem tejet shtypës në një shoqëri krejt të lirë, nuk ishte i lehtë. Që të mbijetonin nën regjimin totalitar, duhej të ishin të kujdesshëm që të mos ua shprehnin kurrë hapur ndjenjat të tjerëve, sidomos të huajve. Gjithsesi, vëllezërit dhe motrat e huaj e kuptuan këtë dhe me durim punuan për të fituar besimin e lajmëtarëve të rinj.

Po atë vit, vëllezërit dhe motrat e moshuar, si dhe lajmëtarët e rinj, u kënaqën jashtë mase që takuan Teodor Xharazin, anëtarin e parë të Trupit Udhëheqës që vinte në Shqipëri. Mbi 600 veta u mblodhën për fjalimin që mbajti ai në Tiranë.

Ndërkohë, në Tiranë ishte blerë një pronë për zyrën. Brenda më pak se gjashtë muajsh, një skuadër vëllezërish të huaj të palodhur rimodeluan një vilë të vjetër dhe e kthyen në zyra moderne, si dhe ndërtuan një godinë banimi për 24 veta. Kushtimi u mbajt më 12 maj 1996, kur Shqipërinë e vizitoi Milton Hensheli, nga Trupi Udhëheqës.

PREDIKONIN VETËM

Në Korçë, një i ri me emrin Arben, lexoi literaturën që i kishte dërguar e motra dhe e dalloi tingullin e së vërtetës. I shkroi zyrës dhe, për njëfarë kohe, vazhdoi ta mësonte të vërtetën duke komunikuar me letra me vëllezërit. Për ta ndihmuar më tej frymësisht, dy vëllezër udhëtuan posaçërisht për ta takuar. Gjatë bisedës me Arbenin, u bë e qartë se kualifikohej si lajmëtar. Dy vëllezërit e çuan në qendër të Korçës dhe e lanë të shihte ndërsa u predikonin kalimtarëve.

Arbeni tregon: «Më pas, më dhanë revistat dhe më thanë: ‘Tani e ke radhën ti.’ Më thanë të shkoja vetëm, dhe ashtu bëra.»

Do të kalonin disa muaj para se të vinin pionierë specialë që ta ndihmonin. Por ndërkohë njerëzit e dëgjonin ndërsa predikonte. Jo shumë kohë pasi mbërritën pionierët specialë, u formua një grup.

Aty nga fundi i vitit, pionierët në Vlorë morën në telefon zyrën dhe u thanë se Areti Pina ishte sëmurë dhe donte të takonte një nga vëllezërit përgjegjës. Kur mbërriti vëllai, Aretia largoi nga dhoma gjithë të tjerët, që të fliste vetëm për vetëm me të.

—S’më ka mbetur shumë për të jetuar,—tha, duke marrë frymë me zor.—Kam menduar gjatë dhe dua të të pyes për diçka. Nuk i kuptoj të gjitha hollësitë, por dua të di: a është përmbushur libri i Zbulesës?

—Po, Areti, pjesa më e madhe është përmbushur,—u përgjigj vëllai, i cili pastaj i tregoi disa gjëra që ende duhej të përmbusheshin. Aretia dëgjoi me vëmendje të madhe çdo fjalë.

—Tani mund të vdes e qetë,—tha.—Kisha nevojë të dija sa afër jemi.

Për shumë vite, Aretia kishte qenë lajmëtare e zjarrtë, qoftë kur predikonte e vetme nëpër male, qoftë nga shtrati, kur ishte sëmurë. Pak pas asaj bisede, Aretia e mbaroi besnike jetën e saj në tokë.

MBAJTI BESIM TË FORTË DERI NË FUND

Nasho Dori, në të 80-at, ishte sëmurë dhe fuqia po i mpakej. Por, një grup vëllezërish në veçanti kishte nevojë për inkurajim nga ai: vëllezërit e rinj të cilëve u kishte ardhur fletëthirrja për në ushtri. Klerikët ortodoksë në Berat, të cilët e shihnin me zili rritjen e shpejtë të Dëshmitarëve të Jehovait, u bënë presion autoriteteve që t’i ndiqnin penalisht këta të rinj.

Gjashtë vëllezër të rinj, që nuk pranonin të shkonin ushtarë, rrezikonin të kalonin muaj të tërë në burg. Duke e kuptuar se kishin nevojë për inkurajim, Nashoja u ngrit ndenjur në shtrat dhe incizoi në kasetë një mesazh për ta.

Ai i nxiti vëllezërit e rinj: «Mos kini frikë. Edhe këtë e kemi kaluar. Jehovai do të jetë me ju. Po të shkoni në burg, mos u shqetësoni. Çdo gjë do të dalë për lavdi të emrit të Jehovait.»

Shëndeti i Nashos sa vinte e keqësohej, prandaj thirri vëllezërit pranë shtratit dhe u tha: «M’u desh të lutesha për falje. Javën e kaluar, kisha kaq shumë dhembje, sa u luta të vdisja. Pastaj mendova: ‘Jehova, ti je Autori i jetës. Çdo gjë që jep ti, është jetë. Po të kërkoja diçka që është kundër vullnetit tënd. Të lutem, më fal!’»

Kur mori vesh se numri i lajmëtarëve në Shqipëri kishte shkuar 942, Nashoja tha: «Më në fund, u bëmë një shumicë e madhe në Shqipëri!» Pak ditë më vonë, ai vdiq, duke mbaruar jetën e tij në tokë.

TRAZIRAT—PERIUDHË ANARKIE

Kur hyri viti 1997, në vend kishte shumë manipulime, ryshfete dhe korrupsion. Shumë shqiptarë shitën gjithçka që kishin dhe i investuan të gjitha paratë në firma piramidale, për të fituar lekë sa më shpejt. Kur këto firma falimentuan, shtetas të revoltuar nisën të protestonin nëpër rrugë.

Po në atë kohë, ndërsa mbahej asambleja speciale njëditore, një motër që punonte për një zyrtar të lartë, u tha vëllezërve se kryeministri do të jepte dorëheqjen. Ajo kishte marrë vesh se do të shpërthente një dhunë e paparë. Programi i asamblesë speciale njëditore u shkurtua, me qëllim që vëllezërit të shkonin nëpër shtëpi shëndoshë e mirë. Dy orë pasi mbaroi programi, në vend u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe u vu shtetrrethimi.

Askush s’e dinte me saktësi ç’po ndodhte. Thuheshin shumë fjalë lart e poshtë. Mos ishte një ndërhyrje e huaj apo politika e vendit? Firmat piramidale kishin falimentuar dhe shumica e njerëzve kishin humbur çdo investim. Në Vlorë plasën përleshje. Njerëzit shpërthyen depot e municioneve dhe rrëmbyen gjithë armët dhe municionet. Ndërkohë që raportohej në lajme se ç’po ndodhte, qytet pas qyteti njerëzit u bënë të dhunshëm. I gjithë vendi ishte rrëmujë dhe policia e humbi kontrollin. Shqipëria u përfshi në kryengritje të armatosur dhe anarki.

Pothuaj të 125 shërbëtorët e huaj në kohë të plotë që ishin në Shqipëri, erdhën në Tiranë për siguri. Shumë shqiptarë ua vinin fajin të huajve për atë që po ndodhte, prandaj ishte e matur që pionierët e huaj të largoheshin nga vendi. Aeroporti ishte mbyllur, kështu që disa pionierë nga Italia i çuan në Durrës, ku portin e kishin nën kontroll disa vendës të armatosur. Pas një pritjeje të tensionuar prej 12 orësh, pionierët morën një anije për në vendin e tyre.

Çdo ditë, Komiteti i Vendit lidhej me telefon me vëllezërit në zona të ndryshme të vendit. Në pjesën e parë të ditës, nëpër rrugë kishte një qetësi të frikshme. Por, pasditeve, njerëzit nisnin të qëllonin me armë dhe vazhdonin kështu gjithë natën, deri në agim. Disa kishin edhe artileri kundërajrore. E gjithë kjo periudhë u bë e njohur si trazirat.

«PËR LAVDI TË EMRIT TË JEHOVAIT»

Arben Merko, një nga gjashtë vëllezërit në Berat që u burgosën për shkak të asnjanësisë, tregon: «Në qelinë time, kishte një vrimë të vogël në mur. Një djalë nga qelia tjetër, më pyeti kush isha.» Arbeni i dha dëshmi për javë të tëra. Një ditë, zëri nuk u dëgjua më.

Pasi Arbeni u lirua nga burgu, i trokiti në derë një djalë. Arbeni nuk e njihte nga fytyra, por zëri ishte i njohur: ishte ai që kishte qenë në qelinë ngjitur.

«Urdhëro!»—i tha Arbenit, duke i zgjatur një amplifikator.

Më tej, i tha: «Gjatë trazirave, e vodha këtë amplifikator nga Salla juaj e Mbretërisë. Por, ajo që më the në burg, më preku në zemër. Dua të kem një ndërgjegje të pastër para Perëndisë, prandaj ta solla.»

Arbeni s’mund të mos kujtonte fjalët e fundit që i kishte thënë Nasho Dori këtij grupi vëllezërish të rinj që mbanin integritetin: «Çdo gjë do të dalë për lavdi të emrit të Jehovait.»

KUJDESEN PËR DELET E JEHOVAIT

Ngaqë pleqtë e huaj ikën, shumë kongregacione e grupe të mëdha mbetën nën kujdesin e shërbëtorëve ndihmës që ishin 19 dhe 20-vjeçarë. Një ditë, duke rrezikuar shumë, tre nga këta vëllezër të rinj udhëtuan nga Vlora në Tiranë. I merakosur në lidhje me mungesën e ushqimit, Komiteti i Vendit i pyeti mos vëllezërit kishin nevojë për ndonjë gjë materiale në veçanti.

Të rinjtë u përgjigjën: «Na kanë mbaruar formularët e raportit të shërbimit.» Njësoj si vëllezërit e moshuar besnikë vite më parë, ata kishin më tepër merak për nevojat frymore, se për ato fizike. Më pas treguan se shumë njerëz po e pranonin lajmin e mirë, për shkak të frikës e pasigurisë që mbizotëronte.

Pak pas Përkujtimit, zyra mori një telefonatë. «Jemi një grup motrash në Kukës,—tha njëra prej tyre,—dhe i kemi mbajtur vetë mbledhjet që kur ikën pionierët.»

Si pasojë e trazirave, vëllezërit në Tiranë i kishin humbur lidhjet me lajmëtarët në Kukës. Megjithatë, një grup prej shtatë lajmëtarësh të papagëzuar e kishin mbajtur Përkujtimin në dy vende. Ndonëse ata ishin në merak mos nuk e kishin mbajtur siç duhet Përkujtimin, me kënaqësi raportuan se në dy vendet kishte pasur 19 të pranishëm. Ishte e mahnitshme pasi, me gjithë shtetrrethimin dhe kushtet e vështira, në vitin 1997 në gjithë Shqipërinë Përkujtimin e ndoqën 3.154 veta. E pavarësisht nga anarkia, lajmëtarët vazhduan të predikonin, duke u dhënë ngushëllim njerëzve e njëkohësisht duke qenë të kujdesshëm.

Kur Komiteti i Vendit mori vesh se vëllezërit në Gjirokastër kishin nevojë për ushqim e literaturë, diskutuan nëse do të ishte e sigurt të dërgonin atje një kamion me furnizime. Por bisedën ua ndërpreu një motër që tha se kishte ardhur një prezantuese lajmesh, e cila mund të kishte ca informacione të vlefshme.

Pa e ditur ç’po diskutonte komiteti, prezantuesja e lajmeve i këshilloi: «Çfarëdo që të bëni, mos shkoni në jug nesër. Kemi marrë raporte se po planifikohet diçka e rrezikshme në Tepelenë.» Ngaqë kamioni për në Gjirokastër do të kalonte nga Tepelena, vëllezërit vendosën ta anulonin udhëtimin.

Të nesërmen, pak pas orës 11, një edicion special i lajmeve njoftoi se në Tepelenë kishte pasur një përleshje të dhunshme e të përgjakshme dhe kishin hedhur në erë urën e qytetit. Vëllezërit i ishin shumë mirënjohës Jehovait që s’i kishte lënë të shkonin atje atë ditë.

Për javë të tëra, familja Bethel dëgjonte gjithë natën të shtëna armësh dhe shpesh e mbanin adhurimin e mëngjesit duke pasur në sfond breshërinë e automatikëve dhe bombave. Njerëzit qëllonin me armë në ajër kuturu dhe gjithnjë ekzistonte rreziku i plumbave qorr. Për siguri, familja Bethel qëndroi brenda dhe përkthyesit punonin të ulur përdhe, larg dritareve.

Në prill të vitit 1997, në vend mbërriti një forcë prej 7.000 trupash ushtarake të Kombeve të Bashkuara, për të rivendosur rendin. Tashmë në gusht këto forca të OKB-së ishin larguar, dhe vëllezërit mundën të organizonin një kongres krahinor. Lajmëtarët ishin të lumtur, sepse për muaj të tërë ishin mbledhur vetëm në grupe të vogla.

Grabitës të armatosur ndaluan disa autobusë që vëllezërit i kishin prenotuar për të ardhur në kongres. Por, kur morën vesh se pasagjerët ishin Dëshmitarë të Jehovait, thanë: «Ju jeni ndryshe nga të tjerët. S’ju bëjmë gjë.»

Si ndikuan trazirat në veprën e predikimit në Shqipëri? Në vend që të pengonte rritjen, siç duket rreziku dhe ankthi i bëri shumë njerëz më të vetëdijshëm se duhej të mësonin për Perëndinë. Si rezultat, vetëm për 15 muaj, në shërbim dolën 500 lajmëtarë të rinj, duke arritur gjithsej në mbi 1.500 lajmëtarë.

KOSOVA NË QENDËR TË VËMENDJES

Pas trazirave, u duk sikur armët u zhdukën dhe kongregacionet vazhduan të rriteshin. Por, nisën të shpërthenin probleme në Kosovën fqinjë. Lufta e atjeshme u ndie edhe në Shqipëri, ndërsa turma refugjatësh kalonin kufirin. Menjëherë, lajmëtarët shqiptarë u dhanë refugjatëve një mesazh shprese dhe literaturë ngushëlluese. Gjithashtu, u kujdesën për një grup me 22 Dëshmitarë të Jehovait dhe fëmijët e tyre të vegjël.

Në gusht, kur përfundoi lufta, vëllezërit kosovarë u kthyen në shtëpi, por s’ishin vetëm. I shoqëronin vëllezër shqiptarë dhe italianë, ndër të cilët edhe dhjetë pionierë specialë, që donin të jepnin ndihmën e nevojshme frymore. Në fund të vitit të shërbimit 1999, në Shqipëri kishte 1.805 lajmëtarë dhe në Kosovë 40.

MË SHUMË STABILITET FRYMOR

Para se të vdiste, Nasho Dori tha: «Jam i kënaqur që po përkthejmë kaq shumë, por ajo që na duhet vërtet është Përkthimi Bota e Re, një Bibël cilësore që të na ndërtojë besimin.» Vetëm tre vjet pas vdekjes së Nashos, më 1999, Trupi Udhëheqës dha miratimin që të përkthehej në shqip Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re.

Në kongresin e vitit 2000, auditorin shqiptar e priste një surprizë e mrekullueshme: doli në shqip Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Skuadra e palodhur e përkthimit u dha me mish e me shpirt pas këtij projekti dhe e përfundoi në më pak se një vit. Një pioniere e rregullt që dikur ishte anëtare komuniste e parlamentit, shkroi: «Sa e mrekullueshme! Vetëm pasi studiova këtë përkthim, kam arritur të çmoj se sa e bukur është Bibla, me prozën, poezinë dhe tregimet e rrjedhshme të saj. Kur lexoj se si Jezui kreu mrekulli, si e shanë dhe e tallën, ndiej emocione të thella që nuk i kam provuar më parë! Mund të përfytyroja qartë çdo ngjarje prekëse.»

Tashmë në Shqipëri kishte 2.200 lajmëtarë dhe familja Bethel ishte rritur në 40 anëtarë. Ishin marrë me qira disa apartamente, por nevojitej më tepër hapësirë. Rrjedhimisht, Trupi Udhëheqës miratoi që të blihej një truall prej 3 hektarësh, në periferi të Tiranës, në Mëzez. Që të mbikëqyrte fushën në rritje në Shqipëri e Kosovë, në vitin 2000 Komiteti i Vendit nisi të funksiononte si Komitet i Degës.

Në shtator të vitit 2003, kur nisi ndërtimi i godinave të reja të degës, Shqipëria raportoi 3.122 lajmëtarë. Njëkohësisht, kishte kohë që punohej për përkthimin në shqip të Shkrimeve Hebraike. Jo vetëm që vepra e predikimit po përparonte me të shpejtë, por edhe lajmëtarët po bënin përparim frymor të admirueshëm. Nga 20 djemtë që përbënin klasën e parë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Shqipëri, në gusht të vitit 2004, shumë kishin qenë adoleshentë ndërsa kujdeseshin për kongregacionet gjatë trazirave, disa vjet më parë. Sa të lumtur ishin tani që mund të merrnin stërvitje teokratike të mëtejshme!

‘DJALLI ISHTE I INATOSUR’

«Jehovai na mëson si të vetëvritemi»,—thoshin titujt e artikujve kryesorë të gazetave, në shkurt të vitit 2005. Lajmet në televizion dhe në gazeta, përhapnin fjalë të rreme sikur një vajzë adoleshente që kishte vrarë veten, ishte Dëshmitare e Jehovait. Në fakt, ajo vajzë as kishte studiuar me Dëshmitarët, as kishte ndjekur ndonjë mbledhje. Gjithsesi, kundërshtarët e përdorën këtë ndodhi që të nisnin një sulm të përgjithshëm.

Mësuesit nisën t’i vinin në lojë fëmijët Dëshmitarë. Disa vëllezër humbën punën. Njerëzit bërtitnin me të madhe që vepra jonë të ndalohej. Ndonëse vëllezërit u përpoqën të arsyetonin me mediat, lajmet sa vinin e përkeqësoheshin.

Ishte e qartë se shërbëtorëve të Jehovait u duhej drejtim e mbështetje, që të përballonin këtë sulm të ri. Prandaj dega mori masa që të mbahej një fjalim special, për të treguar pse duhet të vazhdojmë të predikojmë të vërtetën, që t’u kundërpërgjigjemi gënjeshtrave helmuese. Vëllezërit u nxitën të arsyetonin me njerëzit dhe të mos i dorëzoheshin frikës së njeriut. Mund t’u tregonin njerëzve me zemër të ndershme se numri i Dëshmitarëve të Jehovait ishte rritur në mënyrë të mahnitshme në vitet e kaluara, dhe kjo s’do të kishte ndodhur sikur ata të vritnin veten. Ky lloj sulmi s’ishte diçka e re. Vëllezërve iu përmendën raportet e rreme për vetëvrasje që u bënë për Spiro Vruhon në vitet 60. Raportet e tanishme do të dështonin keqazi dhe pikërisht kështu ndodhi!

Vetëm disa muaj më pas, në gusht, Dejvid Splejni nga Trupi Udhëheqës erdhi në kongresin krahinor, ku kishte 4.675 delegatë shqiptarë dhe kosovarë. Auditori shpërtheu në duartrokitje të stuhishme kur vëlla Splejni prezantoi botimin e plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në shqip.

Një Dëshmitar nga shumë kohë, tha: «Ja pse Satanai po bënte çmos të na pengonte! Ishte i inatosur, sepse popullit të Jehovait po i ndodhnin kaq shumë gjëra të mira!»

Pavarësisht nga lajmet negative në media, shërbëtorët e Perëndisë në Shqipëri vazhdonin të bëheshin më të fortë. Shumë bashkëshortë e të afërm jobesimtarë që e dalluan se këto lajme s’ishin të vërteta, nisën të studionin Biblën dhe u bënë lajmëtarë. Vullneti i Jehovait po kryhej edhe përballë sulmeve më të egra të Satanait. Familja Bethel u transferua në degën e re dhe nisi klasa e dytë e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim.

KUSHTIMI I DEGËS SË RE

Në qershor të vitit 2006, Teodor Xharazi dhe Gerrit Lëshi, të dy nga Trupi Udhëheqës, ishin mes 350 delegatëve nga 32 vende, që erdhën për kushtimin e degës së re. I pranishëm për kushtimin ishte edhe Sotir Ceqi, i cili në vitet 40 kishte duruar torturat me elektroshok. Tani në fund të të 70-ave, ai vazhdon të shërbejë me gëzim.

«Vetëm në ëndrra e kisha parë këtë ditë!»—tha Frosina Xheka, e cila ende shërbente besnikërisht pavarësisht nga dekadat me vështirësi të mëdha. Edhe Polikseni Komino, e veja e Jani Kominos, ishte e pranishme dhe tregoi për vajzat dhe mbesën e saj, të cilat shërbenin si pioniere të rregullta. I pranishëm ishte edhe Vasil Gjoka, i kërrusur nga gjithë ato vite vuajtjesh. Sytë iu mbushën me lot ndërsa kujtonte se si vizitoi Leonidha Popen dhe u pagëzua fshehurazi në vitin 1960.

Dega e dikurshme në Tiranë u kthye në një kompleks Sallash Mbretërie dhe shtëpi misionare për 14 misionarë. Janë mbajtur gjashtë klasa të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim, nga të cilat kanë dalë një grup pionierësh specialë besnikë e vetëmohues, që janë një pasuri e çmuar për fushën shqiptare. Më shumë se 950 pionierët e rregullt dhe specialë vendës pasqyrojnë një frymë të tillë të zjarrtë ungjillëzimi.

RRUGA QË KEMI PËRPARA

Vëllezërit e motrat në Shqipëri e vlerësojnë thellësisht Biblën dhe literaturën që është përkthyer në gjuhën e tyre amtare. Vepra e Jehovait në këtë pjesë të fushës botërore vazhdon të përparojë gjithnjë e më tepër. Përveç burrave të zellshëm e të aftë që po stërviten të marrin përsipër përgjegjësi teokratike, «gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe».—Psal. 68:11.

Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri janë dëshmi e gjallë e vërtetësisë së fjalëve të frymëzuara: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait.» (Isa. 54:17) Falë dashamirësisë së pamerituar dhe forcës nga Jehovai, ata kanë qëndruar të papërkulur përballë regjimit totalitar, torturave, izolimit, publicitetit dashakeq nga mediat dhe problemeve personale.

Populli i Jehovait në Shqipëri e pret të ardhmen me siguri të plotë te dashuria besnike dhe bekimi i tij. Pavarësisht nga vështirësitë, ata kënaqen me privilegjin që t’i gëzojnë zemrën Atit të tyre qiellor dhe me shpresën që u është vënë përpara. (Prov. 27:11; Hebr. 12:1, 2) Një e vërtetë ka bërë jehonë herë pas here gjatë historisë teokratike të Shqipërisë: Jehovai nuk i harron kurrë sakrificat, të mëdha e të vogla, që bëjnë shërbëtorët e tij besnikë, të rinj e të moshuar.—Hebr. 6:10; 13:16.

[Diçitura në faqen 130]

Fillimisht, titulli u përkthye Qithara e Perëndis

[Diçitura në faqen 140]

«Po të ishe i krishterë, do të luftoje, siç bëjnë edhe priftërinjtë»

[Diçitura në faqen 189]

«Na kanë mbaruar formularët e raportit të shërbimit»

[Kutia dhe figura në faqen 132]

Pamje e përgjithshme e Shqipërisë

Vendi:

Vendi ynë ndodhet në Evropën Juglindore, në veri të Greqisë dhe në lindje të takës së Italisë që ka formën e çizmes. Ka një sipërfaqe prej 28.748 kilometrash katrorë dhe vija bregdetare prej 362 kilometrash shtrihet përgjatë detit Adriatik e detit Jon. Rivierën tonë, që shtrihet nga Vlora deri në Sarandë, e zbukurojnë plazhe me rërë të bardhë e me ujëra të kaltra dhe një sfond malesh të larta. Veriu dhe pjesa e brendshme e vendit janë plot me vargmale të thepisura, kurse në jugperëndim ka ultësira pjellore që përdoren për bujqësi.

Popullsia:

Shqipëria ka një popullsi me rreth 3.600.000 banorë dhe përbëhet kryesisht nga shqiptarë vendës, me një përqindje të vogël të grupeve etnike rome, greke dhe serbe.

Klima:

Në zonat e ulëta bregdetare në jug, temperatura në verë është mesatarisht 26 gradë Celsius. Kurse në veri, në malet e Dibrës, temperatura në dimër mund të bjerë deri në –25 gradë Celsius.

Ushqimi:

Ndër ushqimet e preferuara janë byreku që zakonisht bëhet me spinaq, djathë, domate e qepë ose me perime të ndryshme a mish, dhe tava e kosit që bëhet me mish qengji a pule dhe kos. Shqiptarëve u pëlqen të hanë me lugë, kështu që supa dhe gjellët janë të zakonshme. Në disa zona, në raste të veçanta kur gatuajnë qengj, mysafirit i jepet koka e qengjit, për ta nderuar. Ndër ëmbëlsirat e shumta, kemi bakllavanë (të treguar djathtas) dhe kadaifin, ëmbëlsira me sherbet e arra. Për shqiptarët, buka është kryesorja në tavolinë. Kur duam t’i themi dikujt se kemi ngrënë, i themi thjesht: «Hëngra bukë.»

[Kutia dhe figurat në faqen 134]

Kongreset e hershme

Përveçse për Mbledhjet Publike që mbaheshin në shqip të dielave, shqiptarët në Nju-Inglënd, SHBA, zakonisht shkonin në kongregacionet angleze ose greke. Gjatë viteve 20 dhe 30, ata i ndiqnin kongreset në gjuhën greke. Megjithatë, ishin të lumtur që kishin distinktivin në gjuhën e tyre, ku shkruhej: «Kuvendi i Triditëshm i Bible Studentëve Shqipëtarë.»

[Figurat]

Distinktivi (djathtas) që mbanin vëllezërit shqiptarë (poshtë) në kongresin e Bostonit, në fund të viteve 20

[Kutia dhe figurat në faqet 151, 152]

«Jehovai s’na braktisi asnjëherë»

FROSINA XHEKA

LINDUR: 1926

PAGËZUAR: 1946

TË DHËNA: Ishte adoleshente kur mësoi të vërtetën. Edhe pse prindërit e kundërshtuan dhe autoritetet e izoluan, ajo gjithnjë ndihej pranë Jehovait dhe organizatës së tij. Vdiq besnike në vitin 2007.

▪ FROSINA e mësoi të vërtetën nga vëllezërit e saj, në vitet 40. Prindërit, që s’ishin Dëshmitarë, e përzunë nga shtëpia ngaqë nuk pranoi të martohej me mblesëri. Një vëlla, Gole Flloko, e mori në familjen e tij dhe e rriti si vajzën e vet.

Frosina tha: «Një herë, më arrestuan ngaqë nuk pranova të votoja. Isha e vetme në një dhomë, kur më rrethuan rreth 30 policë. Njëri prej tyre më bërtiti: ‘Ta pret mendja se ç’mund të të bëjmë?’ E ndjeva se Jehovai ishte me mua dhe i thashë: ‘S’mund të më bëni asgjë më tepër se ç’ju lejon Zotëria Sovran Jehova!’ Menduan se isha e çmendur, prandaj më thanë: ‘Shporru që këtu!’ Ja, pra, që kisha të drejtë. Jehovai ishte me mua!»

Në vitin 1957, Frosina u martua me Luçi Xhekën dhe me kalimin e kohës u bënë me tre fëmijë. Në fillim të viteve 60, Luçi u caktua anëtar i Komitet të Vendit që sapo ishte formuar dhe që duhej të mbikëqyrte veprën në Shqipëri. S’kaloi shumë dhe e dënuan me pesë vjet internim në Gramsh, larg Frosinës dhe fëmijëve. Atje, Luçi vazhdoi të predikonte e të fliste për organizatën. Edhe sot e kësaj dite, njerëzit atje e mbajnë mend.

Meqë Luçi ishte në internim, Partia e Punës e futi Frosinën në listën e zezë, kështu që s’mund të blinte bukë nga shteti. Ajo tha: «Po s’kishte rëndësi. Ata pak vëllezër ndanin me mua atë që kishin. Ia dolëm, sepse Jehovai s’na braktisi asnjëherë.»

Pas vdekjes së Luçit, takimet me vëllezërit u rralluan. Megjithatë, Frosina vazhdoi të predikonte. Ajo kujtonte: «Nako Marko na vizitoi në vitet 60. Kur takova më në fund gruan e tij, Elenin, në vitin 1986, m’u duk sikur kishim vite që njiheshim! Luçi dhe unë i kishim dërguar fshehurazi mesazhe çiftit Marko dhe ata ua kishin transmetuar vëllezërve në Bruklin.»

Në vitin 1992, kur u hoq ndalimi, Frosina ishte një nga nëntë Dëshmitarët e pagëzuar që kishin mbetur në Shqipëri. Ajo i ndiqte rregullisht mbledhjet dhe ishte në shërbim deri ditën kur vdiq, në vitin 2007. Pak para se të vdiste, Frosina tha: «E dua me gjithë zemër Jehovain! As që më ka shkuar ndonjëherë në mend të bëja kompromis. E dija se kisha një familje të madhe në gjithë botën, por tani mahnitem kur shoh sa e madhe është familja jonë teokratike në Shqipëri. Jehovai ka qenë gjithmonë me ne dhe ende vazhdon të na mbajë në duart e tij të dashura.»

[Figura]

Frosina Xheka në vitin 2007

[Kutia dhe figurat në faqet 159, 160]

Dikur pak botime, tani një bollëk

VASIL GJOKA

LINDUR: 1930

PAGËZUAR: 1960

TË DHËNA: Qëndroi i patundur për të vërtetën nën regjimin totalitar. Sot shërben si plak kongregacioni në Tiranë.

▪ MË KUJTOHET kur pashë Kullën e Rojës në greqisht, në vitet 30, në fshatin tim, Barmash të Kolonjës. Babai më tregoi revistën dhe tha: «Këta njerëz kanë të drejtë!» Vite më vonë, e kuptova ç’donte të thoshte me ato fjalë. Më pëlqente shumë të lexoja Biblën, edhe pse në ato kohë ishte e rrezikshme të kishe Bibël. Në varrimin e një krushku, takova një vëlla nga Tirana. E pyeta për shenjën e ‘ditëve të fundit’ te kapitulli 24 i Mateut. Ai ma shpjegoi dhe menjëherë nisa t’ia tregoja kujtdo atë që po mësoja.

Në vitin 1959, ndoqa një mbledhje private me vëllezërit në shtëpinë e Leonidha Popes. Po lexoja librin e Zbulesës dhe pyeta kush ishte bisha dhe Babilonia e Madhe. Kur vëllezërit ma shpjeguan, e kuptova se kjo ishte e vërteta. U pagëzova një vit më vonë.

Isha i zellshëm në predikim dhe, për shkak të kësaj, më pushuan nga puna. Prandaj, gjeta një karrocë dore të vjetër shkatarraqe prej druri dhe punoja si hamall në Tiranë. Edhe pse i takoja rrallë vëllezërit dhe s’kisha literaturë, vazhdova të predikoja.

Në fillim të viteve 60, para se të internonin Leonidha Popen, ai arriti të merrte ca botime në greqisht që ishin futur fshehurazi në Shqipëri. I përkthente me zë dhe unë shkruaja në një bllok shënimesh ç’thoshte ai. Pastaj, sipas udhëzimeve të tij, bëra kopje dhe ua dërgova ca vëllezërve në Berat, Fier e Vlorë.

Ç’ndryshime të mëdha kanë ndodhur që nga vitet 90! Sa kënaqem kur shoh bollëkun e botimeve që na ka dhënë Jehovai! Që nga viti 1992 e deri tani, kemi shpërndarë mbi 17 milionë revista në shqip! Botimet e reja përkthehen në shqip dhe e kemi të plotë Përkthimin Bota e Re në gjuhën tonë. Kur mendoj për tërë ato vite pa literaturë, s’i mbaj dot lotët e gëzimit. Meqë kemi pasur kaq pak për një kohë kaq të gjatë, e vlerësojmë shumë literaturën.

[Kutia dhe figurat në faqet 163, 164]

Në vendlindje, gjeta punë të vërtetë

ARDIAN TUTRA

LINDUR: 1969

PAGËZUAR: 1992

TË DHËNA: E mësoi të vërtetën në Itali dhe më pas u kthye në Shqipëri. Është anëtar i Komitetit të Degës të Shqipërisë.

▪ NË VITIN 1991, kur u largova nga Shqipëria bashkë me mijëra refugjatë të tjerë, isha 21 vjeç. Kishim rrëmbyer një anije që shkonte në Itali. Në Shqipëri s’kishim asgjë, prandaj isha i lumtur që mund të ikja prej andej. Më dukej si një ëndërr që po bëhej realitet.

Pasi kisha dy ditë në Brindizi, Itali, dola fshehurazi nga kampi i refugjatëve për të kërkuar punë. Një burrë më dha një fletë të vogël të fotokopjuar me një mesazh biblik në shqip dhe më ftoi në një mbledhje atë pasdite. Menjëherë mendova: ‘Hej, pse jo? Ndoshta dikush më jep punë!’

S’e prisja të ishin aq miqësorë. Pas mbledhjes në Sallën e Mbretërisë, të gjithë erdhën të më takonin dhe ishin të përzemërt e të dashur. Një familje më ftoi për darkë. Me sa shumë mirëdashje e dinjitet më trajtuan, ndonëse isha një refugjat shqiptar ilegal e i veshur keq!

Në mbledhjen tjetër, Vito Mastroroza më ofroi një studim biblik. E pranova dhe shpejt e kuptova se kjo ishte e vërteta. U pagëzova në Itali, në gusht të vitit 1992.

Më në fund, dokumentet e lejeqëndrimit i kisha në rregull. Kisha gjetur një punë të mirë dhe po i dërgoja para familjes në Shqipëri. Mirëpo, nisa të mendoja: «Tani që vepra është hapur në Shqipëri, ka shumë nevojë. A duhet të kthehem e të shërbej atje? Po familja, si do të reagojë? Ata kanë nevojë për paratë që u dërgoj. Ç’do të thonë njerëzit?»

Pastaj, më telefonuan nga zyra në Tiranë dhe më pyetën a mund të shkoja e t’i mësoja shqip një grupi pionierësh specialë italianë që do të shkonin në Shqipëri në nëntor. Shembulli i tyre më bëri të mendoja seriozisht. Ata po shkonin pikërisht në territorin që kisha lënë unë. Nuk e dinin gjuhën dhe ishin entuziastë për të shkuar atje. Kurse unë shqipen e kisha gjuhë amtare dhe isha rritur me kulturën shqiptare. Ç’po bëja në Itali?

E vendosa dhe u nisa me anijen ku ishin edhe ata pionierë specialë. Menjëherë, nisa të shërbeja në Bethelin e vogël. Në mëngjes u mësoja shqip pionierëve dhe pasdite punoja në përkthim. Në fillim, familja ime nuk ishte e kënaqur. Por, kur e kuptuan pse isha kthyer në Shqipëri, nisën ta dëgjonin lajmin e mirë. S’kaloi shumë dhe prindërit, dy motrat e një vëlla u pagëzuan.

A më vjen keq që hoqa dorë nga puna dhe paratë në Itali? Për asnjë moment! Në Shqipëri, gjeta punë të vërtetë. Sa për mua, puna që ka vërtet rëndësi e që të sjell gëzim të përhershëm, është t’i shërbesh Jehovait me gjithçka që ke!

[Figura]

Ardiani me të shoqen, Noadian

[Kutia dhe figurat në faqet 173, 174]

Morën fund mbledhjet e fshehta

ADRIANA MAHMUTAJ

LINDUR: 1971

PAGËZUAR: 1993

TË DHËNA: E ftuan në një mbledhje të fshehtë dhe më pas gjërat ndryshuan kryekëput. Tani shërben si pioniere speciale.

▪ KUR më vdiq kushëriri në vitin 1991, më zuri veshi një grua që quhej Barie tek po ngushëllonte hallën time me mendime biblike. Menjëherë bëra disa pyetje dhe më ftuan të takoja shoqen e saj, Rajmondën, në vendin ku punonte. Familja e Rajmondës mblidhej në «klasë». Rajmonda më tha se duhej të bëja biseda biblike për ca kohë, pasi të rinjtë në të vërtetën nuk i linin menjëherë të vinin në klasë. Më pëlqente shumë ajo që po mësoja dhe pas pak më lejuan të shkoja në klasë.

Ajo klasë përbëhej nga njerëz të papagëzuar, që në fillim i kishin nisur mbledhjet me Sotir Papën e Sulo Hasanin. Vite më parë, Sigurimi kishte dërguar spiunë nëpër klasa dhe i kishte dorëzuar vëllezërit në polici. Prandaj, të gjithë tregoheshin të kujdesshëm se kë ftonin në mbledhje.

Që në mbledhjen e parë, mora vesh se duhej të bënim një listë me miqtë tanë dhe t’u tregonim atë që po mësonim. Menjëherë, fola me Ilma Tanin. Pas pak, edhe atë e lejuan të vinte në klasë. Klasa jonë e vogël me 15 veta, u rrit shpejt.

Në prill të vitit 1992, në Berat erdhën për vizitë Majkëll e Linda DiGregorio. Na u rekomandua që t’i ftonim hapur njerëzit për fjalimin e tij. Si rezultat, erdhën 54 veta. Asnjë nga ne s’ishte i pagëzuar. Pas mbledhjes, e bombarduam me pyetje për orë të tëra çiftin DiGregorio. Më në fund, mësuam si duhej të funksiononte grupi ynë.

Pas pak, Dëshmitarët e Jehovait u njohën ligjërisht. Unë, Ilma dhe dy vëllezër shkuam në Tiranë që të mësonim si të predikonim shtëpi më shtëpi. Na kërkuan t’u tregonim të tjerëve në Berat çfarë kishim mësuar. U përpoqëm të bënim më të mirën. Në mars të vitit 1993, kur në Berat u caktuan katër pionierë specialë italianë, kongregacioni mori vërtet hov dhe mbaheshin dy mbledhje të hapura çdo javë.

Atë mars, unë dhe Ilma u pagëzuam në asamblenë e parë speciale njëditore në Tiranë. Kishte 585 të pranishëm. U bëmë pioniere të rregullta dhe shpejt na ftuan të bëheshim pionieret e para speciale vendëse. S’kishte më asgjë të fshehtë. Na caktuan në Korçë.

Më vonë, Ilma u martua me Arben Lubonjën, i cili pak muaj para se të shkonim ne në Korçë, kishte nisur të predikonte i vetëm. Më pas, shkuan në veprën qarkore dhe tani shërbejnë në Bethel. Jam e lumtur që e ftova Ilmën në atë klasë.

Para pak kohësh, ndërsa isha ulur në një kongres krahinor me mbi 5.500 të pranishëm, mendova për klasën tonë të fshehtë. Sa ndryshime të mëdha ka sjellë Jehovai! Tani, mbledhjet dhe asambletë janë krejt të hapura për publikun. Ndonëse qindra vëllezër kanë ikur nga Berati për shkaqe ekonomike, klasa jonë e vogël tani është kthyer në pesë kongregacione që gumëzhijnë nga të pranishmit.

[Figura]

Ilma (Tani) dhe Arben Lubonja

[Kutia dhe figura në faqen 183]

«Hajt, ikim!»

ALTIN HOXHA DHE ADRIAN SHKËMBI

LINDUR: Të dy më 1973

PAGËZUAR: Të dy më 1993

TË DHËNA: Lanë universitetin që të shërbenin si pionierë dhe tani shërbejnë si pleq kongregacioni.

▪ NË FILLIM të vitit 1993, studionin në Universitetin e Tiranës. Një shok u foli për orë të tëra për atë që po mësonte nga Dëshmitarët e Jehovait. Çdo gjë e mbështeste me Bibël. Më vonë, mësuan më shumë, e zbatuan atë që mësuan dhe u pagëzuan po atë vit. Atë verë, shkuan të predikonin në Kuçovë, ku nuk kishte lajmëtarë.

Pasi u kthyen në Tiranë, Adriani i tha Altinit: «Ç’na duhet shkolla? Shkojmë të nisim veprën në Kuçovë!»

Altini u përgjigj: «Hajt, ikim!» Shtatë muaj pasi ishin pagëzuar, ata u kthyen në Kuçovë.

Jehovai ua bekoi shumë përpjekjet. Sot, në Kuçovë ka mbi 90 lajmëtarë. Rreth 25 Dëshmitarë kanë ikur që andej që të shërbejnë si pionierë ose në Bethel. Shumicës prej tyre ua bënë studimin Adriani dhe Altini.

Duke menduar për universitetin, Altini vë buzën në gaz dhe thotë: «Apostulli Pavël vendosi të mos ndiqte një karrierë në botë dhe, në vitin 1993, unë mora të njëjtin vendim. S’jam penduar kurrë që thashë: ‘Hajt, ikim!’»

[Kutia dhe figurat në faqet 191, 192]

Dikur mësues i ateizmit, tani mësues i së vërtetës

ANASTAS RUVINA

LINDUR: 1942

PAGËZUAR: 1997

TË DHËNA: Para se të mësonte të vërtetën nga fëmijët e tij, u mësonte ateizmin vartësve të tij në ushtri. Sot shërben si plak kongregacioni dhe pionier special.

▪ NË VITIN 1971, pasi mbarova akademinë ushtarake, u bëra komisar politik i një brigade. Përdorej ky term, sepse në vitin 1966 qeveria i kishte hequr gradat në ushtri. Ndër përgjegjësitë e mia, ishte indoktrinimi i atyre që kisha nën komandë me ideologjinë se nuk ka Zot. U shpjegoja filozofinë se feja është opium për popullin.

Isha i martuar dhe kisha tre fëmijë. Në vitin 1992, djali, Artani, nisi të ndiqte mbledhjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në Tiranë. Pastaj, mori me vete edhe motrën, Anilën. Këtë e quaja humbje kohe dhe një budallallëk. Si pasojë, në shtëpi hapeshin shumë debate.

Një ditë, nga kureshtja, mora një revistë Kulla e Rojës. Çuditërisht, m’u duk e arsyeshme. Megjithatë, ndonëse Artani dhe Anila gjithnjë më nxitnin, nuk pranoja ta studioja Biblën. Arsyetoja se s’mund ta studiosh Biblën po s’besove në Zot. Në vitin 1995, doli në shqip libri Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? Artani dhe Anila më dhanë një kopje. Kaq u desh që të bindesha. Paska Zot! S’kisha më asnjë justifikim, duhej të studioja. Shpejt, me mua u bashkua edhe ime shoqe, Liria, dhe u bindëm për të vërtetën.

Të them të drejtën, m’u desh kohë të përparoja. Isha 53 vjeç. S’e kisha të lehtë të hiqja dorë nga të menduarit politik e ushtarak. Duhet të them se ishte Krijuesi, Jehovai, që më ndihmoi të ecja përpara.

Nuk doja të bëhesha lajmëtar, sepse kisha merak mos u predikoja atyre njerëzve që u kisha mësuar ateizmin. Ç’do të mendonin për mua? Një ditë, gjatë studimit, Vito Mastroroza më lexoi tregimin e Saulit nga Tarsi. Kjo më bindi! Sauli i përndiqte të krishterët, por më pas mori të vërtetën dhe nisi të predikonte. E dija se, me ndihmën e Jehovait, edhe unë mund të bëja të njëjtën gjë.

Ende qesh me vete nganjëherë, ndërsa Jehovai vazhdon të më ndihmojë të jem më pak i rreptë, më i arsyeshëm dhe më pak si ushtarak. Po përmirësohem avash-avash!

Nuk debatoj më me fëmijët për të vërtetën. Përkundrazi, jam krenar për ta. Artani shërben si pionier special dhe plak. Vajzat, Anila dhe Eliona, shërbejnë të dyja në Bethelin e Tiranës.

Unë dhe Liria shërbejmë si pionierë specialë. Ndihemi të privilegjuar t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Krijuesin tonë të Madh e të shohim tek bëjnë ndryshime në jetë. Ç’gëzim është t’u japim shpresë reale, të bazuar në premtimet e të vetmit Perëndi të gjallë e të vërtetë, Jehovait!

[Figura në faqen 192]

Nga e majta në të djathtë: Artani, Anila, Liria, Anastasi, Eliona me të shoqin, Rinaldo Galin

[Tabela dhe grafiku në faqet 176, 177]

KRONOLOGJIA​—Shqipëria

1920-1922: Disa shqiptarë mësojnë të vërtetën në Shtetet e Bashkuara.

1922: Thanas Idrizi kthehet në Gjirokastër për të përhapur të vërtetën.

1925: Në Shqipëri ka tri klasa të vogla për studimin e Biblës.

1928: Shfaqet në shumë qytete «Foto-Drama e Krijimit».

1030

1935-1936: Bëhet një fushatë e gjerë predikimi.

1939: Ndalohen Dëshmitarët e Jehovait.

1940

1940: Nëntë vëllezër burgosen për shkak të asnjanësisë.

1946: Fillon qeverisja komuniste.

1950

1960

1960: Një Komitet Vendi nis të mbikëqyrë veprën në Shqipëri.

1962: Anëtarët e komitetit internohen.

1967: Shqipëria bëhet zyrtarisht vend ateist.

1980

1990

1992: Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht.

1996: Milton Hensheli ndjek kushtimin e Bethelit të parë.

1997: Fillojnë trazirat.

2000

2005: Del i plotë në shqip Përkthimi Bota e Re.

2006: Kushtohet zyra e degës në Mëzez, Tiranë.

2010

[Grafiku]

(Shih botimin)

Gjithsej lajmëtarë

Gjithsej pionierë

4.000

3.000

2.000

1.000

1930 1940 1950 1960 1980 1990 2000 2010

[Hartat në faqen 133]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

MALI I ZI

KOSOVË

MAQEDONI

GREQI

Janinë

Liqeni i Shkodrës

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Prespës

DETI ADRIATIK

SHQIPËRI

TIRANË

Shkodër

Kukës

Burrel

Mëzez

Durrës

Kavajë

Gramsh

Kuçovë

Fier

Berat

Korçë

Vlorë

Tepelenë

Këlcyrë

Barmash

Përmet

Gjirokastër

Sarandë

[Figura që zë gjithë faqen 126]

[Figura në faqen 128]

Pasi mori të vërtetën në Nju-Inglënd, SHBA, Thanas Idrizi e solli lajmin e mirë në Gjirokastër

[Figura në faqen 129]

Sokrat Duli i mësoi të vërtetën vëllait të tij

[Figura në faqen 137]

Nikolla Kristo foli për lajmin e mirë me funksionarë shqiptarë

[Figura në faqen 142]

Letra dyfaqëshe që vëllezërit shqiptarë në Boston i dërguan Enver Hoxhës

[Figura në faqen 145]

Leonidha Pope

[Figura në faqen 147]

«Jehovai më mësoi të mos firmos atë që nuk e kam thënë.» —Sotir Ceqi

[Figura në faqen 149]

Eleni dhe Nako Marko para se ai të vinte në Shqipëri

[Figura në faqen 154]

Spiro Vruho shërbeu si mbikëqyrës udhëtues

[Figura në faqen 157]

Llopi Bllani

[Figura në faqen 158]

Ndonëse e vetme, Kulla Gjidhari e mbajti Përkujtimin

[Figura në faqen 167]

Majkëll dhe Linda DiGregorio

[Figura në faqen 172]

Urdhri nr. 100, që u dha njohjen ligjore Dëshmitarëve të Jehovait

[Figura në faqen 175]

Mbledhje kongregacioni në Sallën e parë të Mbretërisë, viti 1992, Tiranë

[Figura në faqen 178]

Areti Pina predikoi me besnikëri e vetme

[Figurat në faqen 184]

Një vilë e vjetër u kthye në zyra moderne

[Figura në faqen 186]

«Po të shkoni në burg, mos u shqetësoni.»—Nasho Dori

[Figurat në faqen 194]

Dejvid Splejni prezanton «Përkthimin Bota e Re» në shqip

[Figura në faqen 197]

Misionarët që shërbejnë aktualisht në Shqipëri

[Figurat në faqen 199]

Dega e Shqipërisë

Komiteti i Degës: Artan Duka, Ardian Tutra, Majkëll DiGregorio, Davide Apinjanezi, Stefano Anatreli