Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI DY

Përgatitje për një martesë të suksesshme

Përgatitje për një martesë të suksesshme

1, 2. (a) Si e theksoi Jezui rëndësinë e planifikimit? (b) Në cilën fushë, planifikimi është veçanërisht jetësor?

NGRITJA e një ndërtese kërkon përgatitje të kujdesshme. Para se të hidhen themelet, duhet të blihet toka e të hartohen planet. Megjithatë, diçka tjetër është jetësore. Jezui tha: «Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?»​—Luka 14:28.

2 Ajo që është e vërtetë për ngritjen e një ndërtese, mund të zbatohet edhe për ndërtimin e një martese të suksesshme. Shumëkush thotë: «Dua të martohem.» Por, sa prej tyre ulen e llogaritin harxhet? Edhe pse Bibla flet në mënyrë të favorshme për martesën, gjithashtu, ajo tërheq vëmendjen nga sfidat që paraqet martesa. (Proverbat 18:22; 1. Korintasve 7:28) Prandaj, ata që duan të martohen, duhet të kenë një pikëpamje realiste si për bekimet, ashtu edhe për harxhet e martesës.

3. Përse Bibla është një ndihmë e vlefshme për ata që kanë ndër mend të martohen dhe cilave tri pyetje do të na ndihmojë t’u përgjigjemi?

3 Bibla mund të ndihmojë. Këshillat e saj janë të frymëzuara nga Nismëtari i martesës, Perëndia Jehova. (Efesianëve 3:14, 15; 2. Timoteut 3:16) Duke përdorur parimet që gjejmë në këtë udhëzues të lashtë, por akoma shumë të përditësuar, le të përcaktojmë: (1) Si mund të kuptojë një person, nëse ai apo ajo është gati për martesë? (2) Çfarë duhet të kërkojmë nga një bashkëshort? (3) Si mund të mbahet e ndershme periudha e njohjes?

A JE GATI PËR MARTESË?

4. Cili është një faktor jetësor për mbajtjen e një martese të suksesshme dhe përse?

4 Ngritja e një ndërtese mund të jetë e kushtueshme, por kujdesi për mirëmbajtjen e gjatë të saj është po kaq i kushtueshëm. Është njësoj edhe me martesën. Të martohesh duket një gjë mjaft sfiduese; megjithatë, mbajtja e një marrëdhënieje martesore vit pas viti, gjithashtu, duhet marrë në konsideratë. Çfarë përfshin mbajtja e kësaj marrëdhënieje? Një faktor jetësor është angazhimi me gjithë zemër. Ja, si e përshkruan Bibla marrëdhënien martesore: «Njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.» (Zanafilla 2:24) Jezu Krishti dha të vetmen bazë biblike për të divorcuar, me mundësinë për t’u martuar sërish, kurvërinë, d.m.th., marrëdhënie të paligjshme seksuale jashtë martesës. (Mateu 19:9) Nëse ke ndër mend të martohesh, mbaji ndër mend këto norma biblike. Nëse nuk je ende gati për këtë angazhim solemn, atëherë nuk je akoma gati për martesë.​—Ligji i përtërirë 23:21; Eklisiastiu 5:4, 5.

5. Edhe pse angazhimi solemn i martesës i tremb disa, përse duhet vlerësuar shumë prej atyre që duan të martohen?

5 Ideja e një angazhimi solemn tremb shumë veta. «Duke ditur se ne të dy do të ngjiteshim së bashku për jetë, ndihesha si i futur në një kafaz, i mbyllur, plotësisht i kufizuar»,​—u rrëfye një djalë i ri. Por, nëse me të vërtetë e dashuron njeriun me të cilin ke ndër mend të martohesh, angazhimi nuk do të duket si një barrë. Përkundrazi, do të shihet si një burim sigurie. Ndjenja e angazhimit që përfshin një martesë, do të bëjë që një çift të ketë dëshirë për të ndenjur së bashku në kohë të mira e të këqija, duke mbështetur njëri-tjetrin sido që të venë punët. Apostulli i krishterë, Pavli, shkroi se dashuria e vërtetë «i duron të gjitha» dhe «mban çdo gjë». (1. Korintasve 13:4, 7) Një grua thotë: «Angazhimi i martesës më bën të ndihem më e sigurt. Më pëlqen të di që kemi bërë një deklaratë para vetes dhe të tjerëve, se kemi ndër mend të mbesim së bashku.»​—Eklisiastiu 4:9-12.

6. Përse do të ishte më mirë të mos nxitoheshe për t’u martuar në moshë të re?

6 Për të jetuar në lartësinë e këtij angazhimi duhet pjekuri. Prandaj, Pavli këshilloi që të krishterët bëjnë më mirë të mos martohen, derisa të mos u ketë kaluar «lulja e kohës», periudha kur ndjenjat seksuale janë të forta dhe mund të shtrembërojnë gjykimin e një personi. (1. Korintasve 7:36) Të rinjtë ndryshojnë me shpejtësi ndërsa rriten. Shumë veta që martohen shumë të rinj, zbulojnë vetëm pak vite më pas se nevojat dhe dëshirat e tyre, si edhe ato të bashkëshortit, kanë ndryshuar. Statistikat tregojnë se adoleshentët që martohen kanë më shumë mundësi të jenë të pakënaqur e të kërkojnë divorcin, se ata që presin edhe pak. Prandaj, mos u nxito të martohesh! Disa vite të kaluara si një i rritur i ri dhe i pamartuar mund të të japin një përvojë të vlefshme, e cila do të të bëjë më të pjekur e më të kualifikuar si bashkëshort të përshtatshëm. Duke mos u shpejtuar në martesë, mund të jesh i ndihmuar, gjithashtu, të kuptosh më mirë veten tënde, diçka e nevojshme nëse dëshiron të zhvillosh një marrëdhënie të suksesshme në martesë.

SË PARI, NJIH VETEN

7. Përse ata që kanë ndër mend të martohen duhet që së pari të shqyrtojnë veten?

7 A e ke të lehtë të renditësh cilësitë që dëshiron për një shok martese? Shumica do të thoshte po. Megjithatë, ç’të themi për vetë cilësitë e tua? Cilat nga aspektet e tua do të të ndihmonin për të kontribuar në një martesë të suksesshme? Ç’lloj burri apo gruaje do të jesh? Për shembull, a pranon me lehtësi gabimet dhe këshillat, apo gjithmonë gjen justifikime kur të korrigjojnë? A je në përgjithësi i gëzuar dhe optimist, apo ke prirje të jesh i zymtë, duke u ankuar vazhdimisht? (Proverbat 8:33; 15:15) Mos harro, martesa nuk do të të ndryshojë personalitetin. Nëse tani si beqar je krenar, shumë i ndjeshëm dhe tepër pesimist, do të jesh po njësoj edhe kur të martohesh. Meqë është e vështirë të shikojmë vetveten në atë mënyrë që na shohin të tjerët, përse të mos kërkosh që një prind apo një mik i besueshëm të të japë ca komente apo sugjerime të sinqerta? Pasi t’i kesh mësuar ndryshimet që mund të bësh, puno me to përpara se të ndërmarrësh hapat drejt martesës.

8-10. Cila këshillë e Biblës do ta ndihmojë një individ që të përgatitet për martesë?

8 Bibla na inkurajon të lëmë që fryma e shenjtë e Perëndisë të veprojë mbi ne, duke prodhuar cilësi të tilla, si «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». Gjithashtu, ajo na thotë «të rinohemi në forcën lëvizëse të mendjes [sonë]» dhe «të veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi dhe në besnikëri». (Galatasve 5:22, 23, BR; Efesianëve 4:23, 24, BR) Zbatimi i kësaj këshille ndërsa je ende i pamartuar, do të jetë njësoj sikur të depozitosh ca para në bankë, diçka që do të dalë shumë e vlefshme në të ardhmen, kur të martohesh.

9 Për shembull, nëse je një grua, mëso t’i kushtosh më shumë kujdes «njeriut të fshehur të zemrës», sesa dukjes sate fizike. (1. Pjetrit 3:3, 4) Modestia dhe mendja e shëndoshë do të të ndihmojnë të kesh mençuri, që është vërtet një «stoli prej nuri». (Proverbat 4:9; 31:10, 30; 1. Timoteut 2:9, 10) Nëse je një burrë, mëso t’i trajtosh gratë me mirësjellje dhe me respekt. (1. Timoteut 5:1, 2) Ndërkohë që mëson të marrësh vendime e të mbash mbi shpatulla përgjegjësi, mëso edhe të jesh modest dhe i përulur. Një qëndrim tiranik do të sillte telashe në martesë.​—Proverbat 29:23; Mikea 6:8; Efesianëve 5:28, 29.

10 Edhe pse të ripërtërish mendjen në këto fusha nuk është e lehtë, kjo është diçka për të cilën duhet të punojnë të gjithë të krishterët. Gjithashtu, do të të ndihmojë të jesh një partner i mirë në martesë.

Ç’TË KËRKOJMË NGA BASHKËSHORTI?

11, 12. Si mund të zbulojnë dy njerëz nëse përputhen apo jo?

11 A është e zakonshme aty ku banon ti që një person të zgjedhë vetë shokun apo shoqen e martesës? Nëse po, si duhet të veprosh nëse të duket tërheqës dikush nga seksi i kundërt? Së pari, pyet veten: «A është vërtet qëllimi im martesa?» Është diçka mizore të luash me ndjenjat e një tjetri, duke e bërë që të presë më kot. (Proverbat 13:12) Pastaj, pyet veten: «A jam në gjendje të martohem?» Nëse përgjigjja për të dyja këto pyetje është po, hapat që mund të ndërmarrësh më vonë do të ndryshojnë në varësi të zakoneve lokale. Në disa vende, pasi të kesh vëzhguar për disa kohë, mund t’i afrohesh personit e t’i shprehësh dëshirën që të njiheni më mirë. Nëse përgjigjja është negative, mos këmbëngul deri në atë pikë sa të bëhet e papranueshme. Mos harro, edhe personi tjetër ka të drejtë të marrë një vendim për këtë çështje. Megjithatë, nëse përgjigjja është pozitive, mund të rregulloni që të kaloni kohën së bashku në aktivitete ndërtuese. Kjo do të të japë mundësinë të shohësh nëse martesa me këtë person do të ishte e mençur. * Çfarë duhet të kërkosh në këtë fazë?

12 Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, përfytyro dy instrumente muzikore, ndoshta një piano dhe një kitarë. Nëse është akorduar siç duhet, secili mund të prodhojë muzikë të mrekullueshme solo. Por, çfarë ndodh nëse këto instrumente luajnë së bashku? Tani, ato duhet të jenë të harmonizuara me njëra-tjetrën. Është njësoj me ty dhe me bashkëshortin tënd të ardhshëm. Ju të dy mund të keni punuar shumë për «të akorduar» aspektet e personalitetit tuaj si individë. Por tani pyetja është: A jeni të harmonizuar me njëri-tjetrin? Me fjalë të tjera, a përputheni?

13. Përse nuk do të ishte aspak e mençur të filloje një periudhë njohjeje me dikë që nuk ka besimin tënd?

13 Është e rëndësishme që të dy të keni bindje dhe parime të përbashkëta. Apostulli Pavël shkroi: «Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët.» (2. Korintasve 6:14; 1. Korintasve 7:39) Martesa me dikë që nuk ka të njëjtin besim si ti në Perëndinë, ka të ngjarë që të sjellë një mungesë të ashpër harmonie. Nga ana tjetër, devotshmëria reciproke ndaj Perëndisë Jehova është baza më e fortë për unitetin. Jehovai dëshiron që ti të jesh i lumtur dhe të gëzosh lidhje sa më të fortë që të jetë e mundur me personin që do të martohesh. Ai dëshiron që ju të dy të lidheni me Të dhe me njëri-tjetrin, me një lidhje të trefishtë dashurie.​—Eklisiastiu 4:12.

14, 15. A është besimi i përbashkët aspekti i vetëm i unitetit në një martesë? Shpjego.

14 Edhe pse adhurimi që i bëni së bashku Perëndisë është aspekti më i rëndësishëm i unitetit, ka edhe më. Që të harmonizoheni me njëri-tjetrin, ti dhe bashkëshorti yt i ardhshëm duhet të keni synime të ngjashme. Cilat janë synimet e tua? Për shembull, ç’mendoni ju të dy për fëmijët? Cilat gjëra zënë vendin e parë në jetën tuaj? * (Mateu 6:33) Në një martesë vërtet të suksesshme, të dy bashkëshortët janë miq të mirë dhe gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit. (Proverbat 17:17) Për këtë, ata duhet të kenë interesa të përbashkëta. Është e vështirë të mbash një miqësi të ngushtë, e aq më tepër një martesë, kur mungojnë interesat e përbashkëta. Megjithatë, nëse partnerit tënd të ardhshëm i pëlqen ndonjë aktivitet i veçantë, si për shembull shëtitjet në natyrë, ndërsa ty jo, a do të thotë kjo se ju të dy s’duhet të martoheni? Jo detyrimisht. Ka të ngjarë që të keni interesa të tjera të përbashkëta edhe më të rëndësishme. Për më tepër, mund t’i japësh lumturi partnerit tënd të ardhshëm, nëse merr pjesë në aktivitete të shëndetshme, që personit tjetër i pëlqejnë.​—Veprat 20:35.

15 Në fakt, në një masë të madhe, përputhshmëria përcaktohet nga sa të përshtatshëm jeni ju të dy dhe jo nga sa të ngjashëm jeni. Në vend se të pyesni, nëse jeni dakort në çdo gjë, disa pyetje më të mira mund të jenë: «Çfarë ndodh kur nuk jemi dakort? A mund t’i bisedojmë çështjet me qetësi, me respekt dhe me dinjitet për njëri-tjetrin? Apo shpesh bisedat përfundojnë në zënka të ashpra?» (Efesianëve 4:29, 31) Nëse dëshiron të martohesh, ki kujdes nga krenarët dhe kryeneçët, të cilët kurrë s’kanë dëshirë të hapin rrugë, apo nga ata që vazhdimisht kërkojnë apo bëjnë plane që t’u dalë e vetja.

ZBULO QË MË PËRPARA

16, 17. Çfarë mund të kërkojë një burrë apo një grua kur shqyrton një bashkëshorte apo bashkëshort të ardhshëm?

16 Në kongregacionin e krishterë, ata të cilëve u besohen përgjegjësi, «vihen më parë në provë». (1. Timoteut 3:10) Edhe ti mund ta zbatosh këtë parim. Për shembull, një grua mund të pyesë veten: «Çfarë reputacioni ka ky burrë? Kush janë miqtë e tij? A shfaq vetëkontroll? Si sillet me të moshuarit? Nga ç’lloj familjeje rrjedh? Si sillet me ta? Ç’qëndrim ka për paratë? Abuzon me pijet alkoolike? A është nevrik, madje i dhunshëm? Çfarë përgjegjësish ka në kongregacion dhe si i kryen ato? A mund ta respektoj thellësisht?»​—Levitiku 19:32; Proverbat 22:29; 31:23; Efesianëve 5:3-5, 33; 1. Timoteut 5:8; 6:10; Titit 2:6, 7.

17 Një burrë mund të pyesë: «A tregon kjo grua dashuri dhe respekt për Perëndinë? A është e zonja të kujdeset për shtëpinë? Ç’do të presë familja e saj prej nesh? A është e mençur, punëtore, kursimtare? Për çfarë gjërash flet? A shqetësohet sinqerisht për mirëqenien e të tjerëve, apo ka merak vetëm për veten dhe i fut hundët gjithandej? Është e besueshme? A është e gatshme t’i nënshtrohet kryesisë, apo është kokëfortë, apo mbase edhe rebele?»​—Proverbat 31:10-31; Luka 6:45; Efesianëve 5:22, 23; 1. Timoteut 5:13; 1. Pjetrit 4:15.

18. Nëse dobësi të vogla kapen gjatë periudhës së shoqërimit, çfarë duhet marrë në konsideratë?

18 Mos harro se ke të bësh me një pasardhës të papërsosur të Adamit dhe jo me ndonjë hero a heroinë të idealizuar romanesh. Çdokush ka mangësi dhe për disa prej tyre duhet mbyllur një sy, qofshin të tuat apo të partnerit tënd të ardhshëm. (Romakëve 3:23; Jakovit 3:2) Për më tepër, një dobësi që bie në sy mund të paraqesë një mundësi për t’u rritur frymësisht. Për shembull, ta zëmë se gjatë periudhës së shoqërimit keni një mosmarrëveshje. Mendo me kujdes: edhe njerëzit që e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, disa herë nuk shkojnë dakort. (Krahaso Zanafillën 30:2; Veprat 15:39.) A mos duhet ndoshta vetëm që të dy ‘të frenoni pak zemërimin’ e të mësoni si t’i trajtoni çështjet me më shumë paqe? (Proverbat 25:28) A tregon bashkëshorti yt i ardhshëm se dëshiron të përmirësohet? Po ti? A mund të mësosh të jesh më pak i ndjeshëm dhe i prekshëm? (Eklisiastiu 7:9) Kur mësoni të zgjidhni problemet, kjo mund të vendosë modelin e një komunikimi të ndershëm, që është jetësor nëse ju të dy martoheni.​—Kolosianëve 3:13.

19. Cila do të ishte mënyra e mençur e të vepruarit, nëse gjatë periudhës së njohjes dalin probleme serioze?

19 Por, ç’të themi nëse vëren gjëra që të shqetësojnë thellësisht? Dyshime të tilla duhet të shqyrtohen me kujdes. Sado romantik që mund të ndihesh, apo sado i padurueshëm që mund të jesh për martesë, mos i mbyll sytë përpara të metave serioze! (Proverbat 22:3; Eklisiastiu 2:14) Nëse ke marrëdhënie me dikë për të cilin ke rezerva serioze, do të ishte e mençur të mos e vazhdoje marrëdhënien e të mos lidhje një angazhim të përhershëm me atë person.

MBAJE TË NDERSHME PERIUDHËN E NJOHJES

20. Si mund ta mbajnë moralin e tyre të paqortueshëm një çift gjatë periudhës së njohjes?

20 Si mund ta mbash të ndershme periudhën e njohjes? Së pari, sigurohu që sjellja jote morale të jetë e paqortueshme. Aty ku banon, a konsiderohet si sjellje e përshtatshme për çiftet e pamartuara mbajtja për dore, puthjet apo përqafimet? Edhe nëse këto shprehje të dashurisë së përzemërt nuk shihen shtrembër, ato duhen lejuar vetëm atëherë kur marrëdhënia të ketë arritur në një pikë ku martesa është vendosur përfundimisht. Ki kujdes se mos shfaqjet e dashurisë së përzemërt shkasin në sjellje të papastër apo edhe në kurvëri. (Efesianëve 4:18, 19; krahaso Këngën e këngëve 1:2; 2:6; 8:5, 9, 10.) Meqë zemra është tradhëtare, do të ishte e mençur për të dy që mos veçoheni në ndonjë shtëpi, apartament, makinë të parkuar, apo kudo tjetër ku ekziston mundësia për sjellje të gabuar. (Jeremia 17:9) Duke mbajtur moralisht të pastër periudhën e njohjes, ke për të dhënë dëshmi të qartë se ke vetëkontroll dhe se ke vendosur kujdesin altruist për mirëqenien e personit tjetër, mbi dëshirat e tua personale. Ç’është më e rëndësishmja, një periudhë e pastër njohjeje do t’i pëlqejë Perëndisë Jehova, i cili i urdhëron shërbëtorët e vet që të përmbahen nga papastërtia dhe kurvëria.​—Galatasve 5:19-21.

21. Çfarë komunikimi i ndershëm mund të jetë i nevojshëm për të mbajtur periudhën e shoqërimit të ndershme?

21 Së dyti, një periudhë e ndershme njohjeje përfshin, gjithashtu, një komunikim të çiltër. Ndërsa periudha e njohjes shkon drejt martesës, do të jetë e nevojshme që disa çështje të diskutohen hapur. Ku do të jetoni? A do të punoni të dy? A dëshironi të keni fëmijë? Po kështu, do të ishte e drejtë të zbulonit gjëra, ndoshta të së shkuarës, të cilat mund të ndikojnë në martesë. Këto mund të përfshijnë borxhe të mëdha ose detyrime të mëdha, apo probleme shëndeti, si për shembull, ndonjë sëmundje apo gjendje serioze në të cilën mund të ndodheni. Pasi shumë persona që janë të infektuar me virusin e HIV-it (që shkakton SIDË-n) nuk tregojnë shenja të menjëhershme, s’do të ishte e gabuar nëse individi apo prindërit e kujdesshëm të kërkonin një test gjaku për SIDË-n, nga individi që në të kaluarën është dhënë pas përzierjeve seksuale apo që ka injektuar drogën në vena. Nëse testi del pozitiv, personi i infektuar nuk duhet ta detyrojë tjetrin që të vazhdojë marrëdhënien, nëse ky i fundit tani dëshiron t’i japë fund asaj. Në të vërtetë, kushdo që ka pasur një stil të rrezikshëm jetese, do të bënte mirë t’i nënshtrohej vullnetarisht një testi gjaku për SIDË-n, përpara se të niste periudhën e njohjes.

TË SHOHËSH PËRTEJ DITËS SË DASMËS

22, 23. (a) Si mund të prishet ekuilibri, kur fillojnë përgatitjet e dasmës? (b) Cila pikëpamje e ekuilibruar duhet mbajtur kur merret në shqyrtim dasma dhe martesa?

22 Gjatë muajve të fundit para martesës, ka të ngjarë që të dy të jeni shumë të zënë me rregullimet për ditën e dasmës. Mund të lehtësosh shumë nga këto tensione, duke qenë i përmbajtur. Një dasmë e bujshme do t’u pëlqente të afërmve dhe njerëzve të tjerë, por mund t’i lërë të sapomartuarit dhe familjet e tyre të sfilitur fizikisht dhe trokë nga ana financiare. Ndjekja e disa zakoneve lokale është e arsyeshme, por një përputhje e tepruar e mbase konkurruese mund të mjegullojë domethënien e rastit e mund të të heqë gëzimin që duhet të kesh. Edhe pse ndjenjat e të tjerëve duhen marrë parasysh, dhëndëri është përgjegjësi numër një për të vendosur se ç’do të bëhet në festën e martesës.​—Gjoni 2:9.

23 Mos harro se dasma zgjat vetëm një ditë, kurse martesa një jetë të tërë. Mos u përqendro tepër në ditën e martesës. Përkundrazi, kërko drejtimin e Perëndisë Jehova dhe përgatitu për një jetë si i martuar. Atëherë, do të jesh i përgatitur mirë për një martesë të suksesshme.

^ par. 11 Kjo mund të zbatohet në vendet ku periudha e njohjes konsiderohet e përshtatshme për të krishterët.

^ par. 14 Edhe brenda kongregacionit të krishterë mund të ketë nga ata që, si të themi, janë më shumë jashtë, se brenda. Në vend se të jenë shërbëtorë me gjithë zemër të Perëndisë, ata mund të jenë të ndikuar nga qëndrimet dhe sjellja e botës.​—Gjoni 17:16; Jakovit 4:4.