Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të flas me prindërit?

Si të flas me prindërit?

KAPITULLI 1

Si të flas me prindërit?

«U përpoqa aq shumë t’u tregoja prindërve si ndihesha, por ishte e kotë​—ata ma prenë shkurt. Mezi mora guximin të flitja dhe ja si përfundoi, nuk nxora gjë në dritë.»​—Roza.

KUR ishe më i vogël, me siguri të parët ku vrapoje për ndonjë këshillë ishin prindërit. U tregoje çdo të re, e rëndësishme ose jo. I shprehje lirshëm mendimet e ndjenjat dhe kishe besim te këshilla e tyre.

Ndërsa tani, ndoshta mendon se prindërit nuk të kuptojnë më. «Një mbrëmje, kur po hanim darkë, fillova të qaja dhe ua zbraza të gjitha,—thotë Eda.—Prindërit më dëgjuan, por m’u duk se nuk më kuptuan.» Përfundimi? «Shkova në dhomën time dhe vazhdova të qaja.»

Nga ana tjetër, mbase nganjëherë nuk dëshiron të hapesh me prindërit. «Flas me prindërit për shumë gjëra,—thotë një djalë me emrin Kristofer.—Por më pëlqen që ndonjëherë ata nuk dinë gjithçka që mendoj.»

A është e gabuar t’i mbash disa mendime për vete? Jo medoemos: për sa kohë që nuk mashtron. (Proverbat 3:32) Megjithatë, edhe kur prindërit duket se nuk të kuptojnë ose kur ti ngurron të shprehesh, një gjë është e sigurt: ke nevojë të flasësh me prindërit dhe ata kanë nevojë të të dëgjojnë.

Mos u dorëzo!

Të komunikosh me prindërit është pak a shumë si të ngasësh makinën. Kur has një pengesë, nuk dorëzohesh, thjesht gjen një rrugë tjetër. Le të marrim dy shembuj.

PENGESA NR. 1 Ke nevojë të flasësh, por duket se prindërit nuk të dëgjojnë. «E kam të vështirë të komunikoj me babin,—thotë Lea.—Nganjëherë më ndodh që, pasi kam folur ca me babin, ai më thotë:‘Më fal, me mua po flisje?’»

PYETJE: Ç’të bëjë Lea nëse ka nevojë të bisedojë patjetër për një problem? Ka të paktën tri mundësi.

Mundësia A

T’i bërtasë babait. Lea bërtet: «Më dëgjo, pra! Është e rëndësishme!»

Mundësia B

Të mos hapet më me babanë. Lea thjesht dorëzohet dhe nuk përpiqet më të flasë për problemet e saj.

Mundësia C

Të presë një moment më të përshtatshëm dhe ta hapë sërish bisedën. Lea flet më vonë me babanë ballë për ballë ose i shkruan atij një letër për problemin që ka.

Cilën mundësi mendon ti se duhet të zgjedhë Lea? ․․․․․

Le t’i shqyrtojmë këto mundësi dhe të shohim se ku ka të ngjarë ta çonte secila prej tyre.

Babai i Leas është i shpërqendruar, prandaj nuk e di se ajo është e mërzitur. Pra, nëse Lea zgjedh mundësinë A, babai nuk do të kuptojë pse po i bërtet. Kështu, vështirë që babai do t’ia vërë veshin Leas dhe fjalët e saj nuk do të tregojnë respekt dhe nderim për të. (Efesianëve 6:2) Pra, kjo mundësi nuk çon gjëkundi.

Ndonëse mundësia B mund të jetë rruga më e shkurtër, nuk është më e mençura. Pse? Sepse «planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim». (Proverbat 15:22) Për t’i përballuar me sukses problemet, Lea duhet të bisedojë me babanë dhe, që ta ndihmojë, ai ka nevojë të dijë ç’po ndodh në jetën e saj. Ndërprerja e komunikimit nuk arrin asnjë nga këto synime.

Kurse me mundësinë C, Lea nuk lejon që një pengesë në rrugë t’i japë fund udhëtimit. Përkundrazi, përpiqet ta diskutojë çështjen një herë tjetër. Po t’i shkruajë një letër babait, Lea mbase do të ndihet menjëherë mirë. Kjo letër mund ta ndihmojë edhe për të formuluar saktë atë që dëshiron të thotë. Kur të lexo jë letrën, babai i Leas do të kuptojë se çfarë po përpiqej t’i thoshte, dhe kjo mund ta ndihmojë të kuptojë më mirë çfarë problemi ka. Pra, nga mundësia C përfiton edhe Lea, edhe babai.

Çfarë mundësish të tjera kishte Lea? Përpiqu të gjesh ndonjë dhe shkruaje më poshtë. Pastaj shkruaj ku ka të ngjarë ta çonte kjo mundësi.

․․․․․

PENGESA NR. 2 Prindërit duan të flasin me ty, kurse ti jo. «S’ka gjë më të keqe sesa kur të bombardojnë me pyetje sapo shkel në shtëpi pas një dite të vështirë në shkollë,—thotë Sara.—Unë dua ta heq mendjen nga shkolla, kurse prindërit ia fillojnë menjëherë nga pyetjet: ‘Si ia kalove? Pate ndonjë problem?’» Pa dyshim, prindërit e Sarës nisen nga e mira që e pyesin. Megjithatë ajo ankohet: «E kam të vështirë të flas për shkollën kur jam e lodhur dhe e stresuar.»

PYETJE: Ç’mund të bëjë Sara në këtë situatë? Ashtu si në shembullin e mëparshëm, ka të paktën tri mundësi.

Mundësia A

Të mos pranojë të flasë. Sara thotë: «Më lini rehat, ju lutem. Nuk dua të flas tani!»

Mundësia B

Të flasë. Megjithëse ndihet e stresuar, Sara mund t’u përgjigjet nga zori pyetjeve të prindërve.

Mundësia C

Ta lërë për më vonë muhabetin e shkollës, por ta vazhdojë bisedën me një argument tjetër. Sara u kërkon prindërve që të flasin një herë tjetër për shkollën kur e di se do të jetë më e qetë. Pastaj i pyet sinqerisht: «Po ju, si ia kaluat sot?»

Cilën mundësi mendon ti se duhet të zgjedhë Sara? ․․․․․

Përsëri, le t’i shqyrtojmë këto mundësi për të parë se ku ka të ngjarë ta çonte secila prej tyre.

Sara ndihet e stresuar dhe e ka të vështirë të flasë. Po të zgje dhë mundësinë A, do të ndihet prapë e stresuar, por edhe fajtore, ngaqë shpërtheu me prindërit.​—Proverbat 29:11.

Nga ana tjetër, prindërit e Sarës nuk do ta pëlqejnë shpërthimin e saj ose heshtjen që do të pasojë. Mbase do të dyshojnë se Sara po u fsheh diçka. Madje mund të këmbëngulin më shumë që të flasë, dhe kjo patjetër do ta mërziste më shumë Sarën. Si përfundim, kjo mundësi nuk çon gjëkundi.

Mundësia B sigurisht është një zgjedhje më e mirë se mundësia A. Të paktën Sara dhe prindërit po flasin. Por, meqë biseda bëhet sa për të thënë, si Sara, edhe prindërit, nuk do të arrijnë atë që duan: një bisedë të hapur e të çlirët.

Ndërsa me mundësinë C, Sara do të ndihet më mirë, pasi muhabeti i shkollës është lënë për më vonë. Prindërit do ta vlerësojnë përpjekjen e saj për të bashkëbiseduar, pra, edhe ata do të kënaqen. Kjo mundësi ka shumë të ngjarë të jetë më e mira, sepse të dyja palët po zbatojnë parimin që gjendet te Filipianëve 2:4, ku thuhet që të shohësh «me interes jo vetëm çështjet» e tua, «por edhe ato të të tjerëve».

Shprehu qartë

Ki parasysh se ti mund të thuash një gjë, por prindërit mund të kuptojnë një gjë tjetër. Për shembull, prindërit mund të të pyesin pse dukesh i ngrysur. Ti thua: «Nuk dua të flas për këtë gjë.» Por prindërit e marrin: «Nuk ju hapem, se s’kam shumë besim te ju. Do të flas me shokët për këtë problem, por jo me ju.» Provo këtë ushtrim duke vënë përgjigjet e tua. Imagjino sikur ke një problem dhe prindërit janë gati të të ndihmojnë.

Nëse thua: «Mos u mërzitni. E zgjidh vetë.»

Prindërit mund ta marrin: ․․․․․

Një përgjigje më e mirë mund të jetë: ․․․․․

Pra, cili është thelbi? Zgjidhi me kujdes fjalët. Fol me një ton zëri plot respekt. (Kolosianëve 4:6) Shihi prindërit si aleatë e jo si armiq. Dhe ti e di mirë: për të kapërcyer problemet që ke, sa më shumë aleatë të gjesh, aq më mirë është.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Po nëse nuk e ke problem të flasësh me prindërit, por sa herë që flitni, ziheni?

SHKRIMI KYÇ

«Fjalët e mia burojnë nga drejtësia e zemrës, dhe buzët e mia thonë me çiltërsi fjalë mençurie.»​—Jobi 33:3

KËSHILLË

Nëse e ke të vështirë të ulesh e të flasësh me prindërit për një problem, bisedoni për të kur të jeni duke shëtitur, në makinë ose duke bërë pazarin bashkë.

A E DIJE . . . ?

Ashtu si ti mund ta kesh të vështirë të flasësh me prindërit për gjëra serioze, edhe ata mund të ndihen të paaftë ose në siklet kur përpiqen të flasin me ty për të njëjtat gjëra.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . . 

Herën tjetër, nëse nuk më vjen t’u hapem prindërve, do të ․․․․․

Nëse prindi ngul këmbë që të flas për diçka që s’para e kam qejf, do të them ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është e rëndësishme të zgjedhësh momentin e duhur për një komunikim të mirë?​—Proverbat 25:11.

● Pse ia vlen të përpiqesh të flasësh me prindërit?​—Jobi 12:12.

[Diçitura në faqen 10]

«Nuk është gjithnjë e lehtë të komunikosh me prindërit, por, kur hapesh me ta, të duket sikur ke hequr një peshë të madhe.»​—Devina

[Figura në faqen 8]

Një pengesë në rrugën e komunikimit nuk ka pse të jetë fundi i udhëtimit. Mund t’ia dalësh mbanë e të gjesh një mënyrë për të folur me prindërit