Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 42

Jonatani trim dhe besnik

Jonatani trim dhe besnik

Jonatani, djali i madh i mbretit Saul, ishte një luftëtar trim. Davidi e përshkroi si më të shpejtë se shqiponja dhe më të fortë se luani. Një ditë, Jonatani pa disa filistinë mbi një kodër. Ai i tha shërbëtorit që i mbante armët: «Do t’i sulmojmë vetëm nëse Jehovai na jep një shenjë. Nëse filistinët na thonë të ngjitemi, atëherë e dimë se duhet t’i sulmojmë.» Filistinët bërtitën: «Ngjituni dhe luftoni me ne!» Kështu dy burrat u ngjitën në kodër dhe i mundën 20 ushtarët.

Jonatani ishte djali i madh i Saulit dhe i binte që të bëhej mbret pas tij. Por Jonatani e dinte se Jehovai kishte zgjedhur Davidin si mbretin e ardhshëm të Izraelit, e prapëseprapë nuk u bë xheloz. Jonatani dhe Davidi u bënë shokë të ngushtë. Ata premtuan se do ta mbronin dhe do ta mbështetnin njëri-tjetrin. Jonatani i dha Davidit në shenjë miqësie petkun, shpatën, harkun dhe rripin e vet.

Kur Davidi ishte arratisur për shkak të Saulit, Jonatani shkoi tek ai dhe i tha: «Ji i fortë dhe guximtar. Jehovai të ka zgjedhur ty të jesh mbret. Edhe babai im e di këtë.» A do të doje të kishe një shok të mirë si Jonatani?

Më shumë se një herë Jonatani rrezikoi jetën për të ndihmuar shokun. Ai e dinte se i ati donte ta vriste Davidin, prandaj i tha: «Do të mëkatoje po ta vrisje Davidin, pasi ai s’ka bërë asgjë të keqe.» Sauli u tërbua me Jonatanin. Disa vjet më vonë, Sauli dhe Jonatani vdiqën të dy në betejë.

Pas vdekjes së Jonatanit, Davidi kërkoi djalin e Jonatanit, Mefiboshetin. Kur e gjeti, i tha: «Ngaqë e kisha shumë shok babanë tënd, do të kujdesem për ty gjatë gjithë jetës. Do të jetosh në pallatin tim dhe do të hash në tryezën time.» Davidi nuk e harroi kurrë shokun e tij, Jonatanin.

«Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.»​—Gjoni 15:12, 13