Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 24

‘Merr zemër!’

‘Merr zemër!’

Pavli i shpëtoi komplotit për ta vrarë dhe u mbrojt para Feliksit

Bazuar te Veprat 23:11–24:27

1, 2. Pse përndjekja që po haste në Jerusalem nuk e zuri në befasi Pavlin?

 PASI shpëtoi për një fije nga turma e zemëruar në Jerusalem, Pavlin e vunë përsëri nën arrest. Apostullin e zellshëm nuk e zuri në befasi përndjekja në Jerusalem. I ishte thënë se në atë qytet ‘do ta burgosnin e do ta përndiqnin’. (Vep. 20:22, 23) Ndonëse nuk ishte qind për qind i sigurt se ç’do t’i ndodhte, Pavli e dinte se do të vuante për emrin e Jezuit.—Vep. 9:16.

2 Edhe profetë të krishterë e kishin paralajmëruar se judenjtë do ta lidhnin e do ta dorëzonin «në duart e njerëzve të kombeve». (Vep. 21:4, 10, 11) Kohët e fundit një turmë judenjsh ishte orvatur ta vriste. Pak më vonë, Pavli kishte rrezikuar ‘të vritej’ nga anëtarët e Sinedrit ndërsa ziheshin për të. Tani, i burgosur, apostulli ruhej nga ushtarë romakë dhe e pritnin gjyqe e akuza të tjera. (Vep. 21:31; 23:10) Kishte vërtet nevojë për inkurajim.

3. Nga e marrim inkurajimin që të ngulmojmë në veprën e predikimit?

3 Në këto ditë të fundit, e dimë se «të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim ndaj Perëndisë në unitet me Krishtin Jezu, do të përndiqen». (2 Tim. 3:12) Hera-herës, edhe ne kemi nevojë për inkurajim që të ngulmojmë në veprën e predikimit. Sa mirënjohës jemi për fjalët e ngrohta në kohën e duhur që marrim nëpërmjet botimeve dhe mbledhjeve të organizuara nga «skllavi besnik dhe i mençur»! (Mat. 24:45) Jehovai na ka siguruar se asnjë armik i lajmit të mirë nuk do të ketë sukses. Nuk do të arrijë t’i shfarosë shërbëtorët e tij si grup dhe as do ta ndalë dot veprën e predikimit. (Isa. 54:17; Jer. 1:19) Por, ç’të themi për apostullin Pavël? A mori inkurajim që të vazhdonte të jepte dëshmi të plotë pavarësisht nga kundërshtimi? Nëse po, si e mori dhe si reagoi?

Zbulohet ‘një komplot për të cilin kishin zënë be’ (Veprat 23:11-34)

4, 5. Ç’inkurajim mori Pavli dhe përse ishte në kohën e duhur?

4 Inkurajimin që i nevojitej aq shumë, apostulli Pavël e mori natën pasi shpëtoi nga Sinedri. Tregimi i frymëzuar thotë: «Zotëria iu afrua dhe i tha: ‘Merr zemër, sepse siç dhe dëshmi të plotë për mua në Jerusalem, po ashtu duhet të japësh edhe në Romë.’» (Vep. 23:11) Këto fjalë inkurajuese të Jezuit e siguruan se do të çlirohej. Kuptoi se do të mbërrinte gjallë në Romë dhe do të kishte privilegjin të jepte dëshmi për Jezuin atje.

«Më shumë se 40 burra nga ata i kanë ngritur kurth.»—Veprat 23:21

5 Inkurajimi që iu dha Pavlit, ishte në kohën e duhur. Ditën tjetër, mbi 40 judenj «kurdisën një komplot. Ata zunë be se as do të hanin, as do të pinin, derisa të vritnin Pavlin». Fakti që komplotin e kurdisën duke zënë be, tregon sa të vendosur ishin që ta vritnin apostullin. Nëse komploti do të dështonte, besonin se do t’u binte një mallkim ose një e keqe. (Vep. 23:12-15) Plani i tyre, i miratuar nga krerët e priftërinjve dhe pleqtë, ishte ta sillnin përsëri në Sinedër Pavlin për ta marrë në pyetje, gjoja për ta shqyrtuar më mirë çështjen e tij. Ndërkohë që rrugës komplotuesit do t’i zinin pusí e do ta vritnin.

6. Si u zbulua komploti kundër Pavlit dhe si mund ta imitojnë të rinjtë shembullin e nipit të Pavlit?

6 Mirëpo, nipi i Pavlit mori vesh për komplotin dhe ia raportoi. Atëherë Pavli i tha që t’ia tregonte komandantit ushtarak romak, Klaud Lisisë. (Vep. 23:16-22) Patjetër, Jehovai i do shumë të rinjtë të cilët, ashtu si nipi i Pavlit që s’ia dimë emrin, me guxim vënë sigurinë e popullit të Perëndisë para së tyres dhe me besnikëri bëjnë ç’të mundin për të çuar përpara veprën e Mbretërisë.

7, 8. Ç’masa mori Klaud Lisia për sigurinë e Pavlit?

7 Sapo e informuan për komplotin, Klaud Lisia, i cili kishte nën komandë 1.000 burra, urdhëroi të bëhej gati një njësi ushtarake me 470 veta—ushtarë, heshtarë dhe kalorës—që ta largonin nga Jerusalemi po atë natë dhe ta çonin shëndoshë e mirë Pavlin në Cezare. Atje do t’ia dorëzonin guvernatorit Feliks. a Ndonëse Cezarea, kryeqyteti administrativ romak i Judesë, kishte një numër të konsiderueshëm banorësh judenj, ishte e populluar kryesisht nga jojudenj. Atje mbizotëronte rendi dhe ligji, krejt e kundërta e situatës në Jerusalem, ku shumë veta shfaqnin paragjykime të forta fetare dhe shkaktonin trazira. Në Cezare ishte edhe qendra ushtarake për provincën romake të Judesë.

8 Në përputhje me ligjin romak, Lisia i dërgoi Feliksit një letër ku shtjellonte çështjen. Në të përmendte se, kur kishte marrë vesh që Pavli ishte qytetar romak, e kishte shpëtuar nga judenjtë që «ishin gati ta vritnin». Lisia thoshte se nuk kishte gjetur te Pavli asnjë faj ‘që meritonte vdekjen a burgun’, por për shkak të një komploti kundër tij, po ia dërgonte atij, që të dëgjonte paditësit dhe të jepte një gjykim për çështjen.—Vep. 23:25-30.

9. (a) Si ishin shkelur të drejtat e Pavlit si qytetar romak? (b) Për çfarë mund t’i përdorim të drejtat tona si shtetas të një vendi?

9 A ishte e vërtetë ajo që shkroi Lisia? Jo plotësisht. Me sa duket, po përpiqej t’i linte përshtypje të mirë guvernatorit. Në të vërtetë, ai s’e kishte shpëtuar Pavlin sepse kishte marrë vesh se ishte qytetar romak. Veç kësaj, Lisia nuk e zuri në gojë se e kishte lidhur Pavlin «me dy zinxhirë» dhe se më pas kishte dhënë urdhër «ta merrnin në pyetje e ta fshikullonin». (Vep. 21:30-34; 22:24-29) Në këto raste, Lisia kishte shkelur të drejtat e Pavlit si qytetar romak. Sot, Satanai përdor fanatizmin fetar të kundërshtarëve për t’u fryrë flakëve të përndjekjes, e ndoshta për shkak të kësaj mund të na shkelen të drejtat civile. Por, ashtu si Pavli, shpesh shërbëtorët e Jehovait mund t’i përdorin të drejtat e tyre si shtetas të një vendi, për të kërkuar mbrojtjen e ligjit.

«Flas pa ngurruar për të mbrojtur veten» (Veprat 23:35–24:21)

10. Ç’akuza të rënda u ngritën kundër Pavlit?

10 Në Cezare, Pavlin ‘po e ruanin në pallatin e Herodit’ derisa të vinin paditësit nga Jerusalemi. (Vep. 23:35) Ata erdhën 5 ditë më vonë: kryeprifti Anania, një gojëtar me emrin Tertul dhe një grup pleqsh. Fillimisht Tertuli i thuri lavde Feliksit për çka po bënte për judenjtë, me sa duket për t’i përkëdhelur egon që t’i shihte me sy të mirë. b Pastaj, duke kaluar te çështja, Tertuli tha për Pavlin: «Ky njeri është një murtajë që nxit kryengritje mes gjithë judenjve në mbarë tokën e banuar dhe është prijës i sektit të nazareasve. Gjithashtu u orvat të përdhoste tempullin, prandaj e kapëm.» Judenjtë e tjerë «i mbështetën këto akuza, duke pohuar se ishin të vërteta». (Vep. 24:5, 6, 9) Nxitja e kryengritjes, udhëheqja e një sekti të rrezikshëm dhe përdhosja e tempullit ishin akuza shumë të rënda, që mund të sillnin dënimin me vdekje.

11, 12. Si i hodhi poshtë Pavli akuzat që iu bënë?

11 Pastaj iu dha fjala Pavlit, që tha: «Flas pa ngurruar për të mbrojtur veten.» Ai i mohoi prerazi akuzat. S’e kishte përdhosur tempullin dhe as ishte përpjekur të nxiste ndonjë kryengritje. Madje theksoi se kishte qenë larg Jerusalemit dhe kishte ardhur «pas shumë vjetësh» për të sjellë «dhurata për të varfrit», domethënë kontribute për të krishterët që mund të ishin varfëruar nga zia e bukës e nga përndjekja. Pavli nguli këmbë se, para se të hynte në tempull, ishte «i pastër ceremonialisht» dhe se ishte përpjekur të ‘mbante një ndërgjegje të pastër para Perëndisë dhe njerëzve’.—Vep. 24:10-13, 16-18.

12 Gjithsesi, ai pranoi se i bënte shërbim të shenjtë Perëndisë së paraardhësve të tij ‘sipas udhës që ata e quanin sekt’. Por nguli këmbë se i besonte «të gjitha gjërat e paraqitura në Ligj dhe të shkruara te Profetët». Veç kësaj, ashtu si disa nga akuzuesit e tij, kishte shpresën ‘se do të ringjalleshin si të drejtët, edhe të padrejtët’. Më tej Pavli i sfidoi paditësit e tij: «Le ta thonë vetë burrat që janë këtu ç’faj gjetën kur dola para Sinedrit, veç në qoftë për këto fjalë që thirra kur isha mes tyre: ‘Për ringjalljen e të vdekurve po gjykohem sot para jush!’»—Vep. 24:14, 15, 20, 21.

13-15. Pse Pavli është një shembull i mirë për dhënien e dëshmisë me guxim para autoriteteve?

13 Pavli na la një shembull të mirë për të ndjekur nëse ndonjëherë na çojnë para autoriteteve për shkak të adhurimit tonë dhe na akuzojnë në mënyrë të rreme si agjitatorë, nxitës revoltash antiqeveritare ose anëtarë të «një sekti të rrezikshëm». Pavli nuk u përpoq ta fitonte me lajka guvernatorin, siç bëri Tertuli. Ai ruajti qetësinë dhe tregoi respekt. Me takt, dha një dëshmi të qartë e të vërtetë. Përmendi se ‘judenjtë nga provinca e Azisë’ që e kishin akuzuar se kishte ndotur tempullin, nuk ishin të pranishëm dhe se, sipas ligjit, duhej të ballafaqohej me ta e të dëgjonte akuzat e tyre.—Vep. 24:18, 19.

14 Ajo që të bën më tepër përshtypje është se Pavli nuk ngurroi të jepte dëshmi për bindjet e tij. Me guxim, apostulli theksoi përsëri besimin te ringjallja, çështja që kishte shkaktuar kaq shumë rrëmujë kur ishte para Sinedrit. (Vep. 23:6-10) Gjatë mbrojtjes, i mëshoi me forcë shpresës së ringjalljes. Përse? Sepse po jepte dëshmi për Jezuin dhe për ringjalljen e tij, diçka që akuzuesit nuk e besonin. (Vep. 26:6-8, 22, 23) Polemika përqendrohej pikërisht në çështjen e ringjalljes, e më saktë në besimin te Jezui dhe te ringjallja e tij.

15 Ashtu si Pavli, ne mund të japim dëshmi me guxim dhe të marrim forcë nga fjalët që u tha Jezui dishepujve: «Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» A duhet të shqetësohemi se çfarë do të themi? Jo, sepse Jezui na dha këtë siguri: «Kur t’ju kapin për t’ju dorëzuar në gjykata, mos jini në ankth që më përpara se ç’do të thoni; por thoni çdo gjë që do t’ju tregohet në atë çast, sepse nuk do të jeni ju që do të flitni, por do të flasë fryma e shenjtë.»—Mar. 13:9-13.

«Feliksi u tremb» (Veprat 24:22-27)

16, 17. (a) Ç’qëndrim mbajti Feliksi në gjyqin e Pavlit? (b) Pse mund të jetë trembur Feliksi, po për ç’arsye vazhdoi ta takonte Pavlin?

16 S’ishte hera e parë që guvernatori Feliks dëgjonte për bindjet e krishtere. Tregimi thotë: «Feliksi, që i dinte mirë faktet për këtë Udhë [termi që përdorej për të përshkruar krishterimin e hershëm], e shtyu çështjen dhe tha: ‘Do të vendos për çështjen tuaj kur të zbresë komandanti ushtarak Lisia.’ Pastaj e urdhëroi centurionin që ky njeri të mbahej nën arrest, por t’i jepej njëfarë lirie dhe t’i linin miqtë e tij t’i shërbenin.»—Vep. 24:22, 23.

17 Disa ditë më vonë, Feliksi me të shoqen, Drusilën, që ishte judeje, dërguan të thërritnin Pavlin dhe ‘e dëgjuan të fliste rreth besimit te Krishti Jezu’. (Vep. 24:24) Mirëpo, kur Pavli foli për «drejtësinë e vetëkontrollin, si dhe për gjykimin që do të vinte, Feliksi u tremb», ndoshta sepse këto fjalë i trazuan ndërgjegjen për shkak të gjërave të liga që kishte bërë në jetë. Prandaj e ndërpreu Pavlin dhe i tha: «Tani për tani, shko. Në një moment tjetër, do të të thërras prapë.» Dhe vërtet e takoi shumë herë të tjera, jo ngaqë donte të mësonte të vërtetën, por sepse shpresonte që Pavli t’i jepte ndonjë ryshfet.—Vep. 24:25, 26.

18. Pse Pavli i foli Feliksit dhe gruas së tij për «drejtësinë e vetëkontrollin, si dhe për gjykimin që do të vinte»?

18 Pse Pavli i foli Feliksit dhe gruas së tij për «drejtësinë e vetëkontrollin, si dhe për gjykimin që do të vinte»? Të mos harrojmë se ata donin të dinin ç’përfshinte ‘besimi te Krishti Jezu’. Pavli, që e njihte të kaluarën e tyre imorale, mizore e të padrejtë, po u tregonte qartë ç’kërkohej nga të gjithë ata që donin të bëheshin dishepuj të Jezuit. Fjalët e tij nxorën në pah kontrastin e madh mes normave të drejta të Perëndisë dhe jetës që bënin Feliksi me të shoqen. Kjo duhej t’i kishte ndihmuar të kuptonin se të gjithë njerëzit do t’i japin llogari Perëndisë për atë që mendojnë, thonë e bëjnë dhe se më i rëndësishëm se gjykimi që do t’i jepej Pavlit, ishte gjykimi që do t’u jepte Perëndia atyre. Ja pse «u tremb» Feliksi.

19, 20. (a) Si duhet të sillemi në shërbim me ata që duken të interesuar, por që në të vërtetë nuk duan të bëjnë ndryshime në jetë? (b) Nga e kuptojmë se Feliksit nuk i bëhej vonë për Pavlin?

19 Në shërbim mund të gjejmë njerëz që janë si Feliksi. Fillimisht, mund të duket sikur interesohen për të vërtetën, por realisht nuk duan t’i binden Perëndisë dhe të bëjnë ndryshime në jetë. Me të drejtë bëjmë kujdes kur përpiqemi t’i ndihmojmë këta njerëz. Megjithatë, ashtu si Pavli, me takt mund t’u tregojmë normat e drejta të Perëndisë. Ndoshta e vërteta do t’u prekë zemrën. Mirëpo, nëse bëhet e dukshme se nuk kanë ndër mend të braktisin rrugën mëkatare, nuk i detyrojmë të ndryshojnë, por shkojmë të gjejmë njerëz që e kërkojnë me gjithë zemër të vërtetën.

20 Në rastin e Feliksit, motivet e tij u zbuluan nga këto fjalë: «Pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi dhe, meqë Feliksi donte të kishte pëlqimin e judenjve, e la në arrest Pavlin.» (Vep. 24:27) Feliksit s’i bëhej vonë për Pavlin. Ai e dinte se ndjekësit e ‘Udhës’ nuk ishin as kryengritës, as revolucionarë. (Vep. 19:23) E dinte edhe se Pavli s’kishte shkelur asnjë ligj romak. Gjithsesi, e mbajti në arrest apostullin, sepse «donte të kishte pëlqimin e judenjve».

21. Ç’ndodhi me Pavlin pasi u bë guvernator Porc Festi, dhe nga çfarë vazhdoi të merrte forcë?

21 Siç e tregon vargu i fundit i kapitullit 24 të Veprave, kur Porc Festi zuri vendin e Feliksit si guvernator, Pavli ishte ende i burgosur. Kështu nisën një seri seancash, dhe Pavlit iu desh të dilte para zyrtarëve të ndryshëm. Vërtet, këtë apostull të guximshëm ‘e nxorën para guvernatorëve e mbretërve’. (Luka 21:12) Siç do të shohim, ai më pas do t’i jepte dëshmi qeveritarit më të fuqishëm të epokës së tij. Gjatë gjithë këtyre peripecive, Pavlit nuk iu lëkund kurrë besimi. Pa dyshim, vazhdoi të merrte forcë nga fjalët që i kish thënë Jezui: «Merr zemër.»

a Shih kutinë « Feliksi, guvernatori i Judesë».

b Tertuli e falënderoi Feliksin për ‘paqen e madhe’ që i kishte sjellë kombit. Por në të vërtetë, gjatë kohës kur ishte guvernator Feliksi, në Jude kishte më pak paqe se gjatë sundimit të çdo guvernatori tjetër deri në kryengritjen ndaj Romës. Po aq larg së vërtetës ishte edhe pohimi se judenjtë ‘i pranonin me mirënjohjen më të madhe’ reformat që kishte bërë Feliksi. Në të vërtetë, pjesa dërrmuese e judenjve e përbuznin atë, sepse ua kishte nxirë jetën dhe i shtypte mizorisht revoltat.—Vep. 24:2, 3.