Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 1

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

«Shkoni dhe bëni dishepuj»

Përmbledhje për librin e Veprave dhe lidhja e tij me ditët tona

1-6. Përmend ndonjë eksperiencë që tregon si predikojnë Dëshmitarët e Jehovait në rrethana nga më të ndryshmet.

 REBEKA, një nxënëse Dëshmitare e Jehovait nga Gana, e konsideronte shkollën si territorin e saj të predikimit. Ajo mbante gjithnjë në çantë literaturë të bazuar në Bibël. Gjatë pushimit kërkonte raste që t’u jepte dëshmi nxënësve të tjerë, kështu filloi studime të Biblës me disa shoqe klase.

2 Në ishullin e Madagaskarit, fare pranë bregut lindor të Afrikës, një çift pionierësh bënin rregullisht 25 kilometra rrugë më këmbë në vapën tropikale, që të drejtonin disa studime në një fshat të largët.

3 Që të shkonin te banorët përgjatë brigjeve të lumenjve Paraguai dhe Paraná, Dëshmitarët paraguaianë dhe vullnetarë nga 15 shtete të tjera, ndërtuan një varkë të madhe ku mund të jetonin deri 12 veta. Falë kësaj shtëpie lundruese, lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë e përhapën lajmin e mirë në zona ku s’kishin si të shkonin ndryshe.

4 Në Veriun e Largët, në Alaskë, Dëshmitarët përfituan nga një mundësi e veçantë për të predikuar gjatë sezonit veror turistik. Kur ngrohej moti dhe në porte mbërrinin anije turistike plot me vizitorë të kombësive të ndryshme, Dëshmitarët vendës shkonin te doket dhe ekspozonin bukur literaturën në një shumëllojshmëri gjuhësh. Po në këtë rajon, u përdor më së miri një aeroplan për të shkuar në fshatra të izoluara. Kështu, lajmi i mirë u përhap në komunitetet aleute, atabaskane, tsimshiane dhe klinkete.

5 Leri në Teksas, SHBA, kishte një territor të veçantë: azilin ku jetonte. Ndonëse i ngujuar në karrocë invalidësh nga një aksident, Leri nuk qëndronte duarkryq. U fliste të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë dhe për shpresën se, në botën e re, do të ecte përsëri.—Isa. 35:5, 6.

6 Që të ndiqnin një asamble në Mjanmarin Verior, një grup Dëshmitarësh udhëtuan tri ditë me traget nga Mandalai. Të zellshëm për të predikuar lajmin e mirë, morën me vete literaturë që t’ua ofronin pasagjerëve. Sa herë trageti ndalonte në ndonjë qytet a fshat, këta predikues energjikë zbritnin dhe e përshkonin shpejt e shpejt zonën duke ofruar literaturë. Ndërkohë hipnin pasagjerë të rinj, duke u bërë «territor i freskët» për lajmëtarët e Mbretërisë pasi ktheheshin në traget.

7. Në cilat mënyra japin dëshmi për Mbretërinë e Perëndisë adhuruesit e tij, dhe çfarë synimi kanë?

7 Ashtu si motrat e vëllezërit e përmendur në këta pak shembuj, anembanë botës adhuruesit e zellshëm të Jehovait po japin «dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë». (Vep. 28:23) Ata predikojnë shtëpi më shtëpi, shkruajnë letra, flasin me njerëzit në rrugë dhe me telefon. Kur udhëtojnë me autobus, shëtitin në park ose pushojnë gjatë punës, janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo rast që të japin dëshmi për Mbretërinë e Perëndisë. Metodat që përdorin mund të ndryshojnë, por synimi mbetet i njëjtë: të predikojnë lajmin e mirë kudo që gjejnë njerëz.—Mat. 10:11.

8, 9. (a) Pse është kaq e mrekullueshme përhapja e veprës së predikimit? (b) Ç’pyetje lind dhe ç’duhet të bëjmë që të marrim përgjigje?

8 A je edhe ti, lexues i dashur, ndër lajmëtarët e shumtë të Mbretërisë që po predikojnë në më tepër se 235 vende? Nëse po, edhe ti ke pjesë në përhapjen mahnitëse të veprës së predikimit të Mbretërisë. Ajo që po bën populli i Jehovait në të gjithë botën, është vërtet një mrekulli. Sado që hasin pengesa e sfida të stërmëdha, ndër të cilat ndalime nga qeveritë dhe përndjekje, Dëshmitarët e Jehovait po u japin dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë njerëzve të çdo kombi.

9 Natyrshëm lind një pyetje që zgjon kureshtjen: pse asnjë pengesë, madje as kundërshtimi satanik, s’ka arritur ta ndalë përparimin e veprës së predikimit për Mbretërinë? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, nevojitet të kthehemi prapa, në shekullin e parë të erës sonë. Tekefundit, Dëshmitarët e Jehovait sot po vazhdojnë veprën e nisur atëherë.

Caktim me shtrirje të gjerë

10. Cilës vepër iu kushtua Jezui dhe për çfarë ishte i vetëdijshëm?

10 Themeluesi i kongregacionit të krishterë, Jezu Krishti, u dha me mish e me shpirt pas predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. I kushtoi gjithë jetën kësaj vepre. Në një rast, shpjegoi: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:43) Jezui e dinte se po niste një vepër që nuk do ta mbaronte dot vetë. Pak para se të vdiste, paratha se mesazhi për Mbretërinë do të predikohej «në të gjitha kombet». (Mar. 13:10) Por, si do të bëhej dhe nga kush?

«Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mateu 28:19

11. Cilin caktim të rëndësishëm u dha Jezui dishepujve dhe ç’mbështetje do të kishin teksa përmbushnin caktimin?

11 Pas vdekjes dhe ringjalljes, Jezui iu shfaq dishepujve dhe u dha këtë caktim të rëndësishëm: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mat. 28:19, 20) Fjalët «unë jam me ju» tregonin se do të kishin mbështetjen e tij teksa predikonin dhe bënin dishepuj. Do t’u duhej kjo mbështetje, pasi Jezui kishte parathënë se ‘të gjitha kombet do t’i urrenin’. (Mat. 24:9) Përveç kësaj, dishepujve do t’u duhej edhe një përkrahje tjetër. Pak çaste para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha se do të merrnin fuqi nga fryma e shenjtë që të ishin dëshmitarët e tij «deri në skajin më të largët të tokës».—Vep. 1:8.

12. Cilat pyetje të rëndësishme lindin dhe pse është jetësore t’i dimë përgjigjet?

12 Këtu lindin disa pyetje të rëndësishme: a e morën seriozisht caktimin e tyre apostujt e Jezuit dhe dishepujt e tjerë të shekullit të parë? A dha dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë ky grup relativisht i vogël grash e burrash të krishterë, edhe kur u përndoqën egërsisht? A patën vërtet mbështetjen e Jehovait, të Jezuit, të engjëjve e të frymës së shenjtë, teksa bënin dishepuj? Këto pyetje dhe të tjera që lidhen me to, marrin përgjigje në librin e Veprave. Është jetësore t’i dimë përgjigjet, sepse Jezui premtoi se vepra që u caktoi dishepujve, do të vazhdonte «deri në përfundimin e sistemit». Pra, ky caktim vlen për të gjithë të krishterët e vërtetë, përfshirë edhe ne që jetojmë në ditët e fundit. Për këtë arsye, na interesojnë shumë ngjarjet e dokumentuara në librin e Veprave.

Përmbledhje për librin e Veprave

13, 14. (a) Kush e shkroi librin e Veprave dhe si i mblodhi informacionet? (b) Ç’përmban libri i Veprave?

13 Kush e shkroi librin e Veprave? Vetë libri nuk e përmend asnjëherë emrin e shkrimtarit, por nga fjalët hapëse duket qartë se ai që shkroi Veprat, shkroi edhe Ungjillin e Lukës. (Luka 1:1-4; Vep. 1:1, 2) Prandaj, që në kohët e lashta, shkrimtari i Veprave është konsideruar Luka, një ‘mjek i dashur’ dhe një historian i kujdesshëm. (Kolos. 4:14) Libri mbulon një periudhë afërsisht 28-vjeçare, që nga ngjitja e Jezuit në qiell, më 33 të e.s., deri nga fundi i burgimit të Pavlit në Romë, rreth vitit 61 të e.s. Kalimi nga veta e tretë në vetën e parë shumës, na bën të kuptojmë se Luka ishte i pranishëm në shumë ngjarje që përshkruan. (Vep. 16:8-10; 20:5; 27:1) Ai ishte hulumtues i saktë, dhe me siguri informacionin e mori nga vetë Pavli, Barnaba, Filipi e të tjerë që përmenden në këtë libër.

14 Ç’përmban libri i Veprave? Më parë, në ungjillin e tij, Luka kishte dokumentuar fjalët dhe veprat e Jezuit. Kurse në këtë libër raporton fjalët dhe veprat e dishepujve të Jezuit. Pra, libri flet për njerëz që kryen një vepër të jashtëzakonshme, ndonëse shumë prej tyre konsideroheshin si «të pashkolluar e të thjeshtë». (Vep. 4:13) Me pak fjalë, tregimi i frymëzuar shpjegon si u themelua dhe si u rrit kongregacioni i krishterë. Libri i Veprave tregon si predikuan të krishterët e shekullit të parë: metodat që përdorën dhe qëndrimin që kishin. (Vep. 4:31; 5:42) Thekson rolin që pati fryma e shenjtë në përhapjen e lajmit të mirë. (Vep. 8:29, 39, 40; 13:1-3; 16:6; 18:24, 25) Nxjerr në pah temën e Biblës, që përfshin shenjtërimin e emrit të Perëndisë nëpërmjet Mbretërisë së Tij me mbret Krishtin, dhe tregon përhapjen triumfuese të lajmit të mirë për Mbretërinë, pavarësisht nga kundërshtimi i egër.—Vep. 8:12; 19:8; 28:30, 31.

15. Ç’dobi do të nxjerrim nga shqyrtimi i librit të Veprave?

15 Sa kënaqemi dhe sa na forcohet besimi kur shqyrtojmë librin e Veprave! Nëse meditojmë për shembullin e guximshëm e të zellshëm të dishepujve të hershëm të Krishtit, do të na preket zemra. Do të nxitemi të imitojmë besimin e vëllezërve dhe të motrave në shekullin e parë. Kështu do të jemi më të përgatitur për të përmbushur caktimin që ‘të shkojmë e të bëjmë dishepuj’. Ky botim është përgatitur që të të ndihmojë ta studiosh me kujdes librin e Veprave.

Mjet ndihmës për studimin e Biblës

16. Cilët janë tre objektivat kryesorë të këtij botimi?

16 Ky botim ka tre objektiva kryesorë: (1) të na forcojë bindjen se Jehovai, me anë të frymës së shenjtë, po mbështet veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve, (2) të na shtojë zellin për shërbimin, duke marrë në shqyrtim shembullin e dishepujve të Krishtit në shekullin e parë dhe (3) të na thellojë respektin për organizatën e Jehovait e për ata që marrin drejtimin në veprën e predikimit dhe në mbikëqyrjen e kongregacioneve.

17, 18. Si është organizuar libri dhe cilat veçori do të të ndihmojnë për studimin personal të Biblës?

17 Si është organizuar libri? Do të vëresh se është ndarë në 8 pjesë, ku secila trajton një fragment të librit të Veprave. Kapitujt nuk kanë si synim të analizojnë varg për varg Veprat, por që të nxjerrim mësime nga ngjarjet e përshkruara dhe që të kuptojmë si mund t’i zbatojmë. Në krye të çdo kapitulli tregohet argumenti kyç i kapitullit dhe vargjet e Veprave që do të trajtohen.

18 Botimi ka edhe veçori të tjera që do të të ndihmojnë për studimin personal të Biblës. Figurat e bukura që paraqitin ngjarje mbresëlënëse nga libri i Veprave, do të të ndihmojnë t’i përfytyrosh situatat ndërsa mediton për atë tregim. Në shumë kapituj ka edhe kuti me materiale shtesë të dobishme. Disa përmbajnë të dhënat e një personazhi nga Bibla, besimin e të cilit ia vlen ta imitojmë. Kuti të tjera japin hollësi të mëtejshme për vende, ngjarje, zakone ose njerëz të përmendur te Veprat.

Predikoje me ndjenjë urgjence territorin që të është caktuar

19. Ç’vetëshqyrtim duhet të bëjmë hera-herës?

19 Ky botim mund të të ndihmojë të bësh një vetëshqyrtim të ndershëm. Pavarësisht sa ke që po shërben si lajmëtar i Mbretërisë, është mirë që hera-herës të ndalesh e të analizosh përparësitë në jetë dhe qëndrimin që ke ndaj shërbimit. (2 Kor. 13:5) Pyet veten: «A vazhdoj të shërbej me ndjenjë urgjence? (1 Kor. 7:29-31) A e predikoj lajmin e mirë me bindje e me zell? (1 Sel. 1:5, 6) A bëj gjithë sa mundem për të predikuar e për të bërë dishepuj?»—Kolos. 3:23.

20, 21. Pse është kaq urgjent caktimi ynë dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

20 Kurrë të mos harrojmë se na është caktuar një vepër e rëndësishme: të predikojmë e të bëjmë dishepuj. Çdo ditë që kalon, ky caktim bëhet edhe më urgjent. Fundi i këtij sistemi po afrohet me të shpejtë. Kurrë më parë nuk kanë qenë në rrezik kaq shumë jetë njerëzish! Nuk e dimë sa veta të tjerë të prirur për jetën e përhershme do ta pranojnë mesazhin tonë. (Vep. 13:48) Por kemi përgjegjësinë t’i ndihmojmë para se të jetë tepër vonë.—1 Tim. 4:16.

21 Prandaj është jetësore të imitojmë shembullin e predikuesve të zellshëm të Mbretërisë në shekullin e parë. Urojmë që studimi i thellë i këtij botimi të të nxitë të predikosh me më tepër zell e guxim. Gjithashtu, urojmë të të bëjë më të vendosur që të vazhdosh ‘të japësh dëshmi të plotë për Mbretërinë e Perëndisë’.—Vep. 28:23.