Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

3

Ndjenjat e lënduara—Kur kemi «shkak për t’u ankuar»

Ndjenjat e lënduara—Kur kemi «shkak për t’u ankuar»

«Një motër në kongregacion më akuzoi gabimisht se i kisha vjedhur para. Të tjerë në kongregacion e morën vesh dhe nisën të mbanin anë. Në fund, motra më tha se kishte marrë disa informacione të reja që më shfajësonin. Ndonëse kërkoi falje, thellë-thellë ndieja se nuk mund ta falja kurrë për atë që kisha kaluar.»​—Linda.

A NDIHESH si Linda që u lëndua thellë nga veprimet e një bashkëbesimtareje? Mjerisht, disa janë trazuar aq shumë nga sjellja e të tjerëve, sa kjo ka ndikuar në rutinën e tyre frymore. A të ka ndodhur edhe ty?

A mund ‘të na ndajë dikush nga dashuria e Perëndisë’?

Të themi të drejtën, mund ta kemi mjaft të vështirë të falim një të krishterë që na ka lënduar. Në fund të fundit, të krishterët duhet ta duan njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34, 35) Nëse një bashkëbesimtar nuk është sjellë mirë me ty, zhgënjimi dhe dhembja mund të të shkatërrojnë.​—Psalmi 55:12.

Natyrisht, Bibla e pranon se ka raste kur të krishterët i japin njëri-tjetrit «shkak për t’u ankuar». (Kolosianëve 3:13) Prapëseprapë, kur na ndodh personalisht, mund ta kemi tejet të vështirë ta përballojmë. A ka diçka që mund të na ndihmojë? Të shqyrtojmë tri parime biblike.

Ati ynë qiellor është i vetëdijshëm për gjithçka. Jehovai vëren gjithçka që ndodh, përfshirë çdo padrejtësi që hasim dhe vuajtjen që sjell ajo. (Hebrenjve 4:13) Për më tepër, kur ne vuajmë, edhe Jehovai vuan. (Isaia 63:9) Ai nuk lejon kurrë që «shtrëngimi, vuajtja» ose gjithçka tjetër, madje as edhe një shërbëtor i tij, «të na ndajnë . . . nga dashuria e Perëndisë». (Romakëve 8:35, 38, 39) A nuk nxitemi të veprojmë po njësoj, duke mos lejuar asgjë dhe askënd të vihet mes nesh dhe Jehovait?

Të falësh nuk do të thotë të mbyllësh sytë. Kur falim ata që nuk janë sjellë mirë me ne, nuk po minimizojmë, justifikojmë, shfajësojmë ose mbyllim sytë para veprimeve të tyre. Mos harro se Jehovai nuk e miraton kurrë mëkatin, por fal vërtet nëse ka një bazë. (Psalmi 103:12, 13; Habakuku 1:13) Kur na nxit të falim të tjerët, Jehovai po na kërkon ta imitojmë. Ai ‘nuk mban mëri tërë jetën’.​—Psalmi 103:9; Mateu 6:14.

Kur nuk mbajmë mëri, është për të mirën tonë. Në ç’kuptim? Imagjino sikur po merr një gur, mbase një që peshon vetëm ca kile, dhe e mban me krahun të shtrirë përpara. Ndoshta s’do ta kishe problem për një kohë të shkurtër. Por, po sikur të përpiqeshe ta mbaje më gjatë? Për sa kohë do ta mbaje​—ca minuta? Një orë? Më gjatë? Pa dyshim, do të të lodhej shumë krahu. Sigurisht, pesha e gurit nuk do të ndryshonte. Por, sa më gjatë ta mbaje, aq më i rëndë do të të dukej. Po kështu është edhe me mërinë. Sa më gjatë të mbajmë mëri, sikur edhe për një gjë të vogël, aq më shumë lëndojmë veten. Pra, s’habitemi që Jehovai na nxit të mos mbajmë mëri. Në fakt, kjo është për të mirën tonë.​—Proverbat 11:17.

Kur nuk mbajmë mëri, është për të mirën tonë

«U ndjeva sikur po më fliste vetë Jehovai»

Çfarë e ndihmoi Lindën të mos mbante mëri për mënyrën si e kishte trajtuar një e krishterë? Ndër të tjera, meditoi edhe për arsyet biblike pse të falte. (Psalmi 130:3, 4) Ajo që e preku në veçanti ishte dijenia se kur falim të tjerët, edhe Jehovai do të na falë. (Efesianëve 4:32–5:2) Linda tregon si ndikuan këto mendime tek ajo: «U ndjeva sikur po më fliste vetë Jehovai.»

Me kalimin e kohës, ia doli të mos mbante më mëri. E fali lirisht motrën dhe tani janë mike të ngushta. Linda vazhdon t’i shërbejë Jehovait. Ji i sigurt se Jehovai dëshiron të të ndihmojë që edhe ti të vazhdosh t’i shërbesh.