Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 18

Mençuri në «fjalën e Perëndisë»

Mençuri në «fjalën e Perëndisë»

1, 2. Çfarë «letre» na ka shkruar Jehovai dhe përse?

A E MBAN mend herën e fundit kur ke marrë një letër nga një i afërmi yt që jeton larg? Janë të pakta gjërat që sjellin aq shumë kënaqësi sa letra e përzemërt e dikujt që e duam shumë. Kënaqemi kur marrim vesh për shëndetin e tij, për përvojat që ka pasur e për planet që ka. Kjo mënyrë komunikimi na i sjell afër njerëzit e dashur, edhe sikur të jenë larg fizikisht.

2 Atëherë, çfarë mund të na sjellë më shumë kënaqësi sesa të marrim një mesazh të shkruar nga Perëndia që duam? Në njëfarë kuptimi Jehovai na ka shkruar një «letër», domethënë Fjalën e tij, Biblën. Në të na thotë kush është, çfarë ka bërë, çfarë ka si qëllim të bëjë e shumë e shumë të tjera. Jehovai na e ka dhënë Fjalën e tij sepse dëshiron që t’i afrohemi. Perëndia ynë me mençuri të pakufishme zgjodhi mënyrën më të mirë për të komunikuar me ne. Mënyra si u shkrua Bibla dhe gjërat që përmban ajo tregojnë një mençuri të pakrahasueshme.

Pse fjalën e shkruar?

3. Si ia transmetoi Jehovai Moisiut Ligjin?

3 Disa mund të pyesin: ‘Pse nuk përdori Jehovai ndonjë metodë më mbresëlënëse për të komunikuar me njerëzit, si për shembull, një zë nga qielli?’ Në të vërtetë, Jehovai foli disa herë nga qielli nëpërmjet përfaqësuesve engjëllorë. Këtë e bëri, për shembull, kur i dha Ligjin Izraelit. (Galatasve 3:19) Zëri që vinte nga qielli ishte kaq madhështor, saqë izraelitët e tmerruar kërkuan që Jehovai të mos fliste me ta në këtë mënyrë, por të komunikonte me anë të Moisiut. (Dalja 20:18-20) Kështu, Ligji i përbërë nga rreth 600 rregulla iu transmetua gojarisht Moisiut, fjalë për fjalë.

4. Shpjego pse përcjellja e ligjeve gojë më gojë nuk do të kishte qenë një metodë e besueshme për të dhënë ligjet e Perëndisë.

4 Por, ç’do të ndodhte sikur Ligji të mos ishte hedhur kurrë me shkrim? A do të kishte qenë në gjendje Moisiu të mbante mend me saktësi si ishte shprehur ai kod i hollësishëm ligjor dhe t’ia përcillte pa asnjë mangësi pjesës tjetër të kombit? Po brezat e ardhshëm si do t’ia bënin? A do t’u duhej të mbështeteshin vetëm te fjalët e përcjella gojarisht? Me siguri kjo s’do të kishte qenë një metodë e besueshme për të përcjellë ligjet e Perëndisë. Mendo se çfarë do të ndodhte sikur të doje t’ia përcillje një tregim një radhe të gjatë njerëzish, duke ia treguar të parit që ishte afër teje, i cili do t’ia tregonte atij që kishte afër e kështu me radhë. Varianti që do të dëgjonte personi në fund të rreshtit ka shumë të ngjarë që të ishte mjaft i ndryshëm nga origjinali. Fjalët e Ligjit të Perëndisë nuk ishin në një rrezik të tillë.

5, 6. Çfarë i tha Jehovai Moisiut që të bënte me fjalët e Tij, dhe pse për ne është një bekim që e kemi të shkruar Fjalën e Jehovait?

5 Me mençuri Jehovai zgjodhi që fjalët e tij të hidheshin me shkrim. Ai e udhëzoi Moisiun: «Shkruaji këto fjalë, sepse në përputhje me to po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.» (Dalja 34:27) Kështu filloi epoka e shkrimit të Biblës, në vitin 1513 p.e.s. Gjatë 1.610 vjetëve që kaluan, Jehovai «u foli në shumë raste dhe në shumë mënyra» rreth 40 shkrimtarëve njerëzorë që shkruan Biblën. (Hebrenjve 1:1) Ndërkohë kopjues të përkushtuar u përkujdesën shumë për të riprodhuar kopje të sakta, me qëllim që t’i ruanin Shkrimet.​—Ezdra 7:6; Psalmi 45:1.

6 Jehovai na ka bekuar vërtet duke komunikuar me shkrim me ne. Të ka ndodhur ndonjëherë të marrësh një letër që është kaq e shtrenjtë për ty, ndoshta ngaqë të ka ngushëlluar kur kishe nevojë, saqë e ke ruajtur dhe e lexon herë pas here? Është e njëjta gjë me «letrën» që na ka dërguar Jehovai. Meqë Jehovai bëri që fjalët e tij të shkruheshin, kemi mundësi t’i lexojmë rregullisht dhe të meditojmë për atë që thonë. (Psalmi 1:2) Mund të marrim ‘ngushëllimin nga Shkrimet’ sa herë që kemi nevojë.​—Romakëve 15:4.

Pse përdori njerëz si shkrimtarë?

7. Si bëhet e qartë mençuria e Jehovait në faktin që përdori njerëz si shkrimtarë?

7 Duke vepruar me mençuri, Jehovai përdori njerëz për të shkruar Fjalën e tij. Mendo për këtë: a do të kishte Bibla të njëjtën fuqi tërheqëse, në qoftë se Jehovai do të kishte përdorur engjëj për ta shkruar atë? Kuptohet, engjëjt mund ta kishin paraqitur Jehovain siç e shihnin nga këndvështrimi i tyre i lartë, mund të kishin shprehur përkushtimin e tyre ndaj tij dhe mund të kishin raportuar për shërbëtorë besnikë njerëzorë të Perëndisë. Por, a do të ishim ne vërtet në gjendje të kishim të njëjtin këndvështrim si krijesat e përsosura frymore, të cilat kanë njohuri, përvojë dhe forcë shumë më të madhe se ne?​—Hebrenjve 2:6, 7.

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»

8. Në ç’mënyrë u lejuan shkrimtarët e Biblës të përdornin aftësitë e tyre mendore? (Shih edhe shënimin.)

8 Duke përdorur shkrimtarë njerëzorë, Jehovai na dha pikërisht çfarë na nevojitej, domethënë një tekst që është «i frymëzuar nga Perëndia», e megjithatë përmban edhe elementin njerëzor. (2 Timoteut 3:16) Si e arriti këtë? Me sa duket, në shumë raste i lejoi shkrimtarët që të përdornin aftësitë e tyre mendore për të zgjedhur ‘fjalë të këndshme dhe për të shkruar fjalë të sakta të së vërtetës’. (Eklisiastiu 12:10, 11) Kjo shpjegon pse Bibla ka një shumëllojshmëri stilesh: shkrimet pasqyronin formimin dhe personalitetin e secilit shkrimtar. * Gjithsesi, këta burra «folën atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjetrit 1:21) Kështu, produkti përfundimtar është vërtet ‘fjala e Perëndisë’.​—1 Selanikasve 2:13.

9, 10. Pse fakti që u përdorën njerëz si shkrimtarë i ka dhënë Biblës më tepër ngrohtësi dhe forcë tërheqëse?

9 Meqë u përdorën njerëz si shkrimtarë të Biblës, kjo i dha asaj një ngrohtësi dhe forcë tërheqëse të jashtëzakonshme. Shkrimtarët e saj ishin njerëz me ndjenja si tonat. Duke qenë të papërsosur, ata hasën sprova dhe presione si ato që hasim ne. Në disa raste, fryma e Jehovait i frymëzoi që të shkruanin për ndjenjat e tyre dhe për luftën që zhvillohej brenda tyre. (2 Korintasve 12:7-10) Kështu, duke rrëfyer në vetën e parë, ata thanë fjalë që asnjë engjëll nuk do të mund t’i kishte shprehur.

10 Të marrim për shembull mbretin David të Izraelit. Pasi kishte kryer disa mëkate të rënda, Davidi kompozoi një psalm ku i zbrazte zemrën Perëndisë, duke iu lutur që ta falte. Ai shkroi: «Pastromë nga mëkati im. Sepse i di shkeljet e mia dhe mëkatin tim e kam vazhdimisht përpara. Ja, në gabim erdha në dritë mes dhembjeve të lindjes dhe në mëkat më ngjizi nëna ime. Mos më flak larg fytyrës sate dhe mos e hiq prej meje frymën tënde të shenjtë. Flijimet që i bëhen Perëndisë janë një frymë e vrarë; zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.» (Psalmi 51:2, 3, 5, 11, 17) S’mund të mos e ndiesh brengën që shpreh shkrimtari në këto fjalë. Kush tjetër, përveç një njeriu të papërsosur, mund të shprehte ndjenja të tilla nga zemra?

Përse një libër që flet për njerëz?

11. Çfarë shembujsh nga jeta reale janë përfshirë në Bibël «për mësimin tonë»?

11 Ka edhe diçka tjetër që ia shton Biblës forcën tërheqëse. Në përgjithësi, ajo është një libër që flet për njerëz realë, disa që i shërbyen e disa që nuk i shërbyen Perëndisë. Lexojmë për përvojat që patën, për vështirësitë dhe gëzimet e tyre. Shohim se ku i çuan zgjedhjet që bënë në jetë. Këto tregime u përfshinë «për mësimin tonë». (Romakëve 15:4) Nëpërmjet këtyre shembujve nga jeta reale, Jehovai na mëson në mënyra që na prekin zemrën. Shqyrto disa prej tyre.

12. Si na ndihmojnë tregimet biblike për njerëzit jobesnikë?

12 Bibla na tregon për njerëz jobesnikë, e madje të ligj, dhe për atë që u ndodhi atyre. Në këto tregime i shohim në veprim cilësitë e padëshirueshme dhe kjo na e bën më të lehtë t’i kuptojmë se çfarë janë. Për shembull, cili urdhër kundër pabesisë do të ishte më i fuqishëm sesa shembulli i gjallë i kësaj cilësie te tradhtari Judë që bëri komplotin kundër Jezuit? (Mateu 26:14-16, 46-50; 27:3-10) Tregime si ky na e prekin më shumë zemrën, duke na ndihmuar t’i kuptojmë dhe t’i hedhim poshtë këto cilësi të neveritshme.

13. Si na ndihmon Bibla të kuptojmë cilësitë e dëshirueshme?

13 Bibla përshkruan edhe shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë. Lexojmë për përkushtimin dhe për besnikërinë e tyre. Shohim shembuj të gjallë të cilësive që duhet të zhvillojmë për t’iu afruar Perëndisë. Ja, për shembull, të shqyrtojmë cilësinë e besimit. Bibla e përkufizon besimin dhe na thotë se sa i domosdoshëm është ai për t’i pëlqyer Perëndisë. (Hebrenjve 11:1, 6) Por ajo përmban edhe shembuj të gjallë të njerëzve që treguan besim. Mendo për besimin që tregoi Abrahami kur provoi të flijonte Isakun. (Zanafilla, kapitulli 22; Hebrenjve 11:17-19) Nëpërmjet këtyre tregimeve, fjala «besim» merr më shumë domethënie dhe bëhet më e lehtë për t’u kuptuar. Sa gjë e mençur që Jehovai jo vetëm na bën thirrje të zhvillojmë cilësi të dëshirueshme, por siguron edhe shembuj se si shfaqen këto cilësi në veprim!

14, 15. Çfarë na thotë Bibla për një grua që shkoi në tempull, dhe çfarë mësojmë për Jehovain nga ky tregim?

14 Tregimet nga jeta reale që gjejmë në Bibël shpesh na mësojnë diçka për llojin e personit që është vetë Jehovai. Mendo për atë që lexojmë lidhur me një grua, të cilën Jezui e pa ndërsa ishte në tempull. I ulur afër arkave të thesarit, Jezui po vërente njerëzit që hidhnin kontribute. Erdhën shumë të pasur që dhanë «nga teprica e tyre». Por shikimi i Jezuit u ngulit te një vejushë e varfër. Dhurata e saj përbëhej nga «dy monedha të vogla, që kanë shumë pak vlerë». * Ishin paratë e fundit që kishte. Jezui, i cili pasqyronte me përsosmëri pikëpamjen e Jehovait, komentoi: «Kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se të gjithë ata që hedhin para në arkat e thesarit.» Sipas këtyre fjalëve, ajo hodhi më shumë se të gjithë të tjerët, të marrë së bashku.​—Marku 12:41-44; Luka 21:1-4; Gjoni 8:28.

15 A nuk është diçka domethënëse që nga të gjithë njerëzit që erdhën në tempull atë ditë, kjo vejushë u veçua nga të tjerët dhe u përmend në Bibël? Me këtë shembull Jehovai na mëson se është një Perëndi mirënjohës. Ai i pranon me kënaqësi dhuratat që i bëjmë me gjithë shpirt, pavarësisht se sa janë ato në krahasim me atë që mund të japin të tjerët. Vështirë se Jehovai do të kishte gjetur një mënyrë më të mirë për të na mësuar këtë të vërtetë që na e ngroh zemrën!

Gjëra që Bibla nuk i përmban

16, 17. Si shihet mençuria e Jehovait edhe në gjërat që ka zgjedhur të mos i përfshijë në Fjalën e tij?

16 Kur i shkruan letër një njeriut tënd të afërt, gjërat që mund të thuash në të janë të kufizuara. Prandaj e zgjedh me maturi se çfarë do t’i shkruash. Po ashtu, Jehovai zgjodhi të përmendte në Fjalën e tij disa individë dhe ngjarje. Por në këto tregime, Bibla nuk i përmend gjithnjë të tëra hollësitë. (Gjoni 21:25) Për shembull, kur Bibla tregon si është ekzekutuar gjykimi i Perëndisë, informacioni që na jepet mund të mos i përgjigjet çdo pyetjeje. Mençuria e Jehovait shihet edhe në gjërat që ka zgjedhur të mos i përfshijë në Fjalën e tij. Si është e mundur?

17 Mënyra si është shkruar Bibla shërben për të vënë në provë se çfarë kemi në zemër. Te Hebrenjve 4:12 thuhet: «Fjala e [ose mesazhi i] Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» Mesazhi i Biblës depërton thellë, duke zbuluar mendimet dhe motivet tona të vërteta. Ata që e lexojnë Biblën me një qëndrim kritik në zemër, shpesh pengohen nga tregimet që nuk përmbajnë mjaft informacion sa t’i kënaqë. Madje, këta persona mund të vënë në dyshim nëse Jehovai është vërtet i dashur, i mençur e i drejtë.

18, 19. (a) Pse nuk duhet të shqetësohemi në rast se një tregim i Biblës bën të na lindin pyetje që nuk ua gjejmë dot menjëherë përgjigjet? (b) Çfarë nevojitet për të kuptuar Fjalën e Perëndisë dhe si është ky një tregues i mençurisë së madhe të Jehovait?

18 Në dallim me këtë, kur e studiojmë me kujdes Biblën me një zemër të sinqertë, arrijmë ta shohim Jehovain në kontekstin në të cilin e paraqet e gjithë Bibla. Kështu që nuk shqetësohemi në qoftë se ndonjë tregim ngre disa pyetje për të cilat nuk i gjejmë dot menjëherë përgjigjet. Të bëjmë një ilustrim: ndoshta po ndërtojmë një mozaik dhe nuk arrijmë të gjejmë dot menjëherë një copëz të veçantë ose nuk arrijmë të kuptojmë se ç’lidhje ka me mozaikun një copëz që kemi në dorë. Mirëpo, mund të kemi vendosur bashkë mjaft copëza të mozaikut sa për të kuptuar se si do të jetë e gjithë figura. Në mënyrë të ngjashme, kur e studiojmë Biblën, dalëngadalë mësojmë se ç’lloj Perëndie është Jehovai dhe na krijohet një tablo e qartë. Ndoshta mund të mos e kuptojmë menjëherë ndonjë tregim ose të mos e shohim se ç’lidhje ka me personalitetin e Perëndisë. Gjithsesi, nga studimi i Biblës tashmë kemi mësuar më se mjaftueshëm për Jehovain, sa të mund ta shohim që ai pa dyshim është një Perëndi i dashur, i paanshëm dhe i drejtë.

19 Prandaj, për ta kuptuar Fjalën e Perëndisë duhet ta lexojmë e ta studiojmë me zemër të sinqertë e me mendje të hapur. A nuk është kjo provë e mençurisë madhështore të Jehovait? Njerëzit e zgjuar mund të shkruajnë libra që i kuptojnë vetëm «njerëzit e mençur e intelektualë». Porse të jesh autor i një libri që mund ta kuptojnë vetëm ata që kanë motivin e duhur në zemër​—këtë mund ta bëjë vetëm mençuria e Perëndisë!​—Mateu 11:25.

Një libër me «mençuri praktike»

20. Pse vetëm Jehovai mund të na thotë cila është mënyra më e mirë për të jetuar, dhe çfarë përmban Bibla për të na ndihmuar?

20 Në Fjalën e tij Jehovai na tregon cila është mënyra më e mirë për të jetuar. Si Krijuesi ynë ai i njeh nevojat tona më mirë se ne. E nevojat themelore të njerëzve, përfshirë dëshirën për të gjetur dashuri, për të qenë të lumtur dhe për të pasur marrëdhënie të suksesshme, kanë mbetur po ato. Bibla përmban një bollëk me «mençuri praktike», e cila mund të na ndihmojë të bëjmë një jetë domethënëse. (Proverbat 2:7) Çdo pjesë e këtij libri ndihmës për studim përmban një kapitull që tregon se si mund t’i zbatojmë këshillat e mençura të Biblës, por le të shqyrtojmë këtu vetëm një shembull.

21-23. Cila këshillë e mençur mund të na ndihmojë që të mos ushqejmë zemërim dhe mëri?

21 A të ka rënë në sy ndonjëherë se njerëzit që mbajnë mëri e ushqejnë inat shpesh përfundojnë duke dëmtuar veten? Mëria është një barrë e rëndë për t’u mbajtur në jetë. Kur ushqejmë mëri, ajo na zapton mendimet, na e heq paqen dhe na mbyt gëzimin. Disa studime shkencore japin mendimin se zemërimi, po të ushqehet, mund ta rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të shumë sëmundjeve të tjera kronike. Shumë kohë më përpara se këto studime shkencore, Bibla me mençuri thoshte: «Lëre zemërimin dhe ik nga tërbimi.» (Psalmi 37:8) Por, si mund ta bëjmë këtë?

22 Fjala e Perëndisë jep këtë këshillë të mençur: «Gjykimi i thellë e ngadalëson me siguri zemërimin e njeriut dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» (Proverbat 19:11) Gjykimi i thellë është aftësia për të parë përtej pamjes së jashtme të gjërave, për të kërkuar përtej asaj që duket qartë. Gjykimi i thellë sjell si pasojë kuptueshmërinë, pasi mund të na ndihmojë të përcaktojmë pse individi tjetër foli ose veproi në njëfarë mënyre. Të përpiqemi të kuptojmë motivet, ndjenjat dhe rrethanat e tij të vërteta mund të na ndihmojë që të largojmë mendimet dhe ndjenjat negative që kemi ndaj tij.

23 Bibla përmban këtë këshillë të mëtejshme: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.» (Kolosianëve 3:13) Shprehja «vazhdoni të duroni njëri-tjetrin» përcjell idenë që të jemi të durueshëm me të tjerët, duke i toleruar ato tipare të karakterit që mund të na acarojnë. Kjo vetëpërmbajtje mund të na ndihmojë që të mos ushqejmë mëri për gjëra të kota. ‘Të falim’ përcjell idenë që të mos mbajmë më inat. Perëndia ynë i mençur e di se duhet t’i falim të tjerët kur ka një bazë të shëndoshë për ta bërë këtë. Kjo është jo vetëm për të mirën e tyre, por edhe që ne të kemi paqe në mendje e në zemër. (Luka 17:3, 4) Çfarë mençurie që gjendet në Fjalën e Perëndisë!

24. Çfarë vjen si rrjedhim kur e vëmë jetën në harmoni me mençurinë hyjnore?

24 I shtyrë nga dashuria e tij e pakufishme, Jehovai donte të komunikonte me ne. Zgjodhi mënyrën më të mirë për ta bërë këtë: një «letër» të shkruar nga shkrimtarë njerëzorë nën udhëheqjen e frymës së shenjtë. Prandaj në faqet e saj gjendet vetë mençuria e Jehovait. Kjo mençuri është ‘jashtëzakonisht e denjë për besim’. (Psalmi 93:5) Kur e vëmë jetën në harmoni me të dhe u flasim edhe të tjerëve për të, afrohemi natyrshëm me Perëndinë tonë që ka mençuri të pakufishme. Në kapitullin vijues, do të trajtojmë një shembull tjetër të jashtëzakonshëm të mençurisë largpamëse të Jehovait: zotësinë e tij për të parathënë të ardhmen dhe për të përmbushur qëllimin e tij.

^ par. 8 Për shembull, Davidi, që ishte bari, përdor shembuj nga jeta e barinjve. (Psalmi 23) Mateu, që kishte qenë taksambledhës, përmend shumë herë shifra dhe vlera monetare. (Mateu 17:27; 26:15; 27:3) Luka, që ishte mjek, përdor fjalë që pasqyrojnë formimin e tij si mjek.​—Luka 4:38; 14:2; 16:20.

^ par. 14 Secila nga këto monedha ishte një lepton, monedha më e vogël judaike që ishte në qarkullim në atë kohë. Dy lepta ishin sa 1/64 e pagës së një dite. Këto dy monedha nuk mjaftonin as për të blerë një harabel, që ishte zogu me çmim më të lirë i përdorur si ushqim nga të varfrit.