MËSIMI 19
Kush është skllavi i besueshëm dhe i matur?
Pak para vdekjes, Jezui bëri një bisedë kokë më kokë me katër nga dishepujt e tij—Pjetrin, Jakovin, Gjonin dhe Andrean. Ndërsa po parathoshte shenjën e pranisë së tij në ditët e fundit, ai ngriti një pyetje jetësore: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?» (Mateu 24:3, 45; Marku 13:3, 4) Jezui po i siguronte dishepujt se, si «zotëria» i tyre, do të emëronte një grup njerëzish që do t’u siguronte vazhdimisht ushqim frymor ithtarëve të tij gjatë ditëve të fundit. Nga cilët do të përbëhej ky skllav?
Është një grup i vogël dishepujsh të mirosur të Jezuit. «Skllavi» është Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Ai u shpërndan ushqim frymor bashkadhuruesve tamam atëherë kur u nevojitet. Ne varemi nga ‘furnizimet e mjaftueshme me ushqim në kohën e duhur’ që na jep vazhdimisht skllavi i besueshëm.—Luka 12:42.
Administron shtëpinë e Perëndisë. (1 Timoteut 3:15) Jezui i dha skllavit përgjegjësinë e rëndësishme që të administrojë veprën e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait—të kujdeset për të mirat e saj materiale, të drejtojë veprën e predikimit dhe të na mësojë me anë të kongregacionit. Kështu, për të na siguruar atë që na duhet në kohën e duhur, «skllavi i besueshëm dhe i matur» shpërndan ushqim frymor me anë të botimeve që përdorim në shërbim, si edhe nëpërmjet programeve që zhvillohen në mbledhje e asamble.
Skllavi tregohet i besueshëm ndaj të vërtetave biblike dhe ndaj detyrës për të predikuar lajmin e mirë. Gjithashtu, tregohet i matur pasi kujdeset me mençuri për interesat e Krishtit në tokë. (Veprat 10:42) Rritja e popullit të Jehovait dhe ushqimi i bollshëm frymor tregojnë se ai po e bekon punën e skllavit.—Isaia 60:22; 65:13.
-
Kë emëroi Jezui që të ushqente frymësisht dishepujt e tij?
-
Në cilat mënyra është i besueshëm dhe i matur skllavi?