Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Ndërrimi i fesë në Britani
Britanikët po ndryshojnë fenë me një shpejtësi më të madhe se kurrë më parë, me rreth 1.000 veta çdo javë, raporton The Sunday Telegraph. «Anglikanët po bëhen katolikë dhe anasjelltas, judenjtë po bëhen budistë, myslimanët anglikanë dhe katolikët judenj.» Shumica e njerëzve që kanë ndryshuar fenë kanë përkrahur islamizmin, budizmin, lëvizjen New Age dhe paganizmin. Dr. Ahmed Endrjusi, nga Universiteti i Derbit në Angli, i cili ka ndryshuar edhe vetë fenë, thotë: «Janë nga 5.000 deri në 10.000 persona të racës së bardhë që janë bërë myslimanë në këtë vend dhe shumica e atyre që njoh kanë qenë katolikë.» Judenjtë përbëjnë nga 10 deri në 30 për qind të të kthyerve në budizëm. Kthimi i anglikanëve në besimin katolik arriti kulmin pasi Kisha e Anglisë vendosi të shuguronte gra. Xhonatan Romeini, një rabin, thotë se «njerëzit ndiejnë një zbrazëti shpirtërore, kështu që kërkojnë përtej mjedisit të tyre fetar».
Stili i jetës dhe kanceri
Gazeta The Guardian e Londrës raporton se «një studim i bërë me afërsisht 90.000 binjakë ka treguar se në shumicën e rasteve kanceri shkaktohet nga vendi ku jeni, nga ajo që bëni dhe nga ajo që ndodh në jetën tuaj, më tepër se nga njeriu që jeni». Dr. Pol Lihtenshtaini, nga Instituti Karolinska i Suedisë, drejtonte ekipin e kërkuesve për këtë studim. Ai thotë: «Faktorët e mjedisit janë më të rëndësishëm sesa faktorët gjenetikë.» Shkencëtarët besojnë se rreth 35 për qind e rasteve me kancer shkaktohen nga pirja e duhanit, kurse 30 për qind e rasteve të tjera, me sa duket, lidhen me të ushqyerin. Faktorët gjenetikë luajnë rol në kancerin e prostatës, në kancerin e rektumit dhe në kancerin e gjirit, por dr. Tim Keji, nga Fondi Perandorak i Kërkimeve për Kancerin në Oksford, Angli, këshillon: «Edhe nëse . . . keni pasur persona të familjes me kancer, ajo që ka shumë më tepër rëndësi është ajo që bëni me jetën tuaj. Nuk duhet të pini duhan, duhet të kujdeseni për atë që hani. Janë këto gjëra që kanë vërtet peshë.»
Përdoreni trurin
«Gjallëria e trurit mund të mbetet e padëmtuar gjatë gjithë jetës, për sa kohë i bëjmë ushtrime trurit»,—pohon gazeta Vancouver Sun. «Lexoni, lexoni, lexoni»,—thotë dr. Amir Soasi i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Case Western Reserve në Ohajo, SHBA. Për të ruajtur fuqinë e trurit ndërsa plakeni, zgjidhni veprimtari që bëhen në kohën e lirë e që vënë në përdorim mendjen, studioni një gjuhë të re, mësoni t’i bini një vegle muzikore ose merrni pjesë në biseda nxitëse. «Çdo gjë që nxit trurin për të menduar»,—thotë dr. Soasi. Ai nxit, gjithashtu, për të parë më pak televizor. «Kur shikoni televizor, truri është në një gjendje joaktiviteti»,—thotë ai. Gazeta Sun shton se një tru i shëndetshëm ka nevojë edhe për oksigjen, i cili pompohet nëpërmjet arterieve të shëndetshme. Në këtë mënyrë, ushtrimet dhe i ushqyeri i përshtatshëm, të njëjtat gjëra që ndihmojnë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe diabetin, ndihmojnë po ashtu edhe trurin.
Elefantët «nuk i harrojnë miqtë e tyre»
«Elefantët nuk harrojnë kurrë ose, të paktën, nuk harrojnë miqtë e tyre»,—raporton revista New Scientist. Dr. Karen Mekombi, nga Universiteti i Suseksit, Angli, regjistroi «thirrjet komunikuese» grykore të elefantëve afrikanë femra në Parkun Kombëtar Amboseli, Kenia. Ajo vëzhgonte se cilët elefantë do të takoheshin shpesh bashkë dhe cilët ishin të huaj për njëri-tjetrin. Më pas riktheu shiritin, që 27 familje elefantësh të dëgjonin thirrjet e veta, për të studiuar si do të reagonin. Nëse kafshët e njihnin mirë atë që thërriste, i përgjigjeshin menjëherë. Nëse e njihnin fare pak, thjesht e dëgjonin, por nuk përgjigjeshin. Kurse një thirrje e panjohur i shqetësonte, si edhe i bënte të viheshin në mbrojtje. «Nga thirrjet mund të njihnin anëtarët e të paktën 14 familjeve të tjera. Kjo tregon se çdo elefant mund të mbajë mend rreth 100 elefantë të tjerë të rritur»,—pohonte artikulli. Elefantët mund të mbajnë mend edhe njerëzit. Xhon Patrixh, përgjegjësi për gjitarët në Kopshtin Zoologjik të Bristolit, Angli, thotë se ‘një elefant aziatik me të cilin punoi për 18 vjet, e njohu kur ai u kthye pas një ndërprerjeje prej tre vjetësh’.
Kontrabandistë modernë të drogës
Në të kaluarën kontrabandistët kolumbianë të drogës i fshihnin ngarkesat e tyre me drogë tek aeroplanët dhe anijet që mbanin pasagjerë. Megjithatë, kohët e fundit
autoritetet u mahnitën kur zbuluan se kontrabandistët po ndërtonin një nëndetëse të teknologjisë moderne, me shtresë të jashtme dhe të brendshme, me një diametër më shumë se 3 metra. Kjo nëndetëse ishte në gjendje të mbante rreth 200 tonë kokainë. Banorë dyshues aty afër, e drejtuan policinë për në «një magazinë jashtë Bogotas, 2.300 metra lart në malet Ande, si dhe 300 kilometra larg nga çdo port»,—thotë The New York Times. «Mjeti lundrues 30-metrosh mund të ketë kaluar një oqean, të ketë dalë në sipërfaqe pranë Majamit ose qyteteve të tjera bregdetare dhe në fshehtësi të ketë shkarkuar ngarkesën me drogë.» Megjithëse asnjëri nuk u gjend në vendndodhje ose u arrestua, mendohet se janë përfshirë kriminelë rusë dhe amerikanë bashkë me një inxhinier të aftë nëndetësesh. Autoritetet thanë se pajisjet gjysmërimorkio mund ta kenë transportuar nëndetësen në tri zona të bregdetit të Paqësorit. Ata u mahnitën nga mjeshtëria dhe përpjekjet e bëra nga trafikantët e drogës për të eksportuar produktet e tyre.Kafshët lulëzojnë në DMZ
«Që nga koha kur DMZ [Zona e Çmilitarizuar] u themelua me përfundimin e luftës në Kore në vitin 1953, masat e sigurisë e kanë lënë mjedisin natyror aty dhe zonën rrethuese shumë të patrazuar,—pohon The Wall Street Journal.—Ndërsa zhvillimi ekonomik ka shkatërruar shumë pjesë të tokës në të dy Koretë, zona kufitare është bërë strehimi më i rëndësishëm në gadishull për kafshët.» Zogj dhe kafshë të rralla dhe të rrezikuara gjejnë strehim këtu. Mendohet se këtu ka edhe tigra e leopardë. Studiuesit që merren me mjedisin tani janë të shqetësuar, pasi përpjekjet në kohët e fundit për paqe ndërmjet Koresë së Veriut dhe të Jugut mund të shkatërrojnë strehën DMZ të kafshëve. Prandaj ata po kërkojnë që të bëhet një «‘rezervat paqësor’ në të dy anët e kufirit» për të ruajtur jetën shtazore atje, si edhe për të bërë të mundur që kafshët e të dyja Koreve të çiftohen. The Journal thotë: «Studiuesit e mjedisit marrin zemër nga besimi se paqja mund të ndihmojë që këto kafshë të ribashkohen, ashtu si ngrohja e marrëdhënieve ka bashkuar tashmë pjesëtarë të familjeve të ndara prej shumë kohësh.»
Pushimet e tensionuara të drekës
«Në Britaninë e fuqishme, vetëm pulat e lagura kalojnë kohë për të ngrënë drekë, kurse ata që janë qen të punës heqin dorë nga vakti i mesditës dhe preferojnë më mirë një sanduiç për ta ngrënë në tavolinën e punës»,—raporton Financial Times e Londrës. Studime të kohëve të fundit tregojnë se në Britani «ora e drekës» tani është mesatarisht vetëm 36 minuta. Ekspertët e mjekësisë thonë se një pushim në mesditë lehtëson stresin. Por disa punëdhënës organizojnë mbledhje në kohën e drekës, duke mos u dhënë në këtë mënyrë punëtorëve aspak pushim. Vëzhguesi i organizimit të kërkimeve, i cili përpiloi raportin vëren: «Të zënë në kurth në një shoqëri, e cila kërkon më shumë rendiment nga punëtorët e saj dhe e shikon kohën si diçka të shtrenjtë, pushimi i drekës është për shumë veta një ndërprerje e papërshtatshme, vetëm sa për të marrë ushqim.» Vëzhguesja analiste Sara Nuni shton: «Po konkurrojmë në tregjet botërore. Nuk është më e mundur për të thënë: ‘Do ta bëj këtë më vonë.’ Duhet bërë tani.»
Varësia ndaj duhanit në Meksikë
Si pjesë e një programi të kohëve të fundit për parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të varësisë ndaj duhanit në Meksikë, Hoze Antonio Gonzales Fernandezi, në atë kohë sekretar kombëtar për shëndetin, vërejti se 27,7 për qind e meksikanëve pinë duhan. Shqetësimi më i madh është se përafërsisht një milion duhanpirës janë nga mosha 12 deri 17 vjeç. Z. Gonzales tha se afro 122 meksikanë vdesin çdo ditë për shkak të zakonit të pirjes së duhanit. Ai shprehu keqardhjen për «çmimin e lartë që kjo paraqet për zhvillimin ekonomik të kombit, për vitet e humbura të jetës frytdhënëse njerëzore, si edhe për dëmin e tërthortë që pësojmë për shkak të atyre që pinë duhan përreth nesh».
A po i plotësojnë nevojat frymore?
Në gazetën e Kanadasë Globe and Mail, thuhet se popullariteti në rritje i njerëzve të spikatshëm, me ndikim të madh, të cilët mbështetin vetëbesimin, një mënyrë të menduari pozitive dhe suksesin personal «përputhet me një prirje të njerëzve për t’u larguar nga feja e organizuar». «Interesi për gjërat frymore është shumë i gjallë, por interesi për burimet tradicionale po humbet.» Kërkimet tregojnë se edhe pse 80 për qind e kanadezëve thonë se besojnë te Perëndia, 22 për qind e atyre që pohojnë se janë të krishterë i japin më shumë rëndësi bindjeve të tyre personale, sesa mësimeve të ndonjë kishe. Artikulli i gazetës Globe e quan gjendjen frymore të siguruar nga këto metoda për përmirësimin vetjak si «diçka që të ndihmon për të rifituar energji dhe për të arritur sukses».