Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e toleronte Perëndia tregtinë e skllevërve?

A e toleronte Perëndia tregtinë e skllevërve?

Pikëpamja e Biblës

A e toleronte Perëndia tregtinë e skllevërve?

TRUPA të nxirë e të djersitur, të përkulur thuajse më dysh, tërheqin këmbët zvarrë nëpër ura të lëvizshme, nën ngarkesat dërrmuese të dëngjeve të stërmëdha të pambukut. Mbikëqyrësit mizorë me kamxhikë lëkure i detyrojnë të punojnë. Fëmijë që ulërijnë shkëputen me forcë nga krahët e nënave që qajnë dhe u shiten atyre që ofrojnë më shumë në ankand. Ka të ngjarë që këto të jenë pamjet e zymta dhe brutale që ju vijnë në mendje kur mendoni për skllavërinë.

Për ironi, thuhet se shumë tregtarë skllevërish dhe pronarë skllevërish ishin individë shumë fetarë. Historiani Xhejms Uolvini shkroi: «Kishte qindra njerëz të tillë, evropianë dhe amerikanë, të cilët lëvdonin Zotërinë për bekimin e tij, duke dhënë falënderime për tregtinë fitimprurëse dhe të sigurt në Afrikë, ndërsa lundronin me anijet me skllevër përmes oqeanit dhe drejtoheshin për në hemisferën perëndimore.»

Disa njerëz kanë pohuar madje se Perëndia e toleronte tregtinë e skllevërve. Për shembull, në një fjalim në Konferencën e Përgjithshme të Kishës Metodiste Protestante më 1842, Aleksandër Mekeini tha se instintucioni i skllavërisë u «caktua nga vetë Perëndia». A kishte të drejtë Mekeini? A e miratonte Perëndia rrëmbimin dhe përdhunimin e vajzave, ndarjen e pashpirt të familjeve dhe rrahjet mizore, që ishin pjesë e tregtisë së skllevërve në ditët e Mekeinit? Ç’të themi për ata miliona njerëz sot, të cilët janë të detyruar të jetojnë dhe të punojnë si skllevër nën kushte të tmerrshme? A e toleron Perëndia një trajtim të tillë çnjerëzor?

Skllavëria dhe izraelitët

Bibla thotë se «një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar». (Predikuesi 8:9) Kjo ndoshta është më e dukshme sesa kudo në format shtypëse të skllavërisë që ka shpikur njeriu. Perëndia Jehova nuk është mospërfillës ndaj vuajtjeve që ka shkaktuar skllavëria.

Për shembull, le të shqyrtojmë një situatë në të cilën u ndodhën izraelitët. Bibla na tregon se egjiptianët «ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune [skllavërie, BR] në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi». Izraelitët «rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre . . . u ngjit deri te Perëndia». A ishte Jehovai mospërfillës ndaj gjendjes së tyre të mjerueshme? Përkundrazi, «Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin». Për më tepër Jehovai i tha popullit të tij: «Do t’ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t’ju çliroj nga skllavërimi i tyre.»—Eksodi 1:14; 2:23, 24; 6:6-8.

Qartë, Jehovai nuk e miratonte ‘sundimin e njeriut mbi një tjetër’ me anë të skllavërisë së egër. Por, më vonë, a nuk e lejoi Perëndia skllavërinë mes popullit të tij? Po, vërtet. Megjithatë, skllavëria që ekzistonte në Izrael ishte shumë e ndryshme nga format tiranike të skllavërisë që kanë ekzistuar përgjatë gjithë historisë.

Ligji i Perëndisë thoshte se rrëmbimi dhe shitja e një njeriu dënohej me vdekje. Për më tepër, Jehovai siguroi udhëzime për të mbrojtur skllevërit. Për shembull, nëse një skllav gjymtohej nga zotëria i tij do të lirohej. Nëse një skllav vdiste nga rrahjet e zotërisë, zotëria do të dënohej me vdekje. Gratë robinja mund të bëheshin skllave ose mund të merreshin si bashkëshorte. Por nuk duhej të përdoreshin vetëm për kënaqësi seksuale. Thelbi i Ligjit duhet t’i ketë shtyrë izraelitët me zemër të drejtë t’i trajtonin skllevërit me respekt dhe mirëdashje, si të ishin punëtorë me mëditje.—Eksodi 20:10; 21:12, 16, 26, 27; Levitiku 22:10, 11; Ligji i përtërirë 21:10-14.

Disa judenj vullnetarisht u bënë skllevër ndaj judenjve të tjerë, me qëllim që të shlyenin borxhet. Kjo praktikë e mbronte popullin nga uria dhe faktikisht i jepte mundësi shumë vetave të merrnin veten nga varfëria. Për më tepër, kur kishte momente të rëndësishme në kalendarin jude, skllevërit duhej të liroheshin, nëse kishin dëshirë. * (Eksodi 21:2; Levitiku 25:10; Ligji i përtërirë 15:12) Duke komentuar për këto ligje lidhur me skllevërit, Moisi Milzineri, një dijetar jude tha se një «skllav nuk pushonte kurrë së qeni njeri, ai shihej si një person që kishte disa të drejta njerëzore të natyrshme, të cilat as zotëria nuk kishte të drejtë t’i prekte». Çfarë kontrasti i madh me sistemet e egra të skllavërisë që shëmtojnë kronikat e historisë!

Skllavëria dhe të krishterët

Skllavëria ishte pjesë e sistemit ekonomik të Perandorisë Romake, nën të cilën jetonin të krishterët e shekullit të parë. Prandaj, disa të krishterë ishin skllevër dhe disa të tjerë kishin skllevër. (1 Korintasve 7:21, 22) Por, a do të thotë kjo se dishepujt e Jezuit ishin pronarë të egër skllevërish? Sigurisht që jo! Pavarësisht nga ajo që lejonte ligji romak, mund të jemi të sigurt se të krishterët nuk i keqtrajtonin ata që ishin nën autoritetin e tyre. Madje, apostulli Pavël e nxiti Filemonin ta trajtonte skllavin e tij Onesimin, i cili ishte bërë i krishterë, si «vëlla». *Filemonit 10-17.

Bibla nuk tregon aspak se skllavërimi i njerëzve nga njerëz të tjerë ishte pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë për njerëzimin. Për më tepër, asnjë profeci biblike nuk lë të nënkuptohet se në botën e re të Perëndisë disa njerëz do të jenë pronarë të njerëzve të tjerë nëpërmjet skllavërisë. Përkundrazi, në Parajsën që po vjen, të drejtët ‘do të ulen secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më’.—Mikea 4:4.

Qartë, Bibla nuk e toleron keqtrajtimin e të tjerëve në asnjë formë të tij. Përkundrazi, nxit respektin dhe barazinë mes njerëzve. (Veprat 10:34, 35) Ajo u bën thirrje njerëzve që t’i trajtojnë të tjerët ashtu si do të dëshironin të trajtoheshin nga ata. (Luka 6:31) Veç kësaj, Bibla i nxit të krishterët që me përulësi t’i shohin të tjerët si më të lartë se veten, pavarësisht nga pozita e tyre shoqërore. (Filipianëve 2:3) Këto parime janë plotësisht të papajtueshme me format e egra të skllavërisë të përdorura nga shumë kombe, veçanërisht në shekujt e fundit.

[Shënimet]

^ par. 11 Fakti se ishin marrë masa që disa të lejoheshin të qëndronin me zotërinjtë e tyre tregon qartësisht se skllavëria izraelite nuk ishte e egër.

^ par. 13 Ngjashëm, sot disa të krishterë janë pronarë, të tjerë të punësuar. Ashtu si një pronar i krishterë nuk do t’i keqtrajtonte ata që punojnë për të, edhe dishepujt e Jezuit në shekullin e parë do t’i kenë trajtuar shërbëtorët sipas parimeve të krishtere.—Mateu 7:12