Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Lutja Artikulli «Të rinjtë pyesin . . . A do t’i dëgjojë Perëndia lutjet e mia?» (22 qershor 2001, anglisht) më forcoi me të vërtetë. Kur e mora këtë revistë gjendesha e shtrirë në një shtrat në spital. Nuk isha në gjendje të shkoja në Sallën e Mbretërisë apo në kongres. Isha vërtet e trishtuar dhe më dukej se nuk mund t’i mposhtja ndjenjat e mia. Duke iu lutur Jehovait, u qetësova dhe e ndjeva se zemra m’u përtëri aq shumë, sa u habita dhe vetë. Më ngushëllon mendimi se Jehovai nuk do të më harrojë kurrë.
A. O., Japoni
Jam 18 vjeçe dhe jam pioniere e rregullt, ungjillëzuese në kohë të plotë. Gjatë muajve të fundit jam ndier e dëshpëruar. Ndihesha si Stivi, i riu që përmendej në artikull, i cili thoshte se ndonjëherë mendonte që nuk duhej ta mërziste Perëndinë me problemet e tij. Por e mora për zemër këshillën te Luka 12:6, 7. Fillova të ndihesha më e qetë dhe u nxita t’ia zbrazja zemrën Jehovait.
M. D., Nikaragua
E rritur në manastir Artikulli «E braktisur nga prindërit, e dashur nga Perëndia» (22 qershor 2001, anglisht) më solli në mendje shumë kujtime. Më kujtohet mamaja ime që na tregonte për jetën e saj në manastir dhe se si e trajtonin murgeshat. Kur u largua nga manastiri në moshën 16-vjeçare, nuk kishte asnjë vend ku të rrinte. Shumë njerëz kanë pësuar keqtrajtime të tilla dhe kanë frikë të flasin për këtë. Prandaj jam e kënaqur që doli ky artikull.
G. E., Shtetet e Bashkuara
Shëndeti Në numrin tuaj të 8 qershorit 2001 (anglisht), lexova artikullin me titull: «Mjekësia moderne: deri ku mund të arrijë?» Meqë jam i dhënë pas mjekësisë dhe pas shkencës, shpjegimet dhe referimet tuaja për historinë e mjekësisë m’u dukën shumë interesante dhe nxora dobi personalisht. Ky është një ndër numrat që do ta ruaj.
E. F., Gjermani
Abuzimi me drogat Revistat tuaja i marr rregullisht nga një shok pune dhe i lexoj. Por e kam të vështirë ta pranoj atë që lihej të nënkuptohej qartë në serinë «Abuzimi me drogat: Ka një zgjidhje!» (korrik 2001) se të gjithë artistët e muzikës rok janë narkomanë. Ka shumë artistë të muzikës rok që nuk kanë të bëjnë aspak me drogat dhe që e marrin seriozisht punën e tyre.
M. M., Japoni
«Zgjohuni!» përgjigjet: Nuk kishim për qëllim të nënkuptonim se të gjithë artistët e muzikës rok abuzojnë me drogat. Megjithatë është një gjë mjaft e njohur përhapja e përdorimit të drogës midis shumë artistëve të muzikës rok dhe midis fansave në koncertet rok.
Ujëvarat e Niagarës Sapo mbarova së lexuari artikullin «Ujëvarat e Niagarës: Një përvojë mahnitëse». (korrik 2001) U kënaqa jashtëzakonisht nga leximi i tij. Kohët e fundit, burri im më çoi atje për përvjetorin e martesës. Mendoja se do të ishte e mërzitshme. Sa gabim e kisha! S’kishte gjë më të bukur sesa të shihje ujëvarën dhe të dëgjoje zhurmën e saj.
K. K., Shtetet e Bashkuara
Ju thoshit se erozioni i shtratit të lumit ka ndodhur gjatë 12.000 vjetëve të fundit. Kjo nuk përputhet me tregimin biblik për një përmbytje globale.
R. P., Britani
«Zgjohuni» përgjigjet: Ne thjesht paraqitëm llogaritjet e kohëve të fundit të dhëna nga gjeologët, pa ndonjë koment se sa të sakta mund të jenë ato. Është e qartë se këto llogaritje nuk e marrin parasysh tregimin biblik për Përmbytjen në kohën e Noesë, e cila, me sa duket, ndodhi në më pak se 5.000 vjet më parë.—Mateu 24:37.