Gjuha e kafshëve: Të fshehtat e komunikimit midis tyre
Gjuha e kafshëve: Të fshehtat e komunikimit midis tyre
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA
PA DYSHIM, një nga dhuratat më të çmuara që u është dhënë njerëzve është aftësia për të komunikuar. Me anë të komunikimit i transmetojmë njëri-tjetrit të dhëna jetësore, ose gojarisht, ose me anë të lëvizjeve të trupit, siç janë gjestet. Në të vërtetë, liria e fjalës është një çështje e diskutuar gjerësisht në të gjithë tokën. Prandaj disa kanë supozuar se komunikimi është pronë vetëm e njerëzve.
Megjithatë kërkimet tregojnë se kafshët shkëmbejnë të dhëna me njëra-tjetrën në mënyra të ndërlikuara që shpesh i hutojnë njerëzit. Po, ato «flasin», jo me fjalë, por nëpërmjet shenjave pamore, për shembull duke tundur bishtin, duke lëvizur me shpejtësi veshët ose duke rrahur krahët. Te format e tjera të komunikimit mund të hyjë përdorimi i zërit, si: një lehje, një ulërimë, një hungërimë ose kënga e një zogu. Disa nga këto «gjuhë» kuptohen me lehtësi nga njerëzit, kurse të tjerat kërkojnë shumë studime shkencore për t’u dalluar.
Grabitqarë
Është mesi i muajit korrik. Në Parkun Kombëtar Serengeti në Tanzani, që përfshin një hapësirë të gjerë, mijëra e mijëra antilopa afrikane po drejtohen për në veri drejt Rezervatit Natyror Masai Mara në Kenia në kërkim të kullotave me më shumë bar. Gjatë këtij shtegtimi të përvitshëm, fushat ushtojnë nga zhurma e thundrave. Sidoqoftë, gjatë rrugës fshihen rreziqe. Rruga është plot me kafshë grabitqare, të tilla si: luanë, gatopardë, hiena dhe leopardë. Gjithashtu antilopat do të rrezikojnë duke kaluar lumin Mara të mbushur me krokodilë. Si i zmbrapsin antilopat këto kafshë grabitqare?
Për të pështjelluar armikun, antilopa vrapon shpejt për një distancë të shkurtër dhe më pas kthehet duke i dalë përballë armikut. Gjatë gjithë kësaj kohe e tund kokën sa në një anë në tjetrën. Kërcen sa lart-poshtë në mënyrë të pazakontë, duke krijuar një shfaqje disi komike. Edhe një grabitqar i egër nuk mund të mos ndalet i habitur kur sheh këtë vallëzim të çuditshëm. Nëse kafsha grabitqare vazhdon t’i afrohet, antilopa përsërit shfaqjen. Kjo gjë e ngatërron kaq shumë grabitqarin saqë pas vallëzimit mund të mos e vazhdojë gjuetinë. Nga ky vallëzim pa hijeshi antilopa
ka fituar reputacionin si klouni i fushave.Kushërirat më të vogla të antilopës, impalat, njihen për kërcimet tepër të larta. Për shumë veta këto kërcime të larta mund të nënkuptojnë hijeshi dhe shpejtësi. Megjithatë, në rast vështirësie kjo antilopë përdor teknikat e saj të kërcimit së larti për t’ia bërë të vështirë grabitqarit që ta kapë nga këmbët. Kërcimet, të larta deri në 9 metra, i japin një mesazh të qartë atij që sulmon: «Më ndiq, nëse më arrin dot.» Janë të paktë grabitqarët që janë të gatshëm ta bëjnë këtë, vetëm e vetëm për të kapur një impalë që kundërshton.
Koha e ngrënies
Në natyrë, për t’u bërë gjuetarë të mirë, shumë kafshë grabitqare duhet të zhvillojnë aftësitë për të gjuajtur. Të vegjlit duhet të tregojnë kujdes të veçantë ndërsa prindërit u mësojnë këto aftësi. Në një rezervat afrikan kafshësh, u vërejt se një gatopard që quhej Saba u jepte mësime jetësore të vegjëlve të saj se si të mbijetonin. Pasi ndoqi për më shumë se një orë gazelën Tomson që po kulloste, ajo bëri një kërcim tepër të lartë dhe pastaj e kapi nga fyti gazelën e gjorë, por pa e vrarë. Disa çaste më vonë Saba e lëshoi kafshën e trullosur para këlyshëve të saj, të cilët për çudi ngurronin t’i vërsuleshin presë. Këta gatopardë të vegjël e kuptuan përse nëna u kishte sjellë një kafshë të gjallë. Ajo dëshironte që të mësonin se si të vritnin një gazelë. Sa herë që preja përpiqej të ngrihej e të vraponte, këlyshët tepër të entuziazmuar e rrëzonin përdhe. E rraskapitur, gazela hoqi dorë nga lufta për mbijetesë. Duke vëzhguar nga larg, Saba i miratonte veprimet e tyre.
Disa kafshë janë të specializuara të bëjnë sa më shumë zhurmë që mundin, ndërsa kërkojnë ushqim. Teksa vrapojnë pas presë, një tufë hienash pulla-pulla, hungërijnë, turfullojnë dhe ngërdheshen. Pasi e vrasin kafshën, ftojnë në gosti edhe hiena të tjera me anë të «qeshjes» së tyre famëkeqe. Megjithatë, hienat jo gjithmonë gjuajnë për ushqim. Në shkretëtirë ato janë ndër piratët më të këqinj, pasi përdorin çdo mënyrë për t’u rënë në qafë grabitqarëve të tjerë e për t’u marrë kafshët që kanë vrarë. Madje, ato kanë trembur edhe luanët, duke i larguar nga ushqimi. Si arrijnë ta bëjnë këtë? Këto kafshë të zhurmshme bëjnë si të tërbuara për të shqetësuar luanët që janë duke ngrënë. Nëse luanët e shpërfillin zhurmën, hienat egërsohen më shumë dhe marrin më shumë guxim. Pasi u është prishur rehati, luanët shpesh e braktisin prenë dhe largohen nga zona.
Tek bletët kërkimi i ushqimit është një ritual i ngatërruar. Studimet e ndërlikuara shkencore kanë zbuluar se,
duke vallëzuar, një bletë njofton bletët e tjera në koshere për vendin, llojin, e madje edhe për cilësinë e ushqimit që ka gjetur. Një bletë mbart në trup copëza ushqimi, si nektar ose pjalm, e i çon tek bletët që janë në koshere. Duke bërë një vallëzim në formën e numrit tetë, ajo jo vetëm që është në gjendje të drejtojë të tjerat drejt burimit të ushqimit, por edhe të tregojë largësinë që duhet përshkuar. Kini kujdes, sepse nëse një bletë ju vjen vërdallë, mund të jetë duke mbledhur të dhëna jetësore për t’i shpënë në shtëpi. Parfumi juaj kundërmues mund t’i duket gabimisht si vakti tjetër i saj!Mbajnë lidhje
Të paktë janë tingujt që janë aq mbresëlënës sa ulërima e një luani në një natë të qetë. Për këtë lloj komunikimi janë sugjeruar disa shkaqe. Ulërima e fuqishme e mashkullit është një paralajmërim për të gjithë se ai është në atë territor dhe se po u futët do të jeni në rrezik. Megjithatë, pasi është një lloj kafshe që i pëlqen shoqëria, luani ulërin edhe për të mbajtur lidhje me pjesëtarët e tjerë të tufës. Zakonisht kjo është një ulërimë më e butë e më pak agresive. Një natë, një luan u dëgjua të ulërinte çdo 15 minuta, derisa luani tjetër që ishte i afërm i tij iu përgjigj nga njëfarë largësie. Ata vazhduan të «flitnin» për 15 minuta të tjera, derisa së fundi u takuan. Ulërimat pushuan.
Një komunikim i tillë jo vetëm që ndikon në marrëdhënie të mira, por edhe siguron mbrojtje ndaj motit të ashpër. Një klloçkë nxjerr disa tinguj Mateu 23:37.
që përcjellin mesazhe të ndryshme për zogjtë e saj. Megjithatë, më karakteristik është tingulli i zgjatur e i mbytur, që nxjerr në mbrëmje dhe që tregon se ajo ka ardhur në kotec për të fjetur. Kur dëgjojnë thirrjen e nënës, zogjtë e shpërndarë mblidhen nën krahët e saj dhe pushojnë gjatë natës.—Gjetja e partnerit
A ju kanë bërë ndonjëherë këngët melodioze të zogjve të ndaleni pak për t’i dëgjuar? A nuk jeni magjepsur nga aftësia e tyre për të kënduar me cicërima? Por, a e dinit se t’ju kënaqin juve është gjëja e fundit që kanë për qëllim të bëjnë? Kënga e tyre është një mënyrë për të transmetuar mesazhe të rëndësishme. Edhe pse disa herë kënga është një mjet për të përcaktuar territorin, ajo përdoret shumë edhe për të tërhequr partnerët e mundshëm. Sipas librit The New Book of Knowledge (Libri i ri i njohurisë), pasi mashkulli e femra gjejnë njëri-tjetrin «sasia e këngëve ulet rreth 90 për qind».
Sidoqoftë, për të bërë për vete një partner, disa herë duhet diçka më shumë se një këngë e bukur. Para se të fitohen nga mashkulli, disa zogj femra kërkojnë që të paguhet një «çmim nuseje». Prandaj, para se të ndërmarrë hapa të tjerë, një zog endës mashkull duhet të tregojë aftësitë e tij për të ndërtuar fole. Meshkuj të llojeve të tjera japin prova që janë të aftë të mbajnë familjen, duke ushqyer femrën në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Mënyrat e ndërlikuara me anë të të cilave kafshët komunikojnë nuk u shërbejnë vetëm nevojave të tyre fizike, por edhe pakësojnë përleshjet dhe nxitin paqen në natyrë. Ndërkohë që po bëhen më shumë kërkime për komunikimin mes kafshëve, ende nuk e marrim vesh krejtësisht «gjuhën e kafshëve». Megjithëse mund të mos e kuptojmë plotësisht, kjo gjuhë i sjell vërtet lavdi atij që e krijoi, Perëndisë Jehova.
[Kutia dhe figurat në faqet 18, 19]
«Tingulli i heshtjes» i elefantëve
Në një pasdite të nxehtë, në Parkun Kombëtar Amboseli që shtrihet në një zonë të gjerë në Kenia, tufa e madhe e elefantëve nuk dukej e shqetësuar nga ndonjë gjë në habitatin e tyre. Megjithatë, ajri është plot me «biseda elefantësh», të cilat ndryshojnë nga fishkëllima me frekuencë të ulët, në të qarat therëse, thirrjet, ulërimat, çirrmat dhe turfullimet me frekuencë të lartë. Disa nga thirrjet kanë frekuenca zëri që janë nën nivelin e aftësisë së njerëzve për të dëgjuar e prapëseprapë janë kaq të fuqishme, saqë mund t’i «dëgjojë» një elefant që ndodhet disa kilometra larg.
Specialistët në fushën e sjelljes së kafshëve vazhdojnë të çuditen nga mënyrat e ndërlikuara me anë të së cilave elefantët përcjellin mesazhe të rëndësishme. Xhojsi Pul ka kaluar më shumë se 20 vjet duke studiuar ndjenjat që janë baza e komunikimit midis elefantëve të Afrikës. Ajo ka arritur në përfundimin se këto krijesa gjigante, të njohura për dhëmbët e tyre që janë të lakmuar, shfaqin ndjenja, të cilat shumë pak kafshë i kanë. «Kur sheh sjelljen e pazakontë të elefantëve, ndërsa përshëndetin anëtarët e familjes ose anëtarët e një grupi me të cilin kanë lidhje të ngushtë, [ose kur] lind një anëtar i ri i familjes, nuk është e vështirë . . . ta përfytyrosh që elefantët provojnë ndjenja shumë të forta. Këto ndjenja mund të përshkruhen më së miri me fjalë të tilla, si: gëzim, lumturi, dashuri, ndjenja miqësie, ngazëllim, dëfrim, kënaqësi, dhembshuri, lehtësim dhe respekt»,—thotë Puli.
Kur bashkohen pas një ndarjeje të gjatë, përshëndetjet e tyre shkaktojnë potere, pasi anëtarët turren me kokat lart duke ulur e duke rrahur veshët. Disa herë madje, një elefant vë feçkën në gojën e një tjetri. Duket se këto përshëndetje u japin elefantëve një ndjenjë të thellë gëzimi, sikur të ishin duke thënë: «Uau! Sa e mrekullueshme është të jesh përsëri me ty!» Lidhje të tilla përtërijnë sistemin jetësor që mbështet mbijetesën e tyre.
Elefantët duket se kanë edhe ndjenjë humori. Puli përshkruan se si i ka parë elefantët të lëviznin pak buzët në atë mënyrë që ajo e quajti një buzëqeshje, ndërsa tundnin kokën duke treguar gëzim. Njëherë ajo nisi një lojë ku morën pjesë këto kafshë dhe për 15 minuta ato u sollën në një mënyrë krejt qesharake. Dy vjet më vonë, disa pjesëtarë të lojës dukej që i «buzëqeshnin» përsëri, ndoshta duke kujtuar pjesëmarrjen në lojë. Elefantët jo vetëm që dëfrehen duke luajtur me njëri-tjetrin, por edhe imitojnë tingujt. Gjatë një projekti kërkimor, Puli dëgjoi një tingull që ishte i ndryshëm nga thirrjet e zakonshme të elefantëve. Kur ky tingull u analizua, u hodh ideja se elefantët po imitonin zhurmën e kamionëve që kalonin aty afër. Siç duket e bënin për t’u argëtuar! Me sa duket elefantët kërkojnë çdo mundësi për t’u kënaqur.
Është folur shumë për mënyrën sesi elefantët duket sikur vajtojnë kur një pjesëtari të familjes i ndodh një gjëmë. Njëherë Puli vërejti një elefant femër që vigjiloi tri ditë te koka e të voglit të saj që kishte lindur i ngordhur dhe e përshkroi në këtë mënyrë: «Shprehjet e fytyrës» së saj dukeshin «të ngjashme me ato të një personi të pikëlluar e të dëshpëruar: kokën, veshët dhe buzët i kishte të varura.»
Ata që vrasin elefantët për fildishin nuk e vrasin mendjen për ‘traumën psikologjike’ të elefantëve jetimë, të cilët mund të kenë parë me sytë e tyre si ua kanë vrarë nënat. Këta të vegjël ditët e para i kalojnë në jetimore kafshësh, duke u përpjekur të mposhtin «hidhërimin». Një kujdestar kafshësh raportoi se në mëngjes kishte dëgjuar «britmën» e elefantëve jetimë. Kjo gjë mund të vërehet edhe disa vjet pas ngordhjes së nënës. Puli mendon se elefantët mund ta ndiejnë se vuajtjet e tyre i shkakton dora e njeriut. E presim me padurim kohën kur njeriu dhe kafshët e egra do të jetojnë së bashku në paqe.—Isaia 11:6-9.
[Figura në faqet 16, 17]
Sula gjatë përshëndetjes së tyre të zakonshme
[Figura në faqen 17]
Një antilopë afrikane bën një vallëzim të çuditshëm për të pështjelluar armikun
[Figura në faqen 17]
«E qeshura» famëkeqe e hienës
[Burimi]
© Joe McDonald
[Figura në faqen 18]
Vallëzimi i bletës