Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbledhja e të korrave që kanë flatra

Mbledhja e të korrave që kanë flatra

Mbledhja e të korrave që kanë flatra

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KOSTA-RIKË

TË KORRA që kanë flatra?! Po, e keni lexuar mirë: këto të korra kanë flatra. Sigurisht që çdo fermer i mirë e di se synimi i gjithë punës së tij të palodhur është të mbledhë të korra të bollshme e të mbara. Kjo është e vërtetë edhe për këtë kultivues. Ai me vigjilencë mban larg grabitqarë të tillë, si: kandrrat, merimangat dhe zogjtë. Në kohën e korrjes puna e tij shtohet, teksa përpiqet të mos humbasë prodhimin e çmuar për të cilin është përkujdesur shumë gjatë gjithë asaj periudhe. Nëse ia del mbanë, të korrat e tij​—që kanë një palë flatra me ngjyra, më të hijshmet në botë​—do të shkojnë mijëra kilometra larg vendit ku u rritën. Cilat janë këto të korra kaq të veçanta? Po, i keni rënë pikës: janë fluturat.

Kultivimi i fluturave është një punë me vlerë të madhe. Kjo punë siguron me mjeshtëri një mënyrë të këndshme dhe ekologjike për të ruajtur lloje të ndryshme fluturash. Atëherë, a ju vërshojnë në mendje një mori pyetjesh? Për shembull, çfarë është saktësisht një fermë fluturash? Si punon ajo? Çfarë qëllimi ka? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të vërejmë se si nisi kultivimi i këtyre krijesave të brishta.

Filloi në Kinë

Për shekuj të tërë kinezët kishin zakon të rritnin një lloj fluture nate, posaçërisht për industrinë e tyre të mëndafshit. Sidoqoftë, kërkesa për ferma fluturash doli tani vonë. Në vitet 70 të shekullit të 20-të, në ishullin e Gërnzit, afër bregdetit të Anglisë, u hap një ekspozitë me flutura të gjalla.

Në Gërnzi u bënë përpjekje për të realizuar projektin fisnik për të rikrijuar një pyll tropikal plot me flutura, të cilat me flatrat shumëngjyrëshe e me vizatime të pafundme do t’i jepnin jetë pyllit. Kuptohet që kjo kërkonte të silleshin flutura karakteristike të vendeve tropikale. Por, si të merreshin fluturat e tropikut (disa lloje të të cilave jetojnë vetëm dy-tri javë), të çoheshin të gjitha të gjalla deri në vendmbërritje, mijëra kilometra larg vendlindjes së tyre? Kështu që lindi nevoja për të rritur flutura për tregti.

Si punon ferma e fluturave?

Të kesh mundësinë për të parë vetë me sytë e tu si punon një fermë e tillë është diçka që të lë pa mend. Kur vëzhgon larminë e flatrave me aq shumë ngjyra të ndezura, mrekullohesh prej tyre. Korrespodenti i Zgjohuni! vizitoi fermën më të madhe dhe me veprimtarinë më të gjerë eksportuese të këtij lloji në Amerikën Qendrore, Fermën e Fluturave në Kosta-Rikë. Kjo fermë jo vetëm që eksporton pupat (fshikëzat ose nimfat), por ka edhe një program arsimimi për ata që do të donin të dinin më tepër për ciklet e jetës dhe biologjinë e fluturave.

Sapo kaloni rrjetën rrethuese të kopshtit të fluturave, menjëherë do të magjepseni nga pamja e qindra fluturave që fluturojnë përreth jush, të veshura me kombinime ngjyrash verbuese​—disa duke përplasur flatrat e duke zbritur në ajër, të tjerat kalojnë fluturimthi tërë hijeshi. Këto krijesa shumëngjyrëshe me bukuri rrezatuese e shpërfillin fare praninë tuaj, teksa vazhdojnë me rutinën e përditshme të jetës së tyre: hanë, çiftohen dhe lëshojnë vezë. E si të mos ju lërë mbresa? Duke ndier aromën dhe duke parë bimët që mikpresin fluturat, lule të egra vendëse dhe pemë bananeje, menjëherë e kuptoni që ato shërbejnë edhe si ushqim, edhe si fole për fluturat.

Kopshti i mbyllur plotësisht i mbron vezët e vogla nga grabitqarët. Në natyrë, përqindja e mbijetesës nga vezë deri në flutura të rritura është vetëm 2 për qind për të gjitha vezët e lëshuara, por në vendet ku mbahen të mbrojtura, si për shembull në fermën e fluturave, përqindja rritet deri në 90 për qind.

Bimët e duhura janë jetësore për shumimin dhe zhvillimin e përshtatshëm të fluturave. Prandaj, kopshti është plot me bimë që mikpresin fluturat me qëllim që femrat të vendosin vezët mbi to dhe që të ushqehen larvat ose vemjet. Nektari i bimëve shërben si ushqim për fluturat e rritura. Çdo lloj fluture i lëshon vezët vetëm në një lloj bime dhe, si rrjedhim, larva ushqehet vetëm në atë bimë të veçantë. Prandaj është e jetësore të ketë me bollëk bimë mikpritëse në fermë.

Një femër lëshon 100 ose më shumë vezë njëherësh. Ato ngjasojnë me pikla të vockla uji, aq të vogla sa pika në fund të kësaj fjalie. Jo vetëm që femra i lëshon vezët veçse në një bimë mikpritëse, por madje çdo lloj fluture i lëshon ato vetëm në një vend të caktuar të bimës. Kështu fermeri mund t’i gjejë shpejt vezët, t’i marrë dhe t’i ruajë ato. Çdo ditë bimët pritëse kontrollohen për vezë dhe çdo ditë vezët kontrollohen se mos nxjerrin larva. Pasi kanë dalë nga vezët, larvat e uritura bëjnë gosti në guaskat e boshatisura të vezëve. Te ferma e fluturave ato më pas vendosen në bimët mikpritëse të mbjella në vazo e që vihen brenda kafazeve të vegjël. Nuk është kurrë e tepërt të theksohet rëndësia e pastrimit të kafazeve gjatë gjithë ciklit të jetës së larvave, pasi lënia pas dore e kësaj mund të shkaktojë sëmundje dhe ngordhjen e larvave.

Pas fazës së tretë larvore ose fazës midis shndërrimeve, larvat në të vërtetë jetojnë vetëm për të ngrënë. Thuhet që nëse një foshnjë që peshon 3 kilogramë do të rritej në peshë me të njëjtën shpejtësi si të vemjes ose të larvës së fluturës në fund të dy javëve foshnja do të peshonte tetë tonë!

Faza e pestë larvore, që është dhe e fundit, e gjen larvën të ngjitur pas një dege ose në tavanin e kafazit, duke luftuar me mjeshtëri për të dalë nga mbështjellësja, nën të cilën është një guaskë e fortë, e njohur ndryshe si pupa ose fshikëza. Kjo është pikërisht koha kur fermeri duhet të jetë gati dhe i zoti për të vepruar.

Pupat duhet të mblidhen çdo ditë, meqë kjo është e vetmja mënyrë për të përcaktuar moshën e tyre. Pupat, nga 40 deri në 100 prej tyre, paketohen me shumë kujdes në kuti kartoni midis shtresash pambuku. Fermerët dhe eksportuesit kanë afat afro dhjetë ditë për të çuar pupat te shpërndarësi, i cili pastaj ua kalon ato klientëve, zakonisht një shtëpie fluturash ose ndonjë institucioni tjetër të ngjashëm. Në rast se transportimi nuk përfundon brenda afatit të duhur, fluturat do të dalin gjatë udhëtimit dhe do të ngordhin. Nëse del me sukses, fluturat do të dalin nga fshikëzat mijëra kilometra larg shtëpisë së tyre, krejt të pavetëdijshme për ndryshimin e adresës. Ferma e fluturave u dërgon nga 4.000 deri në 6.000 pupa në muaj institucioneve përreth globit.

Fermat e fluturave po shtohen me të shpejtë në mbarë botën. Tashmë ka të tilla në Filipine, Kenia, Madagaskar, Malajzi, Salvador, Shtetet e Bashkuara, Tajlandë, Tajvan, dhe patjetër në Kosta-Rikë. Gjithashtu, numri i shtëpive të fluturave vazhdon të rritet çdo vit, duke bërë të mundur që njerëzit në shumë pjesë të botës të soditin këto krijesa mahnitëse.

Pa dyshim që kultivimi dhe mbledhja e të korrave që kanë flatra do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm nga ana ekologjike në ruajtjen e llojeve të rralla të fluturave. Kjo lloj tregtie në të njëjtën kohë mund të rritë vetëdijen e njerëzve se sa kujdes duhet për të ruajtur ekuilibrin e pasurive të tokës.

[Figurat në faqen 18]

Fermerët përdorin rrjeta për të mbrojtur vezët dhe larvat (1). Pupat, si kjo që tregohet këtu (2), paketohen në kuti dhe dërgohen në mbarë botën (3)

[Burimet]

Në krye, majtas flutura monark dhe pupa: Shtëpia e Fluturave, Mitagong, Australi; në mes, majtas, një flutur dhe disa flutura mbi gjethe: me mirësjelljen e Buckfast Butterfly Farm

[Burimi i figurës në faqen 16]

K. Schafer/Audiovise