Mikpritje që preku zemrat
Mikpritje që preku zemrat
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
«FANTASTIKE! Ishte vërtet e mrekullueshme!» Faleminderit për mikpritjen dhe për ekspozitat e këndshme. Ndihemi vërtet të çlodhur.» Ç’gjë i nxiti vizitorët e shumtë që të shpreheshin me kaq mirënjohje? Pritja e hapur për publikun që u organizua në fundjavë nga zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. Gjatë tri ditëve, nga e premtja 24 maj deri të dielën 26 maj 2002, dyert e kompleksit të ndërtesave në Zeltërs-Taunus ishin të hapura për vizitorët që të vinin dhe të bashkoheshin me më shumë se 1.000 vullnetarët e degës, për të kremtuar njëqind vjetorin e zyrës së degës në Gjermani.
Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në afërsi të zyrës së degës morën pjesë me zell në një fushatë speciale për të ftuar njerëzit. Dy javë para kësaj ngjarjeje të rëndësishme më shumë se 100.000 ftesa u shpërndanë ose u lanë nëpër shtëpitë e njerëzve. Kjo fushatë u mbështet nga njoftime dhe artikuj të gjatë nëpër gazeta, si edhe nga transmetimet në radio. Ftesa personale iu dhanë edhe atyre që furnizojnë degën me të mira materiale dhe zyrtarëve. Më shumë se 7.000 veta e pranuan ftesën—një pjesë e madhe e të cilëve nuk ishin Dëshmitarë.
Vizitorët shkuan në shtypshkronjë, në libralidhje, në repartin e transportit, nëpër punishte, në lavanderi, si edhe në pjesë të ndërtesës administrative. Ekspozitat i informuan njerëzit për qëndrimin e patundur që Dëshmitarët e Jehovait mbajtën në mbështetje të parimeve biblike nën regjimin nazist dhe atë komunist. Gjithashtu, një ekspozitë biblike me më shumë se 700 objekte përqendrohej në përdorimin e emrit hyjnor Jehova. Do të ishte e pamundur t’i përsëritnim të gjitha komentet vlerësuese që u bënë, por më poshtë po paraqesim disa prej tyre.
«Këtu çdo njeri është shumë miqësor. Gjërat janë kaq të pastra, kaq në rregull. Gjithçka është në harmoni—njerëzit që jetojnë këtu dhe ambientet përreth. Shpresojmë të marrim me vete pak nga përzemërsia juaj.»—Një çift i moshuar.
«Faleminderit për ushqimin e shijshëm dhe që u kujdesët për ne në mënyrë kaq të dashur dhe miqësore. U kënaqëm shumë dhe do të donim të vinim përsëri. Këtu njerëzit ishin vërtet, vërtet të këndshëm!»—Koment i shkruar në librin e përshtypjeve nga një grup i një shkolle teknologjike për punimin e qelqit.
«Shumë faleminderit për pritjen e ngrohtë që na bëtë në kompleksin tuaj të ndërtesave. Vizita ishte shumë interesante. I përgëzojmë ata që punojnë në repartet e lavanderisë dhe të pastrimit kimik, sepse nuk kemi vizituar kurrë mjedise kaq të pastra e të rregullta.»—Koment i dërguar me postë elektronike nga një përfaqësues i një firme për ilaçet dhe pajisjet larëse.
Eva, e cila shërbeu si cicerone, tha: «Në çdo grup vizitorësh që drejtova ishte gjithnjë dikush që thoshte për dhomat tona të banimit: ‘Prisni pak sa të marrim valixhet. Jemi gati të transferohemi këtu!’ »
Ndërkohë që një grua në një karrige me rrota po studionte planimetrinë e ndërtesave, një vullnetare e pyeti nëse mund ta ndihmonte. «Jo s’është nevoja!»—u përgjigj gruaja.
Ajo tha se kishte bërë një vizitë prej pesë orësh nëpër godina dhe në të vërtetë nuk mund të qëndronte më ulur. Zakonisht bënte regjim shtrati dhe ndërsa po fliste kishte shumë dhembje. Megjithatë ajo shpjegoi: «Unë mund të shtrihesha në shtëpi, por pritja e hapur për publikun bëhet vetëm një herë!» Përveç kësaj shtoi: «Çdo gjë është kaq interesante, saqë dua të sigurohem që të mos lë asgjë pa parë!»Georgun e vogël, rreth pesë vjeç, e pyetën se çfarë i pëlqeu më shumë. Meqë makinat e shtypit rotative e kishin magjepsur, ai u përgjigj: «Topat e letrës! Ato i futin nga njëra anë dhe kur dalin nga ana tjetër janë revista. Ishte fantastike fare!»
Një Dëshmitare pati një të papritur të këndshme. Burri i saj që nuk është Dëshmitar kishte qenë vetëm një herë në një mbledhje të krishtere. Megjithatë pranoi që të shtunën të shkonte me të në pritjen e hapur. Të dielën, kur u kthye në shtëpi nga mbledhja e kongregacionit, ajo e gjeti të shoqin të veshur mirë dhe gati për të dalë. «Çfarë ka ndodhur?»—e pyeti ajo. «Po ja, dje nuk pata kohë
t’i shihja të gjitha,—tha ai.—Pra, sapo të jesh gati do të nisemi për në Zeltërs. Dua ta shoh më mirë.»Gjatë ekspozitës biblike, një zonjë e moshuar, e veshur mirë pyeti me ndrojtje se ku kishte telefon, pasi donte të bënte një telefonatë të ngutshme. Në të vërtetë, burri i saj është libralidhës, i specializuar në restaurimin e librave të vjetër. Ajo dhe burri shkojnë rregullisht në një rreth ku mblidhen ata që janë të dhënë pas librave. Njëri prej pjesëtarëve është një pastor protestant, një koleksionues i pasionuar Biblash. Kjo zonjë pikërisht atij donte t’i telefononte me çdo kusht. Meqë pastori nuk ishte në shtëpi, ajo i la një mesazh në sekretarinë telefonike: «Nëse është e mundur, përpiqu të vish sot këtu. Jam e sigurt që nuk ke parë kurrë një gjë të tillë. Nuk duhet ta humbasësh këtë rast!»
Një çift, nga qyteti i afërt i Limburgut erdhi për të bërë një vizitë bashkë me vajzën. Para se t’u jepnin ftesën në shtëpinë e tyre, ata nuk kishin dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait. Çifti vendosi të vinte dhe të vizitonte këto ndërtesa të mëdha në Zelters. Marloni dhe Lajla, vullnetarë në degën e Gjermanisë, i takuan e u folën më shumë për Dëshmitarët e Jehovait dhe për jetën në zyrën e degës. Familjes i bëri kaq shumë përshtypje e gjithë kjo, saqë prindërit kërkuan që dikush t’u shkonte në shtëpi për një studim të rregullt biblik.
«Vizita këtu ishte vërtet e këndshme dhe shumë interesante. Pashë vetëm shtypshkronjën, por më bëri shumë përshtypje. Jeni vërtet njerëz të mrekullueshëm e miqësorë, dhe pikërisht kjo gjë më pëlqen.»—Stefania (12 vjeçe), koment në librin e përshtypjeve.
Një grua nga fshati fqinj tha: «Kam diçka për t’ju thënë. Jam myslimane, por gjithnjë kam dashur ta shoh këtë vend. Jeni të gjithë kaq të dashur dhe kaq të qetë. Bëni që ne [të huajt] të ndihemi të mirëpritur këtu në Gjermani. Interesoheni për njerëzit. Kjo është e mrekullueshme! Nesër do të vij përsëri me burrin.» Në librin e përshtypjeve ajo shkroi: «Ishte diçka e mrekullueshme! Ndihem sikur jam në Parajsë.»
Shoferi i njërit prej autobusëve që merrnin dhe çonin vizitorët nga sheshi i parkimit për te dyert e hyrjes, dëgjoi rastësisht që një pasagjer po i thoshte një tjetri: «Sa miqësorë! Dhe të mendosh që as nuk e kisha idenë se çfarë bëhej këtu. Erdha vetëm sa për të marrë vesh se çfarë po bëjnë këtu këta njerëz. Shiko sa mirë sillen. Kjo duhet të ketë lidhje me edukimin dhe mësimin e tyre fetar.»
Dy orë pas orarit të mbylljes, një burrë ecte sa para-pas në oborrin para ndërtesës administrative. Dukej shumë i menduar dhe vazhdonte të tundte kokën e të shihte pas nga ndërtesa. Pastaj, ai iu afrua një vullnetari dhe i tha: «Duket qartë që gjithçka është bërë me dashuri. Nuk jam Dëshmitari i Jehovait, por ju uroj bekime nga Jehovai.»
Gjithashtu, një Dëshmitare shkroi: «Me anë të kësaj letre të shkurtër doja t’ju shprehja falënderimet e mia të përzemërta. Nuk u kursyet për ta bërë këtë ditë vizitash sa më të bukur që të ishte e mundur. . . . Në tërësi, ishte një shijim paraprak i kohës kur i gjithë njerëzimi do të jetojë së bashku në unitet! . . . Këto ditë të pritjes së lirë për publikun sigurisht ndihmuan në lavdërimin e emrit të Perëndisë tonë, Jehovait.»—Sandra.
[Figura në faqen 23]
Mjete për transportin e atyre që ishin të moshuar, të sëmurë ose thjesht të lodhur
[Figura në faqen 23]
Paraqitje e metodave të predikimit që u përdorën në të kaluarën
[Figura në faqen 23]
Mirë se erdhët në pritjen tonë të lirë
[Figura në faqen 24]
Një vullnetare që me fjalë të thjeshta shpjegon teknologjinë që përdoret
[Figura në faqen 24]
Ekspozita biblike