Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lëngu i çmuar i jetës​—Uji

Lëngu i çmuar i jetës​—Uji

Lëngu i çmuar i jetës​—Uji

JEZUI i foli një gruaje samaritane që po mbushte ujë në pus, për një burim uji që gufon për të dhënë jetë të përhershme. (Gjoni 4:14) Megjithëse uji për të cilin foli Jezui është simbolik, në një kuptim të mirëfilltë uji është i domosdoshëm për jetën dhe për nga rëndësia vjen i dyti, menjëherë pas oksigjenit. Pa ngrënë mund të jetojmë edhe për disa javë, por pa ujë mund të mbijetojmë vetëm nja pesë ditë.

Uji përbën tre të katërtat e trupit tonë. Për shembull, truri përmban 75 deri në 85 për qind ujë dhe muskujt kanë 70 për qind ujë. Përveç dobive të tjera, uji na ndihmon të tretim dhe të përvetësojmë ushqimin, sepse i çon lëndët ushqyese te qelizat. Ai largon lëndët helmuese dhe lëndët e tjera të panevojshme, lubrifikon kyçet dhe zorrën e trashë dhe rregullon temperaturën e trupit. Por a e dini se pirja e një sasie të mjaftueshme uji ndihmon edhe për të rënë në peshë?

Që të bini në peshë, pini ujë

Para së gjithash, uji nuk ka as kalori, as yndyrna dhe as kolesterol dhe ka pak natrium. Së dyti, ai të pret oreksin. Së treti, uji e ndihmon trupin të shpërbëjë yndyrnat e depozituara. Në ç’mënyrë? Po ja, kur veshkat nuk kanë sasinë e mjaftueshme të ujit, nuk punojnë dot siç duhet. Në këtë rast, për të kompensuar punën e veshkave ndërhyn mëlçia. Por kjo gjë e pengon atë të kryejë siç duhet shpërbërjen e yndyrnave. Për pasojë, yndyrnat mbeten të grumbulluara në trup dhe në këtë mënyrë ju shtoni në peshë. Prandaj, siç thotë dr. Donald Robertson i Southwest Bariatric Nutrition Center në Skotsdeil, Arizonë, SHBA, «pirja e sasisë së duhur të ujit është një faktor kyç për të rënë në peshë. Në qoftë se njerëzit që po përpiqen të bien në peshë nuk pinë ujë sa duhet, trupi nuk mund t’i shpërbëjë siç duhet yndyrnat».

Është e vërtetë që shpesh shkaku i shtimit në peshë është se trupi mbledh ujë. Prandaj, shumë njerëz, trupi i të cilëve ka prirjen të mbledhë ujë, mendojnë se zgjidhja është të pinë më pak ujë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Kur trupi nuk ka sasinë e mjaftueshme të ujit, përpiqet të ruajë çdo pikë ujë, duke e grumbulluar në vende të tilla si shputat e këmbëve, duart dhe këmbët. Kështu specialistët në fushën e të ushqyerit këshillojnë që t’i japim trupit atë që i nevojitet—ujë të mjaftueshëm. Dhe mos harroni, sa më shumë kripë të përdorni, aq më shumë ujë do të grumbullohet në trupin tuaj për ta holluar atë.

Jepini ujë trupit

Çdo ditë, trupi humbet mesatarisht rreth dy litra ujë nëpërmjet lëkurës, mushkërive, zorrëve dhe veshkave. Çdo ditë, vetëm me anë të frymëmarrjes ne humbim afërsisht gjysmë litër lëngje. Po të mos zëvendësohet ky ujë trupi ynë do të vuajë nga mungesa e ujit. Disa shenja që kanë njerëzit të cilët vuajnë nga humbja e lëngjeve janë dhembje koke, lodhje, dhembje muskujsh, urinë me ngjyrë të errët, nuk e durojnë dot nxehtësinë, e ndiejnë gojën dhe sytë të thatë.

Pra, sa ujë këshillohet të pimë? Dr. Hauard Flaks, specialist për problemet e dhjamosjes thotë: «Sasia minimale për një njeri të shëndetshëm shkon nga tetë deri në dhjetë gota çereklitërshe në ditë. Keni nevojë për më shumë ujë po të bëni shumë ushtrime fizike ose po të jetoni në një vend me klimë të nxehtë. Përveç kësaj, njerëzit që janë mbi peshë duhet të pinë edhe një gotë më shumë për çdo 10 kilogramë që kanë mbi peshën ideale.» Megjithatë, disa thonë se mjafton të pish ujë kur je i etur, por në fakt po të jesh shumë i etur tashmë trupi po vuan disi nga humbja e lëngjeve.

A mund të pihen lëngje të tjera në vend të ujit? Ndonëse lëngjet e holluara të frutave dhe të perimeve janë të mira, sepse janë lëngje, ato përmbajnë kalori. Gjithashtu, lëngjet me sheqer dhe qumështi e shtojnë nevojën e trupit për ujë, sepse për t’i tretur ato duhet ujë. Nga ana tjetër, pijet alkoolike dhe ato që përmbajnë kafeinë, si kafeja dhe çaji, nxitin paksa urinimin dhe kështu nevojitet të pimë më shumë ujë për të zëvendësuar lëngjet që dalin nga trupi. Pra, nuk ka asgjë që mund ta zëvendësojë këtë lëng të çmuar, ujin. Atëherë si thoni sikur të pinit një gotë ujë pikërisht tani?

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Këshilla që ndihmojnë për të pirë më shumë ujë

● Mbani një shishe me ujë.

● Shoqëroni çdo vakt me një gotë ujë.

● Pini para, gjatë dhe pas ushtrimeve fizike.

● Në vend se të pushoni gjatë punës për të pirë një kafe pushoni për të pirë një gotë ujë.

● Për ta bërë më të mirë shijen e ujit të çezmës, hidhni pak lëng limoni ose përdorni një filtër.

[Burimi i figurës në faqen 12]

Fotografia: www.comstock.com