Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyjet e shiut: A mund të shpëtohen?

Pyjet e shiut: A mund të shpëtohen?

Pyjet e shiut: A mund të shpëtohen?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BOLIVI

RAMIROJA është pronar i një lugine të mbuluar me pyje tropikale malore të shiut. * Meqë gjendet në kodrinat rrëzë vargmalit të Andeve në Amerikën e Jugut, ajo është një nga vendet e pakta në rajon që ka ende pemë të moçme. Ngado, rreth e qark, kodrat janë zhveshur nga pyjet. Shkencëtarët vijnë nga të katër anët e botës për të studiuar kafshët e egra në pyllin e shiut të Ramiros dhe kanë zbuluar disa lloje që nuk i kishin klasifikuar kurrë më parë. Ramiroja është shumë i interesuar për mbrojtjen e pyllit. Ai thotë: «Nuk do të priten kurrë drurë në pyllin tim.»

Nga ana tjetër, Robertoja administron një sipërfaqe prej 5.600 kilometrash katrorë në një pyll tropikal të shiut, i cili ndodhet në ultësirën e pellgut lumor të Amazonës. Ai është specialist pyjesh dhe nga pyjet tropikale mbledh lëndë drusore, të cilën e shet në tregun botëror. Megjithatë edhe Robertoja është shumë i interesuar për mbrojtjen e pyjeve tropikale dhe të gjallesave që rriten në to. «Lënda drusore e pyjeve tropikale mund të pritet, pa qenë nevoja të shkatërrohet njëherë e përgjithmonë shumëllojshmëria biologjike»,​—këmbëngul ai.

Edhe pse rrethanat e tyre ndryshojnë, Ramiroja dhe Robertoja kanë të përbashkët shqetësimin e madh për të ardhmen e pyjeve tropikale. Dhe sigurisht ata nuk janë aspak të vetmit. Në dhjetëvjeçarët e fundit, shkatërrimi i papërgjegjshëm i pyjeve tropikale të shiut është përshpejtuar me ritme alarmuese.

Mos ndoshta po shqetësohemi pak si tepër? Në fund të fundit, gjatë shekujve të kaluar njerëzit kanë prerë një pjesë të madhe të pyjeve në rajonet me klimë të butë, kryesisht për të hapur toka bujqësore. Pra, pse duhet të shqetësohemi, nëse njerëzit në zonat tropikale tani bëjnë të njëjtën gjë? Sepse ekzistojnë ndryshime thelbësore. Për shembull, pyjet tropikale të shiut shpesh rriten në toka jopjellore, ku nuk është e përshtatshme të merresh me bujqësi. Përveç kësaj, shumëllojshmëria biologjike në pyjet tropikale është shumë më e madhe; shkatërrimi i tyre ndikon tek i gjithë njerëzimi.

Kostoja e shpyllëzimit

Më shumë se gjysma e llojeve të gjallesave në botë gjenden në pyjet tropikale. Nga majmunët merimangë dhe tigrat e deri te myshqet e veçanta dhe orkidetë, nga gjarpërinjtë dhe bretkosat e deri te fluturat e rralla dhe papagajtë​—numri i llojeve është tepër i madh qoftë edhe vetëm për t’i përmbledhur në një listë.

Gjallesa të shumëllojshme rriten më së miri në llojet e shumta të pyjeve tropikale. Ka pyje shiu që rriten ngadalë në zonat malore, ka pyje shiu që janë aq të dendura saqë mezi hyn drita, ka pyje të thata tropikale dhe pyje ku drurët nuk janë shumë afër njëri-tjetrit. Megjithatë shumica e njerëzve nuk kanë qenë kurrë në një pyll tropikal. Ndoshta as ju. Atëherë, përse duhet të bëheni merak për këto vende?

Mbrojtja e pyjeve tropikale të shiut është jetësore për ju. Shumë nga bimët e kultivuara dhe nga bimët që shiten në treg, të cilat ju duhen në jetën e përditshme, varen në njëfarë mënyre nga paraardhëset e tyre të egra që lulëzojnë ende në këto pyje. Këto varietete bimësh të egra ndonjëherë përdoren për të përftuar varietete të reja që janë më rezistente ndaj sëmundjeve dhe insekteve. Prandaj, shumëllojshmëria gjenetike e varieteteve të bimëve të egra është thelbësore.

Gjithashtu kërkuesit po nxjerrin vazhdimisht produkte të dobishme nga pyjet tropikale. Për shembull, një pjesë e mirë e ilaçeve që përdoren sot, vijnë nga përpunimi i bimëve tropikale. Prandaj shumëllojshmëria biologjike në pyjet tropikale të shiut shpesh krahasohet me një librari të gjallë, por një librari ku shumica e «librave» nuk janë lexuar ende.

Një zinxhir i brishtë jete

Mjedisi i lagësht i pyjeve tropikale është i brishtë dhe shumë kompleks. Format e shumta të jetës varen nga njëra-tjetra. Për shembull, shumica e bimëve varen nga disa zogj, insekte ose kafshë të caktuara që të pjalmohen dhe të përhapin farat. Në një cikël jete të ndërlikuar, pylli riciklon me efektshmëri të gjitha lëndët organike që gjenden në të, duke përfshirë bimët, kafshët, insektet dhe mikroorganizmat. Është e mahnitshme që i gjithë ky ekosistem kompleks zakonisht ndodhet në toka të varfra. Po u shkatërrua ky ekosistem, mund të jetë e vështirë ose e pamundur që pylli të ripërtërihet përsëri.

Shumë njerëz e sigurojnë jetesën nga pyjet tropikale. Përveçse krijojnë mundësi për kërkime shkencore dhe për turizëm, pyjet tropikale janë të rëndësishme për tregtinë pasi japin produkte të tilla, si: lëndë drusore, lajthi, arra, bajame, mjaltë, kërcej të butë palme, kauçuk dhe rrëshirë. Por pyjet tropikale të shiut po zhduken me ritme alarmuese. Shifrat janë të diskutueshme, por një gjë mund të thuhet me siguri: pyjet e shiut po zvogëlohen me shpejtësi.

Ajo që e bën veçanërisht të trishtueshme këtë humbje që po pëson mjedisi është se pyjet tropikale të shiut shpesh shkatërrohen për dobi krejt të papërfillshme. Shumë nga këto pyje janë kthyer në kullota për bagëtinë. Megjithatë, shpesh brenda një kohe të shkurtër toka nuk arrin të prodhojë aq sa duhet për të ushqyer bagëtinë dhe braktiset. Pikërisht për këtë arsye, thuhet se në atë pjesë të Amazonës që i përket Brazilit janë braktisur 165.000 kilometra katrorë tokë.

Çfarë shprese ka për pyjet e shiut dhe për gjallesat që gëlojnë në to? Ramiroja, Robertoja dhe shumë të tjerë si ata po luftojnë për t’i mbrojtur pyjet tropikale të shiut nga kërkesat e tregtisë ndërkombëtare, nga mbipopullimi, nga gjuetia e ndaluar, nga gjahtarët që zënë kafshë për t’i shitur dhe nga ata që i presin pyjet në mënyrë të paligjshme. Por, cilat janë shkaqet e vërteta dhe rrënjësore të shpyllëzimit? A ka ndonjë mënyrë që t’i shfrytëzojmë burimet e mëdha natyrore të pyjeve të shiut pa i shkatërruar ato?

[Shënimi]

^ par. 3 Pyjet malore të shiut janë ato pyje shiu që rriten në lartësi mbi 1.000 metra.

[Diçitura në faqen 3]

Shumica e llojeve të kafshëve në botë rriten në pyjet tropikale, bashkë me një shumëllojshmëri të pafund bimësh

[Figurat në faqet 4, 5]

Ata që presin drurë dhe rrugët që hapen prej tyre mund të shkatërrojnë pyjet e shiut