Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të eksplorojmë ujëvarat madhështore

Të eksplorojmë ujëvarat madhështore

Të eksplorojmë ujëvarat madhështore

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZAMBIE

ISHTE viti 1855. Misionari dhe eksploruesi skocez Dejvid Livingston kishte kaluar vite të tëra duke udhëtuar përmes Afrikës, këtij kontinenti që në përgjithësi nuk njihej nga pjesa tjetër e botës. Ndërsa udhëtonte në drejtim të lindjes, përgjatë lumit madhështor Zambezi, banorët e fiseve vendëse i flitnin me një ndjenjë të thellë përnderimi për ujëvarën tejet të madhe që ndodhej më tej. Për shkak të zhurmës së madhe dhe të avujve që ngriheshin nga kjo ujëvarë, banorët e fiseve e quanin Mosi-oa-Tunia, që do të thotë «Tymi që gjëmon».

Livingstoni vendosi të shkonte ta shikonte nga afër këtë ujëvarë, e cila tani quhet ujëvara Viktoria. Ja si e përshkroi ai pamjen që pa herën e parë: «U zvarrita këmbadoras deri te buza e honit dhe i mahnitur hodha sytë poshtë kësaj të çare të madhe që ishte bërë në lumin Zambezi nga njëra anë në anën tjetër. Pashë një rrjedhë uji mijëra metra të gjerë, që binte nga një lartësi tridhjetë metra. Pastaj papritur i gjithë uji përfundonte në një hapësirë prej pesëmbëdhjetë deri në njëzet metrash.»

Ujëvara Viktoria shtrihet edhe në territorin e Zambies, edhe të Zimbabves. Gjatë kohës së vërshimeve, ajo konsiderohet për gjithë planetin si hapësira më e madhe me ujë që bie nga një lartësi. Në këto periudha, rrjedha e fuqishme me prurje 545.000.000 litra ujë në minutë bie poshtë 108 metra dhe futet në një të çarë të stërmadhe. Më pas, i gjithë uji i Zambezit vërshon nëpër një kanion me zigzage, i cili është më pak se 65 metra i gjerë. Këto karakteristika gjeologjike unike e bëjnë ujëvarën Viktoria një spektakël që të lë gojëhapur.

Edhe zona përreth ujëvarës ka një bukuri marramendëse. Kjo zonë është zgjedhur si park kombëtar dhe ka një shumëllojshmëri mahnitëse pemësh e bimësh, përveç kafshëve interesante, sa për të përmendur disa: hipopotamët, elefantët, xhirafat, antilopat, zebrat, e madje edhe luanët. Në shkëmbinjtë e thepisur bëjnë folenë zogj të bukur, siç janë për shembull shqiponjat dhe një lloj i rrallë fajkoi.

E thënë me fjalët e Livingstonit, «askush nuk mund ta imagjinojë bukurinë e kësaj panorame vetëm duke e krahasuar me ndonjë gjë që ka parë në Angli. Një pamje të tillë nuk e ka parë ndonjëherë më parë asnjë evropian, por pamje kaq të bukura me siguri duhet t’i kenë parë engjëjt gjatë fluturimit të tyre». Livingstoni që e pa për herë të parë këtë vend e quajti ujëvara Viktoria për nder të mbretëreshës Viktoria të Anglisë. Sot, rreth 150 vjet më pas, qindra mijë njerëz vijnë çdo vit nga e gjithë bota për ta parë me sytë e tyre madhështinë e kësaj ujëvare.

Ujëvara Viktoria me të drejtë e meriton emrin që ka si një nga mrekullitë e natyrës. Por në lumenjtë e shumtë e të mëdhenj të Zambies ka edhe shumë ujëvara të tjera më pak të njohura, që kanë një bukuri marramendëse. Ju lutemi, ejani me ne të vizitojmë disa prej tyre.

Ujëvara Ngonie

Në një ditë të nxehtë e të thatë nëntori, rreth dy vjet përpara se të shihte për herë të parë ujëvarën Viktoria, Livingstoni mbërriti në ujëvarën Ngonie, e njohur edhe si ujëvara Sioma. Ai shkroi: «Ishujt e vegjël mbi ujëvarë janë të mbuluar me bimësi të gjelbër e kanë një bukuri të pakrahasueshme. E parë nga masa shkëmbore që qëndron mbi ujëvarë, skena ishte ndër më të bukurat që kisha parë.» Ata që shkojnë ta shohin sot ujëvarën Ngonie, me gjithë zemër pranojnë këtë pohim të Livingstonit.

Livingstoni thoshte: «Për kilometra të tëra pasi bie, lumi gjarpëron nëpër një hapësirë të ngushtë jo më shumë se njëqind metra. Uji duket sikur po zien dhe të jep idenë sikur masa të mëdha uji rrotullohen mbi njëra-tjetrën, kështu që edhe notari më i aftë do ta kishte të vështirë të qëndronte në sipërfaqe.»

Ujëvara Lumangue

Shumë ujëvara të tjera të Zambies janë të veçuara dhe ende të virgjëra. Ato kanë madhësi nga më të ndryshmet. Ujëvara Lumangue duket si ujëvara Viktoria në miniaturë. Por kjo ujëvarë s’është aspak e vogël. Një rrjedhë uji në këtë ujëvarë bie poshtë rreth 30 metra dhe është e gjerë më shumë se 100 metra. Madje avujt e krijuar nga ujëvara shërbejnë për të ujitur një pyll shiu të vogël.

Ujëvara Kalambo

Ujëvara Kalambo, që është më e larta në Zambie, rrjedh nga rrafshnalta e lartë dhe bie poshtë nëpër Luginën e Madhe Tektonike të Afrikës. Ajo bie pingul nga një lartësi mbi 200 metra nëpër shkëmbinj të thepisur, ku në stinën e thatë shumohen lejlekët gjigantë marabu, që janë zogj të rrallë.

«Pra, Kalamboja për nga lartësia është ujëvara e dytë në Afrikë që bie pa ndërprerje [pas ujëvarës Tugela në Afrikën e Jugut] dhe e dymbëdhjeta në botë, pasi është gati dy herë më e lartë se ujëvara Viktoria»,​—thotë botimi Monumentet kombëtare të Zambies (anglisht).

Edhe pse është e vështirë të arrish deri te kjo ujëvarë, shkrimtari vendës, C. A. Kuarmbi, e përshkruan Kalambon si «një nga pamjet e paharrueshme të Afrikës». Ai parashikon: «Do të kalojë shumë kohë para se të jetë një vend i rrahur nga turistët. . . . Vetëm pak të privilegjuar arrijnë të shohin Kalambon.»

Po, është e vërtetë, shumë nga ujëvarat dhe bukuritë e tjera natyrore të Zambies nuk janë vende të rrahura nga njerëzit. Botimi Monumentet kombëtare të Zambies thotë se te disa prej tyre «mund të shkosh vetëm me fuoristradë, duke ecur nëpër terren të vështirë, te të tjerat shkohet vetëm më këmbë». Por sigurisht kjo është një nga gjërat që i bëjnë të veçanta këto vende. Megjithatë, vizitorët janë të mirëpritur. Zoti Kagosi Muamuloue, gjeolog në Komisionin e Ruajtjes së Trashëgimisë Kombëtare të Zambies, shpjegon se synimi i këtij komisioni është t’u krijojnë mundësinë njerëzve t’i shohin këto vende të mrekullueshme, por ndërkohë të mbrojnë bukurinë e tyre origjinale.

Thesari më i madh i Zambies

Në librin e tij Zambia, shkrimtari Riçard Vogan thotë: «Zambia mbetet një vend me bukuri të mëdha natyrore, shumë prej të cilave nuk i njohin as vizitorët, as banorët e Zambies. . . . Vendi është i bekuar me liqene, lumenj, pyje dhe male me një shumëllojshmëri fantastike.» Por, pasuria më e madhe e vendit nuk është kjo.

«Banorët e tij janë të njohur si njerëz të përzemërt, me natyrë të gëzuar dhe me aftësi për t’u përshtatur»,​—thotë Vogani. Siç u shpreh edhe Dejvid Bristou, një shkrimtar tjetër, «zemra e Zambies është populli i saj, që është po aq i ngrohtë sa edhe dielli i Afrikës». Po të vini ndonjëherë në këtë pjesë të bukur të botës, jemi të sigurt se do të thoni po kështu.

[Harta dhe figurat në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

TANZANI

REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS

ANGOLË

ZAMBIE

UJËVARA KALAMBO

UJËVARA LUMANGUE

Lusakë

UJËVARA NGONIE

UJËVARA VIKTORIA

ZIMBABVE

MOZAMBIK

OQEANI INDIAN

[Figurat]

Ujëvara Lumangue​—duket si ujëvara Viktoria në miniaturë

Ujëvara Kalambo​—dy herë më e lartë se ujëvara Viktoria

Ujëvara Ngonie​—«në shumicën e ditëve, mund ta kesh ujëvarën të tërën për vete»

[Burimet]

Ujëvara Lumangue dhe Ngonie: Marek Patzer/www.zambiatourism.com; harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqet 16, 17]

Ujëvara Viktoria​—«Tymi që gjëmon»

[Burimi]

Marek Patzer/www.zambiatourism.com