Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndresë e mahnitshme

Qëndresë e mahnitshme

Qëndresë e mahnitshme

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NAMIBI

KËTU në shkretëtirën e Namibit, në jugperëndim të Afrikës, ajri është i pastër dhe i freskët. Është një ditë pa re. Ndërsa dielli ngrihet dalëngadalë në qiell, ngrihet edhe temperatura. Kjo është një botë me duna rëre dhe pllaja me zhavorr të rrahura nga erërat. Shohim përreth të magjepsur. Ç’është ajo gjë si pirg me gjethe të gjelbra atje tej? Duke parë më nga afër, zbulojmë se kemi përballë një nga bimët më të çuditshme në botë: Velviçia mirabilis. Fjala e dytë e këtij emri në latinisht përkthehet «e mrekullueshme».

Në natyrë, velviçiat mund t’i gjeni vetëm në shkretëtirat e Angolës dhe të Namibisë. Janë kaq të ndryshme nga bimët e tjera, saqë shkencëtarët i klasifikojnë në një familje dhe gjini të vetme, të përbërë vetëm nga një lloj. «Nga afro 375.000 llojet e bimëve që njeh njeriu, asnjë prej tyre nuk ka ngjallur kaq shumë interes për botanikën sa velviçia; po ashtu, asnjë bimë tjetër nuk i ka rezistuar kaq mirë zakonit të njeriut për t’i klasifikuar bimët»,​—shkruan Kris Bornmani në librin e tij Velviçia​—Paradoks i një parajse në shkretëtirë (anglisht).

Velviçiat mund të duken si një grumbull gjethesh që rrethojnë një trung peme, por faktikisht bima ka vetëm dy gjethe. Këto çahen dhe bëhen fije-fije nga erërat e shkretëtirës. Emri i kësaj bime në gjuhën afrikans është tuiblarkanidut, që fjalë për fjalë do të thotë «dy gjethe që s’mund të vdesin». Vërtet një emër me vend! Këtu gjatë ditës temperatura arrin nganjëherë deri në 40 gradë celsius dhe natën ndodh që zë një e ftohtë e hidhur, pasi nuk ka pemë që të pengojnë erërat e forta. Ndonëse shumë bimë varen kryesisht nga rrënjët për të thithur ujin nga dheu, nuk është kështu me velviçiat. Mesatarisht në shkretëtirën e Namibit bien më pak se 25 milimetra reshje në vit, e nganjëherë s’bie shi për vite me radhë. Edhe në kushte të tilla, velviçiat vazhdojnë të rriten dhe gjethet u mbeten gjithnjë të gjelbra. Prej kohësh shkencëtarët janë mrekulluar nga kjo dukuri. Duket se përgjigjja është që gjethet e velviçiave thithin mjegullën e mëngjesit që sjellin në shkretëtirë erërat e vazhdueshme bregdetare.

Velviçiave nuk u bien gjethet dhe as nuk u dalin të reja. Dy gjethet fillestare vazhdojnë të rriten gjatë gjithë jetës së bimës. Kur hapën një gjethe të mbledhur rrotull, gjatësia e saj ishte rreth 8,8 metra. A mund ta merrni me mend sa të gjata do të ishin gjethet e velviçiave në qoftë se majat nuk do të thaheshin e të binin? «Gjatë 1.500 viteve që jeton kjo bimë,​—shpjegon revista shkencore Veld & Flora,​—gjethet e Welwitschias ka të ngjarë të arrinin deri në [225 metra].» Por, a mund të jetojë vërtet kaq gjatë kjo bimë? «Velviçiat rriten ngadalë dhe shpesh rrojnë 1.000 deri në 2.000 vjet»,​—pohon The World Book Multimedia Encyclopedia.

Velviçia ka vërtet një qëndresë të mahnitshme. Si shpjegohet që kjo bimë e pazakontë arrin të jetojë kaq gjatë në kushtet e ashpra të shkretëtirës? Kryesisht duhet të falënderojmë Projektuesin e mençur, Krijuesin, Perëndinë Jehova, i cili e vë ‘bimësinë në shërbim të njeriut’.​—Psalmi 104:14.