Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të hiqen zakonet e këqija?

A mund të hiqen zakonet e këqija?

Pikëpamja e Biblës

A mund të hiqen zakonet e këqija?

DIKUR shkrimtari Mark Tuen tha një batutë: «S’ka gjë më të lehtë në botë, sesa të lësh cigaren. E them këtë, se e kam bërë vetë kushedi sa herë.» Sigurisht, shumë veta janë dakord me realitetin e hidhur të fjalëve të Tuenit. Ndonëse e kuptojnë fare mirë se disa zakone janë të gabuara e madje të dëmshme, ata gjithashtu e dinë se është shumë e vështirë t’u rezistosh e t’i heqësh këto zakone. Zakonet mund të rrënjosen thellë me kalimin e viteve dhe pavarësisht nga përpjekjet, mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë t’i heqësh ato. Të përpiqesh të mbash nën kontroll dëshira të tilla të forta mund të jetë sfilitëse e madje e dhimbshme.

Dr. Antoni Danielsi, një mjek që punon në burg, thotë se shkelësit e ligjit shpesh pretendojnë se janë skllevër të pafuqishëm të fiksimeve dhe të dëshirave të ulëta. Ata arsyetojnë se kur dikush është i fiksuar pas diçkaje, «këtë njeri e ka mbërthyer një impuls i brendshëm i tmerrshëm, të cilit nuk ka fuqi t’i rezistojë». Nëse një arsyetim i tillë do të ishte i vërtetë, nuk mund të quheshim përgjegjës po të ndiqnim impulset tona. Por, a është e vërtetë që jemi viktima të pafuqishme të nxitjeve dhe dëshirave tona të brendshme? A mund të hiqen zakonet e këqija? Për të marrë një përgjigje të besueshme le të shohim se çfarë thotë Bibla.

Dëshirat kundër veprimeve

Bibla e tregon qartë se Perëndia na quan përgjegjës për veprimet tona. (Romakëve 14:12) Gjithashtu ai kërkon që ne të jetojmë sipas normave të tij të drejta. (1 Pjetrit 1:15) Meqë është Krijuesi ynë, ai e di se ç’është më e mira për ne, dhe parimet e tij dënojnë shumë nga zakonet e përhapura në këtë botë. (1 Korintasve 6:9, 10; Galatasve 5:19-21) Megjithatë ai është i dhembshur dhe i arsyeshëm në atë që pret nga njerëzit e papërsosur.​—Psalmi 78:38; 103:13, 14.

Psalmisti shkroi: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?» (Psalmi 130:3) Po, Jehovai e di fare mirë që «synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij». (Zanafilla 8:21) Trashëgimia gjenetike, dobësitë e lindura dhe ngjarjet e së kaluarës e bëjnë të pamundur që t’i heqim të gjitha mendimet dhe dëshirat e këqija. Prandaj, me dashuri, Jehovai nuk kërkon përsosmëri nga ne.​—Ligji i përtërirë 10:12; 1 Gjonit 5:3.

Sidoqoftë fakti që Perëndia është i arsyeshëm nuk na shkarkon nga përgjegjësia për të mbajtur nën kontroll dëshirat e këqija. Ndonëse e pranonte që kishte një betejë kundër dëshirave të këqija, apostulli Pavël nuk u dorëzua. (Romakëve 7:21-24) «E rrah me grushta trupin tim,​—tha ai,​—dhe e drejtoj si një skllav.» Me çfarë qëllimi? Që «të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar». (1 Korintasve 9:27) Po, vetëkontrolli është i domosdoshëm për të luftuar prirjet e zakonet tona të gabuara, dhe në fund për të fituar mbi to.

Është e mundur të ndryshosh

Shkencëtarët që studiojnë sjelljen e njeriut thonë se zakonet e këqija, ashtu si edhe të mirat, mësohen dhe zhvillohen me kalimin e kohës. Nëse është kështu, atëherë zakonet e këqija patjetër që edhe mund të çmësohen. Si arrihet kjo? «Mendo për dobitë që do të kesh po të heqësh zakonet e vjetra»,​—thonë autorët e një libri për të mbajtur nën kontroll stresin. Pastaj, «radhit të gjitha aspektet ku do të përmirësohej jeta jote, po të ndryshoje sjellje». Po, në qoftë se përqendrohemi te dobitë që do të kemi po të heqim shprehitë e papëlqyeshme, kjo mund të na nxitë për të ndryshuar.

Mendo për këshillën e apostullit Pavël që të ‘rinohemi në forcën që vë në veprim mendjen tonë’. (Efesianëve 4:22, 23) Kjo forcë është prirja jonë mendore mbizotëruese. Mund ta ndryshosh këtë forcë duke iu afruar Perëndisë dhe duke zhvilluar çmueshmëri për normat e tij. Mendimi se po i pëlqen Jehovait të nxit për të bërë ndryshimet e duhura.​—Psalmi 69:30-33; Fjalët e urta 27:11; Kolosianëve 1:9, 10.

Sigurisht do të jetë e vështirë të çlirohemi nga zakonet e këqija, që ndoshta për vite me radhë kanë pasur një ndikim të fuqishëm në jetën tonë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë betejën që na pret. Natyrisht që do të ketë raste kur nuk do t’ia dalim dhe do të dështojmë. Por jini të sigurt që me kalimin e kohës, zakonisht gjendja bëhet më e lehtë. Sa më shumë të përpiqesh, aq më shumë sjellja e re do të të bëhet e natyrshme.

Ai që e do Perëndinë mund të jetë i sigurt edhe se Perëndia do ta ndihmojë dhe do ta bekojë. «Perëndia është i besueshëm,​—na siguron Pavli,​—dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por . . . do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:13) Së shpejti, Perëndia Jehova do të shkatërrojë këtë sistem të lig bashkë me të gjitha tundimet, dëshirat e ulëta dhe lakmitë që ekzistojnë në të. (2 Pjetrit 3:9-13; 1 Gjonit 2:16, 17) Të gjithë njerëzit e papërsosur që do të mbijetojnë, me kalimin e kohës mund të shërohen plotësisht dhe përgjithmonë nga të gjitha mundimet, qofshin ato fizike, mendore ose emocionale. «Gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje»,​—premton Perëndia. (Isaia 65:17) Ndër «gjërat e mëparshme» pa dyshim që do të jenë edhe lakmitë, edhe dëshirat e mundimshme. A nuk është kjo një arsye e shkëlqyer për të bërë çmos sot që t’u rezistojmë dhe t’i luftojmë zakonet e këqija?

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

SI MUND TË HIQEN ZAKONET E KËQIJA

1. Dalloji dhe pranoji zakonet e këqija. Pyete veten: ‘A kam ndonjë dobi nga ky zakon? A është ai i bezdisshëm ose shqetësues për të tjerët? A dëmton shëndetin, gjendjen ekonomike, mirëqenien, familjen ose paqen time mendore? Çfarë përmirësimesh do të ndodhnin në jetën time po ta hiqja këtë zakon?’

2. Zëvendësoje zakonin e keq me diçka të mirë. Për shembull, a kalon shumë kohë në Internet, ndoshta duke parë materiale jo të shëndetshme? Nëse po, programoje atë kohë për të lexuar a për të studiuar materiale të shëndetshme ose për të bërë ushtrime.

3. Ndiqe me kujdes përparimin tënd. Çdo ditë, për pak minuta, mendo për përparimin që ke bërë. Në rast se ndodh që bie përsëri në të njëjtin ves, përcakto se cilat rrethana të çuan deri atje.

4. Kërko ndihmën e të tjerëve. Tregoju miqve dhe familjes se po përpiqesh të heqësh një zakon dhe thuaju të të kujtojnë kur duket se po shket përsëri. Bisedo me të tjerë që ia kanë dalë me sukses të heqin të njëjtin zakon.​—Fjalët e urta 11:14.

5. Ji i ekuilibruar dhe realist. Mos prit t’ia dalësh mbanë menjëherë. Mund të duhet kohë për të mposhtur disa zakone që të janë ngulitur me kalimin e viteve.

6. Lutju Perëndisë. Me ndihmën e Perëndisë mund të heqësh çfarëdo zakoni të keq.​—Psalmi 55:22; Luka 18:27.