Të rinjtë pyesin . . .
Pse duhen gjithë këto rregulla?
«Orari që më kishin vënë ma hiqte trurin! Më vinte plasja, kur të tjerët i linin të rrinin jashtë më vonë se mua.»—Aleni.
«Është tmerr të të kontrollojnë edhe telefonatat në celular. Më duket se po më trajtojnë si kalama!»—Elizabeta.
A TË duket sikur në shtëpi të kanë mbytur me rregulla? A të ka shkuar ndonjëherë mendja të dalësh fshehurazi nga shtëpia ose t’i gënjesh prindërit për atë që ke bërë? Nëse po, mbase ndihesh edhe ti si një adoleshente e cila thotë se prindërit e saj janë ‘mos këtu e mos atje’, nga meraku i madh që kanë për të. Ajo thotë: ‘Duhet të më lënë të marr pak frymë!’
Ka të ngjarë që prindërit të të kenë vënë disa rregulla për gjërat që duhet të bësh e ato që nuk duhet të bësh. Këto rregulla mund të përfshijnë detyrat e shkollës, punët e shtëpisë, orarin kur duhet të kthehesh, si edhe kufizime në përdorimin e telefonit, të televizorit a të kompjuterit. Ato mund të shkojnë edhe përtej mureve të shtëpisë, duke përfshirë sjelljen tënde në shkollë dhe zgjedhjen e miqve.
Shumë të rinj u dredhojnë shpesh rregullave që vënë prindërit. Në një studim, gati dy të tretat e adoleshentëve të intervistuar thanë se ishin disiplinuar, ngaqë kishin shkelur rregullat e vëna në familje. Pa dyshim, ky ishte shkaku për të cilin disiplinoheshin në të shumtën e rasteve.
Megjithatë, shumë të rinj e pranojnë që disa rregulla nevojiten për të shmangur rrëmujën. Por, në qoftë se rregullat e familjes janë vërtet të nevojshme, përse disa prej tyre janë kaq të mërzitshme? E nëse ndihesh sikur rregullat e prindërve po të mbysin, si mund të çlirohesh disi?
«Nuk jam më bebe»!
«Çfarë të bëj që prindërit ta kuptojnë se nuk jam më bebe dhe se duhet të më lënë të rritem?»—pyet një adoleshente me emrin Emili. A je ndier ndonjëherë kështu? Ashtu si Emilia, edhe ti mund të acarohesh nga rregullat, sepse të duket se po të trajtojnë si një bebe të pambrojtur. Sigurisht, prindërit i shohin gjërat ndryshe. Ka të ngjarë që sipas tyre, rregullat që të vënë janë
jetësore për të të mbrojtur e përgatitur për përgjegjësitë që do të mbash kur të rritesh.Edhe nëse ke njëfarë lirie, mund të mendosh se ti tashmë je më i rritur, kurse rregullat kanë mbetur po ato. Kjo mund të të mërzitë, sidomos nëse duket sikur motrat a vëllezërit e tu trajtohen më me tolerancë. Mersi thotë: «Jam 17 vjeçe dhe jam e detyruar të kthehem herët në shtëpi. Po bëra ndonjë gabim, menjëherë më dënojnë të mos dal nga shtëpia. Por, kur im vëlla ishte në moshën time, as nuk i vinin orar dhe as nuk e dënonin të mos dilte.» Duke kujtuar vitet e adoleshencës, Metju tha për motrën e tij më të vogël dhe kushërirat: «Vajzat gjithnjë ia hidhnin pa u lagur.»
Më mirë pa rregulla?
Kuptohet, ndoshta e ke ëndërr të jetosh i lirë pa qenë nevoja t’u bindesh rregullave të prindërve. Por, a do të ishe vërtet më mirë pa kufizimet e tyre? Mbase njeh disa moshatarë që mund të kthehen në shtëpi kur të duan, mund të vishen si t’ua ketë qejfi e të dalin me shokët kur dhe ku t’u teket. Ndoshta prindërit e tyre janë tepër të zënë dhe nuk e vënë re se çfarë bëjnë fëmijët. Sidoqoftë, kjo metodë për rritjen e fëmijëve nuk ka qenë e suksesshme. (Proverbat 29:15) Mungesa e dashurisë që sheh sot rreth e rrotull, kryesisht vjen ngaqë bota është mbushur me njerëz egoistë, e shumë prej tyre janë rritur në familje pa rregulla.—2 Timoteut 3:1-5.
Një ditë mund të mendosh ndryshe për një shtëpi pa rregulla. Shiko se çfarë u vërejt nga një studim me vajza të reja që u rritën në familje me pak rregulla dhe ku mbikëqyrja nga prindërit ishte e paktë ose mungonte fare. Duke kujtuar të kaluarën, asnjëra prej tyre nuk e shihte mungesën e disiplinës si diçka të mirë. Përkundrazi, e shihnin si një provë që tregonte se prindërit nuk ishin interesuar për to ose që ishin të pazotë.
Në vend që t’i kesh zili të rinjtë që i lejojnë të bëjnë ç’të duan, përpiqu t’i shohësh rregullat e vëna nga prindërit si provë të dashurisë e të merakut që kanë për ty. Duke vënë kufij të arsyeshëm, ata po imitojnë Perëndinë Jehova që i thotë popullit të vet: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»—Psalmi 32:8.
Megjithatë, tani për tani, mund të të duket se kaq shumë rregulla janë të padurueshme. Po të ndihesh kështu, shqyrto disa hapa praktikë që mund të ta bëjnë më të këndshme jetën në shtëpi.
Komunikim që sjell dobi
Nëse dëshiron të kesh më shumë liri, ose thjesht dëshiron të kesh më pak acarime brenda kufijve të lirisë që ke, sekreti është komunikimi i mirë. Dikush mund të thotë: ‘Por unë jam përpjekur të bisedoj me prindërit, por ja që s’kam nxjerrë gjë në dritë!’ Në qoftë se mendon kështu, pyet veten: ‘A mund të përmirësoj mënyrën si komunikoj?’ Komunikimi është një mjet jetësor që mund të të ndihmojë ose (1) të marrësh atë që do, ose (2) të kuptosh më mirë se përse nuk ta japin atë që do. Po, që të fitosh të drejtat që kanë të rriturit, është më se e arsyeshme të mësosh që të komunikosh si njeri i pjekur.
Mëso të kontrollosh ndjenjat. Bibla thotë: «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por kush është i mençur, mban një frymë të qetë deri në fund.» (Proverbat 29:11) Komunikimi i mirë nuk do të thotë vetëm të ankohesh. Kjo vetëm sa do të bëjë që të të japin edhe një qortim tjetër. Pra, mundohu të mos bëhesh qaraman ose të rrish hundë e buzë dhe të mos shpërthesh me nervozizëm si fëmijë. Sado që të të vijë t’i përplasësh dyert e të ecësh rëndë e gjithë nerva nëpër shtëpi kur prindërit të vënë rregulla, ka shumë të ngjarë që një sjellje e tillë të të sjellë më shumë kufizime, sesa liri.
Përpiqu të kuptosh pikëpamjen e prindërve. Kjo gjë e ka ndihmuar edhe Trejsin, një të re të krishterë, që jeton në një familje me një prind. Ajo thotë: «Pyes veten: ‘Çfarë po përpiqet të arrijë nëna ime me rregullat e saj?’ Ajo po mundohet të më ndihmojë që të bëhem njeri më i mirë.» (Proverbat 3:1, 2) Një mirëkuptim i tillë mund të të ndihmojë që t’u shpjegosh prindërve pikëpamjen tënde. Për shembull, ta zëmë se prindërit e kanë me dy mendje nëse duhet të të lënë të shkosh në një festë. Në vend që të bësh fjalë, mund t’i pyesësh: «Po sikur një shok i pjekur dhe i përgjegjshëm të vijë me mua?» Mbase jo gjithmonë prindërit do të t’i plotësojnë kërkesat; por, në qoftë se e kupton pse merakosen, do ta kesh më të lehtë të sugjerosh një zgjidhje të pranueshme.
Fito besimin e prindërve. Të fitosh besimin e prindërve është si të futësh para në bankë. Mund të tërheqësh vetëm aq sa ke depozituar. Po të tërheqësh më shumë nga sa ke, mund të gjobitesh dhe, po ta përsëritësh këtë gjë shumë herë, llogaria jote bankare mund të mbyllet fare. Të fitosh një të drejtë është si të bësh një tërheqje parash. Ajo do të miratohet vetëm nëse ke dhënë prova se je i përgjegjshëm.
Ji realist për atë që pret. Prindërit kanë përgjegjësinë t’i kontrollojnë në masë të arsyeshme veprimet e tua. Prandaj, Bibla flet për «urdhërimin e atit tënd» dhe «ligjin e nënës sate». (Proverbat 6:20) Megjithatë, nuk ka pse t’i shohësh rregullat e familjes si diçka që do të të shkatërrojë jetën. Përkundrazi, po t’i bindesh autoritetit të prindërve, Jehovai premton se në të ardhmen do «të të vejë mbarë».—Efesianëve 6:1-3.
PËR TË MENDUAR
-
Cilat rregulla të duken më të vështira?
-
Cilat pika nga ky artikull do të të ndihmojnë t’i ndjekësh rregullat që të vënë prindërit?
-
Si ta fitosh më shumë besimin e prindërve?