Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si erdhi Bibla te ne?

Si erdhi Bibla te ne?

Si erdhi Bibla te ne?

Është vërtet një mrekulli që Bibla ka mbërritur pa shtrembërime deri në ditët tona. Ajo përfundoi më shumë se 1.900 vjet më parë. Bibla u shkrua në materiale të brishta—në letra të bëra nga kallamat e papirusit dhe në pergamenë prej lëkure. Veç kësaj, fillimisht u shkrua në gjuhë që sot fliten vetëm nga një grusht njerëzish. Gjithashtu, njerëz me pushtet, që nga perandorët e deri tek udhëheqësit fetarë, bënë çmos ta zhduknin Biblën.

SI ARRITI kjo vepër e jashtëzakonshme t’i mbijetonte sprovës së kohës dhe të bëhej libri më i njohur i njerëzimit? Shqyrtoni vetëm dy faktorë.

Kopjet e shumta—besnike ndaj tekstit

Kujdestarët e teksteve të hershme të Biblës, izraelitët, i ruanin me kujdes rrotullat origjinale dhe bënë shumë kopje të tyre. Për shembull, mbretërve të Izraelit iu tha të shkruanin «një kopje të këtij ligji nga ai që e mbajnë vetëm priftërinjtë levitë».—Ligji i përtërirë 17:18.

Shumë izraelitë ishin të etur për Shkrimet, pasi e dinin se ato ishin Fjala e Perëndisë. Për rrjedhojë, kopjimi i tekstit u bë me një kujdes të jashtëzakonshëm nga skribë mjaft të përgatitur. Për Ezdrën, një skrib që adhuronte Perëndinë, thuhet se ishte «një kopist i zoti i ligjit të Moisiut që kishte dhënë Jehovai, Perëndia i Izraelit». (Ezdra 7:6) Madje masoretët, që kopjuan Shkrimet Hebraike ose «Besëlidhjen e Vjetër» aty nga shekulli i gjashtë dhe i dhjetë i e.s., i numëronin germat në tekst që të mos bënin gabime. Një kopjim kaq i kujdesshëm ndihmoi si për ruajtjen e saktësisë së tekstit, ashtu edhe për mbijetesën e vetë Biblës, pavarësisht se armiqtë e saj bënë çmos që ta shfarosnin.

Për shembull, në vitin 168 p.e.s., sundimtari sirian Antioku IV u orvat të shkatërronte të gjitha kopjet e Shkrimeve Hebraike që gjeti në mbarë Palestinën. Një historian jude thotë: «Çdo rrotull të ligjit që zbuluan, e grisën dhe e dogjën.» Në botimin The Jewish Encyclopedia, thuhet: «Zyrtarët që ishin ngarkuar me këtë urdhër, e bënë këtë me shumë rreptësi. . . . Po të mbaje një libër të shenjtë . . . dënoheshe me vdekje.» Por kopje të Shkrimeve shpëtuan si midis judenjve në Palestinë, ashtu edhe në vendet e tjera.

Pasi shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke ose «Besëlidhjes së Vjetër» e mbaruan punën e tyre, s’kaloi shumë dhe u shtuan kopjet e letrave, profecive dhe tregimeve të tyre historike të frymëzuara. Për shembull, Gjoni e shkroi Ungjillin në Efes ose diku afër. Gjithashtu, një pjesë e atij Ungjilli, pjesë e një kopjeje që studiuesit thonë se u bë më pak se 50 vjet pasi Gjoni e shkroi këtë tregim, u zbulua në Egjipt, qindra kilometra larg Efesit. Ky zbulim tregoi se të krishterët në vendet e largëta kishin kopje të teksteve që ishin shkruar rishtazi nën frymëzim.

Edhe shpërndarja e gjerë e Fjalës së Perëndisë ndihmoi që ajo të mbijetonte shekuj pas kohës së Krishtit. Për shembull, thuhet se teksa agonte 23 shkurti i vitit 303 të e.s., perandori romak Diokleciani shihte ushtarët e tij që shkallmonin dyert e një kishe dhe digjnin kopje të Shkrimeve. Diokleciani mendonte se mund ta zhdukte krishterimin duke shkatërruar shkrimet e tij të shenjta. Të nesërmen, ai dekretoi të digjeshin publikisht të gjitha kopjet e Biblës anembanë Perandorisë Romake. Megjithatë, disa kopje shpëtuan dhe u shumëfishuan. Madje, fragmente të mëdha nga dy kopje të Biblës në greqisht, që ka mjaft të ngjarë të jenë bërë jo shumë kohë pas përndjekjes nga Diokleciani, kanë mbijetuar deri sot e kësaj dite. Njëra është në Romë, kurse tjetra në Bibliotekën Britanike në Londër, Angli.

Ndonëse ende nuk janë gjetur dorëshkrime origjinale të Biblës, mijëra kopje të shkruara me dorë të Biblës së plotë ose të pjesëve të saj, kanë ardhur deri në ditët tona. Disa prej tyre janë shumë të vjetra. A ndryshoi përmbajtja e tekstit origjinal gjatë kopjimit? Studiuesi U. H. Grin tha për Shkrimet Hebraike: «Mund të thuhet pa diskutim se asnjë vepër tjetër e antikitetit nuk është përcjellë kaq saktë.» Sër Frederik Kenioni, studiues i shquar i dorëshkrimeve të Biblës, shkroi për Shkrimet e Krishtere Greke: «Periudha midis datës kur u shkrua teksti origjinal dhe kopjes më të hershme që ekziston sot, është kaq e shkurtër, saqë mund të konsiderohet e papërfillshme. Tashmë nuk ka mbetur as edhe një arsye për të dyshuar se, në thelb, Shkrimet kanë ardhur deri te ne siç ishin në fillim. Sot mund të thuhet se është vërtetuar përfundimisht se saktësia, përmbajtja dhe forma e librave të Besëlidhjes së Re janë të pacenuara. Gjithashtu, tha: «Mund të pohojmë me siguri se, në thelb, teksti i Biblës nuk ka ndryshuar. . . . S’mund të thuhet e njëjta gjë për ndonjë libër tjetër të lashtë në botë.»

Përkthimi i Biblës

Një faktor i dytë kryesor që e ka bërë Biblën librin më të njohur, është botimi i saj në shumë gjuhë. Ky fakt përputhet me qëllimin e Perëndisë që njerëz nga të gjitha kombet dhe gjuhët ta njohin dhe ta adhurojnë atë «me frymë dhe të vërtetë».​—Gjoni 4:23, 24; Mikea 4:2.

Përkthimi i parë i njohur i Shkrimeve Hebraike ishte versioni Septuaginta, në greqisht. Ai u bë për judenjtë që flitnin greqisht e që jetonin jashtë Palestinës dhe përfundoi rreth dy shekuj para se Jezui të niste shërbimin në tokë. E gjithë Bibla, përfshirë edhe Shkrimet e Krishtere Greke, u përkthye në shumë gjuhë brenda disa shekujsh pas përfundimit të saj. Por më vonë, mbretërit, madje edhe priftërinjtë, nga të cilët pritej të bënin çmos që ta çonin Biblën në duart e njerëzve, bënë të kundërtën. Ata u përpoqën t’i mbanin besimtarët e tyre në errësirë, duke mos lejuar që Fjala e Perëndisë të përkthehej në gjuhën e popullit.

Në kundërshtim të hapur me Kishën dhe shtetin, njerëz të guximshëm vunë kokën në rrezik që ta përkthenin Biblën në gjuhën e vegjëlisë. Për shembull, më 1530, anglezi Uilliam Tindal, i arsimuar në Oksford, nxori një botim të Pentateukut, pesë librave të parë të Shkrimeve Hebraike. Pavarësisht nga kundërshtimet e shumta, ishte i pari që e përktheu Biblën nga hebraishtja në anglisht. Gjithashtu, Tindali ishte përkthyesi i parë anglez që përdori emrin Jehova. Studiuesi spanjoll i Biblës, Kasiodoro de Reina, vazhdimisht kërcënohej për vdekje nga përndjekësit katolikë teksa punonte për një përkthim të hershëm të Biblës në spanjisht. Ai udhëtoi në Angli, Gjermani, Francë, Holandë dhe Zvicër ndërsa punonte për përfundimin e këtij përkthimi. *

Sot Bibla po përkthehet në gjithnjë e më shumë gjuhë dhe po botohen miliona kopje. Mbijetesa e saj dhe fakti që është libri më i njohur i njerëzimit tregojnë sa të vërteta janë fjalët e frymëzuara të apostullit Pjetër: «Bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë.»​—1 Pjetrit 1:24, 25.

[Shënimi]

^ par. 14 Versioni i De Reinës u botua më 1569 dhe u rishikua nga Sipriano de Valera më 1602.

[Kutia dhe figurat në faqen 14]

CILIN PËRKTHIM DUHET TË LEXOJ?

Në shumë gjuhë ka një sërë përkthimesh të Biblës. Disa përkthime përdorin një gjuhë arkaike e të vështirë. Të tjera janë përkthime të lira të parafrazuara, të cilat më tepër synojnë një lexim të lehtë, sesa saktësinë. Por ka edhe të tjera që janë përkthime thuajse fjalë për fjalë.

Përkthimi në anglisht Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, u përgatit nga një komitet anonim duke u bazuar drejtpërdrejt në gjuhët origjinale. Më tej, ky përkthim ka shërbyer si tekst bazë për përkthime në rreth 60 gjuhë të tjera. Megjithatë, përkthyesit për ato gjuhë bënë shumë krahasime me tekstin në gjuhën origjinale. Synimi i Përkthimit Bota e Re është t’i qëndrojë sa më besnik gjuhës origjinale kurdo që është e mundur, pa errësuar kuptimin. Përkthyesit përpiqen që Bibla të jetë po aq e kuptueshme, sa ç’ishte edhe teksti origjinal për lexuesit e kohëve biblike.

Disa gjuhëtarë kanë shqyrtuar përkthimet moderne të Biblës, përfshirë edhe Përkthimin Bota e Re, për të gjetur pasaktësi ose shtrembërime në përkthim. Një nga këta studiues është Xhejson Dejvid Beduni, ndihmësprofesor i studimeve fetare në Universitetin e Arizonës Veriore në Shtetet e Bashkuara. Më 2003, ai botoi një studim 200-faqësh me nëntë nga «Biblat më të përdorura në botën anglishtfolëse». * Gjatë studimit analizoi disa fragmente nga Shkrimet që kanë ndezur debate, dhe prandaj në ato fragmente «ka më shumë të ngjarë që përkthimi të pësojë shtrembërime si pasojë e parapëlqimeve». Për çdo fragment krahasoi tekstin në greqisht me tekstin e çdo përkthimi në anglisht dhe kërkoi nëse ishte bërë ndonjë orvatje për të ndryshuar kuptimin. Në ç’përfundim arriti?

Beduni nxjerr në pah se publiku në përgjithësi dhe shumë studiues të Biblës mendojnë se ndryshimet në Përkthimin Bota e Re (BR) vijnë nga parapëlqimet fetare të përkthyesve. Megjithatë, ai thotë: «Shumica e ndryshimeve kanë ardhur ngaqë BR-ja është më e saktë, duke . . . përkthyer në mënyrë literale dhe me besnikëri.» Ndonëse Beduni nuk është dakord me disa shprehje të Përkthimit Bota e Re, ai thotë se «duke e krahasuar me përkthimet e tjera që u shqyrtuan, ishte më i sakti». Ai e quan përkthim «tejet të mirë».

Dr. Benxhamin Kedari, studiues hebre në Izrael, bëri një koment të ngjashëm për Përkthimin Bota e Re. Më 1989 ai tha: «Kjo vepër pasqyron një përpjekje të ndershme për të kuptuar tekstin sa më saktë të jetë e mundur. . . . Te Përkthimi Bota e Re nuk kam hasur kurrë ndonjë orvatje të nisur nga parapëlqimet për të ndryshuar tekstin.»

Pyet veten: ‘Pse e lexoj Biblën? A dua thjesht ta lexoj kollaj, pa i dhënë shumë rëndësi saktësisë? Apo dua të lexoj mendimet që pasqyrojnë tekstin origjinal të frymëzuar sa më saktë të jetë e mundur?’ (2 Pjetrit 1:20, 21) Synimi yt duhet të përcaktojë cilin përkthim do të zgjedhësh.

[Shënimi]

^ par. 22 Përveç Përkthimit Bota e Re, përkthimet e tjera ishin The Amplified New Testament, The Living Bible, The New American Bible With Revised New Testament, New American Standard Bible, The Holy BibleNew International Version, The New Revised Standard Version,The Bible in Today’s English Version dhe King James Version.

[Figura]

Botimi «Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re» gjendet në shumë gjuhë

[Figura në faqet 12, 13]

Dorëshkrime masoretike

[Figura në faqen 13]

Fragment që përmban Lukën 12:7, «. . . mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela»

[Burimet e figurave në faqen 13]

Fotografia në fillim: Biblioteka Kombëtare e Rusisë, Shën Pjetërburg; e dyta dhe e treta: Muzeu Biblik, Munster; në sfond: © The Trustees of the Chester Beatty Library, Dublin