Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arritjet madhështore të një mbreti

Arritjet madhështore të një mbreti

Arritjet madhështore të një mbreti

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KAMERUN

IBRAHIM NJOJA ishte mbreti i 17-të i popullit bamum, një grupi etnik të madh që ende banon në savanat e Kamerunit Perëndimor. Njoja ishte mbret nga viti 1889 deri në vitin 1933 kur vdiq. Kjo tregohet edhe në listën shoqëruese me sundimtarët që nga shekulli i 14-të deri më sot. Gjatë sundimit të Njojas, francezët dhe gjermanët po mundoheshin ta kolonizonin atë zonë.

Që kur ishte i ri, Njoja u shqua si njeri shumë i zgjuar dhe me intuitë. Ai mblodhi rreth vetes intelektualë që mendonin si ai dhe njerëz me iniciativë që kishin të njëjtat aspirata. Pallati madhështor që ndërtoi, siç tregohet në fotografinë poshtë, dëshmon për mjeshtërinë e tij në arkitekturë. Atij i jepet merita edhe për shpikjen e një mulliri që tregohet këtu, i cili përdorej për të bluar misrin. Por vlerë të veçantë ka puna që bëri për të krijuar një sistem të ri për shkrimin e gjuhës bamume.

Hap rrugën për historinë e shkruar

Deri në fund të shekullit të 19-të, historia e popullit bamum përcillej gojarisht nga njëri brez në tjetrin, dhe kjo ishte mënyra kryesore për ruajtjen e saj. Njoja kuptoi se kështu rrezikonin të hiqnin ose të shtonin hollësi. Ai e njihte gjuhën arabe, pasi kishte blerë disa libra në atë gjuhë nga tregtarë dhe shitës udhëtues që kalonin përmes mbretërisë së tij. Me siguri ishte në dijeni të alfabetit të mëparshëm vai, që asokohe përdorej në Liberi. Prandaj, iu vu punës të krijonte një sistem që të shkruante gjuhën e tij.

Njoja e nisi me disa qindra shenja, kryesisht simbole dhe hieroglife. Sipas këtij sistemi, nënshtetasit e tij duhet të mbanin mend çfarë paraqiste secila shenjë. Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e oborrtarëve të tij të besuar, e thjeshtoi sistemin. Pakësuan numrin e shenjave, duke përdorur një sistem rrokjesh. Duke kombinuar disa shenja ose germa të këtij alfabeti të ri, formoheshin fjalë. Lexuesi duhej të mësonte përmendësh shumë më pak shkronja si dhe shqiptimin e tyre. Kur mbaroi punë Njoja, ky sistem i ri shkrimi, që u quajt Akauku, kishte 70 shkronja.

Njoja nxiti përdorimin e alfabetit bamum. Ai kërkoi që ky alfabet të mësohej nëpër shkolla e të përdorej në çdo nivel qeveritar. Ai vetë drejtoi punën për të shkruar me këtë alfabet të ri një histori mbresëlënëse për dinastinë dhe vendin e tij. Pra, për herë të parë, populli bamum mund të lexonte për traditat, ligjet dhe zakonet e veta. Madje, Njoja urdhëroi të shkruheshin edhe receta ilaçesh me alfabetin e ri bamum. Mbi 8.000 dokumente të tilla origjinale ruhen ende në arkivat e pallatit të tij.

Një e mirë e këtij sistemi shkrimi u bë e dukshme pak kohë pasi mbërritën kolonizatorët gjermanë, në vitin 1902. Edhe pse Njoja përfitoi nga zhvillimi ekonomik që pasoi, nuk ishte gjithnjë dakord me autoritetet gjermane. Prandaj përdori shpikjen e tij të re, të cilën gjermanët ende s’e kishin deshifruar. Sa ka rezistuar shkrimi bamum?

Gjatë Luftës I Botërore (1914-1918), Gjermania e humbi kontrollin mbi territorin e Njojas. Më pas, Lidhja e Kombeve që sapo ishte formuar, ia transferoi Francës mandatin mbi territorin bamum. Sado që i pranonte idetë e reja, Njoja ishte krenar për trashëgiminë e tij dhe me çdo kusht donte të ruante e të zhvillonte kulturën e popullit të vet. Kjo detyrimisht çoi në lindjen e një konflikti me kolonizatorët francezë. Siç ndodhte me të gjithë krerët që nuk tregoheshin besnikë ndaj kolonizatorëve, francezët e hoqën Njojan nga froni në vitin 1931. Ai vdiq në mërgim, dy vjet më vonë.

Tani që francezët ndaluan përdorimin e alfabetit bamum nëpër shkolla dhe që Njoja s’ishte më, shpejt ky alfabet nuk po përdorej më dhe u harrua nga shumica e popullsisë bamume. Kur dolën në skenë, misionarët e «krishterimit» studiuan gjuhën e folur të popullit bamum dhe përgatitën një libër gramatike për shkollat. Ndryshe nga Njoja, shumicën e elementeve e huazuan nga alfabeti romak dhe nga fonetika e tij.

Kohët e fundit janë bërë përpjekje për të rindezur interesin për shkrimin bamum. Sulltani i sotëm, Ibrahim Bombo Njoja, ka çelur një shkollë në pallatin që ndërtoi gjyshi i tij. Aty, fëmijëve po u mësohet përsëri ky sistem shkrimi, që të mos mbetet në harresë.

[Figura në faqen 27]

Një pllakë ku tregohet dinastia bamume që nga shekulli i 14-të e deri sot; majtas në alfabetin romak dhe djathtas në shkrimin bamum

[Burimi i figurës në faqen 26]

Të gjitha fotografitë: me lejen dhe mirësjelljen e sulltanit Ibrahim Bombo Njoja, Foumban, Kamerun