Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për të rinjtë

Ndihmë për të rinjtë

Ndihmë për të rinjtë

Në një botë ideale, të gjithë prindërit do t’i drejtonin e do t’i mësonin vazhdimisht e me dashuri fëmijët. Do të bisedonin me ta, do të lexonin me ta, do të hanin me ta e do t’i kuptonin. Mirëpo prindërit nuk janë të përsosur. Me të drejtë Bibla thotë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.»—Romakëve 3:23.

Nëse je i ri, mbase mendon se familja jote nuk është ideale, e mund të kesh të drejtë. Sidoqoftë, mund të bësh shumë për të pakësuar ankthin e për të qenë më i lumtur. Shqyrto vetëm disa prej mënyrave se si mund të të ndihmojë zbatimi i parimeve biblike.

Sugjerimi 1

Mos u veço, por përfshihu në shoqëri

«Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Disa të rinj ndihen në siklet kur kanë njerëz përreth dhe e kanë më të lehtë të shohin televizor ose të kalojnë kohën me videolojëra. Të tjerë janë tmerrësisht të ndrojtur, prandaj veçohen. Elizabeta, një e re, thotë se është «24 orë e ndrojtur». Ajo pohon: «Ndrojtja ime është si një lloj frike. E kam shumë të vështirë t’u afrohem njerëzve e të flas me ta.»

Si e përballon problemin e ndrojtjes Elizabeta? Ajo është një Dëshmitare e Jehovait dhe, për të adhuruar Perëndinë, ndjek rregullisht mbledhjet e krishtere. Elizabeta thotë: «Edhe pse jam e ndrojtur, vë si qëllim të flas me një person në çdo mbledhje. Nëse nuk ia dal, mundohem të mos e lëshoj veten. Por përqendrohem tek ajo që kam arritur. Kam vënë re se, duke u njohur me të tjerët, kam nxjerrë vërtet dobi.»

Përse të mos shkruash emrat e dy ose tre vetave që dëshiron t’i njohësh më mirë? Vër si synim që aty nga java tjetër të mësosh diçka të re për njërin prej tyre. Më tej shkruaj një të mirë që mund të bësh muajin tjetër për secilin dhe pastaj bëje.—Veprat 20:35.

Po t’u bësh bisht problemeve dhe njerëzve, patjetër që do të merakosesh më shumë se ç’duhet për veten. Nga ana tjetër Bibla na këshillon ‘të shohim me interes jo vetëm çështjet tona, por edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Po ta zbatosh këtë parim me familjarët dhe me të tjerët, do t’i shohësh problemet e tua me ekuilibër dhe do të jesh në gjendje t’i përballosh më mirë.

Sugjerimi 2

Ik nga imoraliteti seksual

«Ikni nga kurvëria [imoraliteti seksual]! Çdo mëkat tjetër që njeriu mund të kryejë, është jashtë trupit të tij, por ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet.» (1 Korintasve 6:18) Si mund t’i rezistosh presionit për të kryer imoralitet ndërkohë që është kaq i përhapur te të rinjtë e tjerë?

Së pari, duhet të mendosh me kujdes për këtë çështje përpara se të përballesh me presionin ose tundimin. Një fjalë e urtë thotë: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Mbali, një vajzë që jeton në Afrikën e Jugut, thotë: «Në shkollën e mesme një djalë i klasës më ftonte vazhdimisht të dilnim bashkë. Shoqet e klasës më nxitnin që të lidhesha me të, sepse ishte shumë simpatik, ishte fotomodel dhe luante futboll me skuadrën e shkollës. Më dukej tërheqës, por tashmë kisha vendosur të mos i shkelja normat e mia morale. Moshatarët e mi mendonin se seksi pa angazhim nuk kishte ndonjë të keqe. Por unë dija ta dalloja të drejtën nga e gabuara dhe e kisha ndarë mendjen se çfarë do të bëja, shumë kohë para se të hasja një situatë të tillë.»

Së dyti, lutu që Perëndia të të ndihmojë që t’u përmbahesh normave të tij morale. Megi, një e re nga Anglia, thotë: «Lutja më ndihmon të kem forcën që më duhet kur jam përballë presionit për të bërë seks. As e çoj nëpër mend se këtë situatë mund ta përballoj me forcat e mia. Flas edhe me prindërit për këtë çështje dhe nganjëherë bisedoj për këtë problem edhe me miq të tjerë të pjekur.»

Sugjerimi 3

Mirëkuptoji prindërit

«Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta, kini përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur.» (1 Pjetrit 3:8) Nuk e ke ti në dorë nëse prindërit do të ndahen apo jo, ashtu siç nuk e ke në dorë nëse të dyve do t’u duhet të punojnë tetë orë. Por deri diku e ke ti në dorë nëse do t’i lejosh këto vështirësi të të shkatërrojnë marrëdhënien me ta. Një mënyrë si mund ta pakësosh ankthin dhe të shtosh lumturinë është të kultivosh dhembshuri për prindërit, të përpiqesh t’i kuptosh vështirësitë që hasin.

Një vajzë me emrin Amber e ka zbatuar këtë këshillë. Ajo pranon se marrëdhënia me të ëmën nganjëherë është plot stres, keqkuptime e acarime. Megjithatë ajo thotë: «Mami ka kaluar shumë në jetë. Na ka rritur e vetme ne të katërve. Gjithnjë na ka siguruar një strehë ku të futim kokën, ushqim në tryezë dhe rroba për t’u veshur. E admiroj vërtet forcën e saj dhe shpresoj të tregoj të njëjtën vendosmëri kur të jem në vështirësi.»

Po të përpiqesh ta vësh veten në vendin e prindërve e të ndihesh si ndihen ata, kjo mund të të ndihmojë t’i shohësh problemet e tua siç duhet. Gjithashtu, të ndihmon t’i njohësh dhe t’i imitosh cilësitë e mira të prindërve.

Burim këshillash të besueshme

Sugjerimet e mësipërme janë veç një pjesëz e mençurisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Teksa mëson më shumë për këtë libër, do të kuptosh se sa këshilla të besueshme siguron ai. *

Një mënyrë për të mësuar më shumë për Biblën është duke u shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait dhe duke studiuar me ta. Mes këtyre njerëzve do të gjesh shokë të vërtetë që do të të mbështetin në kohë të vështira dhe do të të ndihmojnë t’i zbatosh këshillat e mençura të Biblës në jetën tënde. Sigurisht, nuk është e lehtë të jetosh sipas normave të saj. Por, nëse zgjedh këtë udhë në jetë, ti vetë do të nxjerrësh ngaherë dobi.—Isaia 48:17, 18.

[Shënimi]

^ par. 21 Libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, është një burim i shkëlqyer me këshilla të bazuara në Bibël, se si mund t’i përballojnë të rinjtë problemet që hasin.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Për çfarë kanë nevojë adoleshentët nga prindërit?

Të kalojnë kohë: Perëndia Jehova u tha prindërve në Izrael se duhet të flitnin shpesh me fëmijët e tyre—‘kur rrinin ulur në shtëpi, kur ecnin rrugës’. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Për këtë duhet që prindërit të kalojnë kohë me fëmijët. Faktet tregojnë që Jezui mendonte se fëmijët e meritonin që t’u kushtonte kohë. Për shembull, si reagoi Jezui kur «njerëzit filluan t’i sillnin fëmijët e vegjël që ai t’i prekte»? Jezui «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte». (Marku 10:13, 16) Ç’shembull i shkëlqyer për prindërit!

Komunikim i hapur: Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.» (Proverbat 15:22) Ishte e nevojshme të flitnit me mirëbesim me fëmijët kur ishin të vegjël. Por është edhe më jetësore gjatë adoleshencës kur në përgjithësi të rinjtë kalojnë më pak kohë në shtëpi dhe më shumë kohë me shokët e shkollës ose me shoqëri të tjera. Po të mos ketë të folur me mirëbesim, pra komunikim të hapur e të sinqertë mes prindërve dhe fëmijëve, adoleshentët mund të bëhen të huaj në shtëpi.

Disiplina e duhur: Në radhë të parë, disiplina nënkupton ndreqjen dhe edukimin, ndonëse mund të jetë i nevojshëm edhe ndëshkimi. Te Proverbat 15:5 thuhet: «Kush është i marrë, e përbuz disiplinën e të atit, por kush e vlerëson qortimin, është mendjehollë.» Një adoleshent nuk mund ‘ta vlerësojë qortimin’, po të mos i jepet. Sigurisht, kur i disiplinojnë adoleshentët, prindërit duhet të tregojnë ekuilibër. Nuk duhet të jenë aq të rreptë sa ta acarojnë fëmijën, mbase edhe duke ia dëmtuar sigurinë që ka te vetja. (Kolosianëve 3:21) Gjithsesi, prindërit nuk duhet t’u shkojnë gjithnjë pas fijes dhe të mos i edukojnë, diçka aq jetësore për ta. Kjo mund të jetë shkatërrimtare. *

[Shënimi]

^ par. 29 Për më shumë informacion, shih kapitujt 5 dhe 6 të librit Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.