Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të flas me prindërit?

Si të flas me prindërit?

Të rinjtë pyesin

Si të flas me prindërit?

«U përpoqa aq shumë t’u tregoja prindërve si ndihesha, por nuk u shpreha dot qartë dhe ata ndërruan temë. Mezi mora guximin të flitja dhe ja si përfundoi, nuk nxora gjë në dritë.»​—Roza. *

KUR ishe më i vogël, me siguri të parët ku vrapoje për ndonjë këshillë ishin prindërit. U tregoje çdo të re, e rëndësishme ose jo. I shprehje lirshëm mendimet dhe ndjenjat e kishe besim te këshilla e tyre.

Ndërsa tani, ndoshta mendon se prindërit nuk të kuptojnë më. «Një mbrëmje, kur po hanim darkë, fillova të qaja dhe e zbraza ç’ndieja,​—thotë Eda.—​Prindërit më dëgjuan, por m’u duk se nuk më kuptuan.» Përfundimi? «Shkova në dhomën time dhe qava akoma.»

Nga ana tjetër, mbase nganjëherë nuk dëshiron të hapesh me prindërit. «Flas me prindërit për shumë gjëra,​—thotë Kristi.—​Por më pëlqen që ndonjëherë ata nuk dinë gjithçka që mendoj.»

A është e gabuar t’i mbash disa mendime për vete? Jo medoemos: për sa kohë që nuk po i mashtron. (Proverbat 3:32) Megjithatë, edhe kur prindërit duket se nuk të kuptojnë ose je ti që po u mban rezerva, një gjë është e sigurt: ke nevojë të flasësh me prindërit dhe ata kanë nevojë të të dëgjojnë.

Mos u mbyll!

Të komunikosh me prindërit është pak a shumë si të ngasësh makinën. Kur has një pengesë, nuk dorëzohesh, thjesht gjen rrugë tjetër. Le të marrim disa shembuj.

Pengesa nr. 1: Ke nevojë të flasësh, por duket se prindërit nuk po të dëgjojnë. «E kam të vështirë të komunikoj me babin,​—thotë Lina.—​Nganjëherë më ndodh që, ndërsa jam duke folur me babin, ai më thotë: ‘Më fal, çfarë po thoshe?’»

PYETJE: Ç’të bëjë Lina nëse ka nevojë të bisedojë patjetër për një problem? Ka të paktën tri variante.

Varianti A

T’i bërtasë babait. Lina mund të bërtasë: «Më dëgjo, pra! Është e rëndësishme!»

Varianti B

Të mos shprehet mëme babanë. Lina mundtë dorëzohet dhe të mos mundohet më që t’ua tregojë problemet prindërve.

Varianti C

Të presë për një moment më të përshtatshëm dhe ta hapë sërish bisedën. Lina mund të flasë me babanë ballë për ballë ose fare mirë t’i shkruajë një letër për hallin që ka.

Cilin variant i këshillon ti Linës? ․․․․․

Le të shqyrtojmë secilin variant dhe të shohim se ku ka shumë të ngjarë të çojë. Babai i Linës është i shpërqendruar, prandaj nuk e kupton se ajo është e mërzitur. Pra, nëse Lina zgjedh variantin A, babai nuk do të kuptojë ç’pati që bërtiti. Kjo me siguri do ta pengonte të atin të dëgjonte dhe Lina nuk do të tregonte respekt dhe nderim për prindërit. (Efesianëve 6:2) Pra, ky variant çon veç në humbje.

Ndonëse varianti B mund të jetë rruga më e shkurtër, nuk është më e mençura. Pse? Sepse «planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë». (Proverbat 15:22) Për t’i përballuar problemet siç duhet, Lina duhet të bisedojë me prindërit dhe, që ta ndihmojnë, ata kanë nevojë të dinë ç’po ndodh në jetën e saj. Ndërprerja e komunikimit nuk arrin asnjërën nga këto synime.

Kurse me variantin C, Lina nuk lejon që një pengesë në rrugë t’i japë fund udhëtimit. Por përpiqet ta diskutojë çështjen një herë tjetër. Po t’i shkruajë një letër babait, Lina mbase do të ndihet mirë menjëherë. Kur të lexojë letrën, babai i Linës do të kuptojë se çfarë po përpiqej t’i thoshte, dhe kjo mund ta ndihmojë ta kuptojë më mirë ku e ka hallin. Kjo letër mund ta ndihmojë edhe për të formuluar saktë atë që dëshiron të thotë kur babai ta dëgjojë. Pra, nga varianti C përfiton edhe Lina, edhe i ati.

Çfarë variantesh të tjera mund të zgjidhte Lina? Përpiqu të gjesh ndonjë dhe shkruaje më poshtë. Pastaj shkruaj ku ka shumë të ngjarë të çojë ky variant.

․․․․․

Pengesa nr. 2: Prindërit duan të flasin me ty, kurse ti jo. «S’ka gjë më të keqe sesa kur të bombardojnë me pyetje sapo shkel në shtëpi pas një dite të vështirë në shkollë,—thotë Sara.—Unë dua ta heq mendjen nga shkolla, kurse prindërit ia fillojnë menjëherë nga pyetjet: ‘Si ia kalove? Pate ndonjë problem?’» Pa dyshim, prindërit e Sarës nisen nga e mira që e pyesin. Megjithatë ajo ankohet: «E kam të vështirë të flas për shkollën kur jam e lodhur dhe e stresuar.»

PYETJE: Ç’mund të bëjë Sara në këtë situatë? Ashtu si në shembullin e mëparshëm, ka të paktën tri variante.

Varianti A

Të mos pranojë të flasë. Ajo mund të thotë: «Më lini rehat. Nuk dua të flas tani!»

Varianti B

Të flasë. Megjithëse ndihet e stresuar, Sara mund t’u përgjigjet nga zori pyetjeve të prindërve.

Varianti C

Të devijojë nga argumenti i shkollës, por ta vazhdojë bisedën për një argument tjetër. Sara mund t’u kërkojë prindërve që të flasin një herë tjetër për shkollën kur e di se do të jetë më e qetë. Pastaj mund t’i pyesë sinqerisht: «Po ju si ia kaluat. A ju ecën punët?»

Cilin variant i këshillon ti Sarës?․․․․․

Le t’i kthehemi prapë secilit variant dhe të shohim se ku ka shumë të ngjarë të çojë.

Para se të zgjedhë variantin A, Sara ndihet e stresuar dhe e ka të vështirë të flasë. Pasi zgjedh këtë variant, do të ndihet prapë e stresuar, por edhe fajtore, ngaqë shpërtheu me prindërit.—Proverbat 29:11.

Nga ana tjetër, prindërit e Sarës nuk do ta pëlqenin shpërthimin e saj ose heshtjen që do të pasonte. Mbase do të dyshojnë se Sara po u fsheh diçka. Madje mund të këmbëngulin më shumë që të flasë, dhe kjo patjetër do ta mërziste më shumë Sarën. Si përfundim, ky variant çon në dështim.

Varianti B sigurisht është një zgjedhje më e mirë se varianti A. Të paktën Sara dhe prindërit do të bisedonin. Por, meqë biseda bëhet sa për të thënë, si Sara, edhe prindërit, nuk do të arrijnë aty ku duan: një bisedë të hapur e të çlirët.

Ndërsa me variantin C, Sara do të ndihet më mirë, se muhabeti i shkollës është lënë për më vonë. Prindërit do ta vlerësonin përpjekjen e saj për të bashkëbiseduar, pra edhe ata do të kënaqeshin. Ky variant ka shumë të ngjarë të jetë më i suksesshmi, sepse të dyja palët po zbatojnë parimin që gjendet te Filipianëve 2:4, ku thuhet: «Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.»​—Diodati i Ri.

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

PËR TË MENDUAR

▪ Ç’rol luan momenti i duhur për komunikimin e mirë?​—Proverbat 25:11.

▪ Përse ia vlejnë përpjekjet për të biseduar me prindërit?​—Jobi 12:12.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Ndryshe E Thua, Ndryshe E Marrin

A e ke të vështirë të komunikosh me prindërit? Mbase ndryshe i thua gjërat ti, e ndryshe i marrin ata.

Kur ti thua . . .

«Nuk dua të flas për këtë gjë.»

Prindërit e marrin . . .

«Ua shpreh lirshëm mendimet dhe ndjenjat shokëve, por ju nuk jeni kaq të rëndësishëm për mua që të hapem me ju.»

Kur ti thua . . .

«S’e kuptoni dot.»

Prindërit e marrin . . .

«Jeni plakur dhe s’e keni idenë e realitetit. As mos u mundoni ta kuptoni botën time.»

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

«U tregova prindërve për një problem që kisha në shkollë dhe u habita se sa të gatshëm ishin për të më dëgjuar. Me ndihmën e tyre problemi u zgjidh kollaj.»​—Natalia.

«Nuk është gjithnjë e lehtë të komunikosh me prindërit, por, kur hapesh me ta, të duket sikur ke hequr një peshë të madhe.»​—Devani.

[Kutia në faqen 21]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Si prind që ke merak për fëmijët, mbase pyet veten nëse ata e kanë të vështirë të flasin me ty. Shih çfarë i thanë disa të rinj revistës Zgjohuni! se përse stepen të flasin me prindërit. Pastaj bëji vetes pyetjet shoqëruese dhe lexo shkrimet e përmendura.

«E kam të vështirë të flas me babin, sepse është shumë i ngarkuar, qoftë në punë, qoftë në kongregacion. Duket se asnjëherë nuk është koha e përshtatshme të flasësh me të.»​—Andri.

«Mos pa dashje kam lënë përshtypjen se jam tepër i zënë dhe s’kam kohë të flas me fëmijët e mi adoleshentë? Po të jetë kështu, ç’të bëj që ata ta kenë më të lehtë të më afrohen? Ç’program të rregullt mund të bëj që të flas me fëmijët?»​—Ligji i përtërirë 6:7.

«Shkova te mami duke qarë ngaqë kisha bërë fjalë në shkollë. Doja të më thoshte një fjalë të mirë, por ajo më qortoi. Që atëherë nuk kam shkuar të flas për ndonjë gjë të rëndësishme.»​—Kenxhi.

«Si reagoj kur fëmijët më afrohen për ndonjë problem? Edhe nëse duhet t’i ndreq, a mund të mësoj që të ndalem e t’i dëgjoj me dhembshuri para se t’i këshilloj?»​—Jakovi 1:19.

«Duket se sa herë që prindërit thonë se nuk do të nxehen po të flasim me ta, prapëseprapë acarohen. Kështu adoleshenti ndihet i zhgënjyer.»​—Rakela.

«Nëse fëmija më thotë diçka që më mërzit, si ta kontrolloj reagimin e parë?»​—Proverbat 10:19.

«Shpesh kur hapesha me mamin për gjëra shumë personale, ajo ua tregonte miqve. Nuk pata më besim tek ajo për një kohë të gjatë.»​—Shantela.

«A mendoj për ndjenjat e fëmijës duke mos i hapur te të tjerët çështjet personale që më ka besuar?»​—Proverbat 25:9.

«Kam shumë gjëra për të cilat dua të flas me prindërit. Vetëm se kam nevojë për ndihmën e tyre që ta nis bisedën.»​—Kortni.

«A mund të marr iniciativën që të bisedoj me fëmijën adoleshent? Kur është koha më e mirë për të biseduar?»​—Eklisiastiu 3:7.

[Figura në faqen 19]

Një pengesë në rrugën e komunikimit nuk ka pse të jetë fundi i udhëtimit. Mund të gjesh një mënyrë për të folur me prindërit