Pikëpamja e Biblës
Çfarë është Dita e Gjykimit?
Bibla thotë se Perëndia «ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë . . . tokën e banuar». (Veprat 17:31) Shumë njerëz nuk e mirëpresin idenë se mund t’i nënshtrohen ndonjë gjykimi. A mendoni edhe ju kështu?
NËSE po, mund t’ju qetësojë fakti se Dita e Gjykimit është një masë e dashur që do t’i sjellë bekime të mëdha familjes njerëzore, përfshirë edhe atyre që kanë vdekur. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Pse nevojitet Dita e Gjykimit? Çfarë do të ndodhë në të vërtetë gjatë asaj ‘dite’?
Dita e Gjykimit: Pse nevojitet?
Kur Perëndia krijoi njerëzit në tokë, nuk kishte si synim që toka të ishte veç një vend ku njerëzit të viheshin në provë për një jetë të ardhshme në ndonjë vend tjetër. Ai i krijoi njerëzit të jetonin përgjithmonë në tokë. Ndonëse fizikisht e mendërisht të përsosur, çifti i parë u rebelua kundër Perëndisë. Si pasojë, për vete humbën perspektivën e jetës së përhershme dhe të gjithë pasardhësve të tyre u trashëguan mëkatin dhe vdekjen.—Zanafilla 2:15-17; Romakëve 5:12.
Dita e Gjykimit do të jetë një periudhë mijëvjeçare gjatë së cilës njerëzit do të kenë mundësi të fitojnë sërish çka humbi Adami dhe Eva. * Vëreni se te Veprat 17:31, që u citua më sipër, thuhet se Dita e Gjykimit do të përfshijë ata që jetojnë në «tokën e banuar». Ata që do të marrin gjykim të favorshëm do të jetojnë në tokë dhe do të gëzojnë jetën e përhershme në kushte të përsosura. (Zbulesa 21:3, 4) Pra, Dita e Gjykimit ndihmon të përmbushet qëllimi që kishte në fillim Perëndia për njerëzit dhe tokën.
Perëndia ka caktuar si Gjykatës, Jezu Krishtin. Bibla thotë se Jezui «do të gjykojë të gjallët e të vdekurit». (2 Timoteut 4:1) Kush janë «të gjallët» që do të gjykohen? Si do të vijnë sërish në jetë në «tokën e banuar» të vdekurit?
Jezui gjykon «të gjallët»
Tani po i afrohemi fundit të parathënë të këtij sistemi, kur Perëndia do të shkatërrojë të gjitha elementet e shoqërisë së korruptuar Zbulesa 7:9-14; 19:11-16.
njerëzore dhe do të heqë të ligjtë. Ata që do t’i mbijetojnë fundit të këtij sistemi janë «të gjallët» që do të gjykohen.—Gjatë asaj periudhe gjykimi, që do të zgjatë 1.000 vjet, Krishti Jezu me 144.000 burra dhe gra të ringjallur në jetën qiellore, do të sundojnë mbi tokën. Ata do të shërbejnë si mbretër dhe priftërinj, duke vënë në jetë dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit dhe gradualisht do t’i çojnë njerëzit besnikë drejt përsosmërisë fizike dhe mendore.—Zbulesa 5:10; 14:1-4; 20:4-6.
Gjatë Ditës së Gjykimit, Satanai dhe demonët nuk do të lihen që të ndikojnë te njerëzit. (Zbulesa 20:1-3) Megjithatë, në fund të Ditës së Gjykimit, Satanai do të lihet që të vërë në provë besnikërinë e çdo njeriu që do të jetojë në atë kohë. Ata që do t’i mbeten besnikë Perëndisë, do ta kenë kaluar me sukses sprovën ku dështuan Adami dhe Eva. Do të gjykohen të denjë të marrin jetën e përhershme në Parajsën që do të rivendoset në tokë. Ata që zgjedhin rebelimin kundër Perëndisë do të shkatërrohen përgjithmonë, siç do të ndodhë edhe me Satanain e demonët.—Zbulesa 20:7-9.
Gjykohen «të vdekurit»
Bibla thotë se gjatë Ditës së Gjykimit, të vdekurit «do të ringjallen». (Mateu 12:41) Jezui tha se «po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi». (Gjoni 5:28, 29) Këtu nuk bëhet fjalë për shpirtrat pa trup të të vdekurve. Të vdekurit janë krejt të pavetëdijshëm dhe nuk kanë një shpirt që jeton pas vdekjes. Jezui do t’i sjellë sërish në jetë këtu në tokë ata që flenë në vdekje.—Eklisiastiu 9:5; Gjoni 11:11-14, 23, 24.
A do të bazohet gjykimi i të ringjallurve tek ajo çka bënë para vdekjes? Jo. Bibla mëson se «kush vdes, shfajësohet nga mëkati i vet». (Romakëve 6:7) Pra, ashtu si ata që do t’i mbijetojnë fundit të këtij sistemi, edhe ata që do të ringjallen në tokë, do të gjykohen «sipas veprave të veta» gjatë Ditës së Gjykimit. (Zbulesa 20:12, 13) Në varësi të rezultatit përfundimtar të veprimeve të tyre, kjo do të jetë ose ringjallje që çon në jetën e përhershme, ose ringjallje që përfundon në shkatërrim. Shumë prej atyre që do të kthehen në jetë, do të mësojnë për herë të parë për Perëndinë Jehova dhe kërkesat e tij për jetën. Ata do të kenë mundësi të jetojnë në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe të marrin jetën e përhershme në tokë.
S’ka arsye për frikë
Dita e Gjykimit nuk do të jetë vetëm një kohë kur njerëzit do të mësohen nga Perëndia, por edhe një kohë që ata të zbatojnë çka mësojnë dhe të gëzojnë bekimet që sjell kjo. Vetëm imagjinoni ç’gëzim do të ndieni kur të bashkoheni sërish me njerëzit tuaj të dashur të ringjallur dhe së bashku të shkoni drejt përsosmërisë!
Imagjinoni ç’gëzim do të ndieni kur të bashkoheni sërish me njerëzit tuaj të dashur të ringjallur
Perëndia do ta lejojë Satanain të vërë në provë besnikërinë e krijesave të tij njerëzore në fund të Ditës së Gjykimit. Por s’ka pse të kemi ankth ose frikë. Në fund të Ditës së Gjykimit, të gjithë do të jenë në gjendje të shkëlqyer për t’i bërë ballë kësaj sprove përfundimtare. Pra, Dita e Gjykimit do të jetë pjesë e përmbushjes së qëllimit të Perëndisë për të zhbërë pasojat e rebelimit të parë kundër Perëndisë në kopshtin e Edenit.
^ par. 7 Në Bibël, fjala «ditë» nënkupton kohëzgjatje të ndryshme. Për shembull, shih Zanafillën 2:4.