Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adhurimi i gjarpërinjve: Dje dhe sot

Adhurimi i gjarpërinjve: Dje dhe sot

Adhurimi i gjarpërinjve: Dje dhe sot

EGJIPTIANËT e lashtë adhuronin gjarpërinj, siç bënin edhe minoikët, banorët e hershëm të Kretës. Disa izraelitë të lashtë bënin flijime para një gjarpri prej bakri. Të tjerë, nga po i njëjti komb, digjnin temjan para shëmbëlltyrave të «rrëshqanorëve».—Ezekieli 8:10-12; 2 Mbretërve 18:4.

Adhurimi i perëndive gjarpër bënte për vete edhe popujt e Meksikës së hershme. Hyjnia më e lartë e majave, Itsamna, ndonjëherë simbolizohej nga një gjarpër. Ketzalkoatli, «gjarpri me pendë», ishte perëndia tolteke e mësimit, kulturës dhe filozofisë. Edhe actekët e shihnin si perëndi të mësimit, madje e adhuronin si krijues të njerëzve. Revista Arqueología Mexicana (Arkeologjia meksikane) thotë për rolet dhe talentet e shumta të kësaj perëndie: «Gjarpri me pendë mori shumë kuptime, mbase më shumë se çdo perëndi tjetër.»

Për mjaft shekuj, banorët e Amerikës Qendrore adhuronin gjarprin me pendë. Sot besimi në atë perëndi ka mbijetuar mes popujve kora dhe uiçol të Meksikës. Në disa ditë festash, ekzekutohen kërcime ku valltarët stolisen me pendë dhe imitojnë lëvizjet e gjarprit. Popullsia kiçe kryen një rit pjellorie, gjatë të cilit kërcejnë duke përdorur gjarpërinj të gjallë. Çortët, një grup maja në Guatemalë, përnderojnë një gjarpër me pendë, të cilin e lidhin me disa shenjtorë katolikë.

Lind pyetja: çfarë mendon Krijuesi i njerëzve dhe i kafshëve—ku përfshihen edhe gjarpërinjtë—për adhurimin e perëndive gjarpër?

Pikëpamja e Perëndisë për adhurimin e gjarpërinjve

Perëndia Jehova i dha këtë urdhër kombit të lashtë të izraelit: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe.»—Dalja 20:4, 5.

Jehovai e ndaloi popullin e tij të adhuronte shëmbëlltyra të kafshëve, si gjarpërinjtë. Prandaj, a nuk është e qartë se ata që dëshirojnë miratimin e tij duhet të rrinë larg nga adhurimi i gjarpërinjve? Përse nuk e pranon Perëndia idhujtarinë, përfshirë adhurimin e gjarprit? Arsyeja është e thjeshtë. Ai u jep jetë njerëzve, gjarpërinjve e gjithë gjallesave të tjera. Ato janë vepër e duarve të tij, pra adhurimi i takon atij, jo gjërave që ka krijuar ai.

Ta ilustrojmë: një arkitekt ndërton shtëpi dhe ua jep disa familjeve të jetojnë e t’i gëzojnë. Po sikur këto familje të falënderonin dhe të lëvdonin shtëpitë në vend të arkitektit? A nuk do ishte një marrëzi dhe fyese për arkitektin zemërmirë? Po njësoj, të adhurosh kafshët në vend të Krijuesit të tyre, është fyese për Perëndinë.

Është e qartë se ata që dëshirojnë miratimin e Perëndisë duhet t’i vënë veshin paralajmërimit të apostullit Gjon: «Fëmijë të vegjël, ruhuni nga idhujt.»—1 Gjonit 5:21.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

ADHURIMI ME GJARPËRINJ

● Në juglindje të Shteteve të Bashkuara, disa kisha, ku besimtarët bien në ekstazë gjatë shërbesave, përdorin gjarpërinj helmues të gjallë në adhurim. Disa njerëz e varin krijesën helmuese në supe, kurse të tjerë ngrenë disa njëherësh. Ngritja dhe lëvizja mund t’i trembë gjarpërinjtë, dhe kjo i bën të kafshojnë. Gjatë viteve, disa nga këta adhurues kanë vdekur nga kafshimet e gjarpërinjve.

Këta njerëz i bazojnë veprimet e tyre te Marku 16:17, 18. Këto vargje përmbajnë edhe fjalët: «Do të kapin gjarpërinj me duar.» Përkthimi King James Version dhe përkthime të tjera më të vjetra i paraqitin këto vargje sikur të ishin pjesë e tekstit origjinal. Përkthimet New Revised Standard Version, The New American Standard Bible, dhe The New King James Version vërejnë se këto vargje nuk shfaqen në shumicën e dorëshkrimeve më të vjetra të Ungjillit të Markut.

Bibla nuk e mbështet idenë se përdorimi i gjarpërinjve është i pranueshëm për adhurimin e vërtetë. Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Me siguri jeni dakord se Krijuesi ynë i dashur nuk do t’u kërkonte adhuruesve të bënin rite të rrezikshme për t’i pëlqyer. Biri i tij, Jezui, bëri ftesën: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28, 29) Natyrisht, të mbash në duar gjarpërinj e ndoshta të vuash, të sëmuresh, madje të vdesësh nga kafshimi i tyre, nuk është ajo që Jehovai dhe Jezui dëshirojnë për dishepujt e tyre.

[Burimi]

REUTERS/​Tami Chappell

[Figura në faqen 22]

Koka e gjarprit me pendë në murin e një tempulli actek

[Figura në faqen 22]

Basoreliev i Ketzalkoatlit, perëndia-gjarpër me pendë i toltekëve

[Burimet e figurave në faqen 22]

Sipër: REUTERS/​Tami Chappell; poshtë: © Leonardo Díaz Romero/​age fotostock