Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbrosh familjen nga gripi?

Si ta mbrosh familjen nga gripi?

Si ta mbrosh familjen nga gripi?

Në profecinë për fundin e sistemit, Jezui paratha se «gjithkund do të ketë . . . epidemi». (Luka 21:11, ECM) Gripi ka dalë se është një nga këto epidemi.

GRIPI shkaktohet nga një virus mikroskopik që depërton në qelizat e gjalla dhe bën që të prodhojnë më shumë viruse. Virusi i gripit, që sulmon sistemin e frymëmarrjes, kalon nga një njeri te tjetri kryesisht me anë të piklave të sekrecioneve që dalin kur teshtijmë, kur kollitemi, madje edhe kur flasim. Pandemia ndodh kur në një zonë tepër të madhe ka shumë të prekur.

Viruset prekin jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët e zogjtë. Viruset e gripit klasifikohen në tipat A, B dhe C. Më shpesh gripi shkaktohet nga virusi i tipit A. Llojet e viruseve klasifikohen kryesisht sipas dy proteinave që gjenden në sipërfaqen e tij: hemaglutinina (H) dhe neuraminidaza (N).

Shqetësimet kryesore për viruset e gripit janë: mund të shumohen shumë shpejt në lloje që ndryshojnë vazhdimisht dhe lloje të ndryshme mund të kombinohen dhe të prodhojnë një të ri. Nëse një lloj është relativisht i ri, sistemi imunitar i njeriut mund të mos mbrohet dot ndaj tij.

Gripi na zë më shumë gjatë muajve të ftohtë. Kërkimet e fundit tregojnë se, në temperaturë të ftohtë, membrana e jashtme e virusit kthehet në xhel mbrojtës që rrit rezistencën e tij në ajër. Por kur arrin në rrugët e frymëmarrjes, ku temperatura është më e lartë, ky xhel shkrin dhe na infekton. Ajri i ftohtë nuk shkakton sëmundje virale, por mund të krijojë kushtet për përhapjen e tyre.

Masa mbrojtëse

Duke parë nevojën për të qenë të përgatitur, shumë qeveri tashmë kanë menduar si të veprohet. Por çfarë mund të bësh ti? Le të rishikojmë tre hapa mbrojtës themelorë:

Forco trupin: Sigurohu që familja jote të flejë mjaftueshëm dhe të hajë ushqime që forcojnë imunitetin. Pjesë e rëndësishme e dietës së përditshme duhet të jenë frutat e perimet e freskëta, drithërat e papërpunuara dhe proteinat pa shumë yndyrë, të cilat sigurojnë aminoacidet e nevojshme për të forcuar sistemin imunitar.

Krijo ambient armik kundër mikrobeve: Brenda mundësive pastro çdo ditë tavolinat ku ha e gatuan. Laji enët e gatimit pas çdo përdorimi. Laji rregullisht shtresat e krevatit. Dezinfekto gjërat që preken më shpesh, si dorezat e dyerve, telefonat dhe telekomandat. Ajrose mirë shtëpinë, nëse është e mundur.

Mbaj zakone të mira për higjienën personale: Laji mirë duart me ujë e sapun ose me ndonjë pastrues me bazë alkooli. (Nëse është praktike, mbaj me vete një shishe të vogël me dezinfektues për duart.) Për të tharë duart dhe fytyrën, përpiqu të përdorësh vetëm peshqirët e tu, madje as të anëtarëve të familjes.

Mos i prek sytë, hundën dhe gojën me duar të palara. Nëse është e mundur përdor shami letre njëpërdorimshme për gojën dhe hundën kur kollitesh ose kur teshtin, dhe hidhi pa vonuar. Mos përdorni me të tjerë të njëjtën pajisje që zakonisht është plot mikrobe, si telefonin. Fëmijët duhen mësuar mirë t’i zbatojnë këto këshilla. Këto zakone janë gjithmonë të mira, por janë të tilla sidomos gjatë periudhës së gripit.

Mendo edhe për të tjerët

Mund të ndodhë që t’ua ngjitësh gripin të tjerëve një ditë para se të të fillojnë simptomat, si edhe pesë ditë pasi të jesh sëmurur. Simptomat janë të ngjashme me ato të rrufës, por shumë më të forta. Ato janë: temperaturë (zakonisht e lartë), dhembje koke, këputje, kollë e thatë dhe dhembje muskujsh. Simptoma të tilla, si rrufa e problemet me stomakun—të përzierat, të vjellat dhe diarreja—janë më të zakonshme te fëmijët. Nëse ke shenja gripi, qëndro në shtëpi po të jetë e mundur, që të mos infektosh të tjerët.

Pusho mirë dhe pi shumë lëngje. Ilaçet antivirale mund të ndihmojnë, por vetëm nëse pihen menjëherë pas shenjave të para. Aspirina (acidi acetilsalicidik) nuk u duhet dhënë fëmijëve me grip. Nëse ke shenja pneumonie si: vështirësi në frymëmarrje, dhembje kraharori ose dhembje të forta koke, shko pa vonuar te mjeku.

Gripi mund të jetë i bezdisshëm. Por, kur je i përgatitur, e kalon më lehtë. Përveç kësaj mund të presësh me padurim kohën kur, siç premton Bibla, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

[Kutia në faqen 27]

NJË LLOJ GRIPI I RËNDË

Gripi që u shfaq së pari në Meksikë më 2009-n është i tipit H1N1, i ngjashëm me gripin spanjoll të vitit 1918 që vrau dhjetëra milionë njerëz. Por, ky lloj gripi ka edhe elementë që gjenden te viruset që prekin derrat dhe shpendët.

[Kutia dhe figurat në faqet 28, 29]

6 MËNYRA PËR TË MBROJTUR VETEN DHE TË TJERËT

1. Mbulo gojën kur kollitesh

2. Laji duart

3. Ajrose shtëpinë

4. Pastroji herë pas here

5. Nëse sëmuresh, përpiqu të qëndrosh në shtëpi

6. Mos i tako të tjerët kur je sëmurë

[Kutia dhe figura në faqen 29]

KUR BIE NJË EPIDEMI

Mos u frikëso dhe mos u alarmo. Zbatoji edhe më shumë këshillat e mira që jepen këtu. Nëse është e mundur, mos rri mes shumë njerëzve. Nëse je sëmurë, do të ishte e dobishme një maskë mbrojtëse e përshtatshme. Pastroji shpesh duart. Nëse nuk shkon dot në dyqan, sigurohu që të kesh në dispozicion ushqime që rrojnë deri në dy javë, si edhe gjëra për higjienën e shëndetin.

Ndiqi këto sugjerime kur je në punë, në vendin e adhurimit ose në ndonjë ambient tjetër me shumë njerëz. Gjithashtu, përpiqu të rrish në vend të ajrosur mirë.

[Figura në faqen 27]

Pamje e zmadhuar e virusit H1N1 të gripit

[Burimi]

CDC/Cynthia Goldsmith