Një avokat shqyrton Dëshmitarët e Jehovait
Një avokat shqyrton Dëshmitarët e Jehovait
«NUK dija shumë për Dëshmitarët e Jehovait»,—thotë Les Sivëni, avokat dhe drejtor i një firme ligjore në Afrikën e Jugut. Pse vendosi t’i shqyrtonte bindjet e Dëshmitarëve? Në ç’përfundim arriti? Ja çfarë tregoi për revistën Zgjohuni!
Çfarë prejardhjeje fetare ke?
Vij nga një familje judeje, por në fillim të viteve 70 u martova me Karolën, e cila ishte anglikane. Asaj nuk i interesonte feja dhe në atë kohë feja nuk ndikonte në jetën tonë. Por, kur djali ynë Endrju ishte tetë vjeç, Karola mendoi se duhej t’i jepnim njëfarë edukimi fetar. Një rabin më tha se, nëse Karola përqafonte judaizmin, Endrju do të bëhej automatikisht jude dhe, kur të mbushte 13 vjeç, do t’i bëhej Bar Mitzvah, që është ceremonia e pranimit si i rritur në komunitetin judaik. Kështu filluam të merrnim mësime çdo javë në sinagogë që të ktheheshim në judaizëm si familje.
Si i takove Dëshmitarët e Jehovait?
Kur Dëshmitarët vinin në derën tonë, gjithmonë ua prisja shkurt: «Jam jude dhe nuk besoj te Dhiata e Re.» Më vonë Karola më tha se njëra nga shoqet e saj ishte Dëshmitare dhe se e njihte Biblën shumë mirë. Gruaja sugjeroi të mësonim pak më shumë për Biblën. Prandaj, pa shumë dëshirë, pranova të studioja me Dëshmitarët.
Si t’u duk studimi biblik?
Isha shumë arrogant. Gjatë orëve që mësonim për judaizmin kisha rizgjuar bindjet e mia si jude dhe mendoja se i përkitja racës së zgjedhur. «E ç’mund të më mësojnë këta njerëz?»—mendoja. Gjatë bisedës së parë, i thashë Dëshmitarit që vinte te ne: «Kam lindur jude. Kam gjetur fenë time dhe do të vdes jude. Asgjë nuk ma ndryshon mendjen.» Ai e respektoi me dashamirësi qëndrimin tim. Kështu, të premteve dhe të hënave në mbrëmje ndiqnim shkollën judaike, ndërsa të dielave paradite (nëse nuk gjeja dot justifikim për t’i bërë bisht) studionim me Dëshmitarët. Meqë ra fjala, studimi me ta ishte pa pagesë, ndryshe nga mësimet që merrnim në sinagogë.
Përdorja Biblën judaike, pasi mendoja se Dëshmitarët përdornin një përkthim që u leverdiste pikëpamjeve të tyre. Megjithatë u habita sa harmoni kishte midis dy Biblave. Kjo më bëri edhe më të vendosur të provoja se Dëshmitarët nuk dinin për çfarë po flisnin.
Pasi ndoqëm ca nga mësimet e rabinëve, Karola më tha se, sipas saj, rabini as Biblën e vet nuk e njihte aq sa duhej. Ajo më tha se nuk do të shkonte më në shkollën judaike dhe se nuk do ta mohonte Krishtin. I shkatërruar, mendova t’i jepja fund martesës. Megjithatë, kur acarimi u zbut, vendosa të përdorja një tjetër strategji: do të shfrytëzoja njohuritë ligjore për t’i treguar Karolës se ky ‘sekt të lajthiturish’ e kishte gabim.
A ia arrite qëllimit?
Një rabin më dha një libër që ishte bërë për të hedhur poshtë profecitë mesianike. E studiuam bashkë me Karolën këtë libër për 18 muaj. Po njëkohësisht vazhduam edhe studimin e përjavshëm me Dëshmitarët. Megjithatë, ndërsa shqyrtonim çdo profeci në librin e rabinit, më lindën dyshime. Ndryshe nga ç’thuhej në atë libër, profecitë mesianike në Bibël të çonin po aty, te Jezu Krishti. Pika e kthesës ishte kur studiuam profecinë te Danieli 9:24-27, që parathoshte se Mesia do të shfaqej në vitin 29 të e.s. * Me anë të një Bible interlineare, Dëshmitari shqyrtoi fjalë për fjalë përkthimin në anglisht duke e krahasuar me tekstin origjinal në hebraisht. E kontrollova vetë përkthimin, bëra llogaritë kronologjike dhe i thashë: «Dakord, profecia na çon në vitin 29 të e.s. E çfarë pastaj?»
«Pikërisht në këtë vit u pagëzua Jezui»,—tha Dëshmitari.
Shtanga në vend! Gjithashtu u mrekullova kur kuptova sa të sakta ishin profecitë biblike dhe sa mirë ndërthureshin me njëra-tjetrën.
Si e pritën miqtë faktin që ndryshove pikëpamje?
Disa u shqetësuan vërtet dhe zunë be se do të na prezantonin me njerëz që do të na ndihmonin të kuptonim se na kishin bërë lavazh truri. Por bindjet tona tanimë bazoheshin në kërkime të kujdesshme dhe arsyetime të logjikshme, pikërisht e kundërta me «lavazhin e trurit».
Çfarë të shtyu të bëheshe Dëshmitar?
Në fillim nisa të shkoja me gruan në disa nga mbledhjet që mbaheshin në Sallën e Mbretërisë. Në atë kohë gruaja ishte bërë Dëshmitare. * Më bëri përshtypje ngrohtësia dhe dashuria që kishin midis njëri-tjetrit pavarësisht nga raca. Nuk e kisha parë këtë në fenë time. Kështu, pas afro tre vjetësh studimi të mëtejshëm, u pagëzova.
Si ndihesh tani që je bërë Dëshmitar?
E kam për nder kur them: «Jam Dëshmitar i Jehovait!» Por kur mendoj si e kam kundërshtuar të vërtetën, më duket sikur nuk i meritoj bekimet që më ka dhënë Jehovai. Nuk do të pendohem kurrë për vendimin që mora.
Çfarë bekimesh ke pasur?
Shumë. Së pari, kam privilegjin të shërbej si plak kongregacioni ose si bari dhe mësues frymor. Gjithashtu, kam pasur mundësi të ndihmoj repartin ligjor në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikën e Jugut. Por bekimi më i madh ka qenë pa dyshim fakti që kam njohur Jehovain dhe Birin e tij, si dhe që kam kuptuar domethënien e vërtetë të kohëve tona e të ngjarjeve që po tronditin botën.
[Shënimet]
^ par. 12 Shkurtimi e.s. do të thotë «i erës sonë». Për një shqyrtim të profecive të Danielit rreth Mesisë, shih faqen 197 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
^ par. 18 Karola vdiq në vitin 1994 dhe Les Sivëni është martuar përsëri.
[Diçitura në faqen 11]
U mrekullova kur kuptova sa të sakta ishin profecitë biblike dhe sa mirë ndërthureshin me njëra-tjetrën