Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tartarët​—E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre

Tartarët​—E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre

Tartarët​—E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tyre

QË FËMIJË kisha dëgjuar thënien: «Gërmo në rrënjët e një rusi e do të zbulosh një tartar.» Gjithnjë e kisha konsideruar veten rus, por jo shumë kohë më parë, të afërmit më thanë se gjyshi im kishte qenë tartar. * Kur ua them miqve këtë, disa thonë se edhe ata kanë prejardhje tartare.

Ishte interesante të mësoja për tartarët e famshëm dhe arritjet e tyre në art, sport dhe fusha të tjera. Për shembull, mjeshtri i baletit Rudolf Nurejevi, që ka pasur ndikim të madh te kërcimi, ka lindur në një familje tartare në Rusi. Rreth shtatë milionë tartarë jetojnë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Më lejoni t’ju tregoj se çfarë kam mësuar për tartarët.

E kaluara e tyre

Tartarët janë përmendur bashkë me mongolët dhe turqit për shumë shekuj. Në shekullin e 13-të, ata morën pjesë në fushatat ushtarake që ndërmerrte Çangis Hani, udhëheqësi mongol. * Perandoria e tij u zgjerua në një territor të gjerë, pak a shumë në përmasat e ish-Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1236, rreth 150.000 luftëtarë të tij u nisën drejt Evropës, që fillon në perëndim të maleve Urale. Atje, në fillim sulmuan qytetet ruse.

Kur mongolët pushtuan Rusinë pak kohë pas kësaj, ata themeluan një komb të përzier mongolo-turk, pjesën perëndimore të të cilit disa e quajnë Hordhia e Artë. Kryeqyteti i saj, Saraj-Batu, ndodhej në pjesën e poshtme të lumit Vollgë. Në këtë shtet përfshihej një pjesë e Siberisë dhe malet e saj Urale, si edhe vargmalet e largëta Karpate e Kaukaze në Ukrainë dhe Gjeorgji. Principatat ruse duhej t’i paguanin haraç Hordhisë. Në shekullin e 15-të, Hordhia u nda në jurisdiksione, si Krimeja, Astrakani dhe Kazani.

Tatarstani dhe kryeqyteti i tij, Kazani

Sot, popullsia e Republikës shumëkombëshe të Tatarstanit, që ndodhet në pjesën më lindore të Rusisë Evropiane, është rreth katër milionë. Territori i tij ka një sipërfaqe prej 68.000 kilometrash katrorë dhe njihet si një ndër «shtetet më të zhvilluara ekonomikisht në Federatën Ruse». Tatarstani është një prodhues kryesor i naftës dhe i gazit në Rusi. Industria e tij përfshin prodhimin e aeroplanëve dhe automjeteve, dhe në këtë republikë ka disa aeroporte.

Kazani është një qytet modern me një milion banorë ku takohen lumenjtë Vollgë dhe Kazankë. Ai është një nga qytetet e shumta në Rusi që kanë ndërtuar sisteme të bukura metroje. * Në çdo stacion spikat një motiv karakteristik. Disa kanë një ndërtim modern dhe të tjerët kanë pamje orientale ose mesjetare. Një stacion në Kazan është zbukuruar me 22 afreske me mozaikë që paraqesin përralla tradicionale tartare.

Universiteti Federal i Kazanit u themelua në vitin 1804 nga cari rus Aleksandri I dhe ka një ndër bibliotekat më të mëdha në Rusi. Është një qendër arsimore dhe kulturore me influencë dhe është paraardhëse e universiteteve të tjera në Tatarstan. Ndër 5.000.000 botimet e bibliotekës, gjenden edhe 30.000 dorëshkrime të lashta, disa prej të cilave datojnë nga shekulli i nëntë i erës sonë.

Është kënaqësi të ecësh përgjatë rrugës Bauman në qendër të qytetit. Zona është plot dyqane dhe kafene të bukura. Kohët e fundit, pasi vizituam qytetin bashkë me gruan, bëmë një shëtitje çlodhëse me anije në lumin Vollgë.

Ndër gjërat më të spikatshme të Kazanit është kremlini i famshëm. Kjo fortesë e vjetër, me ndërtesat që datojnë nga shekulli i 16-të, është e vetmja fortesë tartare në Rusi që i ka rezistuar kohës. Brenda mureve të gurta të Kremlinit të Kazanit, gjendet Kulla e Sjujumbekit, godinat e qeverisë së Tatarstanit, një xhami dhe një kishë ortodokse.

Në vitin 2000, Kremlini i Kazanit u shpall Trashëgimi Botërore nga UNESCO. Arkitektura e kompleksit të kremlinit duket magjepsëse sidomos natën. Kjo arrihet me anë të dritave që pasqyrohen mbi lumë.

Populli dhe gjuha

Tartarët përbëjnë popullsinë më të madhe turanike në Rusi dhe thuhet se arrijnë deri në 5.500.000. Por nuk dihet sa është numri i vërtetë në të gjithë këtë territor të paanë.

Gjuha tartare i përket familjes së gjuhëve turanike. Në këtë familje gjuhësh, bëjnë pjesë gjuha azerbajxhane, bashkire, kazake, kirgize, nogaje, turke, turkmene, tuviniane, uzbeke dhe jakute. Disa prej këtyre gjuhëve janë aq të ngjashme sa ata që i flasin e kuptojnë njëri-tjetrin deri në njëfarë mase.

Ata që flasin gjuhët turanike në botë arrijnë në miliona e miliona. Në rrugët e qytetit anembanë Tatarstanit, njerëzit përdorin gjuhët tartare dhe ruse, ashtu si edhe gazetat, librat, radiot dhe televizionet. Pjesët në teatrot e Tatarstanit shfaqen në gjuhën tartare dhe flasin për historinë, folklorin dhe jetën e përditshme të vendit.

Në vitrina dhe në tabelat e rrugëve në Kazan e në qytete të tjera, shkruhet në rusisht dhe në gjuhën tartare. Rusishtja ka huazuar shumë fjalë nga gjuha tartare. Në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1928, gjuha e shkruar tartare ndryshoi nga alfabeti arab në alfabetin latin. Por që nga viti 1939, gjuha tartare shkruhet me shkronja cirilike të ngjashme me ato të rusishtes.

Traditat kombëtare

Një herë e një kohë tartarët merreshin me gjueti dhe blegtori. Edhe sot, në gatimin tradicional shumë lloje gjellësh i bëjnë me mish. Një prej tyre është beleshi, një nga gatimet e preferuara në shumë familje tartare. Zakonisht bëhet si byreku, mbushet me patate, mish, qepë dhe erëza dhe piqet për rreth dy orë. Pastaj «byrekun» e presin të nxehtë në tavolinë në sy të të gjithëve teksa avulli ngrihet sipër.

Ndër festat kombëtare të tartarëve, ndoshta më e vjetra dhe më e famshmja është Sabantui. Ajo e ka origjinën nga një zakon pagan sipas të cilit njerëzit luteshin së bashku dhe i ofronin flijime perëndisë diell e shpirtrave të paraardhësve. Pjesëmarrësit besonin se flijime të tilla do të bënin që linja e tyre gjenealogjike të vazhdonte, që kafshët e tyre të riprodhoheshin dhe që toka e tyre të ishte e frytshme.

Tartarët i pëlqejnë shumë kuajt. Ata janë pjesë e rëndësishme e kulturës tradicionale dhe kanë lidhje me jetën e tyre të mëparshme si nomadë. Në Kazan ndodhet një nga hipodromët më të mirë në botë, me 12 stalla dhe një klinikë veterinare. Aty madje ka edhe një pishinë për kuajt.

Çfarë rezervon e ardhmja?

Në Kuran thuhet: «Ne kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Levhi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mij të mirë.» (Sura 21, El Enbija [Profetët], ajeti 105). Me sa duket, ky varg është marrë nga psalmet e Davidit që ishte dokumentuar në Bibël mbi 1.500 vjet më herët. Në Psalmin 37:29 lexojmë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»

Nga cili komb dhe grup etnik do të vijnë këta njerëz të lumtur e të drejtë? Një profeci në Injil (shkrimet nga Dhiata e Re) thotë se do të vijnë nga ‘një shumicë e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. (Zbulesa 7:9) Sa e mrekullueshme do të jetë në të ardhmen kur të jetojmë mes një vëllazërie shumëkombëshe dhe të shumëllojshme që do të mbushë tokën! *

[Shënimet]

^ par. 2 Tartarët janë një grup i madh etnik turanik, që ndodhen kryesisht në Rusi.

^ par. 5 Shih artikujt «Nomadët e Azisë që skalitën një perandori» në revistën Zgjohuni! të majit 2008.

^ par. 9 Qytete të tjera ruse që kanë metro janë: Jekaterinburgu, Moska, Nizhnji Novgorodi, Novosibirsku, Shën-Pjetërburgu dhe Samara.

^ par. 25 Për më shumë informacion për qëllimet e Perëndisë, shihni broshurën Udhëheqja e Perëndisë​—Rruga jonë për në Parajsë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 25]

EMRI I PERËNDISË NË GJUHËN TARTARE

Në librin Dinnər Tarixb (Fetë e botës), shkruar nga autori tartar M. Kuzhajev, thuhet se Adami u krijua nga Allahu Jahve, ose Perëndia Jehova. Po kështu, përkthimi tartar i Pentateukut, domethënë i pesë librave të parë të Biblës së sotme, përmban një shënim te Zanafilla 2:4 ku thuhet për emrin e Perëndisë: «Ka mundësi që ky emër shqiptohej Jahveh nga hebrenjtë e lashtë.»

[Kutia në faqen 26]

DËSHMITARËT E JEHOVAIT NË TATARSTAN

Dëshmitarët e Jehovait në Rusi bëjnë kurse për të mësuar gjuhën tartare nga dëshira e madhe për t’u dhënë njerëzve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Një grua në Tatarstan tha: «Njohuria për Perëndinë në gjuhën time amtare më ka prekur aq sa më ka bërë për të qarë.»

Në vitin 1973, një grup i vogël tartarësh Dëshmitarë të Jehovait filloi të mbante mbledhje për studimin e Biblës në gjuhën tartare. Në vitet 90, Dëshmitarët e Jehovait filluan të botonin literaturë biblike në gjuhën tartare. * Pastaj, në vitin 2003, u formua kongregacioni i parë i Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën tartare në Naberezhnje Çelni të Republikës së Tatarstanit. Sot, në Rusi ka 8 kongregacione dhe 20 grupe në gjuhën tartare.

Në vitin 2008, delegatë nga Astrakani, rajoni i Vollgës, malet Urale, Siberia Perëndimore dhe nga veriu i largët ndoqën kongresin krahinor në gjuhën tartare. Sot në Tatarstan ka 36 kongregacione dhe grupe në gjuhën tartare, ruse dhe ruse të shenjave, ku më shumë se 2.300 veta marrin pjesë aktivisht në veprën e përhapjes së të vërtetës për Perëndinë.

[Shënimi]

^ par. 37 Shoqata Watch Tower Bible and Tract Society ka botuar Bibla dhe botime të bazuara në Bibël në mbi 560 gjuhë.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

NJË ATLET BËHET BARI

Pjotër Markovi lindi në vitin 1948 në një fshat në Tatarstan. Për 30 vjet njihej në vendin e tij për aftësitë në mundje dhe peshëngritje. Një herë ngriti 32 kilogramë 130 herë rresht. Tani, që kur u bë Dëshmitar i Jehovait, njihet për faktin që u flet njerëzve për Perëndinë në gjuhën tartare e ruse dhe i ndihmon për të përballuar problemet e jetës.

Në këtë mënyrë, Pjotri imiton Krijuesin e dashur, për të cilin tek Isaia 40:11 thuhet: «Ai do ta kullotë kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji dhe do t’i drejtojë me kujdes ato që ushqejnë të vegjlit me qumësht.»

[Figura]

Pjotri tani, si një bari, ndihmon të tjerët të njohin Perëndinë

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

RUSI

MALET URALE

MOSKË

Shën-Pjetërburg

REPUBLIKA E TATARSTANIT

Kazan

Lumi Vollgë

[Figura në faqen 25]

Kremlini i Kazanit mbi lumin Kazankë

[Burimi]

© Michel Setboun/​CORBIS

[Figura në faqen 26]

«Beleshi» është një gatim i preferuar për shumë familje tartare