Briri alpin—Muzikë nga pema
Briri alpin—Muzikë nga pema
PËR shekuj me radhë, disa banorë të Alpeve të Zvicrës kanë përdorur një instrument unik komunikimi: bririn alpin. Mund të mos duket praktike, pasi disa nga këto instrumente janë dy herë më të gjata se ata që u bien. Megjithatë, bririn alpin mund ta marrësh me vete në dorë. Disa prej tyre madje janë të çmontueshëm dhe pjesët mund të futen në valixhe të posaçme. Tingulli i tij arrin deri në dhjetë kilometra larg, nga njëra anë e luginave të larta alpine në tjetrën.
Si bëhet briri alpin?
Tradicionalisht bëhet nga druri i bredhit të malit, prandaj është instrument tipik i Alpeve të bukura të Zvicrës. Fenomenet natyrore bëjnë që trungjet e bredhave që rriten në anë të shpateve të thepisura, të marrin një formë të lakuar në fund.
Pasi presin pemën që kanë zgjedhur, bërësit e bririt alpin me kujdes e çajnë më dysh për së gjati dhe e gërryejnë nga brenda duke përdorur dalta të posaçme. Vetëm për këtë punë mund të duhen deri në 80 orë. Pastaj, ky zejtar e lëmon pjesën e brendshme me limë e me letër smerili dhe i ngjit të dyja pjesët bashkë duke i mbërthyer fort me fibra nga lëvorja e bredhit. I bashkëngjit edhe një mbështetëse të vockël druri, e cila mban bririn kur i bihet. Në fund, pasi instrumentit i vë një gojëz të përshtatshme dhe pasi tytën e zbukuron duke e pikturuar ose gdhendur, zejtari e lyen bririn me llak për ta mbrojtur nga uji.
Përdorimet tradicionale
Për breza e breza, barinjtë i kanë rënë bririt alpin që lart nga lëndinat si për t’i sinjalizuar ëmbëlsisht familjet poshtë në luginë që «gjithçka shkon mirë». Mirëpo, kryesisht, e përdorin për të mbledhur lopët para mjeljes. Lopçarët zviceranë prej kohësh kanë besuar se tingulli i ëmbël i bririt alpin i mban lopët të qeta gjatë mjeljes.
Në dimër, kur lopët ktheheshin në stallat në luginë, shumë barinj shkonin në qytet me instrumentet e tyre ku u binin sa për të fituar ca para shtesë. Në të kaluarën, janë përdorur edhe për të dhënë kushtrimin për luftë.
Si i bihet?
Në pamje të parë, briri alpin mund të duket i lehtë për t’i rënë. Në fund të fundit, nuk ka as vrima, as çelësa ose valvula për të lëvizur. Vështirësia qëndron te kontrollimi i ajrit teksa kalon në këtë fyell të stërmadh në mënyrë që të përftohet toni i dëshiruar.
Briri alpin nxjerr vetëm 12 tone të thjeshta. Megjithëse me këtë instrument nuk mund të luash çdo lloj melodie, kompozohet enkas muzikë për të, dhe një muzikant i zoti mund të arrijë të interpretojë melodi të bukura e të larmishme.
Kompozitorë të famshëm kanë përfshirë në pjesë orkestrale tingujt e bririt alpin. Për shembull, Leopold Moxarti, babai i Volfgang Amadeus Moxartit, shkroi pjesën e tij «Simfonia Pastorela» të kompozuar për orkestër dhe corno pastoritio, që është një lloj briri alpin. Brahmsi kopjoi tingujt e bririt alpin zviceran duke përdorur flautet dhe kornot, kurse Bethoveni imitoi tingujt e bririt alpin në simfoninë e tij Pastorale për të krijuar atmosferën e jetës baritore.
Dokumenti më i hershëm në të cilin përmendet briri alpin është një libër llogarish i manastirit të shën Urbanit në Zvicër, që daton nga viti 1527. Sot, gati 500 vjet më vonë, jehona e butë e bririt alpin mund të dëgjohet ende në lëndinat madhështore të Alpeve të Zvicrës.
[Figura në faqen 15]
Briri alpin mund të çmontohet dhe të merret me vete