Nuk është asnjëherë vonë të bëhesh mik me Perëndinë
Nuk është asnjëherë vonë të bëhesh mik me Perëndinë
Treguar nga Olavi J. Matila
«A keni menduar ndonjëherë që mund të merrni njohuri të saktë për Krijuesin?» Një Dëshmitar i Jehovait ma bëri këtë pyetje që më vuri në mendime. Në atë kohë, isha mbi 80 vjeç dhe kisha njohur mjaft njerëz të shquar, madje edhe udhëheqës politikë. Por, a mund ta njihja Perëndinë dhe të bëhesha mik me të në atë pikë të jetës?
LINDA në tetor të vitit 1918 në Hivinkë, Finlandë. Që i vogël, fillova të bëja punë të ndryshme në fermë. Familja ime mbante gjedhë, kuaj, pula dhe pata. Mësova të punoja fort dhe ndihesha krenar për punën që bëja.
Ndërsa rritesha, prindërit më nxitnin të synoja arsimin e lartë. Prandaj, kur mbusha moshën, u largova nga shtëpia për të ndjekur universitetin. Fillova të merresha me atletikë dhe njoha Urho Kekonenin, drejtorin e Shoqatës Finlandeze të Atletikës. As që ma merrte mendja që z. Kekonen do të bëhej kryeministër dhe më vonë president i Finlandës, pozita që i mbajti për rreth 30 vjet. As e imagjinoja sa shumë do të ndikonte ai në jetën time.
Një jetë me pozitë dhe pushtet
Në vitin 1939, shpërtheu një konflikt midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik. Në nëntor të atij viti, më thirrën nën armë. Në fillim, stërvita trupat rezerviste dhe më vonë shërbeva si komandant i skuadrës së mitraljerëve. Fronti i luftës ishte në Kareli, një zonë në kufirin midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik. Në verën e vitit 1941, gjatë luftimeve afër qytetit të Vajborgut, u plagosa rëndë nga copat e një predhe dhe më çuan në një spital ushtarak. Nga plagët që kisha marrë, nuk mund të luftoja më.
Në shtator të 1944-ës, u lirova nga detyra në ushtri dhe u ktheva në universitet. Rifillova të merresha edhe me atletikë. Dola tri herë kampion kombëtar, dy herë në vrapimet me stafetë dhe një herë në vrapimet me pengesa. Gjithashtu, u diplomova në degët e teknologjisë dhe të ekonomisë.
Ndërkohë, Urho Kekoneni ishte bërë figurë me influencë në politikë. Më 1952, gjatë mandatit të tij si kryeministër, më kërkoi të punoja si diplomat në Kinë. Kur isha atje, takova disa qeveritarë, përfshirë Mao Ce Dunin, kreu i atëhershëm i Kinës. Por, njeriu më i rëndësishëm që takova në Kinë, ishte një vajzë e këndshme me emrin Aniki, që punonte për Ministrinë e Jashtme të Finlandës. Ajo u bë gruaja ime në nëntor të vitit 1956.
Vitin pasues më transferuan në ambasadën finlandeze në Argjentinë. Gjatë qëndrimit tonë në atë vend na lindën fëmijët e parë, dy djem. Në janar të 1960-ës, u kthyem në Finlandë. Nuk kaloi shumë dhe na lindi fëmija i tretë, këtë herë një vajzë.
Ngjitem në shkallët më të larta të qeverisjes
Megjithëse nuk kisha qenë kurrë pjesëtar i një partie politike, në nëntor të vitit 1963, presidenti Kekonen më ftoi të bëhesha ministër i tregtisë me jashtë. Gjatë 12 viteve të mëpasshme, pata gjashtë poste në qeveri, dy herë si ministër i punëve të jashtme. Në ato kohë isha i bindur se problemet e botës mund të zgjidheshin falë zgjuarsisë njerëzore. Megjithatë, shumë shpejt u bëra i vetëdijshëm për etjen e njeriut për pushtet. Pashë me sytë e mi ndikimin e dëmshëm të mosbesimit dhe të smirës.—Eklisiastiu 8:9.
Por pashë edhe se ka mjaft njerëz që përpiqen me gjithë zemër t’i përmirësojnë gjërat. Gjithsesi, edhe krerët me qëllimet më të mira nuk arrijnë t’i realizojnë synimet.
Në verën e vitit 1975, krerët e 35 shteteve erdhën në Helsinki në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Në atë kohë, unë isha ministër i punëve të jashtme dhe këshilltar i ngushtë i presidentit Kekonen. Më caktuan mua ta organizoja këtë konferencë dhe takova të gjithë udhëheqësit e shteteve pjesëmarrëse.
Gjatë atyre pak ditëve, aftësitë e mia diplomatike u vunë në provë në maksimum. Ishte e vështirë të binin dakord edhe për vendet që u kishim caktuar për t’u ulur. Megjithatë, mendoja se konferenca, bashkë me një sërë mbledhjesh që e pasuan, kontribuan për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe për marrëdhënie më tolerante midis superfuqive.
I vetëdijshëm se kisha nevojë të mësoja për Perëndinë
Më 1983, dola në pension dhe u transferuam në Francë, ku jetonte vajza. Pastaj na ndodhi një fatkeqësi. Në nëntor të 1994-ës, Aniki u diagnostikua me kancer në gji. Po atë vit, u përfshiva në një plan investimi që doli një mashtrim. Gjatë gjithë jetës, kisha bërë çmos të mbaja një emër të mirë. Por me një gabim të vetëm në gjykim, njollosa reputacionin.
I kisha takuar Dëshmitarët e Jehovait herë pas here gjatë jetës. Edhe pse i vlerësoja vizitat e tyre dhe i pranoja revistat, isha tepër i ngarkuar dhe nuk kisha kohë të merresha me gjërat e Perëndisë. Por, më vonë isha pensionist dhe kujdesesha në shtëpi për Anikin, e cila luftonte ende me kancerin. Në shtator të vitit 2002, na trokiti në derë një Dëshmitar i Jehovait. Ai më bëri pyetjen e përmendur në fillim të artikullit. Thashë me vete: «A është e mundur të mësosh të vërtetën për Perëndinë? A mund të bëhesh mik me të?» Rrëmova për
Biblën time që kishte zënë pluhur dhe fillova të bëja rregullisht biseda biblike me Dëshmitarët.Në qershor të 2004-ës, gruaja ime e dashur vdiq dhe unë mbeta vetëm. Sigurisht fëmijët më kanë ndenjur shumë afër. Por, prapëseprapë kisha disa pyetje për atë që ndodh me ne pasi vdesim. Për këtë arsye shkova te dy priftërinj luteranë. Përgjigjja e tyre ishte vetëm: «Epo, këto janë pyetje goxha të vështira.» Nuk mbeta i kënaqur nga kjo përgjigje. Kjo më bindi edhe më shumë se kisha nevojë të mësoja për Perëndinë.
Ndërsa vazhdoja të studioja Biblën me Dëshmitarët, rritesha gjithnjë e më tepër në njohurinë e saktë që e doja aq shumë. Për shembull, Bibla shpjegon se vdekja është një gjendje e pavetëdijshme, si gjendje gjumi, dhe se të vdekurit kanë shpresën të kthehen në jetë përsëri në tokë. (Gjoni 11:25) Kjo më dha shpresë dhe më ngushëlloi jashtë mase.
Arrita ta lexoja të gjithë Biblën brenda një kohe të shkurtër. Një shkrim që më bëri përshtypje ishte Mikea 6:8, ku thuhet: «Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd?» Mençuria dhe thjeshtësia e këtij parimi, më bënë për vete. Ai nxirrte në pah edhe sa i dashur e i drejtë është Perëndia Jehova.
Një shpresë për të ardhmen
Besimi im te Perëndia rritej ndërsa mësoja të vërtetën për të. Zhvillova një miqësi të vërtetë me Krijuesin tim. Më lanë mbresa fjalët e tij të dokumentuara tek Isaia 55:11: «Po ashtu edhe fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.» Po, deri tani Perëndia i ka mbajtur premtimet e tij e do t’i mbajë edhe në të ardhmen. Ai do të arrijë qëllimin që qeveritë njerëzore dhe konferencat e shumta politike nuk e kanë arritur dot. Për shembull, Psalmi 46:9 thotë: «Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut.»
Kam nxjerrë mjaft dobi nga mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Aty kam parë me sytë e mi dashurinë e vërtetë të krishterë, që është shenja identifikuese e dishepujve të vërtetë të Jezuit. (Gjoni 13:35) Kjo dashuri qëndron më lart se patriotizmi dhe nuk e gjen kurrë në botën e politikës e të tregtisë.
Privilegji më i çmuar
Tani jam mbi 90 vjeç dhe të jem Dëshmitar i Jehovait është privilegji më i madh që kam pasur ndonjëherë. Boshllëku që kisha para se të njihja Perëndinë, tani është mbushur. Kam pasur privilegjin të mësoj qëllimin e jetës dhe të vërtetën për Perëndinë.
Jam i kënaqur që edhe në këtë moshë marr pjesë aktivisht në veprimtaritë e krishtere. Kam takuar shumë njerëz me pushtet dhe kam pasur përgjegjësi me peshë, por asgjë nuk krahasohet me privilegjin për të njohur Krijuesin, Perëndinë Jehova, dhe për të pasur miqësi me të. I jam shumë mirënjohës dhe dua ta lëvdoj që më ka dhënë mundësinë të bëhem një nga ‘bashkëpunëtorët’ e tij. (1 Korintasve 3:9) Nuk është asnjëherë vonë të bëhesh mik me Krijuesin, Perëndinë Jehova.
[Figura në faqen 25]
Me presidentin Kekonen dhe presidentin e SHBA-së, Ford, gjatë konferencës së Helsinkit në vitin 1975
[Figura në faqen 25]
Me presidentin Kekonen dhe Brezhnievin, udhëheqësin sovjetik
[Figura në faqen 26]
Marr pjesë aktivisht në veprimtaritë e krishtere
[Burimet e figurave në faqen 25]
Poshtë majtas: Ensio Ilmonen/Lehtikuva; poshtë djathtas: Esa Pyysalo/Lehtikuva