Sulme kompjuterike!
Sulme kompjuterike!
IMAGJINONI një togë ekspertësh kompjuteri që përdorin Internetin për të vënë në punë rrjete kompjuterësh që i kanë marrë nën kontroll. Kjo armatë kompjuterësh, e njohur si botnets (rrjete robotësh), lëshon një breshëri kodesh kompjuterike dëmsjellëse që kanë si shënjestër një shtet të caktuar. Brenda pak minutash, sitet Web ushtarake, financiare dhe tregtare të këtij shteti shkatërrohen. Bankomatët (ATM-të) dhe rrjetet telefonike nuk funksionojnë më. Avionët nuk ngrihen në fluturim, sistemet kompjuterike e të sigurisë në centralet bërthamore ndërpriten. Si do të reagonin njerëzit? Çfarë do të bënin? Çfarë do të bëje ti?
Skena e mësipërme mund të duket e pabesueshme. Por, sipas Riçard A. Klarkut, ish-koordinatorit kombëtar të SHBA-së për Sigurinë, Mbrojtjen e infrastrukturës dhe Antiterrorizmin, diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në jetën reale. Në fakt, tashmë ka pasur sulme kompjuterike. * Mbase ti vetë ke qenë viktimë.
Pse do ta niste dikush një sulm të tillë? Si ndërmerret ky sulm? E përderisa krimet kompjuterike kundër individëve janë bërë të zakonshme, si mund të mbrohesh kur je online?
Fushëbetejë dixhitale
Ka arsye të ndryshme pse mund të niset një sulm kompjuterik. Për shembull, terroristët ose qeveritë mund të orvaten të futen në rrjetet kompjuterike të armiqve për t’u vjedhur sekrete ose për të sabotuar pajisjet që këto rrjete kompjuterike kontrollojnë. Në vitin 2010, zëvendëssekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Uilliam Xh. Lini III, pranoi se «kundërshtarët» e huaj kishin sulmuar disa herë rresht. Sipas tij kishin arritur të depërtonin në rrjetet kompjuterike që përmbanin të dhëna sekrete të SHBA-së dhe kishin vjedhur «mijëra dokumente . . . madje edhe projekte armësh, plane operative dhe të dhëna të mbledhura nga survejimet».—Shih kutinë «Sulme kompjuterike të fundit».
Kriminelët informatikë përdorin metoda të ngjashme për të vjedhur prona intelektuale ose të dhëna financiare nga rrjete korporatash dhe kompjuterë personalë. Raportohet se kriminelët bëjnë miliarda dollarë çdo vit me anë të transaksioneve mashtruese në rrjet.
Piratët informatikë kanë vënë nën kontroll një armatë të madhe kompjuterësh për të sulmuar nëpërmjet Internetit. Në 2009-n, një shoqëri
këshilluese për sigurinë në Internet zbuloi një bandë kriminale që kontrollonte në distancë një rrjet global me përafërsisht 2 milionë kompjuterë, shumë prej të cilëve pronë e qytetarëve të thjeshtë. Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit Ekonomik (OECD) llogariti kohët e fundit se 1 në 3 kompjuterë të lidhur me Internetin kontrollohet në distancë nga ndonjë «i paftuar». Po kompjuteri yt? A mund të ndodhë që dikush ta komandojë pa dijeninë tënde?Gjahtarë të heshtur
Imagjino një skenë të tillë. Një kriminel dërgon një program të dëmshëm me anë të Internetit, i cili kur futet në kompjuter, pa dijeninë tënde kërkon programet antivirus online të instaluara në të. Kur gjen një hyrje të pambrojtur, rrëmon në gjithë kompjuterin për të gjetur të dhëna të dobishme. * Më pas, programi i dëmshëm mund të ndryshojë ose të fshijë dokumentet e tua në kompjuter, mund «të postojë veten elektronikisht» në kompjuterë të tjerë ose t’i dërgojë «të paftuarit» fjalëkalime, hollësi financiare apo të dhëna të tjera konfidenciale.
Kriminelët informatikë mund të të mashtrojnë madje në atë mënyrë që ta infektosh vetë kompjuterin! Si? Duke hapur një dokument të dërguar me postë elektronike që në dukje s’ka asgjë të keqe, duke klikuar në linkun e një faqeje Web, duke shkarkuar e instaluar një program kompjuteri falas, duke lidhur me kompjuterin një pajisje me memorie të infektuar ose thjesht duke vizituar një faqe interneti me përmbajtje të diskutueshme. Secili nga këto veprime mund të instalojë programe të dëmshme në kompjuterin tënd dhe ta vërë nën kontrollin e një «të paftuari» në distancë.
Si ta kuptosh nëse kompjuteri yt është infektuar? Kjo mund të jetë shumë e vështirë për t’u diktuar. Kompjuteri dhe Interneti mund të duken shumë të ngadalshëm, sistemi nuk u përgjigjet komandave, kutitë që shfaqen papritmas mund të të nxitin të instalosh ndonjë program të caktuar ose kompjuteri nuk funksionon si zakonisht. Nëse vëren ndonjë nga këto simptoma, kontrolloje kompjuterin tek një teknik i mirë.
‘Shqyrto hapat’
Teksa kombet dhe individët mbështeten gjithnjë e më tepër tek teknologjia informatike, sulmet kompjuterike do të bëhen edhe më të zakonshme. Prandaj, shumë kombe po nxitojnë të përmirësojnë mbrojtjen dixhitale dhe disa po bëjnë prova në shkallë të gjerë për të parë rezistencën e rrjeteve të tyre kompjuterike ndaj sulmeve. Edhe me këto masa, Stivën Çabinski, shef i Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA dhe ekspert në fushën e sigurisë së kompjuterëve, pranon: «Përderisa një kundërshtar i vendosur ka kohën, motivimin dhe fondet e mjaftueshme, gjithmonë, theksoj gjithmonë, ai do ta gjejë mënyrën të futet në një sistem që i ka vënë syrin.»
Çfarë mund të bësh për t’u mbrojtur? Interneti nuk të jep asnjëherë siguri të plotë, megjithatë mund të bësh disa hapa praktikë që ta kesh kompjuterin më të sigurt. (Shih kutinë «Mbrohu!») Bibla thotë: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Këshillë vërtet e mençur kur je në Internet!
[Shënimet]
^ par. 3 Sulmet kompjuterike janë përpjekje të qëllimshme për të ndryshuar, ndërprerë ose shkatërruar sistemet a rrjetet kompjuterike ose të dhënat a programet që kanë ose transmetojnë.—Këshilli Kërkimor Kombëtar i SHBA-së.
^ par. 10 Është raportuar se në vitin 2011, piratët informatikë arritën të vinin në shënjestër më shumë se 45.000 pika të dobëta tashmë të njohura në kompjuter. Duke shfrytëzuar këto dobësi, zakonisht ata përpiqen të instalojnë programe të dëmshme (malware) në kompjuterët e njerëzve pa dijeninë e tyre.
[Diçitura në faqen 26]
Piratët informatikë kanë mbledhur një armatë të madhe kompjuterësh që i kanë nën kontroll
[Diçitura në faqen 27]
Sipas OECD-së, 1 në 3 kompjuterë të lidhur me Internetin kontrollohet në distancë nga ndonjë «i paftuar»
[Kutia në faqen 27]
SULME KOMPJUTERIKE TË FUNDIT
2003: Krimbi kompjuterik Slammer depërtoi me shpejtësi në Internet, duke infektuar rreth 75.000 kompjuterë brenda 10 minutave. * Shërbimi i Internetit u bë jashtëzakonisht i ngadalshëm, sitet Web nuk punonin më, bankomatët nuk funksiononin, avionët nuk u ngritën në fluturim dhe sistemet kompjuterike e të sigurisë në një central bërthamor u ndërprenë.
2007: Disa sulme kompjuterike patën në shënjestër Estoninë, duke prekur qeverinë, mediat dhe bankat. Shumica e këtyre sulmeve erdhën nga rrjete kompjuterike që ishin marrë nën kontroll (botnets), të cilat bënë që më shumë se një milion kompjuterë në 75 vende të dërgonin një sasi marramendëse me kërkesa të rreme për informacione.
2010: Krimbi kompjuterik mjaft i sofistikuar Stuxnet infektoi sistemet e kontrollit industrial të një centrali bërthamor në Iran.
[Shënimi]
^ par. 25 Krimbat kompjuterikë janë programe dëmsjellëse që vetëriprodhohen automatikisht nga një kompjuter te tjetri nëpërmjet Internetit. Ashtu si llojeve të tjera të programeve të dëmshme, krimbave kompjuterikë zakonisht u vënë emra si, për shembull Slammer.
[Kutia në faqen 28]
Mbrohu!
1. Instalo në kompjuter programe antivirusi, firewall (mur mbrojtës mes kompjuterit dhe internetit) dhe spyware (që spiunojnë aktivitetin në kompjuter). Mbaji të sigurta këto programe dhe sistemin operativ duke instaluar të gjitha përditësimet që vijnë për sigurinë.
2. Mendo para se të klikosh një link ose të hapësh dokumente të bashkëngjitura që t’i kanë dërguar me postë elektronike a mesazh—madje edhe shokët. Ki veçanërisht kujdes nëse nuk pret mesazhe dhe të kërkojnë të dhëna private ose të verifikosh fjalëkalimin.
3. Mos kopjo e mos puno kurrë me programe që vijnë nga burime të panjohura.
4. Përdor fjalëkalime që kanë të paktën tetë shkronja, përfshi numra e simbole dhe ndryshoji rregullisht. Përdor fjalëkalime të ndryshme për account të ndryshëm.
5. Bëj biznes me anë të Internetit vetëm me kompani me reputacion të mirë e që përdorin lidhje të sigurta. *
6. Mos jep informacione konfidenciale për veten ose për accountet e tua kur përdor linkë të pasigurt Wi-Fi si, për shembull, në vende publike.
7. Fike kompjuterin kur nuk po e përdor.
8. Bëju rregullisht nga një kopje dokumenteve të tua dhe ruaji ato në vend të sigurt.
[Shënimi]
^ par. 36 Faqet Web të sigurta në programet me anë të së cilave hyn në Internet, kanë në shiritin e adresës simbole për veprime të sigurta, siç është simboli i drynit dhe «https://»; s-ja do të thotë «i sigurt».
[Figura në faqen 28]
Bëj ç’të mundesh për të qenë i mbrojtur kur je në Internet