Tejet të interesuar për fundin e botës
A JU kap ankthi kur mendoni për të ardhmen? Nëse po, nuk jeni të vetmit. Që në lashtësi, është spekuluar për të ardhmen dhe shumë kanë arritur në përfundimin se nuk do të jetë fushë me lule. Ideja për fundin e botës i ka futur në mendime njerëzit dhe u ka ngjallur kureshtje për mijëra vjet.
Për shembull, le të shohim prodhimet e fundit artistike, si programet televizive, filmat e shumtë, mijëra librat e revistat vizatimore që thurin përralla për fundin që pritet. S’kanë të sosur tregimet me forca të këqija që sulmojnë dhe shkatërrojnë tokën, si robotë vrastarë, lloj-lloj përbindëshash, jashtëtokësorë, kufoma të ngritura nga varret, fantazma, dragonj, majmunë, shpendë, minj mutantë dhe grerëza gjigante. Zor se do t’i besonte kush këto sajesa!
Sigurisht, ka edhe tregime e teori të tjera që i shqetësojnë edhe më shumë disa njerëz. Disa nga këto konsiderohen si arsyetime shkencore. Njëra parathotë se korja e gjithë tokës do të pësojë një lëkundje masive që do të sjellë tsuname, tërmete dhe vullkane të stërmëdha. Sipas një teorie tjetër, planetët do të radhiten njëri pas tjetrit, dhe kjo do të shtojë erërat diellore që do të bëjnë kërdinë në tokë. Kurse një tjetër thotë se polet magnetike të tokës papritmas do të ndërrojnë vendet, dhe kështu rrezatimi diellor do të shfarosë racën njerëzore. Mos kini merak. Këto nuk do të ndodhin. Megjithatë, trillime të tilla vazhdojnë të zgjojnë fantazinë e shumë vetave.
Po ç’mund të themi për librat e panumërt dhe sitet e Internetit që parashikojnë se fundi i botës do të vijë më 21 dhjetor të këtij viti? Një teori është se njëfarë planeti me emrin Nibiru (ose Planeti X) është nisur drejt tokës e do të përplaset me të në dhjetor të vitit 2012. Kjo dhe të tjera teori të pabazuara në fakte vijnë nga interpretimi i kalendarit të lashtë maja, që, sipas disave, mbaron me solsticin e dimrit më 2012.
Të bindur nga parashikime të ngjashme, disa kanë ndërtuar vendstrehime pas shtëpive ose kanë shpenzuar shumë për të prenotuar dhoma në vendstrehime të përbashkëta nën tokë. Të tjerë janë transferuar në male dhe i sigurojnë vetë gjërat bazë, duke jetuar të pavarur nga shërbimet publike, si për shembull, sigurimi i ujit, i ngrohjes dhe i elektricitetit.
Sigurisht, ka nga ata që nuk e besojnë fare këtë dhe e hedhin poshtë idenë se fundi i botës është afër. Për shembull, shkencëtarët e NASA-s pohojnë: «Asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë Tokës në vitin 2012. Planeti ynë ia ka dalë për mrekulli për më tepër se 4 miliardë vjet dhe shkencëtarë të besueshëm në mbarë botën e dinë se 2012-ën nuk e kërcënon asgjë.»
Por do të ishte gabim të arrinim në përfundimin se njerëzimit nuk i kanoset asnjë rrezik ose se vetëm naivët besojnë që do të vijë fundi i botës. A do të marrë vërtet fund bota? Nëse po, si dhe kur?