Të rinjtë pyesin
Ç’mund të pres nga martesa?—Pjesa 1
«Kur jam me të, ndihem sikur eci mbi re. Mezi pres të martohemi.»
«Nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta. Në vend se shokë jete, jemi veçse shokë dhome. Ndihem kaq e vetmuar.»
SIÇ mund ta keni kuptuar, citimi i pare sipër është i një vajze beqare, kurse citimi i dytë është i një të martuare. Ajo që ndoshta nuk keni kuptuar, është se i ka thënë i njëjti person.
Çfarë ndodhi? Nëse dëshiron të martohesh një ditë, ç’mund të bësh që një ëndërr romantike të mos përfundojë në një martesë problematike?
Fakt: Lumturia në martesë varet kryesisht nga ajo që pret prej saj.
Ky artikull, bashkë me artikullin «Të rinjtë pyesin» në revistën Zgjohuni! të muajit të ardhshëm, do të të ndihmojnë të jesh realist në atë që pret nga martesa.
Ç’mund të presësh realisht nga martesa? E thënë shkurt:
- Prit të mira
- Prit vështirësi
- Prit të papriturën
Le të shohim më nga afër secilën prej tyre.
PRIT TË MIRA
Bibla ka një pikëpamje pozitive për martesën. (Proverbat 18:22) Ja disa të mira që mund të presësh.
Shoqëri. Bibla tregon se, ca kohë pasi krijoi njeriun e parë, Adamin, Perëndia tha se «nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm» dhe pastaj krijoi Evën për t’i bërë shoqëri. (Zanafilla 2:18) Perëndia e krijoi secilin me cilësi unike që të ishin të ndryshëm e megjithatë me aftësinë për t’u përshtatur. Prandaj, burri dhe gruaja janë shoqëri e shkëlqyer për njëri-tjetrin.—Proverbat 5:18.
Bashkëpunim. Bibla thotë: «Dy vetë, sigurisht që janë në gjendje më të mirë se njëri. Po të bashkëpunojnë dy vetë, ata arrijnë diçka.» (Eklisiastiu 4:9, ECM) Kjo është më se e vërtetë për martesën. «Sekreti është të punosh si një skuadër dhe të jesh i përulur e i gatshëm të hapësh rrugë herë pas here»,—thotë Blerta, që është martuar kohët e fundit. *
Intimitet. Bibla thotë: «Burri duhet të plotësojë nevojat seksuale të gruas së tij dhe gruaja të bëjë të njëjtën gjë ndaj burrit.» (1 Korintasve 7:3, Common English Bible) Kur je i martuar mund të kesh marrëdhënie seksuale pa ankthin dhe keqardhjen që janë shpesh pasojë e hidhur e seksit para martese.—Proverbat 7:22, 23; 1 Korintasve 7:8, 9.
Përfundimi: Martesa është një dhuratë nga Perëndia. (Jakovi 1:17) Kur u bindesh parimeve të tij, mund të presësh që ajo të të sjellë shumë shpërblime në jetë.
Për të menduar: A kanë ndikuar në pikëpamjen tënde për martesën shembujt negativë që ke parë, ndoshta në familjen tënde? Nëse po, ç’shembuj pozitivë që ia vlen t’i imitosh mund të shohësh?
PRIT VËSHTIRËSI
Bibla paraqet një pikëpamje realiste për martesën. (1 Korintasve 7:28) Ja disa vështirësi që mund të presësh.
Mosmarrëveshje. Nuk ka dy njerëz identikë, e vetmja e përbashkët është papërsosmëria. (Romakëve 3:23) Prandaj çifti do të ketë herë pas here mosmarrëveshje, pavarësisht se duken se përshtaten mirë. Madje, ndonjëherë mund të thonë gjëra për të cilat më vonë pendohen. «Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur»,—thotë Bibla. (Jakovi 3:2, Diodati i Ri) Çiftet e suksesshme nuk kërkojnë martesë ideale duke u përpjekur të shmangin çdo mosmarrëveshje, por mësojnë si t’i sqarojnë e t’i zgjidhin.
Zhgënjime. «Bombardohemi me filma e programe televizive ku vajza gjen njeriun ‘ideal’ dhe jeton e lumtur përgjithmonë»,—thotë një vajzë me emrin Keti. Kur një martesë nuk del siç përshkruhet në to, të dy bashkëshortët mund të zhgënjehen. Sigurisht, pas martese të dy do të zbulojnë papërsosmëri dhe të meta të tjera te njëri-tjetri. Çelësi është të mos harrojnë se dashuria e vërtetë «i qëndron çdo gjëje», edhe zhgënjimit.—1 Korintasve 13:4, 7.
Ankth. Bibla thotë se të martuarit janë «në ankth për gjërat e botës». (1 Korintasve 7:33, 34) Është normale të kesh një ankth të tillë, madje shpesh është me vend. Për shembull, mund ta keni të vështirë të siguroni gjërat e nevojshme. Mund t’ju duhet të punoni të dy vetëm për të siguruar ushqim, veshje e strehim. Por mund t’ia dilni mbanë nëse bashkëpunoni si skuadër për të siguruar gjërat për familjen.—1 Timoteut 5:8.
Përfundimi: Nëse periudha e njohjes është si të ngresh një balonë, martesa është si të drejtosh një avion. Do t’ju duhen shumë më tepër aftësi dhe përpjekje për të përballuar vështirësitë, por mund t’ia dilni mbanë.
Për të menduar: Si i zgjidh tani mosmarrëveshjet me prindërit dhe motrën a vëllanë? A arrin të mbash një pikëpamje realiste për situatën kur zhgënjehesh? Si e përballon ankthin?
NË ARTIKULLIN TJETËR «TË RINJTË PYESIN» Si mund të të ndihmojnë parimet e Biblës të presësh të papriturën?
^ par. 17 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.