VENDE DHE POPUJ | MONGOLI
Vizitë në Mongoli
ÇANGIS HANI, një luftëtar sypatrembur i shekullit të 12-të, hodhi themelet e asaj që u bë Perandoria e madhe Mongole. Mongolia, që sot ka mbetur një pëllëmbë krahasuar me territorin fillestar të asaj perandorie, gjendet mes Rusisë e Kinës dhe renditet ndër vendet me dendësi më të rrallë.
Mongolia ka hapësira të mëdha me stepa të gjelbërta, bregore gjelbëroshe, male madhështore, lumenj e përrenj. Në jug gjendet shkretëtira e Gobit, e famshme për mbetjet e ruajtura mirë të dinosaurëve. Ngaqë gjendet rreth 1.580 metra mbi nivelin e detit, mongolët e quajnë vendin e tyre «Vendi i qiejve të kaltër». Ky emër i shkon për shtat, sepse ka më shumë se 250 ditë në vit me diell.
Klima është ekstreme. Në behar temperatura arrin në 40°C, ndërsa në dimër bie deri në -40°C.
Gati një e treta e banorëve janë nomadë. Për ata që mjelin dhitë, lopët, devetë dhe pelat dita nis që në pikë të mëngjesit. Mongolët ushqehen kryesisht me bulmet e mish, ama pikë të dobët kanë mishin e deles.Janë mikpritës. Çadrat portative të rrumbullakëta, që i quajnë ger, i mbajnë të pakyçura me qëllim që kalimtarët të pushojnë e të hanë diçka të lënë kastile për ta. Shpesh mysafirët i qerasin me çaj të ngrohtë me qumësht, lezetuar me pak kripë.
Shumë janë budistë. Pak janë shamanistë, myslimanë e të krishterë, ndërsa një pjesë e mirë nuk janë fetarë. Atje ka mbi 350 Dëshmitarë të Jehovait që po u mësojnë Biblën më se 770 vetave.