Si të lutesh që Zoti të të dëgjojë?
Perëndia Jehova është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Mund të flasim me të kurdo e kudo, me zë ose pa zë. Jehovai do që ta thërrasim ‘Atë’, dhe ai është Ati më i mirë që mund të kemi. (Mateu 6:9) Me dashuri, Jehovai na mëson si të lutemi që të na dëgjojë.
LUTJU PERËNDISË JEHOVA NË EMËR TË JEZUIT
«Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim.»—Gjoni 16:23.
Nga fjalët e Jezuit e kuptojmë qartë se Jehovai dëshiron që t’i lutemi, jo nëpërmjet ikonave, shenjtorëve, engjëjve ose paraardhësve të vdekur, por në emër të Jezu Krishtit. Kur i lutemi Zotit në emër të Jezuit, pranojmë rolin jetik të Jezuit. Vetë ai tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.
FOL NGA ZEMRA
«Atij zbrazja zemrën!»—Psalmi 62:8.
Kur i lutemi Jehovait, duhet të flasim si me një baba të dashur. Në vend që të lexojmë lutje nga një libër ose të recitojmë diçka që e kemi mësuar përmendsh, duhet t’i flasim nga zemra e me respekt.
LUTU SIPAS VULLNETIT TË PERËNDISË
«Ai na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.»—1 Gjonit 5:14.
Në Bibël, Perëndia Jehova na thotë çfarë do të bëjë për ne dhe çfarë kërkon prej nesh. Që lutjet tona të jenë të pranueshme për të, duhet të lutemi «sipas vullnetit të tij». Për këtë na duhet të studiojmë Biblën, që ta njohim nga afër. Kur bëjmë kështu, lutjet tona do të jenë të këndshme për të.
PËR ÇFARË MUND TË LUTEMI?
Për nevojat tona. Mund të lutemi për nevojat e përditshme—ushqim, veshje dhe një vend për të jetuar. Mund të lutemi edhe për mençuri që të marrim vendime të mira dhe për fuqi që të përballojmë sprovat. Mund të lutemi për besim, për falje dhe për ndihmën e Zotit.—Luka 11:3, 4, 13; Jakovi 1:5, 17.
Për të tjerët. Prindërit e dashur kënaqen kur fëmijët e tyre e duan njëri-tjetrin. Edhe Jehovai dëshiron që fëmijët e tij në tokë të interesohen e të kujdesen për njëri-tjetrin. Është e përshtatshme të lutemi për bashkëshortin, fëmijët, familjen dhe për miqtë. «Lutuni për njëri-tjetrin»,—shkroi dishepulli Jakov.—Jakovi 5:16.
Për të falënderuar Perëndinë. Bibla thotë për Krijuesin tonë: «[Ai] bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot gëzim.» (Veprat 14:17) Kur mendojmë për gjithë sa ka bërë Zoti për ne, na vjen natyrshëm ta falënderojmë në lutje. Pa dyshim, duhet të tregojmë mirënjohjen ndaj tij edhe me mënyrën si jetojmë.—Kolosianëve 3:15.
JI I DURUAR DHE LUTU VAZHDIMISHT
Në disa raste, kur nuk marrim menjëherë përgjigje për lutjet tona të sinqerta, mund të dekurajohemi. A do të thotë kjo se Zoti nuk interesohet për ne? Kurrsesi! Më poshtë do të shohim disa eksperienca që tregojnë se thjesht duhet të vazhdojmë të lutemi.
Stivi, i përmendur në artikullin hyrës, pranon: «Po të kisha hequr dorë nga lutja, do të kisha humbur shpresën për të qenë i lumtur një ditë.» Pse ndryshoi mendim? Filloi të studionte Biblën dhe mësoi se duhej të lutej dhe të ngulmonte në lutje. Ai thotë: «I lutem Perëndisë që ta falënderoj për gjithë mbështetjen e dashur që kam marrë nga miqtë e mi të shtrenjtë. Jam më i lumtur se kurrë!»
Po Xheni që mendonte se ishte e pavlerë që Perëndia ta dëgjonte? Ajo thotë: «Në momentin më kritik, iu përgjërova Perëndisë të më ndihmonte të kuptoja pse ndihesha kaq e pavlerë.» Si e ndihmuan lutjet? «Lutjet ndaj Perëndisë më kanë ndihmuar t’i shoh gjërat nga perspektiva e duhur, të kuptoj se ai nuk më dënon, edhe pse zemra më dënon. Më kanë ndihmuar edhe të mos heq dorë e të vazhdoj përpara.» Cili ishte rezultati? «Lutjet më kanë ndihmuar ta shoh Jehovain si një Atë dhe Mik të vërtetë, të dashur e të kujdesshëm, që do të më ndihmojë e do të më qëndrojë gjithmonë pranë për sa kohë përpiqem të bëj atë që ai dëshiron.»
Të shohim edhe eksperiencën e Izabelës. Kur ngeli shtatzënë, mjeku i tha se fëmija do të lindte me aftësi të kufizuara. Ajo ndihej si mos më keq. Disa madje i sugjeruan ta abortonte fëmijën. «Ndihesha sikur do të vdisja nga gjithë dhembja që më rëndonte në zemër.» Çfarë bëri? «Iu luta e iu luta Perëndisë për mbështetje»,—thotë ajo. Me kalimin e kohës, lindi një djalë, Xherardin, dhe ai ishte vërtet me aftësi të kufizuara. A mendon Izabela se Perëndia u është përgjigjur lutjeve të saj? Absolutisht po! Si? «Kur shoh djalin, tani 14 vjeç, që e gëzon jetën pavarësisht kufizimeve, e kuptoj se ai është përgjigjja më e mirë për lutjet e mia, bekimi më i madh që më ka dhënë Perëndia Jehova»,—thotë Izabela.
Këto fjalë të sinqerta na bëjnë të mendojmë për atë që tha psalmisti: «Ti, o Jehova, do ta dëgjosh kërkesën e zemërbutëve, do t’ua forcosh zemrën e do t’u kushtosh gjithë vëmendjen tënde.» (Psalmi 10:17) Ç’arsye fantastike për t’u lutur vazhdimisht!
Në Bibël gjejmë shumë lutje të Jezuit. Më e mirënjohura është ajo që u mësoi dishepujve. Çfarë mund të mësojmë prej saj?