Kur të tradhton bashkëshorti
TRADHTIA bashkëshortore është dërrmuese. Është e vërtetë që disa kanë arritur ta falin bashkëshortin e penduar dhe ta rindërtojnë lidhjen e tyre. * Por, pavarësisht nëse një martesë i mbijeton tradhtisë, kushdo që merr vesh se bashkëshorti është treguar jobesnik, përjeton dhembje të papërshkrueshme. Si mund të përballohen këto ndjenja kaq lënduese?
VARGJE NGA BIBLA QË NA NDIHMOJNË
Edhe pse kanë përjetuar dhembje therëse, shumë bashkëshortë të pafajshëm kanë gjetur ngushëllim te Shkrimet. Ata kanë kuptuar se Perëndia i sheh lotët e tyre dhe se i pikon në zemër kur vuajnë.—Malakia 2:13-16.
«Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.»—Psalmi 94:19.
Billi kujton: «Ndërsa lexoja këtë varg, imagjinoja Jehovain duke më qetësuar dhembjen me dashuri, siç do të bënte një baba i dhimbsur.»
«Me atë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»—Psalmi 18:25.
Karmeni, të cilën e kishte tradhtuar burri për muaj me radhë, thotë: «Im shoq nuk u tregua besnik. Ama mund të besoja te besnikëria e Jehovait. Ai s’do të më zhgënjente kurrë.»
‘Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje dhe përgjërime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do t’ju ruajë zemrën.’—Filipianëve 4:6, 7.
Një grua me emrin Sasha, tregon: «Kushedi sa herë i kam lexuar këto vargje. Ndërsa i lutesha e i lutesha Perëndisë, Ai më jepte paqe.»
Të gjithë ata që janë cituar në këtë artikull, me raste kanë dashur të dorëzohen. Megjithatë treguan besim te Perëndia Jehova dhe morën forcë nga Fjala e Tij. Billi shprehet: «Besimi i dha kuptim jetës sime, edhe kur dukej se çdo gjë tjetër ishte kthyer përmbys. Ndonëse për njëfarë kohe eca ‘nëpër luginën e territ’, Perëndia ishte me mua.»—Psalmi 23:4.
^ Për një shqyrtim më të hollësishëm nëse duhet ta falësh bashkëshortin, shih serinë e artikujve te Zgjohuni! e majit 1999, «Kur një bashkëshort është jobesnik».