Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur ke sëmundje serioze

Kur ke sëmundje serioze

«Kur mjeku më tha se kisha kancer në mushkëri dhe në zorrën e trashë, mendova se kaq e pata. Me t’u kthyer në shtëpi, thashë me vete: ‘Nuk e prisja këtë, por tani duhet të gjej një mënyrë që ta përballoj.’»—Linda, 71 vjeçe.

«Vuaj nga një sëmundje shumë e dhembshme që më ka prekur nervat në anën e majtë të fytyrës. Ndonjëherë kam rënë në depresion për shkak të dhembjeve therëse. Shpesh jam ndier vetëm dhe madje kam menduar t’i jap fund jetës.»—Eliza, 49 vjeçe.

NËSE ti ose një njeriu yt i shtrenjtë jeni diagnostikuar me sëmundje që ju rrezikon jetën, e dini sa stresuese është. Si të mos mjaftonte sëmundja, mund të lindin edhe ndjenja të trazuara. Frika dhe ankthi mund të shtohen nga vizitat mjekësore stresuese, nga efektet anësore të ilaçeve ose ngaqë është e vështirë të gjesh ose të paguash për trajtimin e duhur. Stresi që shkaktojnë sëmundjet serioze, mund të të zërë frymën.

Ku të gjesh ndihmë? Për shumë veta, ngushëllimi më i madh kanë qenë lutjet dhe leximi i pjesëve nga Bibla që të ngrohin zemrën. Edhe familja e miqtë e dashur mund të të bëhen krah.

SI IA KANË DALË DISA

Roberti 58-vjeçar thotë: «Beso te Perëndia dhe Ai do të të ndihmojë të mos dorëzohesh. Lutju Jehovait. Tregoji si ndihesh. Lutu për frymën e shenjtë. Kërkoji ndihmë që të bëhesh i fortë për familjen dhe ta përballosh me qetësi sëmundjen.

Mbështetja emocionale që të japin familjarët s’ka të krahasuar. Çdo ditë më telefonon një ose dy prej tyre dhe më pyesin: ‘Si je sot?’ Edhe miqtë, afër a larg, më inkurajojnë. Më ngrenë shpirtërisht dhe kjo më ndihmon të vazhdoj përpara.»

Nëse do të shkosh te një mik i sëmurë, mbaj parasysh këtë që thotë Linda: «S’diskutohet se i sëmuri do që të bëjë një jetë sa më normale dhe mbase s’ka qejf që biseda të vërtitet vetëm rreth sëmundjes. Ndaj, bisedoni si zakonisht.»

Forca që na jep Perëndia, ngushëllimi nga Shkrimet dhe mbështetja e dashur e familjarëve dhe e miqve na japin zemër se ia vlen të jetojmë, edhe nëse po na mundon një sëmundje serioze.