JETËSHKRIM
Përqafoj të vërtetën biblike pa duar e krahë
Kur ndihen të pasigurt, njerëzit duan të kapen pas diçkaje. Unë s’e bëj dot këtë, sepse nuk kam as duar, as krahë. Isha shtatë vjeç kur më prenë krahët që të më shpëtonin jetën.
Mamaja ishte 17 vjeçe kur më lindi më 1960. Im atë na braktisi para se të lindja. Unë dhe mamaja jetuam me gjyshërit në Burg, qytet i vogël në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ose Gjermaninë Lindore. Shumë veta ishin ateistë dhe familja ime mendonte po njësoj. Nuk besonim fare te Zoti.
Ndërsa rritesha, gjyshi më kushtonte goxha vëmendje. Ai më përfshinte në shumë projekte, si për shembull, më dërgonte të sharroja degët e pemëve. Isha fëmijë që vdisja për aventura. Bëja një jetë të qetë e të lumtur.
NJË AKSIDENT MË NDRYSHON JETËN
Kur isha shtatë vjeç, më ndodhi diçka e tmerrshme. Sapo kisha filluar klasën e dytë. Rrugës për në shtëpi hipa në një shtyllë të tensionit të lartë. Kur isha 8 metra mbi tokë, më goditi një shkëndijë e fortë elektrike e më la pa ndjenja. Kur u zgjova në spital, nuk i ndieja më krahët. Djegiet në krahë ishit aq të rënda dhe plagët aq të tmerrshme, saqë mjekëve iu desh të m’i pritnin që të mos më helmohej gjaku. Siç mund ta merrni me mend, mamaja dhe gjyshërit u tronditën pa masë. Kurse unë, duke qenë fëmijë, nuk e kuptoja plotësisht si do të ndikonte humbja e krahëve në jetën time.
Pasi dola nga spitali, u riktheva në shkollë. Fëmijët më tallnin, më shtynin dhe më hidhnin gjëra, sepse e dinin se nuk mbrohesha dot. Fjalët e tyre mizore më lëndonin thellë dhe më bënin të ndihesha inferior. Më në fund, më çuan në Birkenverder, në një shkollë për invalidët për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike, që ishte si shkollë me konvikt. Meqë shkolla ishte shumë larg shtëpisë, mamaja dhe prindërit nuk i kishin mundësitë të më vizitonin. I shihja vetëm për pushime. Dhjetë vitet e ardhshme u rrita pa mamanë dhe pa gjyshërit.
RRITEM PA DUAR E KRAHË
Mësova të bëja shumë gjëra me këmbë. E merrni dot me mend si është të hash me pirun a lugë duke përdorur gishtat e këmbëve? Nuk e di si, por ia dola. Gjithashtu mësova të laja dhëmbët e të krihja flokët me këmbë. Madje, nisa të
bëja gjeste me këmbë teksa flisja me njerëzit. Vërtet, për mua këmbët u bënë duar.Në adoleshencë vdisja të lexoja materiale fantastiko-shkencore. Ndonjëherë e imagjinoja veten me krahë elektronikë të sofistikuar, me anë të të cilëve do të bëja gjithçka. Në moshën 14-vjeçare fillova të pija duhan. Kjo më jepte vetëbesim dhe ndihesha njësoj si të tjerët. Me pak fjalë, po i thosha vetes: «Po, edhe unë mund ta bëj këtë. Duhanin e pinë të rriturit, me ose pa krahë.»
Merresha me shumë gjëra dhe u përfshiva në aktivitete shoqërore. U bëra pjesëtar i Të Rinjve të Lirë Gjermanë, një organizatë të rinjsh socialistë, e sponsorizuar nga shteti. Isha sekretar, një pozicion me përgjegjësi në organizatë. U bashkova me një grup që këndonin, u mora me poezi dhe me sporte për invalidët. Pas një trajnimi, fillova punë në një kompani në qytetin tonë. Ndërsa rritesha, e vija gjithnjë e më shpesh protezën ngaqë doja të isha njeri normal.
PËRQAFOJ TË VËRTETËN BIBLIKE
Një ditë kur po prisja trenin për në punë, m’u afrua një burrë. Më pyeti nëse e imagjinoja dot që Zoti të më shëronte e të m’i kthente sërish krahët. Kjo më habiti. S’diskutohet se i doja prapë krahët, por më dukej absurde dhe e pamundur. Si ateist, isha i bindur se Zoti nuk ekzistonte. Që nga ai moment, gjeta një mënyrë si ta shmangia këtë person.
Ca kohë më vonë një kolege më ftoi të vizitoja familjen e saj. Ndërsa pinim kafenë, prindërit e saj filluan të flitnin për Zotin, Jehovain. Për herë të parë dëgjova se Zoti ka emër. (Psalmi 83:18) Megjithatë, thellë brenda vetes kundërshtova: «S’mund të ketë Zot, pavarësisht si e ka emrin. Do t’u tregoj sa gabim e kanë.» I bindur për pikëpamjet e mia, rashë dakord të bisedonim për Biblën. Ama, për habinë time, nuk arrita dot t’u provoja se Zoti nuk ekziston.
Ndërsa shqyrtonim profecitë biblike, pikëpamja ime ateiste avash-avash u venit. Shumë parashikime hyjnore kanë dalë të vërteta, edhe pse u shkruan qindra a mijëra vjet më parë. Gjatë një bisede biblike krahasuam kushtet e botës me profecitë te kapitulli 24 i Mateut, te kapitulli 21 i Lukës dhe te kapitulli 3 i 2 Timoteut. Ashtu si kombinimi i simptomave mund ta ndihmojë një mjek të përcaktojë diagnozën e saktë të një sëmundjeje, edhe kombinimi i ngjarjeve në këto profeci më ndihmoi të kuptoja se po jetojmë në kohën që Bibla e quan «ditët e fundit». * U mrekullova. Këto profeci po plotësoheshin pikërisht para syve të mi.
Isha i bindur se ajo që po mësoja, ishte e vërteta. Fillova t’i lutesha Perëndisë Jehova dhe lashë duhanin, megjithëse e kisha pirë shumë për
më se një dekadë. Vazhdova të studioja Biblën për gati një vit. Më 27 prill 1986 u pagëzova fshehurazi në një vaskë, meqë atëherë Dëshmitarët në Gjermaninë Lindore ishin nën ndalim.NDIHMOJ TË TJERË
Për shkak të ndalimit, takoheshim në grupe të vogla në shtëpi private dhe njihja pak bashkëbesimtarë. Papritur, autoritetet më lejuan të udhëtoja në Gjermaninë Perëndimore, ku Dëshmitarët nuk ishin nën ndalim. Ishte hera e parë që ndiqja një nga kongreset biblike dhe që shihja qindra vëllezër e motra. Ishte përvojë unike.
Pasi ra Muri i Berlinit, u hoq kufizimi ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Më në fund mund ta adhuronim të lirë Perëndinë Jehova. Doja të predikoja më shumë. Megjithatë kisha frikë t’i takoja të panjohurit. Ndihesha inferior ngaqë isha invalid dhe ngaqë e kisha kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtëpi për invalidë. Mirëpo, më 1992 u përpoqa të predikoja 60 orë brenda një muaji. Ia dola fare mirë dhe u kënaqa pa masë, ndaj vendosa ta bëja këtë çdo muaj dhe vazhdova për gati tre vjet.
Kujtoj fjalët nga Bibla: «Kush është i dobët dhe unë nuk jam i dobët?» (2 Korintasve 11:29) Kam ende mendjen dhe zërin, prandaj bëj sa mundem të ndihmoj të tjerët, pavarësisht nga kufizimet. Ngaqë nuk i kam krahët, arrij t’i kuptoj mirë si ndihen ata që kanë kufizime. E di ç’do të thotë kur ke qejf të bësh diçka, por thjesht nuk mundesh. Bëj çmos t’u jap zemër atyre që ndihen kështu. Kur ndihmoj të tjerët, ndihem i lumtur.
JEHOVAI MË NDIHMON ÇDO DITË
Gjithsesi më duhet ta pranoj se hera-herës ndihem disi i shkurajuar. Thjesht dua të jem si gjithë të tjerët. Çdo ditë mund të bëj plot gjëra vetë, ama më marrin shumë më tepër kohë, përpjekje dhe energji sesa mund të duhet normalisht. Motoja ime për çdo ditë është: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Çdo ditë Jehovai më jep fuqinë e nevojshme për gjërat «normale». Kam mësuar se Jehovai nuk heq dorë prej meje. Ndaj edhe unë nuk dua të heq dorë prej tij.
Jehovai më ka bekuar me familje—pikërisht ajo që më ka munguar në fëmijëri dhe në rini. Kam një grua të mrekullueshme, Elkën e dashur e të dhembshur. Përveç kësaj, miliona Dëshmitarë të Jehovait janë bërë motrat dhe vëllezërit e mi në besim, një familje botërore.
Më ngushëllon edhe premtimi i Perëndisë për Parajsën, ku do të bëjë «çdo gjë të re», edhe krahët e mi. (Zbulesa 21:5) E kuptoj më mirë këtë premtim kur meditoj për atë çka bëri Jezui kur ishte në tokë. Një herë shëroi një sakat dhe veshin e një burri që ia kishin prerë. (Mateu 12:13; Luka 22:50, 51) Premtimet e Jehovait dhe mrekullitë e Jezuit më kanë bindur se së shpejti do t’i kem sërish krahët.
Bekimi më i madh ka qenë të njoh Perëndinë Jehova. Ai është bërë ati dhe miku im, ngushëlluesi dhe forca ime. Ndihem njësoj si mbreti David që shkroi: «Jehovai është forca . . . ime. . . . Tek ai gjeta ndihmë, prandaj më ngazëllon zemra.» (Psalmi 28:7) Dua të kapem fort pas kësaj të vërtete të mrekullueshme tërë jetën. E përqafova të vërtetën edhe pse pa duar e krahë.
^ par. 17 Për një shqyrtim të hollësishëm të shenjës së ditëve të fundit, shih kapitullin 9 A po jetojmë në «ditët e fundit»? në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet online në www.ps8318.com.