NGA ARKIVAT TANË
«Kur do ta kemi asamblenë tjetër?»
ËSHTË fundi i nëntorit 1932 në qytetin e Meksikos. Ka kaluar vetëm një javë nga dita kur hynë në përdorim semaforët elektrikë në këtë qytet plot gjallëri me mbi një milion banorë. Por tani semaforët nuk janë më një lajm sensacional. Gazetarët e qytetit i kanë sytë tek evenimenti i javës. Me aparatet fotografike gati, janë grumbulluar te stacioni i trenit në pritje të një të ftuari special—Xhozef Radhërfordit, asokohe president i Shoqatës Watch Tower. Edhe Dëshmitarët vendës po presin për t’i uruar një mirëseardhje të ngrohtë vëlla Radhërfordit që ka ardhur për të ndjekur kongresin e tyre kombëtar treditor.
Epoka e artë komentonte: «S’ka diskutim se ky kongres do të hyjë në faqet e historisë si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në marshimin e pandalshëm të së Vërtetës në republikën e Meksikës.» Por pse po i kushtohej kaq vëmendje këtij kongresi me vetëm rreth 150 të pranishëm?
Para atij evenimenti, vepra e Mbretërisë po jepte pak fryt në Meksikë. Që nga 1919-a, ishin mbajtur asamble të vogla, mirëpo në vitet pasuese numri i kongregacioneve u zvogëlua. Hapja e zyrës së degës në qytetin e Meksikos më 1929 dukej premtuese, por vepra pati pengesa. Kur një përhapës e udhëzuan të mos e përziente biznesin me veprën e predikimit, atij i mbeti qejfi dhe e braktisi të vërtetën e formoi grupin e tij të studimit të Biblës. Ndërkohë, mbikëqyrësi i degës u përfshi në sjellje jobiblike dhe duhej zëvendësuar. Dëshmitarët vendës në Meksikë kishin nevojë për inkurajim që t’u forcohej besimi.
Gjatë vizitës, vëlla Radhërfordi u dha zemër jashtë mase këtyre besnikëve duke mbajtur dy fjalime frymëzuese në kongres dhe pesë fjalime të tjera të fuqishme në radio. Për herë të parë, radiot meksikane e çuan lajmin e mirë në çdo cep të vendit. Pas kongresit, një mbikëqyrës dege i sapoemëruar organizoi veprën dhe Dëshmitarët e zellshëm vazhduan para me fuqi të ripërtërira dhe me bekimin e Jehovait.
Vitin tjetër në atë vend u mbajtën jo një, por dy kongrese: njëri në qytetin-port të Verakruzit, kurse tjetri në qytetin e Meksikos. Puna e palodhur në predikim nisi të jepte rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1931 kishte 82 lajmëtarë, por dhjetë vjet më vonë kjo shifër u dhjetëfishua. Asamblenë Teokratike për vitin 1941 në qytetin e Meksikos e ndoqën rreth 1.000 veta.
«PUSHTOHEN RRUGËT»
Më 1943 Dëshmitarët veshën tabelat-sanduiç që të njoftonin për Asamblenë Teokratike «Kombi i lirë» që u mbajt në 12 qytete të Meksikës. * Dy tabelat e lidhura me njëra-tjetrën vareshin në supe, njëra nga përpara e tjetra nga prapa. Dëshmitarët e kishin përdorur këtë metodë predikimi që nga viti 1936.
Duke folur për suksesin e marshimit me tabelat-sanduiç në qytetin e Meksikos, revista La Nación komentonte: «Ditën e parë [të asamblesë], [Dëshmitarëve] iu kërkua të ftonin më shumë njerëz. Të nesërmen nuk i nxinte më salla.» Ndikimi që patën ato marshime nuk i pëlqeu aspak Kishës Katolike, e cila drejtoi një fushatë kundër Dëshmitarëve. Pavarësisht nga kundërshtimi, motrat e vëllezërit sypatrembur vazhduan të mbushnin rrugët. Ndër të tjera, La Nación raportonte: «I gjithë qyteti i pa . . . burra—madje edhe gra—të transformuar në ‘sanduiçe’ lajmëruese.» Në artikull binte në sy një fotografi e vëllezërve në rrugët e qytetit të Meksikos. Diçitura poshtë saj thoshte: «Pushtohen rrugët».
«SHTRETËR MË TË BUTË E MË TË NGROHTË SE ÇIMENTOJA»
Në ato vite, shumicës së Dëshmitarëve u duhej të bënin sakrifica të mëdha për të ndjekur ato pak kongrese që mbaheshin në Meksikë. Shumë delegatë udhëtonin nga fshatra të izoluara ku nuk arrinin trenat, e madje nuk kishte as rrugë. Një kongregacion shkruante: «E vetmja linjë që kalon këtu afër është një linjë telegrafike.» Kështu, delegatët duhej t’u hipnin mushkave ose të ecnin më këmbë për ditë të tëra thjesht për të kapur trenin që do t’i çonte në qytetin e kongresit.
Shumica e Dëshmitarëve ishin të varfër dhe mezi paguanin rrugën vetëm për të vajtur në kongres. Kur mbërrinin atje, shumë qëndronin te Dëshmitarët vendës që me dashuri hapnin shtëpitë për vëllezërit e tyre. Të tjerë flinin në Salla Mbretërie. Një herë, rreth 90 delegatë ndenjën në zyrën e degës, ku kishin «si shtretër 20 kuti librash secili, të vendosura radhë.» Libri vjetor tregonte se mysafirëve mirënjohës u dukeshin ata «shtretër më të butë e më të ngrohtë se çimentoja».
Për ata Dëshmitarë plot çmueshmëri, ia vlente pa diskutim çdo sakrificë për t’u mbledhur në një asamble të gëzueshme të krishtere. Sot, ndërsa numri i lajmëtarëve në Meksikë rritet pareshtur dhe po i afrohet shifrës një milion, ende mbizotëron kjo frymë mirënjohëse. * Një raport i vitit 1949 nga dega e Meksikës thoshte për vëllezërit: «Vështirësitë që kalojnë nuk ua venitin zellin për Teokracinë, sepse çdo asamble që mbajmë është një nga temat kryesore të bisedave të tyre për një kohë të gjatë, dhe pyetja që bëjnë vëllezërit vazhdimisht është: ‘Kur do ta kemi asamblenë tjetër?’» Ky raport mbetet po aq i vërtetë sot, sa ç’ishte në atë kohë.—Nga arkivat tanë në Amerikën Qendrore.