Si ta fitosh luftën kundër mendjes sate
TI JE objekt sulmi! Dhe armiku yt kryesor, Satanai, po përdor një armë shumë të rrezikshme kundër teje. Cila është ajo? Propaganda. Një armë e projektuar enkas për të sulmuar, jo trupin, por mendjen tënde.
Apostulli Pavël e dinte mirë sa e rrezikshme është propaganda satanike, por jo të gjithë bashkëbesimtarët e tij ishin të vetëdijshëm për këtë. Disa në Korint, për shembull, duket se kishin krijuar siguri të tepruar te vetja—mendonin se ishin aq të fortë në të vërtetën, sa nuk mund të binin kurrë. (1 Kor. 10:12) Ja pse Pavli u dha këtë paralajmërim: «Kam frikë se mos, ashtu si gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, edhe mendjet tuaja korruptohen në ndonjë mënyrë dhe largohen nga çiltërsia dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit.»—2 Kor. 11:3.
Meraku i thellë i Pavlit tregon se kurrsesi nuk duhet ta flemë mendjen. Për ta fituar luftën që bëhet kundër mendjes sate, duhet të dallosh sa e rrezikshme është propaganda dhe të mbrohesh prej saj.
PROPAGANDA—SA E RREZIKSHME ËSHTË?
Çfarë është propaganda? Në këtë kontekst, është përdorimi i informacioneve paragjykuese a mashtruese për të manipuluar mënyrën si mendojnë e si veprojnë njerëzit. Disa e barazojnë propagandën me «gënjeshtrat, shtrembërimet, mashtrimet, manipulimin, kontrollimin e mendjes [dhe] luftën psikologjike», dhe e lidhin me «taktikat joetike, të dëmshme dhe të padrejta».—Propaganda and Persuasion.
Sa e rrezikshme është propaganda? Ajo vepron tinëzisht—si një gaz i padukshëm, pa erë dhe helmues—dhe depërton dalëngadalë në mendjen tonë. Ne mund të mos e shohim propagandën ashtu siç është realisht. Ja pse specialisti në fushën e sjelljes Vans Pakardi
komenton: «Shumë prej nesh po ndikohemi dhe po manipulohemi, madje ku e ku më tepër nga ç’mendojmë.» Siç shprehet një studiues, nën efektin e saj, burra e gra «janë shtyrë kollaj drejt sjelljeve aq të rrezikshme sa duket absurde»—të tilla si ‘gjenocidi, lufta, histeria e racizmit, intoleranca fetare dhe mjaft forma të tjera sjelljeje të palogjikshme’.—Easily Led—A History of Propaganda.Nëse ata që janë thjesht njerëz mund të na e hedhin me propagandën e tyre, ç’mund të arrijë të bëjë Satanai? Ai e ka studiuar sjelljen njerëzore që nga krijimi i njeriut. Sot «e gjithë bota» dergjet nën pushtetin e tij. Ai mund të përdorë çdo pjesë të saj që të përhapë gënjeshtrat e veta. (1 Gjon. 5:19; Gjoni 8:44) Kaq i suksesshëm ka qenë Satanai ‘për t’ua verbuar mendjen’ njerëzve, saqë sot «mashtron gjithë tokën e banuar». (2 Kor. 4:4; Zbul. 12:9) Si mund t’i rezistosh propagandës së tij?
FORCO MBROJTJEN TËNDE
Jezui dha këtë rregull të thjeshtë për të luftuar propagandën: ‘Njiheni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.’ (Gjoni 8:31, 32) Por, meqë e vërteta shpesh është gjëja e parë që bie pre në këtë luftë, ti—si çdo ushtar në valën e betejës—ke nevojë për një burim informacioni të saktë e të besueshëm, që të mos e lejosh armikun të të hedhë hi syve. Jehovai na e ka siguruar këtë burim. Në faqet e Biblës, mund të gjesh gjithë sa të duhet për të luftuar propagandën e Satanait.—2 Tim. 3:16, 17.
Natyrisht që propagandisti i madh, Satanai, e di këtë. Prandaj përdor sistemin e tij botëror për të na shkurajuar që të mos e lexojmë dhe studiojmë Biblën. Mos bjer pre e intrigave të tij dinake! (Efes. 6:11) Bëhu i zoti ‘plotësisht për të rrokur me mendje’ gjithçka që përfshin e vërteta. (Efes. 3:18) Kjo kërkon të përpiqesh fort. Ama, mbaj parasysh këtë fakt thelbësor që përmendi autori Noam Çomski: «Të vërtetën nuk do të ta futë në tru askush. Atë duhet ta zbulosh vetë.» Prandaj ‘zbuloje vetë’ të vërtetën duke bërë çmos ‘t’i shqyrtosh me kujdes Shkrimet çdo ditë’.—Vep. 17:11.
Mbaj në mend se Satanai nuk dëshiron që të mendosh kthjellët ose t’i arsyetosh gjërat mirë e mirë. Pse? Sepse propaganda, siç thotë një botim, «ka të ngjarë të ketë më tepër efekt nëse . . . njerëzit shkurajohen që të mos Prov. 14:15) Përdor aftësinë për të menduar dhe fuqinë për të arsyetuar që të ka dhënë Perëndia që ta përvetësosh me gjithë zemër të vërtetën.—Prov. 2:10-15; Rom. 12:1, 2.
mendojnë thellë». (Media and Society in the Twentieth Century) Ndaj, mos u mjafto kurrë duke e pranuar verbërisht ose pa e vrarë mendjen diçka që dëgjon. (KUJDES NGA TAKTIKA «PËRÇA E SUNDO»
Strategët ushtarakë mund ta përdorin propagandën që të demoralizojnë dhe të dobësojnë shpirtin luftarak të kundërshtarit. Ata mund t’i shtyjnë me dinakëri ushtarët armiq të luftojnë me njëri-tjetrin ose mund t’ua prishin mendjen që të veçohen nga pjesa tjetër e ushtrisë. Thuhet se një gjeneral gjerman pranoi që një nga arsyet pse pësuan disfatë në Luftën I Botërore ishte se njerëzit «u hipnotizuan nga propaganda armike si një lepur nga gjarpri». Satanai përdor marifete të ngjashme në taktikën e tij «përça e sundo». Për shembull, orvatet të ndezë grindje mes vëllezërve e motrave në kongregacion ose t’u prishë mendjen që të veçohen nga organizata e Jehovait për shkak të ndonjë hatërmbetjeje a veprimi që duket padrejtësi.
Mos u mashtro! Lejoje Fjalën e Perëndisë të të drejtojë. Për shembull, kur është fjala për të mbajtur unitetin me vëllezërit e motrat e tua, Bibla të nxit të vazhdosh ‘t’i falësh bujarisht të tjerët’ dhe t’i zgjidhësh shpejt mosmarrëveshjet. (Kolos. 3:13, 14; Mat. 5:23, 24) Ajo na paralajmëron me forcë që të mos veçohemi nga kongregacioni. (Prov. 18:1) Analizo sa e fortë është mbrojtja që ke ti përballë propagandës satanike. Pyet veten: «Herën e fundit që u përballa me një situatë të tillë, çfarë më drejtoi në mënyrën si mendova: fryma e botës apo fryma e Perëndisë?»—Gal. 5:16-26; Efes. 2:2, 3.
MOS LEJO TË TË GËRRYHET BESIMI
Nëse një ushtari i dobësohet besnikëria ndaj udhëheqësit të tij, nuk do të luftojë siç duhet. Ja pse propagandistët mundohen të thyejnë lidhjen e besimit mes një ushtari dhe komandantit të tij. Ata mund të përdorin një propagandë të tillë, si: «S’mund t’u zësh besë atyre që ju udhëheqin!» dhe «Mos lejo të të çojnë drejt katastrofës!» Për t’u dhënë peshë këtyre sulmeve, mund të shfrytëzojnë me dhelpëri çdo gabim që mund të bëjnë këta udhëheqës. Kjo është mënyra si vepron
Satanai. Ai nuk heq dorë kurrë nga përpjekjet për të gërryer besimin tënd tek udhëheqja që siguron Jehovai.Cila është mbrojtja jote? Vendosmëria për të qëndruar i lidhur ngushtë me organizatën e Jehovait dhe mbështetja me besnikëri e udhëheqjes që siguron ai—çfarëdo papërsosmërish të nxjerrin kokë. (1 Sel. 5:12, 13) ‘Mos u trondit shpejt në gjykimin tënd’ kur përballesh me ato që mund të jenë sulme të dëmshme nga apostatët ose nga mashtrues të tillë të mendjes—sado bindëse të duken akuzat e tyre. (2 Sel. 2:2; Titit 1:10) Zbato këshillën që mori Timoteu i ri. Ndiqe besnikërisht të vërtetën që mësove, dhe mos harro ku e mësove. (2 Tim. 3:14, 15) Pa diskutim, ka prova të bollshme që tregojnë se mund t’i zësh besë kanalit që ka përdorur Jehovai prej gati njëqind vjetësh për të na udhëhequr në rrugën e së vërtetës.—Mat. 24:45-47; Hebr. 13:7, 17.
MOS LEJO TË TË DOBËSOJË TAKTIKA E TMERRIT
Gjithsesi, mbaj ndër mend se propaganda e Satanait nuk është gjithmonë e maskuar. Ndonjëherë, ai përdor taktikën e tmerrit—«një nga format më të vjetra të propagandës». (Easily Led—A History of Propaganda) Asirianët, për shembull, i bënin zap armiqtë e tyre me «një politikë tmerri të ndërthurur me propagandën», siç shkroi profesori britanik Filip Tejlër. Satanai do të përdorë frikën nga njeriu, frikën nga përndjekja, frikën nga vdekja dhe çdo formë tjetër të frikës negative që të të bëjë zap dhe të të shtyjë të sprapsesh nga shërbimi i Jehovait.—Isa. 8:12; Jer. 42:11; Hebr. 2:15.
Mos lejo që me anë të frikës Satanai t’ia dalë të të demoralizojë ose të të thyejë integritetin. Jezui tha: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, dhe pastaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.» (Luka 12:4) Ki besim të plotë te premtimi i Jehovait se do të vigjilojë mbi ty, se do të të japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ dhe se do të të ndihmojë t’i bësh ballë çdo tentative për të të frikësuar aq sa të dorëzohesh.—2 Kor. 4:7-9; 1 Pjet. 3:14.
Sigurisht, mund të përjetosh ngjarje që të ngjallin frikë a të demoralizojnë. Por mos harro fjalët që i tha Jehovai Josisë për t’i dhënë zemër: «Ji i fortë dhe guximtar. Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Jos. 1:9) Nëse të zë ankthi, drejtoju menjëherë Jehovait në lutje dhe zbrazi gjithë shqetësimet e tua. Ji i sigurt se ‘paqja e Perëndisë . . . do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’ që të kesh forcën për t’i rezistuar çdo propagande të Satanait.—Filip. 4:6, 7, 13.
A e kujton çfarë propagande përdori kundër popullit të Perëndisë rabshakehu, i dërguari i Asirisë? Në thelb, ai tha: ‘Asgjë s’mund t’ju mbrojë nga Asiria. As Perëndia juaj, Jehovai, s’mund të bëjë gjë për ju.’ Me pafytyrësi shtoi: ‘Vetë Jehovai na tha ta shkatërrojmë këtë vend.’ Çfarë tha Jehovai si kundërpërgjigje? «Mos u frikëso nga fjalët me të cilat më shanë shërbëtorët e mbretit të Asirisë.» (2 Mbret. 18:22-25; 19:6) Pastaj Jehovai dërgoi një engjëll që vrau 185.000 asirianë brenda një nate.—2 Mbret. 19:35.
JI I MENÇUR—VËRJA VESHIN JEHOVAIT GJITHNJË
A ke parë ndonjëherë një film ku, si spektator, kishe avantazhin të kuptoje qartë se dikë po e mashtronin dhe po e manipulonin? Ndoshta the me vete: «Mos beso! Po të gënjejnë!» Atëherë, përfytyroji engjëjt tek thërrasin fort për të të dhënë ty të njëjtin mesazh: «Mos u mashtro nga gënjeshtrat e Satanait!»
Prandaj, mbylli veshët ndaj propagandës së Satanait. (Prov. 26:24, 25) Vërja veshin Jehovait dhe besoji atij në gjithçka që bën. (Prov. 3:5-7) Përgjigjju thirrjes së tij të ngrohtë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën.» (Prov. 27:11) Atëherë ke për ta fituar luftën që bëhet kundër mendjes sate.