Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘O Perëndi, dërgo dritën tënde’

‘O Perëndi, dërgo dritën tënde’

‘O Perëndi, dërgo dritën tënde’

«Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde: këto le të më udhëheqin.»​—PSALMI 43:3.

1. Si i zbulon Jehovai qëllimet e tij?

JEHOVAI tregohet shumë i vëmendshëm ndaj mënyrës se si i vë në dijeni shërbëtorët e tij për qëllimet që ka. Në vend që të na e zbulojë të vërtetën të gjithën njëherësh, me një shkreptimë verbuese drite, ai na ndriçon në mënyrë graduale. Udhëtimi ynë nëpër shtegun e jetës mund të krahasohet me udhëtimin që bën një njeri nëpër një shteg të gjatë. Ai niset herët në mëngjes dhe arrin të shohë pak gjëra. Ndërsa dielli fillon të ngrihet ngadalë mbi horizont, udhëtari është në gjendje të dallojë disa veçori të gjërave që e rrethojnë. Pjesën tjetër e sheh me konture të mjegullta. Por ndërsa dielli vazhdon të ngrihet lart, ai mund të shohë gjithnjë e më larg. Kështu është me dritën frymore që siguron Perëndia. Ai na lejon të dallojmë pak gjëra çdo herë. Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, siguroi ndriçim frymor në mënyrë të ngjashme. Le të shqyrtojmë se si e ndriçoi Jehovai popullin e tij në kohët e lashta dhe si e bën këtë sot.

2. Si siguroi Jehovai ndriçim në kohët para krishterimit?

2 Ka të ngjarë që shkrimtarët e Psalmit të 43-të të ishin bijtë e Korahut. Si levitë, ata kishin privilegjin t’i mësonin popullit Ligjin e Perëndisë. (Malakia 2:7) Sigurisht, Mësuesi i tyre i Madh ishte Jehovai dhe ata i drejtoheshin atij si Burimi i çdo mençurie. (Isaia 30:20, BR) «O Perëndi, . . . dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde,​—u lut psalmisti.​—Këto le të më udhëheqin.» (Psalmi 43:1, 3) Për sa kohë që izraelitët ishin besnikë ndaj Jehovait, ai u mësoi udhët e tij. Shekuj më vonë, Jehovai i favorizoi ata me një dritë dhe një të vërtetë të jashtëzakonshme. Këtë Perëndia e bëri kur dërgoi në tokë Birin e tij.

3. Në ç’mënyrë i vuri në provë judenjtë mësimi i Jezuit?

3 Si njeriu Jezu Krisht, Biri i Perëndisë ishte «drita e botës». (Gjoni 8:12) Ai u mësoi njerëzve «shumë gjëra në shëmbëlltyra»​—gjëra të reja. (Marku 4:2) Ai i tha Ponc Pilatit: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Ky ishte një koncept i ri për një romak e patjetër edhe për judenjtë nacionalistë, pasi ata mendonin që Mesia do ta gjunjëzonte Perandorinë Romake dhe do ta rivendoste Izraelin në lavdinë e vet të mëparshme. Jezui po pasqyronte dritë nga Jehovai, por fjalët e tij nuk u pëlqyen sundimtarëve judenj, të cilët «donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë». (Gjoni 12:42, 43) Shumë njerëz zgjodhën më mirë të mbaheshin fort pas traditave të tyre njerëzore, sesa të pranonin dritën frymore dhe të vërtetën nga Perëndia.​—Psalmi 43:3; Mateu 13:15.

4. Si e dimë që kuptueshmëria e dishepujve të Jezuit do të vazhdonte të rritej?

4 Megjithatë, disa burra e gra me zemër të sinqertë e përqafuan me gëzim të vërtetën që mësoi Jezui. Ata bënë përparim të vazhdueshëm në kuptueshmërinë që kishin për qëllimet e Perëndisë. Gjithsesi, ndërsa afrohej fundi i jetës tokësore të Mësuesit të tyre, kishin ende shumë për të mësuar. Jezui u tha: «Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani.» (Gjoni 16:12) Po, kuptueshmëria e dishepujve për të vërtetën e Perëndisë do të vazhdonte të rritej.

Drita vazhdon të shndritë

5. Cila pyetje lindi në shekullin e parë dhe kush kishte përgjegjësinë për ta zgjidhur atë?

5 Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, drita prej Perëndisë shndriti më shumë se më parë. Në një vizion që i dha Pjetrit, Jehovai zbuloi se që nga ai moment, edhe johebrenjtë e parrethprerë mund të bëheshin ithtarë të Krishtit. (Veprat 10:9-17) Ky ishte një zbulim! Gjithsesi, më vonë u ngrit një pyetje: a kërkonte Jehovai që këta johebrenj të rrethpriteshin pasi bëheshin të krishterë? Kësaj pyetjeje nuk i ishte dhënë përgjigje në vizion dhe çështja u bë subjekt debatesh të zjarrta midis të krishterëve. Ajo duhej zgjidhur, që të mos minohej uniteti i tyre i çmuar. Prandaj, në Jerusalem «apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem».​—Veprat 15:1, 2, 6.

6. Cilën procedurë ndoqën apostujt dhe pleqtë kur morën në shqyrtim çështjen e rrethprerjes?

6 Si mund ta përcaktonin të pranishmit në atë mbledhje vullnetin e Perëndisë për johebrenjtë besimtarë? Jehovai nuk dërgoi ndonjë engjëll që të drejtonte diskutimet, as nuk u dha atyre që ishin të pranishëm ndonjë vizion. Megjithatë, apostujt dhe pleqtë nuk u lanë fare pa drejtim. Ata shqyrtuan dëshminë e disa të krishterëve judenj që kishin parë se si kishte filluar t’i trajtonte Perëndia njerëzit e kombeve, duke derdhur frymën e tij të shenjtë mbi johebrenjtë e parrethprerë. Gjithashtu, ata kërkuan udhëheqje në Shkrime. Si rezultat, dishepulli Jakov rekomandoi një zgjidhje të bazuar në një shkrim që hidhte dritë mbi çështjen. Duke medituar për dëshmitë, vullneti i Perëndisë u bë i qartë. Ata të kombeve nuk kishin pse të rrethpriteshin për të pasur miratimin e Jehovait. Apostujt dhe pleqtë nuk humbën kohë dhe e hodhën me shkrim këtë vendim, kështu që të bashkëkrishterët mund të udhëhiqeshin prej tij.​—Veprat 15:12-29; 16:4.

7. Në ç’mënyrë ishin përparimtarë të krishterët e shekullit të parë?

7 Ndryshe nga udhëheqësit fetarë judenj, të cilët mbaheshin fort pas traditave të etërve të tyre, shumica e të krishterëve judenj u gëzuan kur morën këtë kuptueshmëri të re të jashtëzakonshme për qëllimin e Perëndisë lidhur me njerëzit e kombeve, ndonëse pranimi i saj kërkonte një ndryshim pikëpamjeje lidhur me johebrenjtë në përgjithësi. Jehovai e bekoi frymën e tyre të përulur dhe «kishat [kongregacionet, BR], pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë».​—Veprat 15:31; 16:5.

8. (a) Si e dimë që mund të pritej më shumë dritë pas përfundimit të shekullit të parë? (b) Çfarë pyetjesh të rëndësishme do të shqyrtojmë?

8 Drita frymore vazhdoi të shndriste gjatë gjithë shekullit të parë. Por Jehovai nuk u zbuloi të krishterëve të hershëm çdo aspekt të qëllimeve të tij. Apostulli Pavël u tha bashkëbesimtarëve të shekullit të parë: «Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë [të metaltë, BR], në mënyrë të errët.» (1. Korintasve 13:12) Një pasqyrë e tillë nuk kishte sipërfaqen optimale pasqyruese. Prandaj, fillimisht dallimi i dritës frymore do të ishte i kufizuar. Pas vdekjes së apostujve, drita u zbeh për njëfarë periudhe, por kohët e fundit njohuria biblike është bërë e bollshme. (Danieli 12:4) Si e ndriçon Jehovai popullin e tij sot? Dhe si duhet të reagojmë ne, kur ai e zgjeron kuptueshmërinë që kemi për Shkrimet?

Drita bëhet progresivisht më e shndritshme

9. Cilën metodë të efektshme dhe unike përdorën Studentët e hershëm të Biblës për studimin e Biblës?

9 Në kohët moderne, rrezja e parë e vërtetë e dritës filloi të shfaqej në çerekun e fundit të shekullit të 19-të, kur një grup të krishterësh, burra e gra, filluan të studionin me zell Shkrimet. Ata zhvilluan një metodë praktike për të studiuar Biblën. Dikush ngrinte një pyetje, pastaj grupi analizonte të gjitha shkrimet biblike që lidheshin me të. Kur një varg biblik dukej sikur kundërshtonte një tjetër, këta të krishterë të sinqertë përpiqeshin t’i harmonizonin dy shkrimet. Ndryshe nga udhëheqësit fetarë të ditëve të tyre, Studentët e Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) ishin të vendosur për të pasur si udhëheqje Shkrimet e Shenjta e jo traditën ose dogmat e bëra nga njerëzit. Pasi shqyrtonin tërë dëshmitë biblike që kishin në dispozicion, ata mbanin shënim përfundimet që kishin arritur. Në këtë mënyrë, iu qartësohej kuptueshmëria për shumë doktrina themelore biblike.

10. Cilat botime të dobishme ndihmëse për studimin e Biblës shkroi Çarlz Teiz Rasëll?

10 Mes Studentëve të Biblës dallohej Çarlz Teiz Rasëll. Ai shkroi një seri me gjashtë botime të dobishme ndihmëse për studimin e Biblës, të titulluar Studime mbi Shkrimet. Vëllai Rasëll kishte ndër mend të shkruante një vëllim të shtatë, ku do të shpjegoheshin librat biblikë të Ezekielit dhe të Zbulesës. «Sapo ta gjej çelësin,​—thoshte ai,​—do të shkruaj Vëllimin e Shtatë.» Megjithatë, shtonte: «Nëse Zotëria ia jep dikujt tjetër çelësin, mund ta shkruajë ai këtë vëllim.»

11. Çfarë lidhjeje ka mes kohës dhe kuptueshmërisë sonë për qëllimet e Perëndisë?

11 Pohimi i mësipërm i bërë nga Ç. T. Rasëll ilustron një faktor të rëndësishëm që ndikon në aftësinë tonë për të kuptuar disa fragmente biblike: kohën. Vëllai Rasëll e dinte se nuk mund ta detyronte dritën që të shndriste mbi librin e Zbulesës, ashtu si një udhëtar i paduruar nuk mund ta shtyjë diellin të lindë para kohës së caktuar.

Zbulohet: por në kohën e duhur të Perëndisë

12. (a) Kur kuptohen më mirë profecitë biblike? (b) Cili shembull tregon se aftësia jonë për të kuptuar profecitë biblike varet nga koha që ka caktuar Perëndia? (Shiko shënimin.)

12 Ashtu si apostujt, të cilët shumë profeci që kishin të bënin me Mesinë i kuptuan vetëm pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, të krishterët sot i kuptojnë profecitë biblike në hollësitë më të vogla vetëm pasi të jenë përmbushur. (Luka 24:15, 27; Veprat 1:15-21; 4:26, 27) Zbulesa është një libër profetik, prandaj duhet të presim që ta kuptojmë më qartë, gradualisht, ndërsa ndodhin ngjarjet e përshkruara aty. Për shembull, Ç. T. Rasëlli nuk mund ta kishte kuptuar saktësisht domethënien e bishës së egër simbolike me ngjyrë të kuqe të ndezur, e cila përmendet te Zbulesa 17:9-11, meqë organizatat që përfaqëson bisha, domethënë Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara, as që ekzistonin deri pas vdekjes së tij. *

13. Çfarë ndodh disa herë kur hidhet dritë mbi një argument biblik?

13 Kur të krishterët e hershëm mësuan se johebrenjtë e parrethprerë mund të bëheshin bashkëbesimtarë, ky ndryshim bëri të lindte një pyetje e re, nëse do të ishte e nevojshme që njerëzit e kombeve të rrethpriteshin. Kjo i shtyu apostujt dhe pleqtë të rishqyrtonin tërë çështjen e rrethprerjes. I njëjti model ndiqet edhe sot. Një rreze e shndritshme drite mbi një argument biblik, disa herë i shtyn shërbëtorët e mirosur të Perëndisë, «skllavin e besueshëm dhe të matur», të rishqyrtojnë argumentet që lidhen me të, siç e ilustron shembulli i mëposhtëm i kohëve të fundit.​—Mateu 24:45, BR.

14-16. Si ndikoi një rregullim në pikëpamjen tonë për tempullin frymor, në kuptueshmërinë e kapitujve 40 deri në 48 të Ezekielit?

14 Në vitin 1971, u botua një shpjegim i profecisë së Ezekielit në librin «Kombet do ta njohin se unë jam Jehovai»​—Si? (anglisht). Në një kapitull të atij libri trajtohej shkurtimisht vizioni që pa Ezekieli për një tempull. (Ezekieli, kapitujt 40-48) Në atë kohë, në qendër të vëmendjes ishte se si do të përmbushej në botën e re vizioni i tempullit i Ezekielit.​—2. Pjetrit 3:13.

15 Megjithatë, dy artikuj të botuar në Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1972 (anglisht), ndikuan në kuptueshmërinë tonë për vizionin e Ezekielit. Aty flitej për tempullin e madh frymor që përshkruante apostulli Pavël në kapitullin 10 të Hebrenjve. Kulla e Rojës shpjegonte se ndarja e Së Shenjtës dhe oborri i brendshëm i tempullit frymor lidhen me gjendjen e të mirosurve ndërsa janë në tokë. Vite më vonë, kur u rishikuan kapitujt 40 deri në 48 të Ezekielit, u kuptua se pikërisht ashtu si tempulli frymor po vepron sot, edhe tempulli që pa Ezekieli në vizion duhet të jetë duke funksionuar po sot. Përse?

16 Në vizionin e Ezekielit, shihen priftërinjtë që lëvizin në oborret e tempullit, duke u shërbyer fiseve jopriftërore. Këta priftërinj përfaqësojnë qartësisht ‘priftërinë mbretërore’, shërbëtorët e mirosur të Jehovait. (1. Pjetrit 2:9) Por ata nuk do të jenë duke shërbyer në oborrin tokësor të tempullit gjatë gjithë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. (Zbulesa 20:4) Gjatë pjesës më të madhe të asaj periudhe (ose ndoshta gjatë së gjithës), të mirosurit do të jenë duke i shërbyer Perëndisë në Më të Shenjtën e tempullit frymor, «në vetë qiellin». (Hebrenjve 9:24) Meqë në oborrin e tempullit të Ezekielit shihen priftërinj që shkojnë poshtë e lart, ai vizion duhet të ketë një përmbushje sot, kur disa prej të mirosurve janë ende në tokë. Në përputhje me këtë, numri i 1 marsit 1999 i kësaj reviste pasqyronte një pikëpamje të ndrequr për këtë temë. Kështu, deri në fund të shekullit të 20-të, për profecinë e Ezekielit pati dritë frymore.

Të jemi të gatshëm të bëjmë rregullime në pikëpamjen tonë

17. Çfarë rregullimesh keni bërë në pikëpamjen tuaj personale që kur keni marrë njohurinë për të vërtetën dhe si keni pasur dobi prej tyre?

17 Kushdo që dëshiron të marrë njohuri për të vërtetën duhet të jetë i gatshëm ta çojë «në robëri çdo mendim, për ta bërë të bindur ndaj Krishtit». (2. Korintasve 10:5, BR) Kjo nuk është gjithnjë e lehtë, sidomos kur disa pikëpamje janë rrënjosur thellë. Për shembull, para se të mësonim të vërtetën e Perëndisë, ne mund të kemi festuar disa festa fetare me familjen tonë. Pasi kemi filluar të studiojmë Biblën, kemi kuptuar se këto festime faktikisht kanë origjinë pagane. Fillimisht, mund të mos kemi qenë të prirur të zbatonim atë që po mësonim. Por, përfundimisht, dashuria për Perëndinë ka dalë më e fortë se ndjenja fetare dhe nuk kemi marrë më pjesë në festa që i shkaktojnë pakënaqësi Perëndisë. A nuk e ka bekuar Jehovai vendimin tonë?​—Krahaso Hebrenjve 11:25.

18. Si duhet të reagojmë kur na qartësohet kuptueshmëria për të vërtetën biblike?

18 Duke i bërë gjërat sipas mënyrës së Perëndisë, nxjerrim gjithnjë dobi. (Isaia 48:17, 18) Prandaj, kur na qartësohet pikëpamja për një fragment biblik, le të gëzohemi për avancimin e së vërtetës! Në të vërtetë, fakti që po vazhdojmë të ndriçohemi vërteton se jemi në shtegun e duhur. Është «shtegu i të drejtëve», i cili «është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë». (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18) Vërtet, aktualisht disa aspekte të qëllimit të Perëndisë i shohim «në mënyrë të errët». Por kur të vijë koha e duhur e Perëndisë, do ta shohim të vërtetën me tërë bukurinë e saj, nëse këmbët tona do të kenë mbetur të vendosura fort në «shteg». Ndërkohë, le të ngazëllohemi me të vërtetat që ka bërë të qarta Jehovai, duke pritur ndriçim për ato që ende nuk kuptohen qartë!

19. Cila është një mënyrë për të treguar se e duam të vërtetën?

19 Si mund ta shfaqim në mënyrë praktike dashurinë tonë për dritën? Një mënyrë është duke lexuar rregullisht, përditë, po të jetë e mundur, Fjalën e Perëndisë. A po ndiqni një program të rregullt për leximin e Biblës? Gjithashtu, revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! na japin bollëk ushqimi të shëndetshëm frymor për ta gëzuar. Merrni parasysh edhe librat, broshurat dhe botimet e tjera që janë përgatitur për dobinë tonë. Pastaj, ç’të themi për raportet inkurajuese të aktiviteteve të predikimit të Mbretërisë që botohen në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait?

20. Si lidhen drita dhe e vërteta nga Jehovai me praninë tonë në mbledhjet e krishtere?

20 Tamam, Jehovai i është përgjigjur në mënyrë të mrekullueshme lutjes së shprehur në Psalmin 43:3. Në fund të këtij vargu, lexojmë: «[Drita dhe e vërteta jote] të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.» A pritni me padurim ta adhuroni Jehovain, së bashku me një numër të madh njerëzish të tjerë? Arsimimi frymor që paraqitet në mbledhjet tona është një mënyrë e rëndësishme me anë të së cilës Jehovai siguron ndriçim sot. Çfarë mund të bëjmë për ta thelluar çmueshmërinë tonë për mbledhjet e krishtere? Ju ftojmë ta shqyrtoni këtë temë me lutje, në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 12 Pas vdekjes së Ç. T. Rasëllit, u përgatit një botim i përkufizuar si vëllimi i shtatë i Studime mbi Shkrimet, në përpjekje për të dhënë një shpjegim për librin e Ezekielit dhe atë të Zbulesës. Pjesërisht vëllimi bazohej në komentet që kishte bërë Rasëlli për këta libra biblikë. Megjithatë, nuk kishte ardhur ende koha që të zbulohej domethënia e atyre profecive, prandaj, në përgjithësi, shpjegimi që jepej në atë vëllim të Studime mbi Shkrimet ishte i mjegullt. Në vitet e mëvonshme, dashamirësia e pamerituar e Jehovait dhe zhvillimet në skenën e botës i kanë lejuar të krishterët ta dallojnë më me saktësi domethënien e atyre librave profetikë.

A mund të përgjigjeni?

• Përse Jehovai i zbulon progresivisht qëllimet e tij?

• Si e zgjidhën apostujt dhe pleqtë në Jerusalem çështjen e rrethprerjes?

• Cilën metodë për studimin e Biblës përdorën Studentët e hershëm të Biblës dhe përse ishte unike ajo?

• Ilustroni se si zbulohet drita frymore në kohën e duhur të Perëndisë.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 12]

Çarlz Teiz Rasëll e dinte se drita do të shndriste mbi librin e Zbulesës në kohën e duhur të Perëndisë