Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë dini për shtrigërinë?

Çfarë dini për shtrigërinë?

Çfarë dini për shtrigërinë?

SHTRIGËRIA! Çfarë ju sjell ndër mend kjo fjalë?

Për shumë veta, ajo është pjellë e besëtytnisë dhe e fantazisë, prandaj nuk duhet marrë seriozisht. Për ta, shtrigëria ekziston vetëm në përfytyrimet e imagjinatës​—shtriga plaka, të veshura me mantele me kapuça; që u vënë krahë lakuriqi nate kazanëve me ujë të valuar; që i shndërrojnë njerëzit në bretkosa e që fluturojnë natën nëpër qiell, mbi bishtin e një fshese, duke kukurisur me ligësi.

Për të tjerë, shtrigëria nuk është gjë për të qeshur. Disa studiues thonë që më shumë se gjysma e popullsisë së botës beson se shtrigat janë të vërteta dhe mund të ndikojnë në jetën e të tjerëve. Miliona njerëz besojnë se shtrigëria është e keqe, e rrezikshme dhe duhet pasur shumë frikë prej saj. Për shembull, në një libër ku flitet për fenë afrikane, thuhet: «Bindja për funksionimin dhe për rreziqet e magjisë së keqe, të yshtjes dhe të shtrigërisë, është e rrënjosur thellë në jetën afrikane . . . Shtrigat dhe yshtësit janë njerëzit që urrehen më shumë në vendin ku banojnë. Edhe sot e kësaj dite, ka vende dhe raste kur njerëzit i rrahin ato për vdekje.»

Gjithsesi, në vendet perëndimore shtrigëria ka vënë një maskë të re respekti. Librat, televizioni dhe filmat kanë bërë shumë për ta pakësuar frikën ndaj shtrigërisë. Dejvid Dejvis, kritik i programeve zbavitëse, vëren: «Papritur, shtrigat shfaqen më të reja në moshë e më tërheqëse, kategorikisht më tërheqëse. Hollivudi është i shpejtë për të nuhatur prirjet e ndryshme. . . . Duke i bërë shtrigat të duken më tërheqëse dhe më të dashura, ata mund të tërheqin një auditor më të madh, ku përfshihen gra dhe fëmijë të vegjël.» Hollivudi di se si ta kthejë një prirje të njerëzve në ofertë që sjell fitim.

Disa thonë që shtrigëria është bërë një nga lëvizjet fetare me rritje më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Në tërë botën e zhvilluar, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish, të frymëzuar nga lëvizjet feministe dhe të zhgënjyer me fetë kryesore, kërkojnë të plotësojnë nevojat shpirtërore në forma të ndryshme të shtrigërisë. Në fakt, format e shtrigërisë janë kaq të shumta, saqë njerëzit nuk janë dakord as rreth domethënies së fjalës «shtrigë». Gjithsesi, ato që deklarojnë se janë shtriga, shpesh identifikohen me Uikën​—që një fjalor e përkufizon si «një fe pagane e natyrës, që i ka rrënjët në Evropën Perëndimore të periudhës para krishterimit dhe që po fiton rigjallërim në shekullin e 20-të». * Rrjedhimisht, shumë veta i referohen vetvetes edhe si paganë ose neopaganë.

Gjatë gjithë historisë, shtrigat i kanë urryer, persekutuar, torturuar e madje i kanë vrarë. Nuk habitemi që praktikuesit modernë të shtrigërisë përpiqen në çdo rast të përmirësojnë imazhin e tyre. Në një anketë, u pyetën shumë shtriga se cilin mesazh dëshironin t’i shprehnin më shumë publikut. Përgjigjja e tyre, e përmbledhur nga kërkuesja Margot Adler, ishte: «Nuk jemi të liga. Nuk adhurojmë Djallin. Nuk dëmtojmë dhe nuk joshim njerëzit. Nuk jemi të rrezikshme. Jemi njerëz të zakonshëm si ju. Kemi familje, punë, shpresa dhe ëndrra. Nuk jemi një kult. Nuk jemi të mistershme. . . . S’keni pse të frikësoheni nga ne. . . . Jemi shumë më të ngjashme me ju, sesa mendoni.»

Ky mesazh po pranohet gjithnjë e më shumë. Por, a do të thotë kjo se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar lidhur me praktikën e shtrigërisë? Le ta shqyrtojmë këtë pyetje në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 6 Fjala në anglisht për «shtrigëri» vjen nga anglishtja e vjetër «uike» dhe «uika», që u referohen përkatësisht praktikuesve meshkuj e femra.