Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Besëlidhjen me Abrahamin, Jehovai e bëri në Ur apo në Haran?
Tregimi më i hershëm për besëlidhjen e Jehovait me Abrahamin gjendet te Zanafilla 12:1-3, ku thuhet: «Zoti i tha Abramit: ‘Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh . . . Te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.’» * Jehovai mund ta ketë bërë fare mirë këtë besëlidhje me Abrahamin, kur ky i fundit ishte në Ur dhe mund ta ketë ripohuar kur gjendej në Haran.
Në shekullin e parë, Stefani foli për urdhrin e Jehovait që Abrahami të transferohej në Kanaan. Duke folur para Sinedrit, Stefani tha: «Perëndia i lavdisë iu shfaq paraardhësit tonë, Abrahamit, tek ishte në Mesopotami, para se të vendosej me banim në Haran dhe i tha: ‘Dil nga vendi yt e nga farefisi yt dhe eja në vendin që do të të tregoj.’» (Veprat 7:2, 3) Abrahami ishte me origjinë nga Uri dhe, siç tregoi Stefani, aty e dëgjoi për herë të parë urdhrin për të shkuar në Kanaan. (Zanafilla 15:7; Nehemia 9:7) Stefani nuk përmendi besëlidhjen që bëri Perëndia me Abrahamin, por te Zanafilla 12:1-3 ajo besëlidhje lidhet me urdhrin për të shkuar në Kanaan. Prandaj, është e arsyeshme të besojmë se Jehovai e bëri besëlidhjen me Abrahamin në Ur.
Megjithatë, një lexim i kujdesshëm i tregimit të Zanafillës të jep të kuptosh se Jehovai e ripohoi besëlidhjen e tij me Abrahamin në Haran, pikërisht ashtu si përsëriti dhe zgjeroi disa veçori të saj, në disa raste në Kanaan. (Zanafilla 15:5; 17:1-5; 18:18; 22:16-18) Sipas Zanafillës 11:31, 32, i ati i Abrahamit, Terahu, u largua nga Uri për në Kanaan i shoqëruar nga Abrahami, Sara dhe Loti. Ata erdhën në Haran dhe qëndruan atje derisa vdiq Terahu. Abrahami qëndroi në Haran mjaft kohë sa për të grumbulluar pasuri të konsiderueshme. (Zanafilla 12:5) Gjithashtu, pas ndonjëfarë kohe, edhe Nahori, vëllai i Abrahamit, u transferua atje.
Pasi dokumenton vdekjen e Terahut, Bibla raporton fjalët që Jehovai i tha Abrahamit dhe vazhdon: «Atëherë Abrami u nis siç i kishte thënë Zoti.» (Zanafilla 12:4) Kështu, Zanafilla 11:31–12:4 na krijon një përshtypje të fortë se fjalët e dokumentuara te Zanafilla 12:1-3 Jehovai i tha pas vdekjes së Terahut. Nëse është kështu, Abrahami u largua nga Harani dhe u transferua në vendin që i tregoi Jehovai, sipas urdhrit që sapo kishte dëgjuar, si edhe sipas atij që kishte dëgjuar vite më parë në Ur.
Sipas Zanafillës 12:1, Jehovai e urdhëroi Abrahamin: «Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd.» Kohë më parë, «vendi» i Abrahamit ishte Uri dhe «shtëpia» e babait të tij ishte atje. Por, babai i Abrahamit e kishte transferuar familjen në Haran dhe Abrahami filloi ta quante këtë tokë vendin e tij. Pasi kishte shumë vjet në Kanaan, kur e dërgoi shërbëtorin e tij ‘në vendin e tij dhe te fisi i tij’ për të gjetur nuse për Isakun, shërbëtori shkoi në «qytetin e Nahorit» (ose Harani, ose ndonjë vend afër tij). (Zanafilla 24:4, 10) Atje, shërbëtori gjeti Rebekën ndër të afërmit e Abrahamit, në familjen e madhe të Nahorit.—Zanafilla 22:20-24; 24:15, 24, 29; 27:42, 43.
Në fjalimin që mbajti para Sinedrit, Stefani tha për Abrahamin: «Pasi i vdiq i ati, Perëndia bëri që ai të transferohej në këtë vend, në të cilin banoni tani.» (Veprat 7:4) Kjo tregon se Jehovai foli me Abrahamin në Haran. Është e arsyeshme të besojmë se në atë rast, Jehovai e përsëriti besëlidhjen e tij me Abrahamin, siç raportohet te Zanafilla 12:1-3, meqë besëlidhja hyri në fuqi kur Abrahami u transferua në Kanaan. Kështu, shqyrtimi i të gjitha fakteve na çon në përfundimin se Jehovai fare mirë mund ta ketë bërë besëlidhjen me Abrahamin në Ur dhe mund ta ketë ripohuar në Haran.
[Shënimi]
^ par. 3 Jehovai ia ndryshoi emrin Abramit në Abraham në Kanaan, kur ky i fundit ishte 99 vjeç.—Zanafilla 17:1, 5.